Ndodhi

Do shemben pallatet në Kombinat, banorët: S’na kanë thënë ku do shkojmë, bonusi i pamjaftueshëm

28 maj 2021/ Saide Malaj/ Porta Vendore/Tiranë

Pas një viti e gjysmë, nisin shembjet e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Kombinatit në Tiranë. Banorët ende nuk dinë çfarë do të bëhet me fatin e tyre, pasi pretendojnë se askush nuk i ka shpjeguar asgjë, duke i lënë konfuzë, lidhur me procesin dhe përfitimet reale të një banese në po atë zonë.

Të martën (25 maj 2021) fadromat e IKMT mbërritën në njësinë administrative nr. 6 në Kombinat për të nisur shembjen e 9 pallateve në fazën e parë, ndërsa 23 godina të tjera parashikohen që do të kenë po të njëjtin fat në fazën e dytë e në vazhdim.

Burime nga IKMT i thanë Portës Vendore se ditën e mërkurë kanë nisur shembjet masive, ndërsa në pallate nuk ka asnjë banor.

Por megjithëse prishjet kanë nisur, banorët ndjehen të pasigurt dhe të konfuzuar mbi fatin e banesave të tyre, dhe nëse kompleksi i apartamenteve që ata do të përfitojnë do të jenë po në atë zonë apo në ndonjë tjetër, pasi askush nuk i ka sqaruar.

“Nuk kemi besim tek inspektimet inxhinierike që ka kryer Bashkia, pse ky nxitim për të kryer shembje. Ne nuk kemi informacion, s’na kanë thënë ku do shkojmë”, thotë një banor i lagjes në Kombinat.

Të kontaktuar nga Porta Vendore, banorët pretendojnë se ky veprim lidhet me shembjen masive të pallateve parafabrikat për t’u lënë vend kullave disakatëshe. Banorët gjithashtu hedhin hije dyshimi mbi inspektimet e inxhinierëve të Bashkisë, duke kërkuar që ata vetë me financat e tyre, të kryejnë rivlerësim me inxhinierë privatë në pallatet që kanë mbetur ende në këmbë.

Qytetarët kanë sqaruar se nuk duan që Bashkia t’i kompensojë në një vend tjetër, pasi pronat i kanë trashëgimi familjare dhe shembja po kryhet për t’i lënë vend pallateve të reja që do të ndërtohen, dhe sipas tyre është e ligjshme që po në atë truall të kompensohen. Banorët theksojnë se janë të painformuar se ku do të shkojnë.

Banorët duke hequr orenditë e fundit të mbetura në godinat e dëmtuara. Foto: S. Malaj

Sa i takon shqetësimit të banorëve mbi terrin informativ dhe përcjelljen e qytetarëve, Porta Vendore iu drejtua kreut të njësisë Administrative nr. 6 në Tiranë Adriatik Merko, i cili pranon që ka banorë që jetojnë ende në pallatet e dëmtuara të shkallës DS4, aktualisht në Kombinat.

Prej më shumë se një vit e gjysmë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, një pjesë e banorëve kishin braktisur godinat, për të nisur rikonstruksioni, ndërsa një pjesë tjetër ka vijuar të jetojë në këto godina, megjithëse trajtoheshin me bonus qiraje.

Porta Vendore kontaktoi me banorët mbi arsyet e qëndrimit të tyre në këto banesa që janë shpallur të pabanueshme nga institucionet shtetërore, ndërsa këta të fundit sqaruan se ishte pamundësia ekonomike një ndër shkaqet.

“Bonusi i qirasë që marr është i pamjaftueshëm që unë të shlyej një banesë tjetër, për këtë arsye detyrohem të qëndroj në banesën e dëmtuar”, thotë për Portën Vendore , Eduart Duralliu, banor i Kombinatit.

Ndër të tjera Duralliu ngre shqetësimin se nuk ka informacion se ku do të marrin banesën e re, pas prishjes së këtyre pallateve, pasi askush nuk i kanë informuar.

 “Nuk më thonë se ku do të marr shtëpinë, kjo është banesa ime, unë e dua në këtë truall”, thotë ai, i irrituar nga informacioni i mangët që kanë këta banorë lidhur me procesin e rindërtimit në këtë zonë.

 Lidhur me truallin e banesave se ku do të ndërtohet, dhe paqartësitë e banorëve kreu i njësisë Administrative nr. 6 në Tiranë Adriatik Merko, i pyetur nga Porta Vendore deklaroi se:

“Në projekt është parashikuar hapësirë e gjelbër në vendin ku janë pallatet aktualisht”, thotë ai në prononcimin e kërkuar, duke ngritur dyshime për atë çka edhe banorët i frikësohen, marrjen e një banese në një lagje diku tjetër, dhe jo aty ku janë aktualisht pallatet e dëmtuara të Kombinatit.

IKMT duke shembur pallatet e para në zonën e Kombinatit. Foto: S. Malaj.

Kombinati ishte një ndër zonat më të goditura prej lëkundjeve sizmike. Rreth 1500 familje dolën të pastreha. Sot disa prej tyre trajtohen me bonusin e qirasë, por jo të gjithë e dinë se si do të jetë fati i tyre, ndërsa më herët shqetësimi i këtyre banorëve është raportuar edhe nga Porta Vendore.

Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të martën e dt 25 majit 2021 pezullimin e çdo veprimi për prishjen e një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në Kombinat. Konkretisht banorët e pallatit nr. 145, në rrugën “Sokrat Mosko”, Kombinat, iu drejtuan gjykatës pas vendimit të Këshilli Bashkiak për shembje, me argumentin se objekti ka dëmtime të konsiderueshme. Vendimi është marrë në shtator të vitit 2020, por në gjykatë banorët prezantuan prova dhe ekspertiza se vendimmarrja është marrë mbi fakte të pavërteta. Dëmtimet reale janë vetëm të dorës së dytë, më së shumti dëmtime të suvasë, ndërsa në aktin e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit thuhet se dëmtimet janë të rënda, duke paraqitur se vlera e riparimit të pallatit është sa 72 % e kostos së rindërtimit.Ky është vendimi i tretë dhënë nga gjykata Administrative që pengon prishjen e ndërtimeve në këtë zonë.

Sipas Bashkisë Tiranë, nga analiza e asaj kohe rezultojë që pallate kryesisht në Kombinat, kanë pësuar dëme tepër të rënda, ku kostoja e ndërhyrjes do të ishte e përafërt me vlerën nëse këto godina do të rindërtoheshin nga e para. Në total në Kryeqytet janë për tu shembur 198 pallate, nga të cilat 67 në zonën e Kombinatit.