4 qershor 2021/Elvis Hila/Porta Vendore/Lezhë
Dy pallate në Bashkinë e Lezhës kanë vënë në zbatim një projekt pilot për riciklimin e mbetjeve, duke ndërmarrë iniciativën për ndarjen e mbetjeve në burim. Ky projekt, i ndërmarrë nga shoqëria civile i ka entuziazmuar banorët, ndërsa aktivistët shpresojnë që një projekt i tillë të shtrihet në të gjithë territorin e Bashkisë.
Pavarësisht angazhimeve dhe nismave të vazhdueshme, “lufta” kundër ndotjes nuk është arritur të fitohet. Lezha është një ndër zonat ku kjo problematikë është mjaft evidente, kryesisht brenda qytetit, ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve janë vetë qytetarët, të cilët krijojnë një mjedis jo të pastër, duke i hedhur mbetjet e ndryshme në vende jo të përshtatshme.
Kjo situatë ka nxitur Qendrën HANA që në Bashkëpunim me Bashkinë Lezhë të ndërmarrë iniciativën për ndarjen e mbetjeve që në burim. Fillimisht projekti ka nisur të pilotohet në dy pallate, konkretisht 131 dhe 132 në rrugën “Luigj Gurakuqi”, përballë Drejtorisë Vendore të policisë. Aty janë ngritur dy stacione depozitimi mbetjesh, të ndarë sipas kategorive, me qëllim riciklimin e tyre që në burim.
“Pilotimi i diferencimit të mbetjeve në burim ka si një iniciativë e të rinjve të qendrës HANA në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, për shkak se e shohim të nevojshme pilotimin e diferencimit të mbetjeve, për të sjellë një shembull për komunitetin e gjithashtu edhe për të ndihmuar që situata e menaxhimit të integruar të mbetjeve të riktheje riciklimin. Dimë që situata e menaxhimit të mbetjeve, përsa i përket grumbullimit edhe pastrimit të qytetit, bashkia ka pasur sukses sidomos gjatë sezonit turistik të vitit të kaluar në Shëngjin. Por gjithashtu dimë që riciklimi për arsye të ndryshme ka mbetur në hije”, Erlinda Mesuli Përfaqësuese e Qendrës HANA.
Mesuli shton se janë angazhuar një grup të rinjsh për ndërgjegjësimin në vazhdimësi të banorëve të dy pallateve ku po pilotohet projekti, ndërsa synimi është që të shtrihet në të gjithë qytetin.
“Të rinjtë e qendrës tonë, në bashkëpunim dhe me bashkinë do angazhohen që të ndërgjegjësojnë banorët e dy pallateve ku po implementohet pilotimi i mbetjeve e gjithashtu t’i mësojnë që të kryejnë diferencimin e mbetjeve të riciklueshme në burim. Ne e dimë se është një nismë e vështirë, pasi ka një lloj hezitimi nga qytetarët sepse nuk jemi mësuar t’i bëjmë gjërat me hapa të caktuar. Është shumë më e lehtë për ata që t’i hedhin mbeturinat në një qese e tu depozitojnë grumbull në kontejner. Ne duam ta nisim në këto dy pallate dhe synojmë që në fund të procesit të pilotimit që do zgjasë 6 muaj, të mund ta shtrijmë pilotimin në të gjithë zonën e Lezhës dhe pse jo të krijojmë një lloj politike që nxit riciklimin”, shtoi Mesuli.
Në nisje të pilotimit të këtij projekti ishte e pranishme dhe Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë Eneida Molla, e cila tha se synimi është që kjo nismë të ketë sukses, pasi ndihmon shumë që të kemi një mjedis të pastër.
“Ne si bashki e kemi mbështetur menjëherë iniciativën e të rinjve për pilotimin e mbetjeve që në burim për banorët e dy pallateve. Shpresojmë që me punën që po bëjnë këta të rinj ti ndërgjegjësojmë këta banorë, që të arrijmë ti riciklojmë mbetjet. Kjo është një diçka mjaft pozitive dhe nëse do të ketë sukses këtu mendojmë ta shtrijmë në të gjithë qytetin. Prioriteti ynë si bashki është që të kemi një mjedis të pastër dhe po punojmë shumë në këtë drejtim, por kërkojmë dhe ndihmën e qytetarëve që ta ndihmojnë, duke mos e ndotur ambientin”, tha Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë Eneida Molla.

Për suksesin e kësaj iniciative, janë angazhuar vullnetarisht një grup të rinjsh, të cilët do të qëndrojnë me turne për të ndërgjegjësuar banorët e dy pallateve për diferencimin e mbetjeve.
“Tek vend-depozitimet e mbetjeve, që janë vendosur këtu, janë të përcaktuara ndarjet, në qelq, plastike si dhe karton e letër. Ne si të rinj jemi angazhuar vullnetarisht për ndërgjegjësimin e qytetarëve që t’i ndajnë mbetjet që në burim. Qytetarët janë mësuar t’i hedhin mbetjet të gjitha bashkë, por unë kam besim se do t’ia dalim me sukses iniciativës që kemi nisur, pasi ne jetojmë këtu dhe qëllimi është që të kemi një qytetar dhe mjedis sa më të pastër”, thotë Luisi, një i ri që i është bashkuar vullnetarisht iniciativës.
Që në ditën e parë të pilotimit të mbetjeve që në burim, iniciativa është pritur mjaft mirë edhe nga banorët e dy pallateve ku po implementohet projekti.
“Kjo që po bëjnë me duket një diçka mjaft pozitive, pasi eliminon shumë ndotjen. Unë jam e gatshme që të ndaj mbetjet që në burim dhe këtë e kam nisur që prej ditës së sotme. Do mundohem të ndërgjegjësoj dhe të tjerët sepse është një iniciativë në interesin tonë. Unë kam jetuar jashtë dhe e di çfarë do thotë diçka e tillë dhe shpresoj që ky projekt të shtrihet në të gjithë Lezhën” thotë Zogë Zogaj, banore e një prej pallateve ku po pilotohet projekti.

HANA është një organizatë rinore, e angazhuar në promovimin e një skeme të riciklimit në burim, në Bashkinë Lezhë, me mbështetjen edhe të Leviz Albania. Pilotimi do të kryhet në lagjen më të madhe të qytetit, duke shkuar derë më derë për të informuar dhe përfshirë qytetarët në këtë nismë të rëndësishme. Pilotimi do të mbështetet nga Bashkia përmes vendosjes së koshave të përshtatshëm për ndarjen e mbetjeve. HANA do të përpiqet më tej për të përfshirë skemën e riciklimit në Planin e Menaxhimit të Mbetjeve të Bashkisë.
Lezha ka qenë qyteti i parë që nisi implementimin e projektit të mbetjeve në mënyrë të diferencuar, i cili daton që prej vitit 2010. Iniciativa tërhoqi vëmendjen e shumë njësive vendore brenda dhe jashtë vendit, të cilët panë nga afër implementimin e këtij projekti me qëllim zbatimin edhe në zonat e tyre. Por ky projekt në Lezhë zgjati vetëm 4 vite, e më pas dështoi duke bërë që situata t’i rikthej gjendjes fillestare, praktikisht në pikën 0. Ndërsa mungesa e ndërgjegjësimit të qytetarëve ishte shkaku kryesor i dështimit. Në situatën aktuale 100% e mbetjeve të Bashkisë Lezhë depozitohen në landfill në mënyrë të padiferencuar.