1 qershor 2021/ Aurora Sulce/Porta Vendore
Bashkitë e kanë të vështirë të përballojnë goditjet që vijnë nga fatkeqësitë natyrore. Pandemia e COVID 19 tregoi qartazi aftësinë e dobët të pushtetit vendor për të mbledhur të ardhura dhe rredhimisht, për të përballuar krizat. Sipas raportit të Financave Publike Vendore për vitin 2020, publikuar nga CoPlan dhe Ministria e Financave, të ardhurat që ato mbledhin vetë nga taksat dhe tarifat vendore ranë me 5.3% kundrejt një viti më parë, duke arritur nivelin e 24.2 miliardë lekëve.
“Në terma historikë, ky është frenimi i parë i shënuar në të ardhurat nga burimet e veta vendore që prej vitit 2016. Përjashtuar bashkinë Tiranë (e cila përfaqëson rreth 57.7% të të ardhurave nga burimet e veta vendore të vitit 2020), rënia e shënuar në të ardhurat nga burimet e veta vendore, të 60 bashkive, thellohet më tej në rreth 12.2% në terma vjetorë”, theksohet në raport.
Tkurrja më e theksuar e të ardhurave nga burimet e veta vendore u shënuar në bashkinë Lezhë, me rreth 57.3% në terma vjetorë. Në bashkitë Kamëz, Fushë Arrëz, Vau i Dejës dhe Kurbin të ardhurat nga burimet e veta vendore shënuan rënie vjetore që luhatet në intervalin – 36% deri në – 38% ; në bashkitë Vorë, Mallakastër, Klos, Durrës, Skrapar, Kuçovë, Mirditë, Peqin, Kavajë dhe Tropojë, të ardhurat nga burimet e veta vendore shënuan rënie vjetore që luhatet në intervalin – 20% deri në -29%; në bashkitë Korçë, Dibër, Bulqizë, Roskovec, Libohovë, Krujë, Selenicë, Shkodër dhe Shijak të ardhurat nga burimet e veta vendore shënuan rënie vjetore që luhatet në intervalin – 10% deri në -18%.
Për bashkitë e tjera, të dhënat mbi zhvillimet në të ardhurat vendore tregojnë për zhvillime pozitive në të ardhurat nga burimet e veta vendore për 30/61 bashki. Rritja më e theksuar shënohet në bashkitë Pukë dhe Pustec, ku niveli i të ardhurave nga burimet veta vendore rezulton të jetë 2.2 dhe 3.5 herë më e lartë krahasuar me vitin 2019, kryesisht në të ardhurat nga tarifat vendore dhe të tjera. Rritje e të ardhurave nga burimet e veta vendore u shënua në bashkitë Dropull (+ 39.5%), Patos (+33.2%), Konispol (+32%), Has (+31.7%), Kolonjë (+31.4%) etj.
Rënien e fortë të të ardhurave, bashkitë e kompensuan me fondet e transferuara nga qeveria, në formën e transfertave. Me shtimin e kontributit nga qeveria, burimet financiare totale në dispozicion të bashkive për vitin 2020 regjistruan një vlerë prej 90.9 miliardë lekë, në rritje me rreth 11.6% krahasuar me një vit më parë.
“Nëse nga totali i burimeve financiare do të përjashtonim ato kategori të konsideruara me destinacion (transferta të kushtëzuara), të ardhurat mbi të cilat bashkitë ushtrojnë autoritet dhe kanë të drejta vendimmarrjeje shënuan një vlerë prej rreth 52 miliardë lekë, në rritje me rreth 0.2% në terma vjetorë”, thekson raporti.
Por edhe pse me më shumë para në dispozicion, pjesa më e madhe e rritjes shkoi për dyfishimin e pagesave për ndihmën ekonomike dhe paaftësinë, si masë për të zbutur rritjen e varfërisë gjatë pandemisë.
Rritje të ndjeshme gjatë vitit pandemik shënuan shpenzimet korrente, ndërsa rritja e investimet rezultoi e moderuar.
Kështu, sipas raportit të financave vendore, shpenzimet korrente arritën në 60.6 miliardë lekë në fund të 2020-ës, me rritje 3.1% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërsa vlera e investimeve arriti në 24.8 miliardë lekë, me rritje vjetore 6.4%. Për çdo 100 lekë të shpenzuara, 71 lekë u përdorën për shpenzime korrente dhe vetëm 29 lekë për investime.
Të dhënat e detajuara të raportit tregojnë edhe për rritje të numrit total të punonjësve në 61 bashkitë në vend. Pranë tyre u punësuan 34,047 persona ose 2.7% më shumë krahasuar me një vit më parë (ekuivalent me rreth 901 punonjës më shumë).
Rreth 50% e shtesës së të punësuarve në vitin 2020 u punësuan nga bashkia Tiranë, ndjekur nga bashkitë Pogradec (+130 të punësuar), Durrës (+81 të punësuar), Mat (+46 të punësuar), Vau i Dejës (+38 të punësuar) etj. Në të kundërt, numri i të punësuarve është pakësuar ndjeshëm në bashkitë Dibër (-63 të punësuar), Kamëz (-53 të punësuar), Lezhë (-52 të punësuar) etj.
Raporti i Financave Vendore 2020 nxorri në pah nevojën e bashkive për tu mbështetur financiarisht ende tek qeveria, madje, edhe në vite normale, duke mos arritur dot decentralizimin, një ndër objektivat madhore, për të cilin u hartua edhe Reforma Territoriale Administrative 6 vite më parë.