Ngjarje/Personazhe

Artizanati në Vaun e Dejës, gratë: “Punët e dorës” t’i trashëgojmë në breza

9 qershor 2021/ Franceska Ndoja/ Porta Vendore/ Vau i Dejës

Artizanati në Vaun e Dejës është trashëguar brez pas brezi, duke bërë qe gratë dhe vajzat e kësaj zone të ushtrojnë këtë traditë me fanatizëm të rrallë dhe krenari, sidomos në tezgjah. Pikërisht artizanati ishte ai që u erdhi në ndihmë më shumë se çfarëdo banorëve të Vaut të Dejës në krizën ekonomike për shkak të pandemisë, pasi filluan të prodhojnë maska të bëra me dorë kundër virusit vdekjeprurës. Megjithatë, gratë e Vaut të Dejës shprehen se artizanati po lihet në harresë, dhe për këtë kanë ndërmarrë një projekt me qëllim edukimin e të rinjve drejt punëve të dorës dhe ruajtjen e traditës brez pas brezi.

Meliha Zyberaj, artizania nga Vau i Dejës, tregon sfidat e këtij viti pandemik, por edhe interesimin e qytetarëve që të blinin maska, të cilat punoheshin me dorë nga gratë artizane.
Pandemia ka ndikuar, por siç i themi ne të mbyll Zoti një rrugë, por të hap tjetrën, kemi vazhduar të punojmë me maskat sepse kishim porosi me logo të ndryshme. Me shoqata të ndryshme kemi punu , ja kemi dal edhe pse me vështirësi”, thotë ajo për Portën Vendore.
Meliha na rrëfen se ka 3 vite që ka hyrë në këtë treg, pasi në këtë zanat thuajse ka gjithë jetën, madje së fundmi ka punësuar edhe 5 gra të tjera të zonës, duke ngritur kështu një punishte të mirëfilltë.
Ndryshimi nga viti në vit është i madh , sepse vitin e parë e kemi filluar me pak ndërsa tani kam punësuar pesë gra, të cilat punojnë në mënyrë të vazhdueshme”, thotë ajo, duke u renditur në fakt ndër të paktat gra të zonjës që ka marrë përsipër këtë iniciativë, duke bërë një bashkim grash e vajzash të zonës teksa punojnë për veten e tyre.
Ajo me dhimbje rrëfen për Portën Vendore se mungesa e turistëve ka sjellë edhe shitje më të pakta të produkteve të artizanatit.
Janë të interesuar sepse ne kemi klientelën tonë, punojmë me rrjetet sociale, kemi marrë pjesë në panaire të ndryshme dhe janë të interesuar për punimet tona, sidomos për punimet e tezgjahut. Por, mungesa e turistëve të huaj ka sjellë ndryshime, pasi ata kanë bërë blerje deri më tani , por të shpresojmë se do të hapen rrugët”, tha ajo.
Në zonën e Vau të Dejes mund të jenë rreth 10-15 familje, të cilat sigurojnë të ardhurat nga puna në tezgjah. Edhe në Mjedë, Hajmel e Shelqet, pak familje të tjera merren ende me tezgjah.
Ndërsa gratë artizane punojnë pikërisht ato produkte të cilat ecin më shumë, pasi duke qenë për kaq gjatë në treg i njohin edhe kërkesat e klientit.
Produktet më të kërkuara janë shallet, çarçafët, mbulesat e tavolinave, mbulesat e vogla dhe kostumet tradicionale”, tha një tjetër artizane teksa punon në tezgjah.
Regjina Rrakatori është një tjetër grua e zonës së Vaut të Dejes që punon prej 5 vitesh si artizane, megjithëse si një punë të dytë, pasi ajo me profesion është infermiere. “Unë e kam pasur gjithmonë pasion, bëj punë të ndryshme. Punojmë në grup dhe ndjehemi shumë mirë”, thotë ajo për Portën Vendore.

Meliha Zyberaj, artizane e Vaut të Dejës. Foto: F. Ndoja

Teksa po shihnim punimet, u hasëm me Nushën, artizania, e cila prej më shumë se 50 vitesh merret me tezgjah. Asnjëherë nuk është lodhur nga kjo punë, por gjithmonë ka punuar me dashuri dhe pasion, por misioni i saj ka qenë që të përçojë te fëmijët këtë trashëgimi që mos të humbasë.

Nusha Deja tregon se këto punime janë identiteti i tyre, ndaj ajo do e vazhdojë punën deri sa sytë e saj të mos shohin më e duart të mos i punojnë. “Unë me këtë punë merrem që 10 vjeçe e sot jam 66 vjeçe. Që 10 vjeçe kam punu, pasi ne jemi vesh me këtë veshje, veshjen e Zadrimës dhe të gjitha i kemi punuar me dorë. Nuk ka qenë e vështirë ta mësoja, pasi e kishim trashëgimi në familjen tonë, unë ia kam trashëguar tani edhe fëmijëve të mi, edhe djemve madje. Vajzat dhe mbesat e mia i preferojnë si veshje edhe pse janë jashtë vendit, i punojë në tezgjah dhe i nis tek ato”, thotë ajo plot pozitivitet. Por kur e pyesim për shitjet, entuziazmi i saj zbehet disi. “Prej pesë vitesh nuk ka pasur shumë shitje, por edhe këto dy vitet e pandemisë ishin të vështira. Kanë munguar të huajt dhe kjo na ka penalizuar”, shprehet ajo për Portën Vendore.

Për mbështetjen e artizanatit, në sheshin kryesor në Bashkinë e Vaut të  Dejës,  në datë 4 qershor 2021  , një grup grash e vajzash artizane në Vaun e Dejës, organizuan nje aktivitet, me sloganin “të rinjtë në iniciativë”. Aktiviteti ishte në kuadër të Javës së Demokracisë të organizuar nga Leviz Albania.

Punët e dorës të grave të Vaut të Dejes. Foto: F. Ndoja.

Kryefjala e këtij aktiviteti ishin qëndismat e ndryshme me motive shqiptare, diku një shqiponjë, diku burra e gra me veshje popullore nga ato të hershmet me qeleshe e me jelekë, ashtu si e donte tradita. Punimet me grep, me dorë dhe tezgjah u ekspozuan në shesh, duke sjellë në vëmendje traditën e vjetër, te pashuar ndër breza.

Punët e dorës së grave janë ato që më së shumti i kanë rezistuar kohës, deri në ditët e sotme. Sofrabezet e prodhuara nga gratë zadrimore, por jo vetëm, janë të një cilësie të lartë dhe tepër të preferuara. Një vend të rëndësishëm në punëdoret e grave e zë edhe përgatitja e kostumeve tradicionale. Ato janë ruajtur në origjinal dhe janë shprehje e qartë e identitetit të këtyre zonave. Shumë e lashtë vjen tek gratë tradita e punimit të krimbit të mëndafshit, që përdorej për prodhimin e veshjeve dhe pëlhurave që i nevojiteshin një shtëpie.

Ndërsa tani, puna më e madhe e tyre është trashëgimia e kësaj pune brez pas brezi duke përçuar traditën dhe kulturën e vjetër. Ndërkohë në zonën e Vau të Dejes kanë nisur të zhvillohen gradualisht edhe bizneset familjare.

Kemi bërë prezantimin e projektit në shkolla e Bashkisë së Vau të Dejës, Hajmel, Pistull, etj dhe pasi janë njohur me programin dhe aktivitetin, kanë shprehur dëshirën të jenë prezent, tani janë pjesë në kurset e artizanëve në Vau Dejës”, thotë Meliha Zyberaj drejtuese e projektit.

Ky aktivitet, i mbajtur më datë 4 qershor në javën e demokracisë, synon të nxisë të rinjtë drejt punësimit, drejt kurseve profesionale etj. “Në fakt ne e nisëm me pak, por interesimi ishte shumë i madh. Ishte edhe në vitet e para të gjimnazit, e dyta dhe të treta. Ne e bëmë vetëm me vitin e maturës, por interesimi ishte shumë i madh. Ne kemi përzgjedhur 60 nxënës, nga 10 nxënës për shkollë që të jenë pjesë e këtyre kurseve”, thotë drejtuesve e projektit për Portën Vendore.

Një problematikë prezente në këtë sektor është edhe certifikimi i të rinjve, teksa Meliha duket se e ka një përgjigje edhe për këtë, duke kërkuar ndihmë nga institucionet shtetërore. “Po, pasi kërkesa është shumë e madhe për kurset profesionale në Vaun e Dejës. Të na jepet e drejta nga zyra e punës në Shkodër, të jepet certifikata këtu dhe kurset të zhvillohen po këtu sepse kërkojnë kurse të ndryshme dhe nuk kemi të drejtë certifikate. Ne e kemi diskutuar edhe me Bashkinë Shkodër, por ato thonë të ndjekin kurset atje, ndërkohë që është një shpenzim shumë herë më i madh po të shkojnë në Shkodër”, thotë Meliha për Portën Vendore.

Kostumet tradicionale të zonës, punuar me dorë. Foto: F. Ndoja

Të rinjtë e Vau të Dejës shfaqin interes që të ndjekin kurse për të çuar përpara trashëgiminë e të parëve. E tillë është edhe vajza 18-vjeçare, Anflida Guri, e cila tregon se prej një viti i është bashkuar kursit të artizanëve, pasi e ka me pasion dhe dëshiron të çojë përpara edhe trashëgiminë e nënës. E sheh të ardhmen e saj, duke punuar me tezgjah dhe punime dore, ndërkohë që ka një mesazh të fortë për bashkëmoshatarët.  “Mos harroni traditat e të parëve, ejani të ndryshojmë diçka për vendin tonë”, shprehet ajo për Portën Vendore, duke shtuar se “Kjo është një punë që ka tepër benefite dhe i mban të rinjtë e aktivizuar, duke ruajtur tiparet dhe vlerat tradicionale si dhe duke rritur turizmin vendas. Në fakt, të rinjtë janë shumë të interesuar, duke parë edhe kushtet e favorshme që ofron vendi ynë në realizimin e këtij projekti dhe dëshira për të qenë aktiviste, për të ruajtur traditën nga të parët tanë që janë me origjinë nga Zadrima. Unë do e vazhdoj këtë punë edhe në të ardhmen. Këtë e them me bindje”.

Drejtori ekzekutiv i Leviz Albania Erton Kashta tregon se ky aktivitet i referohet të rinjve, që të çojnë përpara vlerat e kësaj zone, por edhe të përfshirit e brezave të rinj në ruajtjen e traditës dhe të krijimit të mundësive punësimi në mënyrë që mos të largohen nga Shqipëria.

Projekti i sotëm, zhvillohet nga një grup i grave të Vau të Dejës dhe i referohet përpjekjeve për të mbajtur gjallë traditat dhe kulturën e kësaj zone dhe bazohet në punimet artizanale. Kemi parë gjëra mjaft interesante. Ky është një nga projektet që Leviz Albania ka mbështetur në zonën e Shkodrës, ky në veçanti është një projekt që ka si synim të përfshijë edhe të rinjtë, për të mos e harruar traditën në elementë të ndryshëm që kanë zhvilluar prindërit e të rinjve në këtë zonë, por edhe të promovohen këto vlera në ruajtjen e kulturës. Besoj që punimi i produkteve artizanale shërben edhe mundësi për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë në mënyrë që mos të largohen nga vendlindja e tyre”, thotë Erton Kashta, drejtues i Leviz Albania.