4 qershor 2021/ E. Gjerani/ Porta Vendore/
Vullnetarizmi në Shqipëri përballet më një sërë sfidash institucionale, ligjore, praktike, strukturore, individuale. Vështirësia kryesore është mungesa e një mekanizmi në nivel kombëtar, që të organizojë, orientojë dhe mobilizojë qytetarët që duan t’i vijnë në ndihmë komunitetit por jo vetëm. Ky është konkluzioni i studimit kombëtar “Vullnetarizmi në Shqipëri, i cili u prezantua gjatë Konferencës së Parë Kombëtare të Vullnetarizmit në Shqipëri, që u mbajt më 31 maj 2021 në Tiranë.
Konferenca e Parë Kombëtare e Vullnetarizmit bëri bashkë aktorë të rëndësishëm përgjegjës për angazhimin vullnetar, nga shoqëria civile, institucionet qendrore dhe vendore, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare në vend, mësues, pedagogë, të rinj vullnetarë, studentë, ekspertë të lidhur drejtpërsëdrejti me vullnetarizmin. Konferenca një ditore, e cila hapi siparin e aktiviteteve në kuadër të Javës së Demokracisë Vendore, të organizuar nga Leviz Albania, synonte të krijonte një platformë kombëtare diskutimi dhe konsultimi mbi vullnetarizmin, duke nxitur bashkëpunimin ndërsektorial.
Studimi mbi vullnetarizmin në Shqipëri
Të pranishmit në këtë konferencë, diskutuan mbi studimin kombëtar “Vullnetarizmi në Shqipëri”, një projekt strategjik i realizuar nga “Beyond Barriers”, me mbështetjen e Leviz Albania, i cili ofron një analizë sasiore dhe cilësore rreth perceptimeve, sfidave dhe preferencave të qytetarëve përkundrejt angazhimit vullnetar, duke analizuar gjithashtu, sfidat dhe mundësitë e ofruesve të vullnetarizmit në Shqipëri, si dhe institucioneve politikëbërëse në vend.
Ky studim i autores Oltjana Rama nxori në pah se vullnetarizmi perceptohet si një detyrim moral, shoqëror dhe personal në dobi të komunitetit, dhe një dëshirë e pakushtëzuar që buron nga vetë individi dhe nevoja për të qenë i dobishëm në komunitet. Perceptimi i vullnetarizmi ndryshon krahasuar me moshën: mosha e mesme dhe mosha e tretë e lidh atë me të shkuarën, ndryshe nga të rinjtë, të cilët nuk gjejnë aspak lidhje me të. Por koncepti për vullnetarizmin është në përmirësim e sipër e kjo falë ndikimit të shoqërisë civile. Ky evoluim i konceptit të vullnetarizmit reflektohet me përqasjen pozitive dhe të kuptuarit e rëndësisë së vullnetarizmit si nga qytetarët, ashtu dhe nga institucionet. Pjesa më e madhe e të intervistuarve (77%) besojnë se kontributi vullnetar në Shqipëri është shumë i nevojshëm, edhe pse nuk kanë mjaftueshëm njohuri në lidhje me institucionet që mund të ofrojnë mundësi dhe hapësirë për kontribut vullnetar.
Megjithatë, studimi tregoi se tendenca për kontribut vullnetar janë në rritje, rreth 68% e qytetarëve duan të japin kontributin e tyre vullnetar në 12 muajt e ardhshëm, ndonëse për një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Disa nga targetgrupet më të përzgjedhura të cilët do të dëshironin të jepnin kontributin vullnetar, nga pjesëmarrësit në studim, ishin banorët e komunitetit/lagjes, fëmijët dhe të rinjtë, minoritetet, persona në vështirësi ekonomike dhe të moshuarit. Nga të dhënat vihet re tendenca dhe interesi i vullnetarëve që duan të ofrojnë shërbimin dhe kontributin e tyre është më i lartë në komunitet (46.7%), duke vijuar me preferencat në shkolla (25.2%) dhe së treti në qendrat rinore dhe sociale me 11.8%.
Studimi citon se mënyrat e angazhimit të vullnetarëve nga ofruesit e vullnetarizmit janë kryesisht me bazë projektesh apo forma spontane afatshkurtra të organizimit. Edhe pse, në përgjithësi, ka interes për t’u përfshirë në punë vullnetare, nuk ka orientim nga institucionet dhe angazhimi apo procedurat e rekrutimit apo organizmit mbeten krejtësisht ad hoc. Tendencat për vullnetarizmin digjital janë në rritje, veçanërisht gjatë krizës së pandemisë, duke e konsideruar atë sa nevojë, aq dhe trend, rreth 73 % e qytetarëve mendojnë se është domosdoshmëri.
Për më tepër, studimi tregon në mënyrë shumë evidente dhe vullnetin e ofruesve të vullnetarizmit (OSHC, pushteti vendor, qendra të shërbimit ditor etj.,) për të nxitur dhe qenë ofrues potencialë, të organizuar dhe bashkëpunues në fushën e vullnetarizmit, ndonëse secili aktor përballet me një sërë sfidash që duhen tejkaluar.
Sfidat e vullnetarizmit në Shqipëri
Vullnetarizmi në Shqipëri përballet më një sërë sfidash institucionale, ligjore, praktike, strukturore, individuale etj. Raporti vë në dukje se vështirësia kryesore është mungesa e një mekanizmi në nivel kombëtar, që të organizojë, orientojë dhe mobilizojë qytetarët që duan t’i vijnë në ndihmë komunitetit në situata të tilla, por jo vetëm. Gjithashtu, disa sfida të tjera kryesore që institucionet përballen janë: mungesa e eksperiencave dhe kapaciteteve të institucioneve që ofrojnë vullnetarizëm, mungesa e informacionit dhe ndërgjegjësimi i ulët mbi mundësitë e vullnetarizmit dhe koordinim jo fort i mirë mes institucioneve. Infrastruktura jo e duhur ligjore, strukturore dhe burokracia e institucioneve bëhet shpeshherë pengesë për organizatat joqeveritare, të cilat konstatojnë se ekziston, në përgjithësi, një klimë jofavorizuese dhe burokratike.
Miratimi i “Ligjit të Vullnetarizmit” në vitin 2016 vlerësohet si një nismë e mirë. Ky ligj mbron vullnetarët dhe sektorin, por zbatimi efektiv i ligjit në praktikë përballet me shumë sfida. Pjesa më e madhe e të anketuarve (87%) nuk janë në dijenitë ekzistencës së librezës së vullnetarit dhe një pjesë e konsiderueshme (2/3) nuk kanë informacion as për Ligjin mbi Vullnetarizmin. Gjithashtu, mungesa e informacionit mbi ligjin dhe librezën është shumë evident edhe tek ofruesit e vullnetarizmit e, ndërsa ata që kanë njohuri bien dakord se në aspektin praktik ligji sjell pengesa në praktikë, organizatat e kanë shumë të vështirë të paguajnë sigurimet shëndetësore për vullnetarët. Ligji ka nevojë të përshtatet për të qenë më gjithëpërfshirës, të adresojë të gjitha llojet/ format e vullnetarizmit dhe të jetë i zbatueshëm dhe më fleksibël. Të gjithë aktorët, pjesë e studimit, bien dakord se duhet të ngrihen grupe pune për të përmirësuar si kuadrin ligjor, ashtu dhe atë programatik, për të përmirësuar infrastrukturën e vullnetarizmit në vend.
Rastet e emergjencave civile, si tërmeti në 2019 dhe më pas kriza e pandemisë COVID-19, nxori në pah një mobilizim shumë të lartë qytetar, dëshirë dhe gatishmëri për të dhënë kontribut vullnetar nga ana e qytetarëve, ashtu dhe sektorit të shoqërisë civile. Kjo është një praktikë pozitive dhe një tregues shumë i mirë i vullnetit qytetar, por nga ana tjetër këto raste treguan se ka nevojë për praktika më të mira rregulluese dhe koordinuese nga ana e institucioneve dhe sektorit të shoqërisë civile për të ofruar infrastrukturë më të sigurt për vullnetarët.
Rekomandimet për vullnetarizmin
Përballë sfidave kryesore, në raport jepen një sërë rekomandimesh si për institucionet qendrore e vendore, ashtu dhe për shoqërinë civile, mediat dhe institucionet arsimore. Disa nga rekomandimet kryesore
– Rishikimi i ligjit mbi vullnetarizmin, me qëllim implementimin e tij në praktikë në mënyrë eficiente dhe për t’u bërë më fleksibël me qëllim adresimin e nevojave të vullnetarëve dhe institucioneve.
– Ngritja e një grupi pune shumaktorialësh, i cili do të shërbejë si një mekanizëm/ organ ndërinstitucional për mbledhjen dhe shkëmbim të rregullt të informacionit në lidhje me çështjen e vullnetarëve apo regjistrimit të tyre (duke përfshirë database, të dhënat mbi vullnetarët, etj). Anëtarët e grupit të punës duhet të përfshijnë përfaqësues nga OSHC-të, institucionet në nivel qendror, vendor, institucionet e varësisë dhe aktorë të shoqërisë civile e vullnetarë.
– Zhvillimi i aktiviteteve ekstrakurrikulare nëpër shkolla dhe universitete, të cilat rrisin mundësinë e angazhimit në praktika vullnetare përmes njohjes së krediteve apo stimujve të tjerë, që nxisin dhe promovojnë rëndësinë e vullnetarizmit. Nxitja nëpërmjet edukimit formal, joformal dhe eksperiencave të punës synon të nxisë një vullnetarizëm të qëndrueshëm.
Çfarë mendojnë aktorët kryesorë për raportin dhe vullnetarizmin?
Në Shqipëri, janë të shumtë personat që janë atashuar pranë organizatave të shoqërisë civile dhe jo vetëm, për angazhim vullnetar, ndërsa ende nuk ka një databazë me shifra se sa persona që bëjnë vullnetarizëm janë aktualisht në vendin tonë.
Joan Bushi është 24 vjeç dhe ka kryer studimet për inxhinieri. Ai është vullnetar prej 4 vitesh duke u angazhuar në aktivitete të ndryshme lokale si: workshope me të rinjtë, aktivitete ditore informuese etj.
Ai tregon për Portën Vendore se vullnetarizmi është një vokacion i brendshëm. “Dega e studimeve që kam kryer nuk ka lidhje me shkencat sociale, por ama kam që në vitin 2017 që merrem me vullnetarizëm. Më ka pëlqyer gjithnjë kjo gjë. Është pak e vështirë që t’i kushtohesh vetëm vullnetarizmit në Shqipëri, por unë kam ndërmend ta vijoj edhe kur të gjej punë, të mos e lë”, shprehet ai i pyetur nga Porta Vendore.
Ndërsa Ana Mullaji, Drejtuese e Organizatës Beyond Barriers (Përtej Barrierave), thotë se: “Vullnetarizmi nuk është një koncept i panjohur për shoqërinë. Me pjesën e organizatave dhe të shoqërisë civile, definicionin e fituar gjatë komunizmit, vullnetarizmi u përmirësua, por ka ende shumë punë për të bërë. BE i ka kushtuar një program gjigand vullnetarizmit dhe solidaritetit. Është e nevojshme që të punojmë të gjithë së bashku për të shkëmbyer këtë sinergji, ndaj edhe lindi ideja e platformës dixhitale Vullnetarizmi.al. Është e rëndësishme që të punojmë sot e në vazhdim”, shprehet ajo për Portën Vendore ndërsa shton se:
“Ligji 45 i vitit 2016 ‘Për vullnetarizmin’ u përpoq ta përmirësonte, por në fakt bëri të kundërtën, penalizimin e Vullnetarizmit. Konfuzioni i kontratës dhe i sigurimeve u bë i madh mes ofruesve të vullnetarizmit dhe shoqërisë civile”, vijon Mullaji.
“Ato vështirësi që hasim në sektorin e vullnetarizmit duket se po adresohen më së miri sot në praninë e institucioneve në konferencë. Leviz Albania i dha një fokus të veçantë vullnetarizmit, për të cilin donatorë të tjerë nuk kanë pasur të njëjtin angazhim. Vullnetarizmi është një vlerë që na bën ne individë më të mirë, nuk është vetëm një trampolinë për vendin e punës”, thotë Oltjana Rama, autore e studimit të organizatës Beyond Barriers.
Ligji 45 i miratuar në vitin 2016 “Për vullnetarizmin”, përcakton të drejtat e vullnetarit, i cili zgjedh me vullnet të lirë, të ofrojë kohën, njohuritë dhe aftësitë për kryerjen e aktiviteteve ose shërbimeve, në dobi të ofruesit dhe/apo përfituesit të vullnetarizmit, pa pagesë. Gjithashtu ligji paracakton se duhet të ekzistojë një kontratë mes palës vullnetare dhe ofruesit të vullnetarizmit, ku të jenë të përcaktuara të drejtat, detyrimet dhe kushtet e kriteret e nevojshme për kryerjen e aktiviteteve, por mungojnë aktet nënligjore. Këtë mangësi të ligjit e pranojnë edhe përfaqësueset e ftuara nga dy ministritë e linjës.
“Është hera e parë që flasim për vullnetarizmin. Nuk ka ende informacion se sa persona vullnetarë janë të përfshirë në këtë proces në të gjithë vendin. Sigurimi është problem, por ligji ka edhe probleme të tjera që do të duhet të shqyrtohen”, tha Dojna Sorensen, zv. Ministre e Financave dhe Ekonomisë, gjatë konferencës të parë mbi këtë tematikë.
Ndërsa zv. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Bora Muzhaqi, tha se gjetjet e studimit dhe krijimi i një platforme për vullnetarizmin ishin tejet interesante.
“Është hapi i parë për të vijuar më tej në këtë proces. Sa i përket studimit, është interesante ndarja e atyre që besonin tek vullnetarizmi. Ne e kemi tanimë frymën për ta çuar përpara vullnetarizmin, megjithëse duket si një nr. i vogël i të rinjve qe përfshihen. Platforma vullnetarizmi.al është ideja më e bukur që ekziston. Ndaj kjo është një ftesë që të përmirësojmë këtë ligj”, tha ajo.
Edhe ekspertët ligjorë mendojnë njësoj për ligjin nr.45/2016 “Për vullnetarizmin”. “Problematika e ligjit është tek më shumë se gjysma e tij. Ligji nuk ka stimuluar vullnetarët pasi ka shumë problematika që e shoqërojnë. 140 organizata kishin nga 10 vullnetarë sipas një studimi timin në 2015, e njëjta situatë është edhe pas miratimit të ligjit, çka do të thotë se ligji nuk e stimuloi, e shifrat mbetën po njësoj. Megjithëse kuadri ligjor është i plotësuar, nuk zbatohet. Organizatat e shoqërisë civile nuk kanë qenë fare pjesë e procesit”, thotë Arjola Agolli, nga Qendra Kombëtare Burimore e Shoqërisë Civile (Partners Albania for Change and Development), duke marrë një shembull konkret mbi kuadrin ligjor tejet shtrëngues të ligjit aktual. “Nëse kemi një pastrim dhe kemi 2000 vullnetarë, organizata duhet të bëjë kontrata për secilin prej tyre, duke rritur kostot dhe duke humbur kohën. Ndërsa organizatat vërehet se për shkak të mungesës së informacionit, dhe më pas pamundësisë, nuk e kanë respektuar kuadrin ligjor”, tha Agolli për Portën Vendore, lidhur me problematikat që ka ligji 45/2016 “Për vullnetarizmin”.
Porta Vendore pyeti gjithashtu edhe eksperten ligjore, Ardjana Shehi, e cila tha se duhen ndërhyrje në legjislacion, për tu qartësuar një sërë efektesh. “Lidhur me kontratën e vullnetarit dhe sigurimet e shëndetit duhen parë me kujdes në ligj këto dy nënçështje. Në ligj gjithashtu do të doja të shikoja më shumë incentiva”, tha ajo, duke shtuar se ligji aktual nuk qartëson marrëdhënien mes vullnetarit dhe kontraktuesit. “Sugjerimi im është që sektori nëpërmjet organizatave mund të drejtojë një kërkesë për drejtorinë e përgjithshme të tatimeve për tu qartësuar kjo çështja e kontributeve, pasi në momentin që vullnetari nuk e ndjen veten pjesë të gjësë, do të mendojë se është thjesht për numër në atë organizatë”, përfundon ajo.
Edhe për Erisa Lamen, oficeren e Programit për çështjet Politike dhe Demokracinë pranë Ambasadës Zvicerane, dhe Erton Kashtën, Drejtorin Ekzekutiv të LA-së, kjo tryezë është një pikënisje mbi një diskutim më të gjerë në kuadër të vullnetarizmit.
Vullnetarizmi është tejet i nevojshëm si për organizatat ashtu edhe për qendrat komunitare ose shërbime të ofruara nga pushteti vendor.
Matilda Zizolli drejtuese e Qendrës Komunitare Multidisiplinare, Bashkia Tiranë thotë se vullnetarizmi duhet parë si aset.
“Vullnetarizmi është një element shumë i rëndësishëm i cili ndikon në rritjen e ecurisë në punë . Është element i cili fuqizon targetgrupin ku zgjedhin të kontribojnë por edhe komunitetin përreth. Qendrat Komunitare të cilat janë në shërbim të shtresave në nevojë , personave me aftësi ndryshe apo të moshuarve kanë nevojë për punën vullnetare pasi kjo ndihmon institucionin të kryhen punë në një kohë me të shkurtër dhe me cilesi. Vullnetarët nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave ndihmojnë të rinjtë e tjerë por edhe stafin të njohë teknika të reja. Vullnetarizmi shërben gjithashtu në përmbushjen personale dhe percjell shembuj pozitive tek të rinjtë. Vullnetarizmi e bën një shoqëri me të mirë”, thotë ajo për Portën Vendore.
Raporti i Monitorimit për OSHC
Në Konferencën e Parë Kombëtare të Vullnetarizmit u publikua edhe raporti “Matrica e Monitorimit mbi Mjedisin Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile”, i cili u përgatit nga Partnerët Shqipëri dhe Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e OShC-ve.
Në këtë raport deklarohet se deri në vitin 2019, ka 11,739 Organizata të Shoqërisë Civile (OSHC) në venin tonë, ku 313 OSHC janë të regjistruara vetëm në 2019-n. Numri i regjistrimeve të reja vihet re se ka ardhur në ulje në krahasim me vitin pararendës, pasi në 2018-n ishin regjistruar 400 OSHC të reja.
Në këtë raport deklarohet se për vitin fiskal 2019, burimi kryesor i të ardhurave për OShC-të e intervistuara, mbeten institucionet e huaja donatore, të cilat sigurojnë 62% të burimeve të të ardhurave totale, ndërsa fondet nga Bashkimi Evropian përbëjnë 51% të fondeve totale.