Vëzhgim/Analizë

Menaxhimi i mbetjeve në Elbasan, një sfidë për buxhetet e vogla të bashkive

9 qershor 2020/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore/ Elbasan

Menaxhimi i integruar i mbetjeve, veçse një kusht i vendosur nga BE mbetet një sfidë për bashkitë e vendit, si përgjegjëse për këtë proces për shkak të mungesës së fondeve të nevojshme. Kjo vihet re dhe tek mënyrat e zgjedhura nga bashkitë për të kryer menaxhimin e mbetje, ku në qarkun e Elbasanit, edhe pse ka një incenerator, shumë bashki e kryejnë këtë proces në forma të të ndryshme.

Menaxhimi i integruar i mbetjeve, përveçse është një domosdoshmëri për një mjedis të pastër urban, sipas deklaratave më të fundit të ministrit të Mjedisit Blendi Klosi, është edhe prioritet për dikasterin që ai drejton. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, në të gjithë vendin janë grumbulluar jo pak, por afërsisht 1 milion e 87 mijë tonë mbetje urbane, trajtimi i të cilave jo gjithmonë është ai i duhuri, nëpër landfille të përcaktuara apo në inceneratorët përkatës.

“Mendoj që është gjithmonë koha për të folur se çfarë ndodh me menaxhimin e mbetjeve urbane në vend dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Pandemia ka bllokuar shumë aspekte të jetës, por dëshirën për të jetuar pastër dhe në dashuri me mjedisin në asnjë moment nuk e ka tronditur. Në qoftë se do të ketë një ndryshim në të gjithë situatën tonë pranë Bashkimit Evropian, do të duhet të jetë jeta e përbashkët. Kur flasim për mjedisin, për natyrën, kur flasim për jetën e njerëzve gjithçka duhet të jetë brenda të njëjtit standard”, është shprehur Klosi në një aktivitet të organizuar nga delegacioni i BE në Tiranë, në muajin tetor 2020, dhe ku ambasadori Luigi Soreca theksoi se “mosmenaxhimi i mbetjeve lidhet me krimet mjedisore, me krimin e organizuar dhe me korrupsionin. Një sistem i qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve dhe efektiv është më shumë sesa pastrimi i rrugëve tona”.

Në fakt menaxhimi i mbetjeve urbane ka qenë gjithmonë pikë shqetësuese në raportet e BE për Shqipërinë. Këto raporte vënë në dukje se është krijuar një hartë dixhitale për vend-depozitimet e mbetjeve, por përmirësimi i kushteve të depozitimit dhe mbyllja e atyre më problematike ka mbetur pezull.

Ndërkohë sipas ligjit 139/2015, i takon pushtetit vendor që të kujdeset për grumbullimin, transportin, depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane. Pas këtij ligji, konkretisht që nga viti 2017, është vënë në funksionim Inceneratori i Elbasanit, por impianti nuk kishte filluar të funksionojë me kapacitet të plotë deri në fund të vitit 2020, pasi sasia e mbetjeve të depozituara për incenerim ishtë nën kapacitetin e kërkuar.

Megjithatë, për të kuptuar më qartë se si veprojnë bashkitë me mbetjet urbane, Porta Vendore bëri një vëzhgim dhe mori informacion duke u bazuar në qarkun e Elbasanit, duke u nisur nga fakti se ky qark ka një incenerator.

Algerta Dosku, specialiste pranë sektorit të shërbimeve dhe strehimit në Bashkinë e Librazhdit, na informoi se bazuar në një plan 5-vjeçar, kjo bashki që nga viti 2017 i dërgon mbetjet urbane në inceneratorin e Elbasanit. Sipas zonjës Dosku, bëhet fjalë për 3980 tonë mbetje urbane në vit që kjo bashki depoziton në incenerator. Ndërkohë, kostoja e grumbullimit dhe transportit të mbetjeve është rreth 27 milionë (26,888,858) lekë në vit. “Grumbullimi dhe transporti i mbetjeve bëhet nga operator privat me kontrata vjetore dhe ka vlerën mesatare rreth 26,888,858 lekë në vit. Në shërbimin e pastrimit ë ofruar, përfshihen shërbime si grumbullim i mbetjeve, transport në incenerator, larje dhe fshirje në rrugët e qytetit dhe pjesë të rrugës nacionale”, bën të ditur specialistja Algerta Dosku.

Ndërkohë Bashkia Gramsh bën të ditur për Porta Vendore se kanë nisur të depozitojnë mbetjet urbane në inceneratorin e Elbasanit në muajin tetor të 2020, ndërsa kostoja e grumbullimit dhe transportit është 16.7 milionë lekë ,për afro 2591 tonë mbetje ne vit. “Nga muaji Tetor 2020, mbetjet dërgohen të gjitha në inceneratorin e Elbasanit. Deri tani nuk kemi pasur një mjet matës për mbetjet, por në bazë të një norme mesatare në rang qarku dhe numrit të popullsisë, kemi parashikuar se gjenerojmë 2591 tonë mbetje në vit. Tani që po i çojmë në incenerator, do arrijmë të kemi një shifër më të saktë në lidhje me sasinë e gjenerimit të mbetjeve. Buxheti vjetor i bashkisë për trajtimin e mbetjeve, ku trajtim përfshihet tërheqja e mbetjeve nga pikat e grumbullimit dhe transportimi i tyre në inceneratorin e Elbasanit, është 16.780.514 lekë”, bën të ditur Bashkia Gramsh e cila thotë se “vlera e kontratës midis Bashkisë Gramsh dhe inceneratorit për trajtimin e mbetjeve është 0 lekë deri në fund të vitit 2021”, por ende nuk ka një kontratë sesa do të jetë kostoja për këtë shërbim në përfundim të kontratës .

Sipas Bashkisë Gramsh, për shkak se bashkitë nuk mund të përballonin menjëherë edhe koston e transportit për dërgimin e mbetjeve në incenerator edhe koston e përpunimit, është ndjekur një politikë e tillë, ku bashkitë deri në 2021 nuk do paguajnë për përpunimin e mbetjeve.

Kurse Bashkia Prrenjas, ndryshe nga e Gramshit dhe e Librazhdit, nuk i dërgon mbetjet në inceneratorin e Elbasanit, pasi nuk përballon dot koston e transportit. “Bashkia Prrenjas ka miratuar Planin Vendor për Menaxhimin e Mbetjeve Urbane si dhe Rregulloren për Administrimin e Mbetjeve. Bashkia Prrenjas ka të përcaktuar vendgrumbullimin e Mbetjeve Urbane (Krastë), e cila ndodhet në anën veri-perëndimore të Qytetit të Prrenjasit, në një distance rreth 5 kilometra larg qendrës së qytetit. Në Bashkinë Prrenjas grumbullohen 3243 Ton mbetje në vit. Bashkia Prrenjas nuk i depoziton mbetjet tek inceneratori i Elbasanit pasi e ka të pamundur përballimin e kostos së lartë të transportit të tyre për në incenerator si dhe nuk disponon një pikë transferimi mbetjesh”, shprehet Gerti Roci, Specialist Mjedisi pranë kësaj bashkie.

Ai thotë se kostoja e transportit për transferimin e mbetjeve në Inceneratorin e Elbasanit shkon 8,1 milionë lekë pa T.V.SH, para të cilat kjo bashki nuk i përballon dot. Roci gjithashtu njofton se Bashkia Prrenjas ka arritur një marrëveshje me GIZ në lidhje me planifikimin, hartimin dhe rehabilitimin e vendgrumbullimit të mbetjeve urbane. “Marrëveshja me GIZ është lidhur me 13.08.2020 ku jemi në fazën e hartimit të projektit dhe besoj se për një kohë të shkurtër të fillojmë dhe me zbatimin e tij”, përfundon zoti Roci.

Për të pasur një panoramë të plotë të qarkut Elbasan, Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Elbasanit dhe Bashkisë së Cërrikut, për t’u njohur me problematikën që ata kanë me menaxhimin e mbetjeve urbane, por të dyja këto bashki nuk kthyen përgjigje.

Ndërkohë, në një deklaratë të bërë më 16 tetor 2020, nga Bashkia Elbasan, thuhet se mbetjet urbane depozitohen në incenerator që prej vitit 2017, dhe ky impiant prodhon energji elektrike, mjaftueshme për veten e saj si edhe për ta dërguar në rrjet.

“Bashkia e Elbasanit sqaron opinionin publik se prej Shkurtit të vitit 2016 ky impiant nisi operimin në Elbasan, ndërsa incenerimi nisi në vitin 2017, prej asaj kohe funksionon normalisht çdo ditë. Që prej kësaj kohe, Bashkia e Elbasanit depoziton mbetjet urbane në këtë incenerator pa pagesë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Mjedisit dhe AlbtekEnergy. Impianti i Përpunimit të Mbetjeve Urbane ka një kapacitet ditor të përpunimit të mbetjeve 120 tonë. Aktualisht Bashkia e Elbasanit depoziton, jo më shumë se 80 tonë në ditë. Për këtë arsye, por edhe për të zgjidhur problemin e ndotjes në qark, bashki të tjera kanë nënshkruar kontratë dhe aktualisht depozitojnë mbetjet e tyre në këtë incenerator. Bashkia e Cërrikut, Bashkia e Belshit dhe Bashkia e Librazhdit tashmë depozitojnë mbetjet e tyre në inceneratorin e Elbasanit”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Bashkisë Elbasan.

Porta Vendore kërkoi informacion dhe pranë Bashkisë Belsh dhe Bashkisë Cërrik për të kuptuar sesa ton mbetje grumbullohen nga këto dy bashki dhe sa u kushton shërbimi për mbetjet, por asnjëra prej tyre nuk kthyen përgjigje. Megjithatë, Porta Vendore zbuloi se Bashkia Belsh prodhon rreth 13 tonë mbetje në ditë, ndërkohë që bashkia Cërrik rreth 10 tonë mbetje. Të dhëna të tjera për të ardhurat e mbledhura nga tarifa e pastrimit gjatë vitit 2020 dhe shpenzimet e kryera për këtë shërbim nuk janë publikuar të ndara nga ana e këtyre dy bashkive.

Por, duke llogaritur të gjitha bashkitë, të cilat janë konfirmuar se depozitojnë mbetjet në inceneratorin e Elbasanit, vihet re se plotësohet norma ditore prej 120 tonësh në ditë, aq sa duhet që ky incenerator të punojë me kapacitet të plotë.

Lidhur me këtë situatë, Porta Vendore kontaktoi me drejtorin e inceneratorit të Elbasanit, Enea Murataj, nëse inceneratori ka nisur punë me kapacitet të plotë, por nuk mori një përgjigje. Po ashtu, autoritetet përgjegjëse të inceneratorit u pyetën dhe për sasinë që depozitohet nga secila bashki dhe sa është tarifa që paguajnë, por edhe për këtë çështje nuk u mor një përgjigje.

Menaxhimi i mbetjeve është përgjegjësi e pushtetit lokal, por siç është evidentuar edhe në raportin mbi qeverisjen vendore në Shqipëri i publikuar në vitin 2019 nga shoqata e bashkive :

Sipas Ligjit 139/2015, bashkitë janë përgjegjëse në territorin e juridiksionit të tyre për mbledhjen, largimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe shtëpiake. Qeveria është investuar shumë në hartimin e kuadrit ligjor dhe rregullator në përputhje me politikat e Bashkimit Europian (BE) në sektorin e menaxhimit të mbetjeve. Problemi mbetet zbatimi në nivel vendor dhe nëse këto objektiva janë të realizueshme sot në bashki.

Këtë e vë në dukje edhe eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti, i cili shprehet se ky problem është më i theksuar në bashkitë e vogla. “Bashkia Librazhd kishte ca kohë që i hidhte andej nga pjesa lindore e territorit të saj, në afërsi të fshatit Shebenik. Duhet që bashkitë dhe krerët e tyre ta vrasin mendjen për një zgjidhje adekuate, pasi nuk kanë fuqi financiare që të përballojnë kostot e inceneratorit, dhe në fakt djegia nuk është zgjidhje. Praktika e vendeve Europiane ka treguar se riciklimi është zgjidhje, bota tani e ka çuar në thuajse 100% por unë s’po them që ta çojmë aty, por së paku ta nisim këtë proces, e të kemi sensibilizimin e duhur për ta bërë këtë. Bashkitë që kanë probleme me menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Elbasanit, edhe neve që merremi me mjedisin na kanë si fobi, pasi nuk pranojnë as takime dhe as diskutime me shoqërinë civile, për t’i gjetur zgjidhje problemeve që lidhen me mbetjet. Një qytet pa një strategji nuk mund të bëhet, pasi është njësoj si të pastrosh shtëpinë e t’i hedhësh plehrat nga dritarja”, shprehet Mehmeti.

Nga ana tjetër, gjetjen e një zgjidhjeje ua ka kërkuar bashkive edhe Ministria e Mjedisit, i cila shprehet se caktimi i buxhetit për mbetjet është detyrim ligjor për pushtetin vendor. “Në takimet me kryetarët e bashkive si dhe me shkresa u është kërkuar bashkive implementimi i VKM për metodologjinë e llogaritjes së kosto-tarifë, ndarja e mbetjeve në burim dhe ngritja e infrastrukturës së mbetjeve”, shprehet Ministria e Mjedisit në një prononcim të shkurtër për Portën Vendore.