8 qershor 2021/Franceska Ndoja/Porta Vendore/Shkodër
Parandalimi i dhunës seksuale tek të miturit ka bërë bashkë disa të rinj aktivistë në Shkodër, të cilët advokojnë për edukimin e të miturve. Me moton “Çoni zanin”, ata janë fokusuar kryesisht te edukimi seksual i të miturve si në shkollë, ashtu dhe në shtëpi, ku të flasësh për seksin, ende mbetet tabu.
Një grup aktivistësh, kanë dalë me stenda në sheshin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, për të sensibilizuar edhe të rinj të tjerë lidhur me fenomenin e dhunës seksuale.
“Synimi i këtij aktiviteti të sotëm ishte që të ndërgjegjësojmë njerëzit për dhunën seksuale. Ndërsa mesazhi është që ti nuk je vetëm, ka njerëz që punojnë t’ju ndihmojnë kur jeni në vështirësi”, tha për Portën Vendore, Vanesa Çuliqi, aktiviste.

Një grup të rinjsh aktivistë, nëpërmjet projektit “Parandalimi dhe adresimi i dhunës seksuale tek të rinjtë dhe fëmijët” të mbështetur nga Leviz Albania, për një periudhë thuajse 1-vjeçare synojnë që të sjellin sensibilizim të shoqërisë sa i përket dhunës seksuale, rastet e së cilës po shtohen dita-ditës. Ndërsa aktiviteti i zhvilluar më datë 28 maji ishte në kuadër të përmbylljes së iniciativës për sensibilizim mbarëqytetarë.
“Projekti në qendër ka dhunën seksuale dhe kemi kërkuar të ndalemi te grupmosha që e ka informacionin e gatshëm kudo që ta kërkojë, por ka të bëjë shumë edhe burimi ku e marrin informacionin dhe interpretimin që kanë të rinjtë. Prandaj kemi zgjedhur këtë projekt që të informojmë sa ma shumë të rinj mbi këtë temë që në shkollë anashkalohet dhe në shtëpi është tabu”, shprehet Aldo Radi, aktivist.
Aktivistët kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh ku nuk kanë munguar workshopet e targetuara për 2 grupmosha të ndryshme, përkatësisht 10-14 dhe 15-18 vjeç mbi dhunën seksuale me rreth 40 të rinj pjesëmarrës. “Nga këto ëorkshope kemi zgjedhur 10 të rinj që janë angazhuar më shumë dhe kemi ngritur grupin e advokuesve. Grupi i advokuesve ka pasur si qëllim krijimin e 4 fushatave sensibilizuese. Pas ngritjes së advokuesve kemi bërë edhe 4 takime me prindër, ku përgjatë takimeve prindërit janë vënë në dijeni se çfarë kanë bërë fëmijët konkretisht tek workshopet dhe advokuesit. Gjithashtu me prindërit kemi bërë edhe diskutime se si t’i qëndrojmë afër fëmijëve dhe si të flasim për të tilla tema si seksualiteti”, thotë aktivisti, ndërsa thekson se : “Pika kulminante e projektit ka qenë forumi ku fëmijët dhe të rinjtë kanë pasur përballë një panel prej 7 personash nga organizata të shoqërisë civile, policisë dhe bashkisë, ku të ftuarit kanë prezantuar punën e tyre dhe fëmijët kanë bërë pyetje mbi gjërat ku ato kanë pasur paqartësi”, shprehet Aldo për Portën Vendore.
Ndërsa përsa i përket edukimit dhe kulturës që kanë të rinjtë lidhur me seksualitetin e tyre dhe se sa rol luan vetë shkolla aktivisti Aldo Radi thotë se: “Fëmijët janë të informuar por mendoj që është herët të flasim për edukimin e tyre. Pa dashur të jem pesimist, por akoma ka mësues që i anashkalojnë mësimet seksuale në lëndën e biologjisë”, përfundon ai, duke drejtuar në njëfarë mënyrë qoftë edhe tërthorazi gishtin te shkolla.
“Disa të rinj prej muajsh, një prej tyre edhe unë, kemi marrë leksione mbi seksualitetin dhe një grup më i vogël jemi bërë pjesë e nismës të sensibilizojmë të rinjtë e Shkodrës”, shprehet për Portën Vendore, Matea Cepi.
Në total janë 70 fëmijë edhe të rinj që kanë marr pjese në projekt nga mosha 10-18 vjeç. Janë nxënës nga 10 shkolla 9 vjeçare dhe gjimnaze te qytetit.
“Gjithashtu janë dhe 12 studente të moshave nga 19-24 vjeç nga Klubi Social Rinor që kanë marr pjesë në projektin e realizuar”, thanë organizatorët për Portën Vendore.
Edhe Nikola Simoni, një tjetër aktiviste, rrëfen për Portën Vendore se mesazhi i të rinjve është tejet i qartë, ata duan të jenë të lirë dhe të mos paragjykohen lidhur me dramat e jetës.
Duke marrë shkas nga rasti më i fundit, ku një 15 vjeçare nga fshati Tarazh i Mirditës u abuzua seksualisht nga 5 bashkëfshatarë të saj, aktivistët e shoqërisë civile që janë të angazhuar në mbrojtjen e kësaj kauze sytë i kanë nga shteti.
“Ndoshta është momenti që nga shteti të provohet një praktikë e re, sipas mendimit tim duhet që të futet një modul enkas vetëm për këtë temë nëpër shkolla. Në rastet më të shpeshta me përdhunimet e të miturve ndodhin edhe që fëmijët pa fajin e tyre të mos e kuptojnë se çfarë po ndodh me trupin e tyre”, tha Aldo Radi për Portën Vendore.
Aktivistët e Shkodrës, të cilët merren me këtë kauzë thuajse shprehen të gjithë njëzëri lidhur me rastin e 15-vjeçares, teksa thonë se nuk është bërë sa duhet si nga pushteti qendror ashtu edhe nga ai vendor për parandalimin e një rasti të tillë.
“Nuk është bërë sa duhet nga autoritetet. Sepse shteti nuk ka ngritur zërin sa duhet”, shprehet Çuliqi për Portën Vendore teksa na rrëfen një tjetër rast të ndodhur në Shkodër, rreth 3 vite më parë, ku një tjetër vajzë ka rënë pre e abuzimit seksual.
“Është rasti i një vajze që ka qenë e mitur, në klasën e tetë apo të nëntë dhe është manipuluar dhe përdhunuar nga i dashuri i saj. Kjo ka ndodhur tre vite më parë, në Shkodër. Nuk ka denoncuar, thjesht i ka treguar vetëm shoqeve dhe familjes. Nuk ka denoncuar dhe as nuk ka shkuar në institucione të ndryshme rehabilituese, vetëm për shkak të mentalitetit”, rrëfen aktivistja. Porta Vendore mëson se vajza në fjalë ka qenë edhe te protesta për 15-vjeçaren e abuzuar në Mirditë, e organizuar në Shkodër, realizuar më 24 maj.
“Fatkeqësisht janë të rralla daljet e tjera që janë bërë, por kjo nuk do të thotë që shoqëria civile nuk i kushton rëndësi. Në nëntor të vitit të kaluar është bërë peticioni për regjistrin kombëtar të përdhunuesve. Dhe tani me rastin e fundit kemi emra konkretë. Është duke dhënë ‘frytet e para’ nëse mund ta quajmë kështu”, sqaron Aldo Radi, aktivist i Shkodrës.