Ndodhi

Këshilli Bashkiak vendos heqjen e aboneve të përgjithshme për 3 muaj, qytetarët të pakënaqur

3 qershor 2021/ Porta Vendore/Tiranë

Me një vendim të këshillit bashkiak, abonetë e përgjithshme për transportin urban në Tiranë janë hequr nga 1 qershori 2021 , për një afat kohor prej 3 muajsh. Qytetarët shprehen të shqetësuar nga ky vendim, pasi për çdo linjë do të duhet të paguajnë veçmas.

Këshilli Bashkiak Tiranë i hoqi qytetarëve të drejtën e Abonesë së Përgjithshme të transportit publik për tre muaj.

Në vendimin nr. 66, datë 30.12.2015 të Këshillit Bashkiak “Për indeksimin e tarifave të transportit qytetës në Bashkinë e Tiranës, bëhet kjo shtesë: Përjashtimisht, kjo biletë hiqet për periudhën qershor- gusht 2021”, teksa ngarkohet drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike dhe Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar për zbatimin e këtij vendimi.

Nëse më parë një qytetar paguante në total 1, 600 lekë të reja deri më tani për të aksesuar një abone të përgjithshme, ku kishte mundësi të bënte një sërë destinacionesh gjatë ditës, pa kufizime në shpeshtinë e lëvizjeve, sot ata duhet të paguajnë për abone të dedikuara, lidhur me linjat që kryeqyteti disponon, konkretisht 15 linja të tilla,  përkatësisht nga 1, 200 lekë të reja deri më tani për secilën. Pra një qytetar që i duhet të marrë të paktën dy linja të transportit publik, minimalisht duhet të paguaj  2, 400 lekë të reja në muaj, ose 40 lekë për çdo udhëtim me transportin publik.

“Jemi shumë të revoltuar nga ky vendim, pasi ne jemi burrë e grua pensionistë e s’na del ajo pagesë prej 100 mijë lekësh të vjetra. Çfarë të blejmë më parë?! Paguajmë faturat e ilaçet dhe iku një pension, me tjetrin hamë bukë, se të gjitha janë shtrenjtuar”, thotë një e moshuar, e cila po pret autobusin pranë stacionit të 9-katësheve.

Ky projektvendim vjen me justifikimin e strukturimit të shërbimit të transportit publik dhe si një lloj ndihmese për kompanitë e përfshira në këtë sipërmarrje, për të minimizuar goditjen e marrë gjatë pandemisë.

“Përderisa është vendim i Bashkisë unë nuk mund të prononcohem, por dua të shtoj se asnjë nga kërkesat tona nuk është plotësuar”, thotë Rixhin Qosja, Kryetar i Shoqatës së Transportit Urban për Portën Vendore.

Ndërkohë, sipas drejtuesit të organizatës Qëndresa Qytetare, Rigels Xhemollari, nga 1 qershori Transporti Qytetas në Tiranë do të operojë jo vetëm pa një, por pa dy abone, atë të studentit dhe të përgjithshmen, duke rritur kostot e qytetarëve më në nevojë.

 “Vendimi nuk u konsultua me publikun, Këshilli vendosi për interesin e kompanive të transportit dhe jo të atyre që e kanë zgjedhur”, shton Xhemollari.

Megjithatë, pas këtij vendimi të marrë më 31 maj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Tiranë, dhe që hyn në fuqi menjëherë, përkatësisht më 1 qershor deri në gusht 2021, çdo qytetari, transporti urban do t’i kushtojë nga 1-3 abone, që do të thotë nga 1 200-3 600 lekë të reja në muaj.

Ndërkohë dje ka pasur një protestë edhe nga shoqëria civile mbi këtë vendim të bashkisë.