1 Qershor 2021/ Marinela Dushi/Porta Vendore/Durrës
Më 1 qershor 2021 do të përfundonte Eco-Park në ish fushën e mbetjeve në Porto Romano. Ky premtim u bë nga kryeministri Edi Rama, por sot, puna ka arritur deri në 82 % të investimit, duke e bërë të pamundur mbajtjen e premtimit të tij. Ndërsa zona ka njohur investime të pakta gjatë kësaj kohe, ku një pjesë e mirë e problematikave ndër vite nuk janë zgjidhur.
Porta Vendore ka raportuar hap pas hapi se çfarë po ndodh me Porto Romanon, si një nga zonat më problematike , përsa i përket mbetjeve urbane, e pozicionuar në periferi të qytetit të Durrësit.

Për të parë ecurinë e punimeve, Porta Vendore bëri një vëzhgim pranë këtij parku ekologjik në periferi të Durrësit. Në ish fushën e mbetjeve në Durrës, vijojnë punimet, teksa nxitimi i fadromave paralajmëronte një shtyrje afatesh, pasi dukej me sy të lirë, se ishte tejet e vështirë mbarimi dhe inaugurimi i tij më 1 qershor të 2021. Në brendësi të parkut nuk lejohet depërtimi i gazetarëve, teksa nga kangjellat shquhej qartësisht se puna vijon me 4-5 fadromat e vëna në dispozicion nga kompania fituese e projektit.


Ajo që ishte bërë deri më datë 30 Maj të këtij viti, ishte ndërtimi i kodrave me dhe, të cilat do të visheshin me bar dhe gjelbërim, si dhe ndërtimi i disa ambienteve sportive, si fusha tenisi apo volejbolli.

Porta Vendore kontaktoi me menaxherin e Eko Parkut, më datë (16 maj 2021) i cili u shpreh se projekti ka përfunduar në 90% të saj dhe brenda afatit të përcaktuar do të jetë gati.
“Çdo gjë po shkon mirë, projekti është në fazën përmbyllëse, ka përfunduar 90% e punimeve, dhe do të jetë gati në 1 qershor”, tha menaxheri kompanisë shqiptare “Victoria Invest International” në një prononcim të shkurtër.
Por Porta Vendore nuk e la me kaq, kontaktoi me nr e Kompanisë fituese të tenderit për zhvillimin e investimit të Eco Parkut, “Victoria Invest Internacional”, ku pas insistimeve të shumta, nëpërmjet një kërkese për informacion tha se:
“Realizimi i punimeve për Eco-Parkun po ecën sipas planifikimit pavarësisht vështirësive të shumta të hasura për shkak të pandemisë. Shoqëria është angazhuar maksimalisht që këto punime të mbyllen në afat”, shprehet kompania ndërsa thekson se: “Mbetjet që kanë qenë në këtë zonë, janë kapsuluar sipas të gjitha standarteve europiane. Arkitektët e projektit janë të suksesshëm në fushën e tyre dhe kanë sjellë praktikat më të mira europiane për realizimin e tij”, tha në përgjigjen zyrtare të saj Victoria Invest.
Ndërkohë, muri kacavjerrës, i cili do të ndërtohej me grumbujt e inerteve të tërmetit, siç duket edhe nga fotot, ende nuk është realizuar, ku prania e pirgjeve në zonë mbetet më shumë shqetësim se zbavitje.

E pyetur lidhur me materialin që po bëhet muri kacavjerrës në Eko Park, pasi nga vëzhgimi në terren dukej se kishte mbetje urbane në ndërtimin e atij muri, kompania i tha Portës Vendore se realizimi i murit është kompleks, por duke pohuar se mbetjet do të përdoren.
“Realizimi i murit është kompleks, që do të thotë se fillimisht realizohet një strukturë 28 metra e lartë me beton-arme, në të cilën do të montohen format gjeometrike të murit kacavjerës. Ato janë prej çeliku dhe përmbajnë panele me fibra qelqi. Arkitektët janë kujdesur, që nëpërmjet një kombinimi materialesh si gjeomembranat, të cilat realizojnë izolimin e mbetjeve dhe strukturave te tjera komplekse si betoni dhe çeliku gjithashtu dhe gjelbërimi masiv, të realizojnë në përfundim qëllimin kryesor të kësaj vepre, i cili është një mjedis i pastër dhe miqësor. Nga ky rikualifikim i zonës, projekti e kthen këtë territor në një Eco-Park me të njëjtat standarte si në vendet e tjera të bashkimit europian”, përfundon kompania lidhur me investimin.
Ky projekt është fituar nga bashkimi i operatorëve ndërmjet kompanisë shqiptare “Victoria Invest International” dhe asaj italiane, “De Mare” srl”. Tenderi është zhvilluar me procedurën e prokurimit “me negocim, pa shpallje paraprake”, duke e argumentuar “për shkak të nevojës ekstreme në të cilën ndodhemi pas ngjarjeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 26.11.2019”.
Në bazë të të dhënave zyrtare, vlera e tenderit ishte parashikuar 1.68 miliardë lekë (të reja) pa TVSH, një vlerë e përafërt me 15 milionë euro. Në të do të ketë ambienteve sportive, (përkatësisht; 3 fusha basketbolli, 1 fushë mini-futbolli dhe 2 fusha tenisi), parkim, kopsht botanik, mure kacavjerrës prej 28 metrash (climbing), kënde lojërash, hapësira dedikuar aktiviteteve sportive. Projekti pritej të përfundonte në qershor të 2021, (megjithëse tabela informuese thotë që projekti do të përfundojë në shtator 2021), ku fëmijët e kësaj zone do të kishin, sipas premtimit te kryeministrit, një park të ri për 1 qershorin e vitit 2021, me një hapësirë të konsiderueshme me rreth 155 000 metra katrorë.
Porta Vendore iu referua lidhur me procesin e përfundimit të punimeve edhe Bashkisë Durrës, por ajo u përgjigj shkurtimisht që nuk është një projekt i pushtetit vendor, por i qeverisë. Ndaj Porta Vendore iu referua Agjencisë Kombëtare Ujësjellës-Kanalizimeve, ku ky institucion tha se: “Ky objekt është në vazhdim dhe po punohet sipas afateve kontraktuale, aktualisht janë realizuar 82% e punimeve, ku afati i përfundimit te punimeve sipas kontratës është Tetor 2021”.
Porto Romano , dy anët e një medaljeje
Në lidhje me ndërtimin e Eko Parkut, banorët janë shprehur të lumtur për largimin e mbetjeve duke rikujtuar, se më parë nuk hapnin dot dyert dhe dritaret nga djegia e plehrave, por ata nuk tregojnë ndonjë emocion për këtë projekt në lagjen e tyre, duke lënë të nënkuptuar se projekti nuk do ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetës së tyre.
E teksa qeveria po investon lidhur me këtë projekt argëtues, kjo zonë ka mjaft probleme, të cilat presin zgjidhje nga pushteti lokal dhe qendror. E duket se as përfundimi i punimeve të parkut të shumëpritur nuk i zgjidh dot hallet e shqetësimet e banorëve të zonës, e jo vetëm, lidhur me gjithë problematikat që shoqërojnë këtë zonë.
Ky park, i cili do të jetë argëtues për rininë, bënte kontrast me zonën që e rrethon. Në Porto Romano jetojnë banorë të ardhur kryesisht nga Puka. Ata jetojnë me bujqësi ose blegtori. Por ka edhe nga ata që teksa dikur merreshin me mbledhjen e shitjen e kartonëve apo kanaçeve tani kanë gjetur punë të përkohshme në kantierin e Eko Parkut.

Nëse qeveria ka një plan konkret brenda kantierit, jashtë saj duket se jo. Ajo që bie në sy ështe se Eko Parku rrethohet nga kanali kullues.

Por problemi thellohet më shumë pak metra larg Eko Parkut, ku ndodhet kanali i ujërave të zeza. Kanali kalon ngjitur me shtëpitë në zonë dhe rreth e qark investimit madhor të qeverisë shqiptare, Eko Parkut në Porto Romano.

Për banorët e Porto Romanos, ky është një problem i mbartur ndër vite, i cili nuk ka marrë zgjidhje, pavarësisht se nuk kanë qenë të pakta herët që këta të fundit kanë ngritur zërin duke protestuar, e po ashtu edhe përpjekjet e shoqërisë civile për përmirësimin e kushteve në këtë zonë. Ujërat e zeza shkaktojnë një ndotje të madhe mjedisore, duke lëshuar një erë kundërmuese.

Ata shprehen për Portën Vendore se pas largimit të mbetjeve, e kanë të domosdoshme dhe marrjen e masave nga qeveria për problemin e ujërave të zeza. Rrugës takojmë Manjolën, e cila sapo doli nga shtëpia e saj dhe po shkonte t’i çonte ushqim derrave. Banorja nga Puka tregon se ajri i ndotur ndikon në shëndetin e fëmijëve, ndërsa vet është mësuar më erën e keqe që shkakton kanali i ujërave të zeza.
“Kanali i ujërave të zeza ka vite që është një problem, kanë ardh disa persona kanë marrë kampione të ujit dhe janë larguar, por deri tani nuk ka ardhur asnjë zyrtar që të na thotë që ky problem do të marrë zgjidhje. Ne tani jemi mësuar më këtë erë të keqe, se s’kemi ça të bëjmë, bashkëjetojmë më kanalin e ujërave të zeza prej disa dekadash, por kur vijnë të afërm apo familjarë në shtëpi, mezi qëndrojnë dhe thonë se si ne e durojmë ndotjen e ajrit nga ujërat e zeza”, thotë Manjola.

Mark Ndou babai i dy fëmijëve, tregon se kanali i ujërave të zeza është problem që e shqetëson atë dhe fëmijët e tij. “Ajri këtu është shumë i ndotur, ndikon në shëndetin e fëmijëve të mi. Edhe babai im e vinte re ndryshimin që kishte në shëndet në momentin që ai largohej nga Porto Romano dhe kthehej në fshatin e tij”.
28-vjeçari tregon se situata bëhet më alarmante gjatë sezonit të verës ku mblidhen shumë mushkonja si pasojë e ujërave të zeza. “Gjatë verës mblidhen shumë mushkonja dhe na japin shumë bezdi. Ndërsa gjatë dimrit kur bie shi, rritet niveli i ujit në kanal dhe gati sa nuk ka mbërrin brenda në shtëpi. Jemi detyruar të mbjellim pemë pranë kanalit për të frenuar këtë problem si dhe shpesh herë kam dalë dhe kam pastruar kanalin, pasi uji ka sjellë edhe derra të ngordhur”, tha ai.
Ndou, i ardhur në këto zonë nga Puka, tregon se zona në Porto Romano ka edhe problemin me kanalet kulluese.
“Ne kemi shumë problem edhe bllokimin e kanaleve kulluese. Kur ka reshje shiu, përmbyten tokat dhe aji arrin deri në shtëpi. Në duam që të zgjidhjet ky problem dhe të pastrohen kanalet”, thotë ai për Portën Vendore.
Porta Vendore kontaktoi gjithashtu me aktivistin Klaudio Hyseni, për këtë çështje, i cili tha se presin një përgjigje zyrtare nga bashkia mbi gjithçka do të ndodhë në master planin e këtij qyteti.
“Në Porto Romano në dijeninë tonë, rreth 1km e kanalit është pastruar, ndërsa një pjesë e tij është mbyllur, duke u mbuluar. Por e gjitha kjo është 1/10 e punës, pasi zona e hapur është rreth 10 km në total. Shqetësim mbetet fakti se këto ujëra përfundojnë drejt e në det, duke ndotur kështu të gjithë zonën”, u shpreh Hyseni.
Sa i përket kanaleve të ujërave të zeza dhe pastrimit të tyre, Porta Vendore pyeti pranë Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve teksa ky institucion qendror tha se:
“Ju informojmë se AKUM planifikon investime sipas kërkesave dhe prioriteteve që kanë Bashkitë. Në AKUM nga Bashkia Durrës nuk është arkivuar projekt lidhur me rehabilitimin e ujërave të zeza në kanalet e zonës së Porto Romanos pranë parkut rekreativ”
Ndërsa Bashkia Durrës thotë se gjithë ndryshimi i zonës është përshkruar në planin vendor, por ky plan nuk ekziston as në faqen zyrtare të bashkisë dhe as në Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, sipas hulumtimit që Porta Vendore kreu. Në faqe njoftohet se më datë 3 mars 2021, është kryer një dëgjesë publike në ambientet e sallës së Këshillit Bashkiak me grupet e interesit dhe pjesë të shoqërisë civile për Draft Planin e Përgjithshëm Vendor të Durrësit dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor të tij.
Lidhur me mundësitë që mund të ekzistojnë që kjo zonë t’i kthehet një herë e mirë normalitetit për këtë situate, Agjencia Kombëtare Ujësjellës-Kanalizimeve thotë se: “Ju bëjmë me dije që ne si AKUM në momentin që do të paraqitet kërkesë mbi rehabilitimin e ujërave të zeza në kanalet e zonës së Porto Romanos pranë parkut rekreativ, nga ana e AKUM do të trajtohet me prioritet”, thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni referuar Portës Vendore.
Por duket se pavarësisht pikëpamjes turistike që qeveria do t’i japë kësaj zone me ndërtimin e Eko Parkut, banorët e Porto Romanos kanë ende probleme ekzistenciale, siç është ndotja, rruga apo furnizimi me ujin e pijshëm.
Gjatë vëzhgimit tonë në Porto Romano, u evidentua se rruga ishte e shkatërruar, me gropa. Por ky problem duket se do marrë zgjidhje shumë shpejt.

Në fund të rrugës së universitetit, përballë Eko Parkut po ndërtohet një aks rrugor i cili deri në shtator 2021 parashikohet të ketë një përfundim të punimeve deri të Uzinat e Naftës. Më pas, faza e dytë do të shtrihet më tej dhe do të bëhet rruga deri te Porti i Ri i Mallrave, aq shumë i diskutuar nga qeveria për këtë zonë.


Shashja me qese në duar , së bashku me fqinjën e saj më të moshuar, po ktheheshin nga pazari. Ato tregojnë së tubat të cilat përcjellin ujin nëpër shtëpitë e tyre është i dëmtuar, ku në disa pjesë të tij është i çarë duke bërë që uji të shkojë dëm dhe të derdhet në rrugë kot. “Tubi i ujit është i çarë, uji shkon dëm e ndërsa në paguajmë taksat. Si pasojë në çezmat e shtëpisë vjen shumë pak ujë, mezi mbushim disa bidona me ujë për të pirë”, shprehet ajo. Ndërsa fqinja e saj e moshuar thotë se po konsumojnë ujë të ndotur.
“Ne pimë ujë të pisët, aty ku është i çarë tubi kam parë që pinë edhe qentë. Ujin e pimë me merak”, tha e moshuara.
Për të përforcuar më shumë problemet e ujit të pijshëm, rrugës shikojmë një vajzë të vogël e cila kishte mbushur disa bidonë me ujë të fqinjët.

Ndërsa, megjithëse Porto Romano quhet tanimë si një zonë e rehabilituar nga pikëpamja e mbetjeve urbane, sërish ato nuk mungojnë.

Edhe pse zona e Porto Romanos po përflitet si një zonë që do përthithë shumë investime, si 15 milion të parkut apo zhvendosjes së portit të mallrave, zona mbetet me probleme mjaft madhore, si ndotja nga kanali, mungesa e ujit të pijshëm, kanalizimet apo rrugët, të cilat kanë 30 vite që pavarësisht ankesave nuk po gjejnë zgjidhje, duke bërë që zëri i banorëve të humbas dalëngadalë, teksa shpresat për një jëtesë më të mirë në zonë po humbasin çdo ditë e më shumë.