Ndodhi

Mokra mirëpret turistët e parë

5 qershor 2021/Sidorela Xhomaqi/Porta Vendore/Pogradec

Zona e Mokrës së Pogradecit po mirëpret turistët e parë. Zona ofron atraksione turistike të shumta, por do ende vëmendjen e pushtetit vendor dhe qendror për ta shndërruar atë në një destinacion turistik të përhershëm.

Zona e Mokrës është një atraksion turistik i veçantë në zonën e Korçës. Krahina e Mokrës ndahet nga lumi Shkumbin në dy pjesë: Mokra e Sipërme dhe Mokra e Poshtme.

Hiking, e njohur ndryshe si turizmi malor po zhvillohet së tepërmi në Mokrën e Poshtme akullnajore të Lukovës janë destinacioni, i cili së fundmi po vizitohen mjaft nga turistët vendas duke i vizituar.

 “Së bashku me një grup të rinjsh nga Korça, Pogradeci dhe Librazhdi, jemi këtu në Liqenet e Lukovës, 2 liqene natyrorë akullnajorë. Më i madhi në lartësinë 1851 metër mbi nivelin e detit, dhe më i vogli në 1705 metër mbi nivelin e detit. Janë 2 liqene natyrore dhe një atraksion për të gjithë të apasionuarit pas natyrës dhe eksplorimit”, tha Gani Bego, i cili shërben si guidë në këtë zonë.

Turistët e parë në Mokër. Foto: S. Xhomaqi

Të rinj nga Korça dhe Librazhdi, të pasionuar pas natyrës, i gjen në zonë me përshtypje mjaft të mira, pasi po zbulojnë një zonë mjaft të bukur, të fshehur në brendësi të Mokrës.

“Vijmë nga Librazhdi, po shijojmë këtë zonë me pasuri të shumta. Sot kemi parë Liqenet e Lukovës, të cilat janë një pasuri natyrore kombëtare dhe realisht jemi shumë të impresionuar me bukurinë që kemi gjetur dhe me banorët vendas. Liqenet e tillë në maja mali i japin më tepër bukuri kësaj zone”, thotë një vizitor ndërsa shton se: “Itinerari mund të them që kishte një vështirësi mesatare. Edhe pse pati reshje shiu ia vlejti, ia vlen kjo aventurë për pamjen që të ofron. Edhe për kamping është shumë bukur”, përfundon ai.

Ledi Zeqollari, mësues historie shprehet se shtegu drejt liqeneve të Lukovës të ofron mundësinë që gjatë itinerarit të shohësh dhe të eksplorosh edhe disa zona të tjera ku mund të ndalesh te “Ura e Golikut” apo edhe “Varret Ilire të Selcës”. “Ne u bashkuam me një grup nga Pogradeci dhe një nga Librazhdi. Do e vlerësoja pjesën e këtyre aktiviteteve dhe zhvillimi i turizmit në natyrë. Terreni ishte relativisht mesatar. Do vija në dukje disi infrastrukturën, e cila linte disi për të dëshiruar. Besoj se turizmi malor është e ardhmja e zhvillimit ekonomik të vendit tonë. Zona e Korçës, Pogradecit ku ne jemi sot, Liqenet e Lukovës vërtetë e ofrojnë këtë bukuri të rrallë. Më e rëndësishmja ne duhet të jemi më të kujdesshëm ndaj mjedisit, të jemi më të kulturuar dhe më të edukuar qoftë me qytetarët, vizitorët , bizneset, ashtu edhe institucionet duhet të kujdesen për këtë. E ardhmja i përket turizmit natyror kështu që ne duhet të investojmë në këtë pjesë”, tha Zeqollari për Portën Vendore.

Bukuritë natyrore të zonës së Mokrës. Foto: S.Xhomaqi.

Kjo zonë ofron turizëm natyror dhe kulturor, pasi gjatë ardhjes në Liqenet e Lukovës patëm mundësi të vizitonim edhe “Urën e Golikut”, pra gjurmët e vjetra të rrugës “Egnatia” e shekullit të XVIII-të. Në krah të saj janë Varret e Selcës të cilat i përkasin shek. III- IV para lindjes së Krishtit, unikale në llojin e tyre. Ky itinerar i ka të gjitha mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm.

Vitet e fundit, Korça dhe Pogradeci si pjesë të turizmit, po praktikojnë edhe hiking, ku guidat janë duke e aplikuar si ofertën e re turistike për të dalë disi nga turizmi tradicional. Por pavarësisht kësaj, zona e Mokrës duhet të ketë një projekt i cili do e kthente në një atraksion turistik, duke investuar në infrastrukturën rrugore të vetë fshatit,  pasi kjo zonë ka vlera historike, kulturore e natyrore të cilat duhen vizituar dhe eksploruar, e pse jo të kthehen në destinacione të preferuara të turistëve vendas e të huaj.