Ngjarje/Personazhe

Cilësia e ujit në 2017 jashtë parametrave, institucionet nuk mbajnë përgjegjësi lidhur me vendimin e gjykatës

27 maj 2021/ Porta Vendore/ Tiranë

Gjykata Administrative e Tiranës ka urdhëruar Ujësjellësin e Tiranës që të monitorojë dhe analizojë të gjithë parametrat e ujit, dhe rezultatet e masat për përmirësim t’i dërgohen për dijeni dy organizatave jofitimprurëse, të cilat e kishin paditur për moskryerjen e këtij procesi. Vendimi i paprecedentë është marrë pas një monitorimi të kryer nga Qendra “Res Publica” dhe shoqata “Impetus” në vitin 2018, ku ka rezultuar se uji i pijshëm në kryeqytet është jashtë parametrave.

Sipas një raporti teknit të vetë UKT në vitin 2019, të bërë publik nga Porta Vendore në Maj të 2020, deklarohej se uji i pijshëm në Tiranë nuk ishte gjithmonë i pastër dhe kjo për shkak të burimeve.

Por ccështja e ujit të pijshëm duket edhe më e hershme. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka pranuar ditën e hënë, datë 24 Maj 2021, se cilësia e ujit që furnizohej kryeqyteti në vitet 2016-2017 (kohë kur u ngrit padia) ishte jashtë parametrave që garantojnë cilësinë e konsumimit.

Në vitin 2017, “Qendra Res Publika” dhe shoqata “Impetus” iu drejtuan gjykatës së Tiranës për të detyruar ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime Tiranë që të kryejë të gjitha analizat për të garantuar cilësinë e ujit të pijshëm në qytetin e Tiranës sipas standardeve të vendosura me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Sipas padisë, në zona të ndryshme të Tiranës, niveli i ‘escherichia coli’ (bakter i dëmshëm për shëndetin) është më shumë se norma e lejuar sipas rregullores për ujin e pijshëm.

E njëjta gjë ndodh dhe me nivelin e ‘streptocochi faecal’, bakter i dëmshëm për shëndetin, ndërsa niveli i Klorit (kimikat) rezulton shpesh herë të jetë mbi 0.5 (norma maksimale e lejuar nga VKM nr. 379, dt. 25.05.2016).

“Ka rezultuar se analizat mikrobiologjike apo kimike që garantojnë cilësinë e ujit të pijshëm. janë bërë nga një laborator i pa akredituar, duke mos dhënë asnjë garanci për asnjë parametër”, thuhej gjithashtu në padi. Pas katër vjetësh betejë ligjore, Qendra Res Publika dhe shoqata Impetus ia kanë dalë të sigurojnë nga gjykata një vendim të paprecedentë, i cili do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ujit në kryeqytet.

Gjykata urdhëroi UKT sh.a. të monitorojë dhe të analizojë të gjitha parametrat e ujit të pijshëm në Tiranë. Sipas vendimit, UKT është e detyruar që këto rezultate të analizave t’i dërgojë në Institutin e Shëndetit Publik, për të përcaktuar masat që duhet të merren për përmirësimin cilësisë së ujit, dhe rezultatet bashkë me masat t’i dërgohen për dije këtyre dy OJF-ve.

Avokati Dorian Matlija e konsideroi vendimin si një hap të rëndësishëm që do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së furnizimit me ujë të pijshëm të kryeqytetit, si dhe me efekt tek përdoruesit e shtresave të varfëra, të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të siguruar ujin e pijshëm, përveç rubinetit. Për këto shtresa, OKB ka përcaktuar standarde të furnizimit me ujë, si një e drejtë social ekonomike që qëndron më vete.

“Tashmë kemi dhe një vendim gjykate, e cila pranon dhe zyrtarizon se uji i pijshëm nuk ka qenë në parametrat e duhura në Tiranë dhe me shumë gjasa nuk është as sot. Ajo që kemi fituar është, si të thuash, ne jemi bërë mbikëqyrës të shoqërisë shtetërore, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, të cilët gjykata i urdhëron, jo vetëm të bëjë të gjitha analizat periodike të ujit të pijshëm, por edhe të na vërë në dijeni dhe ne si paditës, qendrën Res Publika dhe shoqatën Impetus për rezultatet dhe hapat që ajo do të ndërmarrë në përmirësimin e cilësisë së ujit. Kujtojmë këtu që kontrata tip e furnizimit me ujë detyron UKT të ndërpresë furnizimin me ujë nëse ai është jashtë standardeve, si dhe të bëjë publike në kohë reale këtë fakt për konsumatorët, që ata mos të rrezikohen. Shkurt, UKT do duhet ta marrë seriozisht këtë problem tani e tutje sepse ndryshe do të përballen me forcën e ligjit. I bëj thirrje UKT që të mos rreket të përdorë taktika ankimesh për të vonuar që vendimi të marrë formë të prerë, duke shtyrë për më vonë këtë ndryshim të rëndësishëm në qasjen ndaj konsumatorëve” , deklaroi pas vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, avokati Dorian Matlija.

Për këtë vendim gjykate ka reaguar gjatë ditës së martë edhe Presidenti Ilir Meta, teksa lajmi bëri xhiron nëpër mediat sociale dhe jo vetëm.

“Qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të garantuar të shëndetit përmes shërbimeve shtetërore, që mbahen dhe paguhen me taksat e tyre. E përshëndes aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të Bashkisë, që siç faktohet nga të dhënat e bëra publike, ka rrezikuar jetën e tyre duke i furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave. Tashmë që pritet arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqytetit. Mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, duhet të jetë prioritet absolut”, thotë kreu i shtetit.

Edhe UKT i është kundërpërgjigjur Presidentit Meta nëpërmjet një statusi po në rrjetin social facebook, ku shprehet se:

“UKT ndoqi me keqardhje një reagim të pavend dhe aspak të denjë të Presidentit të Republikës, por që nuk çudit askënd, lidhur me një vendim gjykate, referuar një çështjeje që daton 5 vjet më parë, të keqpublikuar qëllimisht ditët e fundit nga disa media e portale pranë opozitës dhe Presidentit. Presidenti i Republikës, shtëpitë dhe vilat e të cilit sot furnizohen me 24h ujë, po e përdor qëllimisht këtë çështje për të keqinformuar publikun. I kujtojmë Presidentit se UKT-ja nuk është më institucioni i dikurshëm, kur drejtohej nga një kanakar i një prej aleatëve më besnikë të z. President. Që nga ajo kohë, UKT ka pësuar një ndryshim rrënjësor, qoftë në dhënien e shërbimit për qytetarët, qoftë në furnizimin me ujë të tyre, duke e çuar furnizimin me 24h ujë në ditë në 70% të Tiranës. UKT siguron qytetarët e Tiranës se zbaton standardin kombëtar të cilësisë së ujit të pijshëm, mbështetur në VKM Nr.379 datë 25/05/2016, dhe rekomandimet për cilësinë e ujit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas këtij standardi, uji i pijshëm monitorohet çdo ditë nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, i cili është organi që kontrollon dhe monitoron cilësinë e ujit të pijshëm. Zgjedhja e pikave të marrjes së mostrave realizohet në bashkëpunim me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor të Tiranës dhe miratohet nga Ministria e Shëndetësisë”, thotë UKT në reagimin e tij, teksa shton se kjo e fundit kryen çdo ditë analiza për 16 kampione për 7 parametra fiziko-kimike (ngjyra, era, shija, turbullira, amoniaku, nitrite, klori i lirë mbetës) dhe 3 parametra mikrobiologjik (Koliforme totale, Escherichia coli, Streptokoku fekal).

“Përveç UKT, edhe Drejtoria e Higjenës monitoron rregullisht, në mënyrë të përditshme, kampione uji në 31 pika të përcaktuara në të gjithë qytetin e Tiranës. Gjithashtu, uji me të cilin UKT furnizon konsumatorët e saj përmes rrjetit shpërndarës, është objekt kontrolli periodik nga Institucione të tjera monitoruese siç janë: Inspektoriati Shëndetësor Shqiptar, institucion që vepron në bazë të dispozitave të ligjit nr. 7643 dt. 02.12.1992 “Për Inspektimin Sanitar” të ndryshuar, si dhe akteve të tjera ligjore në fuqi dhe njofton Ministrinë e Shëndetësisë si dhe Agjencia e Baseneve Ujore. Vetë Ujësjellës Kanalizime Tiranë kryen kontroll të përditshëm në 52 pika të kampionimit në të gjithë qytetin e Tiranës për monitorimin e klorit të lirë mbetës në pikat fundore të rrjetit të ujësjellësit. Për sa i përket klorinimit, niveli i klorit në të gjithë rrjetin e ujësjellësit mbahet gjithmonë brenda limiteve të rekomanduara nga ISHSH që është në vlerat 0,3-0,5 mg/l në rrjet”, përfundon në reagimin zyrtar ky institucion.

Më 20 maj 2020, Porta Vendore publikoi një artikull lidhur me zonat problematike në kryeqytet për furnizimin me ujë të pijshëm, dhe hodhi dritë me anë të disa gjetjeve nga hulumtimi i kryer për cilësinë e ujit që konsumojnë banorët e Tiranës. Në vëzhgimin që Porta Vendore kreu në disa zona të kryeqytetit, shumica e banorëve kishin pakënaqësi për ujin që rridhte në çezmat e tyre, jo vetëm për furnizimin, por dhe për cilësinë e tij. Ata përpiqeshin që të gjenin një rrugë alternative për furnizimin me ujë të pijshëm, ku në shumicën e rasteve e blinin, edhe pse kjo rëndonte drejtpërdrejtë në xhepat e tyre.