2 qershor 2021/ Gjergj Figuri/ Porta Vendore/ Lezhë
Siguria në plazhe do të jetë një sfidë e vështirë edhe këtë verë përgjatë bregdetit të Lezhës. Fatmirësisht, viktimat nga mbytja në ujë janë shumë të ulëta në këto plazhe, por rastet e shpëtuara janë disa. Vrojtuesit e detit kanë dhënë ndihmën e tyre duke shpëtuar jetë. Në një vit të vështirë pandemie, ku pati ulje të numrit të pushuesve në det, pati vetëm një humbje jete nga mbytja, ndërsa 5 të tjerë e humbën jetën në ujë si pasojë e faktorëve të tjerë shëndetësore. Pamundësia e ndërhyrjes në kohë ka luajtur rol te jetët e humbura, por pa diskutim janë shumë jetë të tjera të shpëtuara. Kjo problematikë ka një arsye të fortë dhe shumë larg zgjidhjes edhe për këtë sezon veror.
Bregdetit të Lezhës me plazhet e Ranës së Hedhun, Ranës së Vogël, Shëngjinit, Kunes, Vainit, Tales dhe Tale 2 do t’i mungojnë vrojtuesit, një situatë që vijon dhe që përkeqësohet me zgjerimin e hapësirës së plazhit që shfrytëzohet nga pushuesit. Me shumë fat do të jenë vetëm atë që do të pushojnë tek Rana e Hedhun, në qendër të Shëngjinit apo në qendrën e Tales, pasi këtu janë të përqendruara pikat e vrojtimit, ndërsa në zonat e tjera ato do të kenë mangësi, ashtu siç kishin në të vërtetë edhe në vitet e shkuara.
Në vendimin e saj nr. 171, datë 27.3.2019 për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit” qeveria shqiptare përcakton qartë kriterin për sigurinë në det, ku në pikën 4 të Nenit 7 të këtij vendimi thuhet se “stacionet e plazhit me vijë lineare bregdetare nën 80 (tetëdhjetë) m kanë detyrimin të kenë vrojtues plazhi.”
Duke përllogaritur vetëm hapësirën e shfrytëzueshme deri tani, rreth 16 km vijë bregdetare nga 26 gjithsej, do të duhen të paktën 200 vrojtues deti për të përmbushur këtë detyrim ligjor. Në fakt qeveria i ka bërë edhe një ndryshim në vitin 2020, vendimit të vitit 2019 për stacionet e plazhit. Vendimi Nr.424, datë 27.5.2020 përcakton një tjetër kriter që ka në konsideratë sigurinë në det dhe për këtë i shton një Nen të plotë, atë me numër 14. Sipas këtij neni, në pikën 10, nevojitet depozitimi i kontratës së marrëveshjes me vrojtues plazhi, e cila të garantojë sigurinë në stacionin e plazhit gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës.
Por a ekziston mundësia për të pasur çdo stacion plazhi vrojtuesin e tij?! Luçiano Marku, Përfaqësues i Vrojtuesve të Detit në Qarkun e Lezhës ka folur për Portën Vendore duke përcjellë të dhëna që duhet të merren në konsideratë dhe të monitorohen nga Pushteti Vendor, që lidh kontratat për stacionet e plazhit. Gjithashtu duhet të kryhen inspektime të vazhdueshme gjatë sezonit nga Grupi i Task Forcës, që ngrihet çdo vit me urdhër të Prefektit. Sipas tij, kursin e Vrojtuesit të Bregdetit e kanë përfunduar vetëm 70 persona në të gjithë qarkun e Lezhës, pra vetëm 1/3 e atyre që nevojiten për të plotësuar boshllëkun në plazhet e Lezhës, por numri i atyre që e ushtrojnë këtë profesion në plazhet e Lezhës është sërish më i ulët.
“Pagesa që iu ofrohet vrojtuesve të detit nga shumica e stacioneve të plazhit është e ulët, pavarësisht volumit të punës që kryhet prej tyre. Pagesa që në shumicën e rasteve varion nga 30 në 40 mijë lekë në ditë dhe oraret janë të zgjatura. Në jo pak raste, një vrojtues deti kryen edhe punë të tjera e për pasojë nuk është gjithnjë në shërbim. Kjo ka bërë që disa prej tyre të largohen drejt Sarandës, por ka edhe të tjerë që kanë shkuar jashtë vendit dhe bëjnë rolin e vrojtuesit në pishina. Kjo ndodh për shkak se nuk është një punë e mirëpaguar e për shkak të përgjegjësisë së lartë që kanë vrojtuesit, vjen edhe hezitimi i personave të tjerë për tu bërë vrojtues, dhe kjo ka sjellë vështirësi që shumë subjekte të kenë vrojtuesin e tyre” , shprehet Luçiano Marku, Përfaqësues i Vrojtuesve të Detit në Qarkun e Lezhës.
Pyetja që ngrihet është “Po si nënshkruhen kontratat kur marrëveshja me Vrojtuesin e Detit është detyrim ligjor, dhe ato në fakt mungojnë”? Edhe për këtë pyetje, përfaqësuesi i Vrojtuesve të Detit jep një përgjigje dhe ka një apel ndaj vendorëve dhe grupeve të inspektimit në terren. “Shumë subjekte bëjnë marrëveshje fiktive me vrojtuesit e detit, që në fakt është një risk i madh që marrin të dyja palët përsipër. Në rast të humbjes së jetës në një stacion plazhi, përgjegjësia direkt bie mbi vrojtuesin, por nuk ka më pak përgjegjësi edhe administratori i subjektit që ka pranuar të mos ketë prezentë vrojtuesin” , thotë ai për Portën Vendore.
Për Luçianon, ky është një mesazh për kolegët e tij që të mos pranojnë të nënshkruajnë asnjë marrëveshje, duke përfituar shuma modeste, pasi jo vetëm që kanë ndikuar në rritjen e rrezikut, por do të jenë objekt i organeve ligjzbatuese nëse do të ndodhin incidente të ndryshme në ujë. Për këtë sipas tij duhen më shumë kontrolle sepse mangësitë janë të shumta.
Në pamundësi për të ushtruar kontrolle dhe verifikuar performancën e vrojtuesve të detit dhe pikave të vrojtimit, Bashkia e Lezhës, ka gjetur një mënyrë për të dhënë këtë shërbim në zonat publike, në mungesë të tabelave që duhet të jenë prezente, që paralajmërojnë zona pa mbikëqyrje. Kjo Njësi Vendore i ka përcaktuar zonat publike pranë stacioneve private që janë më të vogla në gjerësi se 80 m linear, dhe në këtë mënyrë, vrojtuesi i pikës në stacionin privat do të mbikëqyrë edhe zonën publike. Këtë konfirmim e bëri për Portën Vendore nënkryetari i Bashkisë Lezhë, z. Ermal Pacaj.
Sa i përket situatës që ndodh në të vërtetë gjatë sezonit, Pacaj ka shtuar se për këtë kryhen kontrolle nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Task Forca e Institucionit të Prefektit dhe grupe të tjera që ngrihen për këtë qëllim gjatë sezonit.
Marrja përsipër e ruajtjes së hapësirave publike, krahas atyre që kanë detyrim për të ruajtur, nuk është një ide e mirë. Vrojtuesit e plazhit thonë se pavarësisht se mund të ndërhyjnë në çdo rast kur rrezikohet një jetë në det, pasi për ta është një detyrim moral një veprim i tillë, ata nuk pranojnë të nënshkruajnë që sigurojnë edhe hapësira të tjera që mund të jenë pranë tyre. Arben Lekaj, administrator i Hotel Benit në qendër të Shëngjinit, shpjegon mënyrën sesi ai ka siguruar vrojtuesin për stacionin e plazhit që merr çdo vit në administrim.
“Të marrësh përsipër të ruash jetët e njerëzve është përgjegjësi e madhe që duhet vlerësuar maksimalisht. Sigurimi i vrojtuesve të detit është një shqetësim i madh për ne, sepse në të vërtetë ne kemi vështirësi të sigurojnë edhe personal shërbimi në tërësi. Për të zgjidhur problemin tim, angazhova djalin, i cili bëri trajnimin dhe u certifikua si vrojtues plazhi. Pavarësisht se kemi pak metra bregdet që shfrytëzojmë, ne nuk marrim asnjë pjesë tjetër në përgjegjësi, pasi është shumë problem, sepse do të thotë që je i detyruar për t’u përgjigjur. Megjithëse moralisht ne ndërhyjnë në çdo ras,t nëse identifikojmë një person që rrezikon në det, por kjo nuk do të thotë se ne nënshkruajmë marrëveshje të përbashkët me ndonjë subjekt tjetër për të marrë përgjegjësi ligjore për shërbimin e vrojtimit të detit” , sqaron ai lidhur me këtë çështje.
Duke folur për arsyet e kësaj mungese të theksuar, edhe Arben Leka,j gishtin e drejton tek subjektet private që sipas tij kanë si synim të shtrydhin në maksimum punëtorët e tyre që kryejnë disa punë dhe në fakt nuk kryejnë cilësisht asnjë prej tyre. Paga e vrojtuesit shton Lekaj duhet të jetë maksimale sepse kemi të bëjmë me sigurimin e jetës dhe paga që realisht marrin këta djem dhe vajza është e papërfillshme në krahasim me shërbimin që kanë dhënë prej pak vitesh. Kjo duhet të jetë edhe më e evidentueshme në zonat me rrezik më të lartë, sepse për administratorin e Hotel Benit në Shëngjin, sa herë që kërkohet ndihma në det do të thotë se edhe vetë vrojtuesi po rrezikon jetën e tij, ndaj duhet paguar për këtë shërbim, por shumë nga poseduesit e stacioneve të plazhit nuk e bëjnë.
Kur flitet për vrojtuesit e plazhit, të gjithë bizneset e pranojnë se mbetet një shqetësim që duhet zgjidhur sepse ka ndikim në imazhin e zonës turistike. Për të pasur vazhdimisht një vrojtues plazhi, Dritan Kondakqi, Administrator i Hotel President në Shëngjin i ka paguar trajnimin një punonjësi dhe e paguan atë gjatë 12 muajve të vitit me qëllim që gjatë verës të jetë vrojtues me kohë të plotë për hapësirën e rërës që ka në shfrytëzim.
“Kjo është një punë sezonale dhe nuk ka interesin e të rinjve, ndaj unë jam detyruar që të paguaj dikë gjatë 12 muajve për ta pasur gjatë sezonit veror. Ne bashkëpunojmë me biznese të tjerë në shumë fusha, por sa i takon vrojtimit në det kjo është një punë me përgjegjësi të lartë që askush nuk do ta marrë përsipër ndaj dhe hezitojmë të shtrihemi tek bizneset e tjera. Nëse ndodh ndonjë incident, atëherë përgjegjësi mbi të gjithë bizneset që kanë të njëjtin vrojtues edhe pse incidenti ka ndodhur në një stacion të veçantë. Jo nuk mund të marrim këto përgjegjësi”, thotë ai për Portën Vendore.
Aktualisht sapo ka filluar edhe aplikimi i subjekteve për stacione plazhi, dhe detyrimi është që të kenë vrojtuesin e detit, por a do të jetë funksional ai gjatë sezonit në të gjitha stacionet? Kjo është dilema që nuk ka përgjigje konkrete, por ka një fakt, vrojtuesit janë katër herë më pak se vendet që duhet të mbulojnë me shërbim. Pushuesit duhet të sigurohen që në stacionin e plazhit ku kanë qëndruar të ketë vrojtues, dhe ai të ketë sendet e nevojshme për ndërhyrje në rastet e rrezikut të mbytjes në det.