7 qershor 2021/Elvis Hila/Porta Vendore/Lezhë
Lumi Mat, në zonën mes Lezhës dhe Kurbinit, i cili dikur përdorej dhe për plazh, e ka humbur lavdinë e dikurshme. Mbledhja e inerteve nga ky lumë, por dhe papastëria e ka çuar atë drejt degradimit. Kjo ka mbledhur banorët e zonës në një aksion për t’i kthyer atij ‘lavdinë’, me qëllim rikthimin e tij në një atraksion turistik, ndërsa bashkia premton se qeveria ka një projekt për këtë lumë.
Lumi Mat që ndan Lezhën dhe Kurbinin, ka qenë një atraksion turistik mjaft i pëlqyer deri në vitet 1990. Brigjet e tij shfrytëzoheshin masivisht për turizëm nga banorët e fshatrave që shtrihen rreth tij, por jo vetëm. Por me hyrjen e demokracisë, shfrytëzimi pa kriter i lumit për inerte nisi t’ia humbiste lavdinë dhe bukurinë që kishte, e për rrjedhojë frekuentimi nga vizitorët erdhi gjithnjë në rënie.
Brigjet e Lumit Mat janë vendi i preferuar për plazh për Xhaferr Abedinin nga fshati MalBardhë i Kurbinit. 62-vjecari tregon se për 40 vite kalonin një pjesë të konsiderueshme të ditëve së verës në brigjet e lumit : “Unë jam nga fshati Malbardhë, i cili ndodhet pak kilometra larg lumit Mat. Këtu në lumin Mat ishte vendi më i preferuar për të bërë plazh. Vinim së bashku me shoqërinë dhe familjen pjesën më të madhe të verës. Aty kishte një peizazh piktoresk dhe me ujë mjaft të pastër ndaj dhe e kam frekuentuar për rreth 40 vite për plazh”, thotë Abedini për Portën Vendore.
“Brigjet e lumit Mat ishin të preferuara për plazh, jo vetëm nga banorët e fshatrave përreth por dhe nga udhëheqja komuniste e saj kohe. Ata e konsideronin këtë vend si një perlë, ndaj dhe e frekuentonin rregullisht, kryesisht në zonën pranë fshatit Skuraj. Brigjet e lumit kanë qenë të gjelbëruara. Ne si zonë ishim me fat që e kishim këtë lum afër”, shprehet Abedini.
Ymer Hysa, banor dhe studiues nga Kurbini tregon se ky lum është shfrytëzuar pa kriter për inerte .
“Lumi i Matit ka qenë një nga lumenjtë më të preferuar jo vetëm nga vendasit, por edhe nga turistët e huaj. Veçanërisht në zonën e Skurajt në Kurbin, ka qenë pjesa me e frekuentuar dhe aty vinin dhe bënin pushime me ditë të tëra dhe punonjësit e Ambasadave. Në këtë mënyrë ka funksionuar deri në vitet ‘90, por pas kësaj kohe nisi të shkatërrohet. Shfrytëzimi pa kriter për inerte e ka degraduar lumin, shtrati i të cilit ka ndryshuar rrjedhë”, thotë Hysa për Portën Vendore.

Situata në të cilën ndodhet lumi ka nxitur Besnik Hidrin, një mësues aktivist nga Kurbini, që të ndërrmarrë një iniciativë për pastrimin dhe promovimin e lumit Mat. Falë mbështetjes së Leviz Albania, ai ka nisur zbatimin e projektit me titull “Ruajtja dhe kthimi në zonë turistike të lumit Mat”. Në kuadër të kësaj iniciative u ndërmor më datë 5 qershor një aksion pastrimi në brigjet e këtij lumi, si dhe u zhvilluan gara me kaone. Kësaj iniciative iu bashkuan aktivistë të shoqërisë civile, autoritete vendore, nxënës, mësues e banorë të zonave përreth.
Erton Kashta, Drejtor Ekzekutiv i Leviz Albania, thotë se synimi kryesor i kësaj iniciative është që komunitetit të jetë aktiv për të bashkëpunuar me Qeverisjen Vendore për shërbime më të mira.
“Iniciativa e sotme është në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit. Ne si pjesëtarë të Leviz Albania jemi këtu sot në breg të lumit Mat në afërsi të Urës së Zogut, që të japim një shembull personal, për të nxitur të gjithë qytetarët që të jenë aktiv, të angazhohen në punë që i shërbejnë komunitetit. E dyta jemi këtu për të promovuar dhe vlerat turistike që ka kjo zonë. Vlerat që lidhen me urën e Zogut, por dhe me traditat e zonës përreth. Vetë lumi si një burim natyror mund të ofrojë mundësi për zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik të kësaj zone. Synimi ynë kryesor është që komuniteti të jetë aktiv, dhe përmes këtij shembulli që ne po japim, do i ftonim të gjithë qytetarët që të jenë aktivë, jo vetëm në mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve ujore, por edhe të qenurit aktivë në jetën e tyre të përditshme për të kërkuar dhe bashkëpunuar me Njësitë Vendore për shërbime më të mira”, thotë z. Kashta.
Vullnetarët që iu bashkuan kësaj nisme shprehen se mbrojtja dhe zhvillimi i këtij lumi është në të mirë të të gjithë zonës. “Iniciativa të tilla për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore janë mjaft të rëndësishme. Ne jemi bashkuar me kënaqësi kësaj nisme dhe u bëjmë thirrje të rinjve të tjerë që të na ndihmojnë, pasi mendojmë se mund t’i kthejmë lavdinë e dikurshme këtij aseti mjaft të rëndësishëm ujor për zonën dhe gjithë vendin”, thotë Angjelina Mikaj, nxënëse vullnetare.

Ndërsa aktivisti i shoqërisë civile, Elton Laska thotë se është mjaft i rëndësishëm sensibilizimi i të gjithë shoqërisë për një mjedis të pastër, ndërsa shpreh indinjatën e tij për mosndërhyrjen në urën e Zogut, e cila rrezikon të shembet plotësisht, problematikë të raportuar edhe nga Porta Vendore .
“Qëllimi i kësaj iniciative është që ne të sensibilizojmë sa më shumë qytetarët në mënyrë që ambientin ta mbajmë të pastër, në mënyrë që ne të vlerësojmë të gjitha asetet që ne kemi e konkretisht lumin Mat. Ne e kemi ngritur vazhdimisht problemin e urës së Zogut e cila po shembet plotësisht por siç e shikoni ende nuk ka asnjë ndërhyrje. Është e pafalshme që një monument kulture që mbrohet nga shteti të katandiset në këtë mënyrë dhe që të mos merret asnjë masë. Pavarësisht peticionit që kemi dërguar dhe kërkesave të shumta për ndërhyrj,e siç e shikoni nuk ka asnjë reagim nga institucionet përkatëse dhe në këtë situatë rrezikojmë ta humbasim plotësisht urën e Zogut mbi lumin Mat” thotë Laska për Portën Vendore.
I pranishëm në këtë aktivitet, Gjergj Malshi, administrator i njësisë administrative Shënkoll, garantoi mbështetje për iniciativa të tilla, duke shtuar se qeveria shqiptare do të zbatoje një projekt, i cili do t’ia ndryshojë pamjen këtij lumi. “Unë jam maksimalisht i angazhuar në mbështetje të kësaj iniciative, pasi lumi Mat është një aset mjaft i rëndësishëm për zonën. Së shpejti me një projekt të qeverisë, Lumi Mat do të jetë krejt ndryshe, i sistemuar dhe me të gjitha parametrat dhe këto lloj nismash do ta çojmë përpara angazhimin e qeverisë për ta bërë këtë lum të shfrytëzueshëm për turizëm, siç ka qenë më parë”, përfundon ai.
Vitet e fundit lumi Mat është shfrytëzuar pa kriter për inerte nga kompanitë e ndryshme, të cilët operojnë kryesisht në mënyrë ilegale. Kjo situatë ka sjellë mjaft pasoja pasi nga ndryshimi i rrjedhës së lumit rrezikohet shembja e plotë e urës së Zogut dhe urës së madhe të Milotit, ndërsa edhe argjinatura e lumit ka pësuar dëmtime, duke rritur rrezikun për përmbytje në zonat fushore të Lezhës dhe Kurbinit. Përballë kësaj masakre mjedisore pavarësisht angazhimeve, autoritetet përgjegjëse kanë dështuar për parandalimin e dëmit që po i bëhet çdo ditë këtij lumi nga kompani të ndryshme me ose pa leje.