Vëzhgim/Analizë

Sfidat e emergjencave civile, çfarë ndryshoi pas tërmetit e deri në ditët tona

25 maj 2021/Marinela Dushi/Porta Vendore/Tiranë

Shërbimi i emergjencave civile në 3 vitet e fundit, duket së është përballur me dy sfida të mëdha që rezultati i tyre ngre pikëpyetje. Sfida e parë është tërmeti i 26 nëntorit 2019, e cila detyroi shtetin shqiptar të kërkonte ndihmën e ekspertëve të huaj për mjete dhe për eksperiencën e tyre. Ndërsa sfida e dytë me të cilën u përball shërbimi i zjarrfikëses Tiranë, si pjesë integrale e Emergjencave Civile, është rasti i zjarrit te magazina në qendrën tregtare Casa Italia, ku zjarri nuk u shua për 3 ditë radhazi, e ku mbeti i vdekur një prej punonjësve të sigurisë. Duke analizuar dy rastet që nxorën në pah problematikat e emergjencave civile dhe shërbimit zjarrfikës në vetvete, ekspertët shprehen për Porta Vendore se shkaqet janë të shumta, por kanë një emërues të përbashkët, që janë mungesa e investimeve dhe e trajnimeve të aftësive të tyre.

Mungesa e investimeve

Sipas ligjit të ri nr. 45/2019, datë 18.07.2019 “Për mbrojtjen civile” thuhet qartësisht se: “Mbrojtja civile synon krijimin e kushteve për një shoqëri të aftë për të zvogëluar risqet e fatkeqësive, për të parandaluar, përgatitur, përballuar fatkeqësitë dhe për t’u rimëkëmbur, nëpërmjet një sistemi të integruar dhe efikas të mbrojtjes civile në Republikën e Shqipërisë”.

Me futjen në fuqi të ligjit të ri nr. 45/2019, datë 18.07.2019 “Për mbrojtjen civile”,  Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile është shndërruar në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC). Deri në fund të vitit 2017, DPEC ka qenë në varësi të Ministrisë së Brendshme, ndërsa në Janar të vitit 2018 kjo drejtori kaloi në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Veç Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile, brenda emergjencave civile janë dhe Shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH-të), ose siç njihen ndryshe repartet zjarrfikëse, të cilat janë në varësi direkte të bashkive, por kanë dhe një varësi vertikale nga AKMC-ja në rastet e fatkeqësive natyrore.

Në një raport të KLSH-së për funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile publikuar në qershor 2020, vihen re një sërë gjetjesh:

“Në rast se Shqipërisë do t’i duhej të përballej me një fatkeqësi tjetër natyrore: tërmet, zjarr apo përmbytje, reagimi i njësive të emergjencës civile (Shën. Red. repartet zjarrfikëse) do të ishte i njëjtë si natën e 26 nëntorit. Dhe kjo gjendje kaotike e Agjencisë për Mbrojtjen Civile do të vijojë për aq kohë që do të kërkojë ristrukturimi i saj sipas përcaktimeve Ligjit të ri ‘Për Mbrojtjen Civile’, që ka hyrë në fuqi gjatë vitit 2019”, evidenton raporti duke shtuar se: “AKMC nuk ka strategji institucionale, po ashtu edhe strategji për teknologjinë e informacionit, mungesa e të cilave sjell mangësi në vendosjen e prioriteteve, përqendrimin e energjisë dhe burimeve për të forcuar operacionet për të siguruar që punonjësit dhe palët e tjera të interesit po punojnë drejt qëllimeve të përbashkëta. Strukturat e emergjencave civile vuajnë nga koordinimi i dobët, mungesa e informacionit, e logjistikës, fondeve dhe kapaciteteve për të ndërhyrë”, thuhet ndër të tjera në gjetjet e këtij raporti mbi shërbimin e kësaj agjencie të re.

Duke qenë se Agjencia e mbështet aktivitetin e saj në Planin Kombëtar për Emergjencat Civile, miratuar me VKM nr. 835, datë 03.12.2004 “Për miratimin e Planit Kombëtar për Emergjencat Civile” dhe në aktet ligjore e nënligjore të cituara më lart, grupi i auditimit nga Këshilli i Lartë i Shtetit verifikoi gjithashtu gjatë monitorimit të tij edhe Planin Kombëtar për Emergjencat Civile. “Nga auditimi u konstatua se: PKEC për një kohë të gjatë nuk ka pasur asnjë përditësim ku të pasqyrohen ndryshimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe, në funksionet, kapacitetet dhe strukturat që bashkërendojnë veprimet e tyre në fushën e emergjencave civile, duke mos iu përshtatur realitetit me ndodhitë që kanë ndodhur për 16 vite në Shqipëri. Organizimi i strukturave përgjegjëse për emergjencat civile të përcaktuara në PKEC, i përket një konfigurimi të vjetër që prej vitit 2004, ku shumë nga strukturat qendrore (Ministritë) apo vendore (Bashkitë, Komunat) kanë ndryshuar konfigurimin apo janë suprimuar, ndryshuar, shkrirë. PKEC nuk parashikon ndryshimet klimaterike po ashtu edhe ngjarjet e emergjencave civile të ndodhura rishtazi për 16 vite. Me futjen në fuqi të ligjit të ri ‘Për Mbrojtjen Civile’, një nga përcaktimet kryesore që kërkon ligji është ndërtimi i Planit të Ri Kombëtar të Emergjencave Civile” , thuhet në raportin e KLSH-së.

Ndërsa duket sikur gjetjet e këtij raporti përkojnë edhe me opinionin e ish drejtuesit të institucionit të Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, i cili tha për Portën Vendore: “Strukturat e emergjencave civile janë një katrahurë, është katandisur si mos më keq Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, strukturat nuk janë të organizuara”, thotë ai.

Porta Vendore kërkoi informacion edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, si institucioni kupolë tanimë për emergjencat civile, ku nëpërmjet një kërkese për informacion kërkoi investimet e kryera nga dita e tërmetit e deri më sot në këtë sektor kaq të rëndësishëm. Në përgjigjen e dhënë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile deklaroi investime vetëm ato të bëra për rindërtimin dhe për burimet njerëzore, por pa dhënë detaje të mëtejshme. “Investime të kryera nga Ministria e Rindërtimit referuar Konferencës së Donatorëve, siç jeni në dijeni nga informacionet e publikuara nga kjo ministri për rindërtimin e shtëpive, shkollave dhe infrastrukturës. Për sa i përket fushës së Mbrojtjes Civile AKMC ka investuar në rritjen e kapaciteteve njerëzore, logjistike si dhe plotësimin e kuadrit ligjor”, deklaroi Mbrojtja Civile. Megjithatë, AKMC thotë se po bashkëpunon me homologët italianë për disa projekte, si; Ndërtimi dhe përgatitja e sallës operacionale të mbrojtjes civile; Trajnimi i stafit të Agjencisë; Asistencë teknike në Parashikimin e Rrezikut; Projektimi i selisë së re të AKMC; Ndërtimi dhe infrastruktura teknologjike e godinës së re të AKMC; Pajisjet për sallat e operacionit në 4 Qendrat e AKMC dhe 8 Prefektura;  Mjetet dhe pajisjet dhe  Kamp shkollor për trajnim.

Shërbimi Zjarrfikës, në vend numëro prej vitesh

Një nga sektorët më të rëndësishëm të emergjencave civile është shërbimi zjarrfikës, që është një strukturë e gatishmërisë së përhershme, për tu ardhur në ndihmë çdo qytetari të rriskuar. Por kjo strukturë duket se është lënë në harresë nga instancat e qeverisjes qendrore, megjithëse pjesë përbërëse e së tërës, përsa i përket emergjencave civile.

Me hyrjen në fuqi të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Shërbimi Zjarrfikës kaloi në varësi të bashkive duke e ngarkuar këtë institucion si përgjegjëse për garantimin dhe mbarëvajtjen e këtij shërbimi publik dhe jetik, ku fondet sigurohen nga mbledhja e taksave të qytetarëve. Por si ka ndikuar ky ligj për shërbimin zjarrfikës në qytetet e ndryshme të vendit. Që prej vitit 2019, strukturat e shërbimit zjarrfikës janë përballur me vështirësi në operimin e shërbimit të tyre. “Shërbimi zjarrfikës nuk ka patur vëmendjen e duhur nga asnjë institucion, qoftë lokale, qoftë qendrore. Nuk është investuar fare për këtë shërbim, janë investuar vetëm me disa pajisje të lyera me bojë, pra makina të vjetra. Të gjitha instancat janë vënë në dijeni për problemet e shërbimit zjarrfikës, ata nuk e vënë ujin në zjarr. Numri i zjarrfikësve në raport me numrin e banorëve nuk mjafton, pra unë po bëj punën e 10 vetëve dhe prapë nuk paguhem siç duhet për veten dhe jo për 10. Problemet për kushtet e zjarrfikëseve i kam ngritur edhe përpara tërmetit dhe vetëm kam marrë kërcënime ndërsa institucionet nuk kanë marrë asnjë masë”, shprehet kreu i Sindikatës së Shërbimit Zjarrfikës, Bledar Bajrami, për Portën Vendore.

Mungesa e investimeve në Shërbimin Zjarrfikës, edhe për Ish Drejtorin e Emergjencave Civile Shemsi Premçi, është një problem që ndikon në efikasitetin e shërbimit të tyre dhe për pasojë edhe tek jeta e qytetarëve. “Qeveria nuk ka marrë asnjë masë, nuk ka investuar për pajisjet dhe veshjet e duhura. Qeveria nuk ka investuar në asnjë strukturë shërbimi zjarrfikës. Të gjitha i kemi të dhuruara, ato janë të përdorura nga fqinjët tanë dhe veshjet ia kanë dhuruar shqiptarëve”, shprehet ai për Portën Vendore.

Ndërkohë, drejtuesit aktualë të shërbimit për mbrojtjen nga zjarri shprehen se janë kryer disa investime, sidomos në kryeqytet që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 e deri më sot. Drejtori i Zjarrfikëses Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, i pyetur nga Porta Vendore, tha se pas tërmetit të 26 nëntor 2019, në shërbimin zjarrfikës në kryeqytet është investuar me 5 automjete, 1 stacion të pozicionuar në Mëzez dhe me një stacion të ri që është duke u ndërtuar në zonën e ish Kinostudios, duke e çuar në 7 numrin e stacioneve në kryeqytet.

E pyetur lidhur me investimet e bëra pas tërmetit të 26 nëntorit, edhe Bashkia Tiranë në përgjigjen zyrtare të saj është në të njëjtën linje me drejtuesin Goxhaj, duke thënë se: Shërbimi zjarrfikës Tiranë mbas tërmetit të 26 Nëntorit i janë shtuar: Zjarrfikëse Autoshkallë, Zjarrfikëse Autobot dhe3 Zjarrfikëse luftuese zjarri. Gjithashtu për operacionet e kërkim shpëtimit kemi shtuar kamera termike dhe ventilatorë ajri. Pas tërmetit të nëntorit 2019 kemi ngritur një skuadër prej 20 zjarrfikës profesionistë, të cilët drejtohen nga shefi i shërbimit të stacionit qendër. Këta persona janë të trajnuar për rastet që lidhen me shpëtimin e jetëve të njerëzve. Në stacionin qendër kemi një kontejner me pajisje dhe mjete për të përballuar me raste të ngjashme”, tha ky institucion duke u ndalur edhe tek fakti i shtimit të punonjësve në këtë sektor.

“Në vitin 2020 shërbimit zjarrfikës Tiranë i janë shtuar 50 trupa zjarrfikëse profesionistë që paguhen nga buxheti i Bashkisë Tiranë. Gjithashtu është duke u ndërtuar një stacion i ri për shërbimin zjarrfikës në zonën e Kinostudios, me vlerë 47 milion lekëve. Në zonën e Kasharit kemi hapur një stacion të ri në të shërbimit zjarrfikës, duke çuar numrin e stacioneve të shërbimit në 7 stacione”, tha ky institucion për Portën Vendore.

I pyetur për gjendjen aktuale të pajisjeve dhe veshjeve speciale, Shkëlqim Goxhaj Drejtues i Zjarrfikëses Tiranë tha se shërbimi zjarrfikës i ka të gjithë mjetet e nevojshme, por e rëndësishme është rinovimi i tyre i herëpashershëm në pajisje, veshje dhe mjete.

E mira është që këto mjete e veshje të rinovohen herë pas here. Pajisjet gjithashtu të rinovohen. Çdo shërbim ka nevojë për gjëra të reja, pasi në botë dalin çdo ditë mjete të reja për shërbimin zjarrfikës. Ne i kemi bërë kërkesë edhe bashkisë që të jemi në rregull për çdo rast dhe fatkeqësi natyrore”, thotë drejtuesi i zjarrfikëses Tiranë, duke menduar paksa ndryshe nga Bashkia Tiranë e cila bën një rezyme lidhur me investimet e kryera në këtë sektor.

“Zjarrfikësit janë të pajisur me veshje antizjarr për të përballuar çdo situatë. Aparatet e frymëmarrjes në shërbimin zjarrfikës janë të ngjashme me të gjitha aparatet e frymëmarrjes së vendeve të Bashkimit Europian. Puna specifike e këtij shërbimi është përballimi dhe eliminimi i vatrave të zjarrit me sukses duke ruajtur jetën e qytetarit dhe pronën e tij. Zjarrfikësit nuk përballen asnjëherë me një situatë të parashikuar kështu që në çfarë do lloj hapësire dhe nxehtësie shërbimi zjarrfikës ka logjistike vepruese”, tha Bashkia Tiranë për Portën Vendore . Ndërkohë, edhe buxheti për këtë shërbim vihet re se është rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit, ku vihet re 20-fishim i tij.

Mungesa e qendrës së trajnimeve për zjarrfikës

Por përveç pajisjeve, prej vitesh, strukturës së gatishmërisë së përhershme (repartet zjarrfikëse), i mungon një qendër trajnimi, e cila duhej të ishte ngritur nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, që varet nga Ministria e Mbrojtjes, ku zjarrfikësit mund të përmirësonin aftësitë e tyre për të ndërhyrë në operacionet e kërkim-shpëtimit. Edhe pse kjo qendër është kërkuar prej zjarrfikësve, prej vitesh qeveria nuk e ka ngritur këtë shërbim. Rasti i tërmetit të nëntorit, tregoi se strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, inxhinierë, etj nuk kishin eksperiencën e duhur për të vepruar në një fatkeqësi të tillë natyrore.

Shqipëria është vend sizmik dhe trajnimi i grupeve të ndërhyrjes së shpejtë në raste fatkeqësie, është i nevojshëm. Tërmeti i 26 nëntorit 2019, ishte një goditje e madhe për qytetarët, por edhe për shtetin shqiptar, pasi tregoi se ishim të papërgatitur për këto përmasa, duke kërkuar ndihmën e ekspertëve të huaj për kërkim-shpëtim dhe për ndërhyrjen nën rrënoja. Edhe pse pak kohë më parë, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në publikimin e raportit për Menaxhimin e Emergjencave Civile në Shqipëri e kishte paralajmëruar një situatë të tillë, sërish nuk është marrë në konsideratë nga institucionet përkatëse.

“Shqipëria është një vend me probabilitet relativisht të lartë të goditjes nga fatkeqësitë natyrore. Ajo renditet ndër vendet me risk të lartë ekonomik ndaj një shumëllojshmërie rreziqesh. Rreth 86% e territorit të saj ku gjenerohet mbi 88.5% e PBB, është e ekspozuar nga dy a më shumë fatkeqësi natyrore. Rreziqet nga fatkeqësitë natyrore për Shqipërinë janë: gjeologjike (tërmete, rrëshqitje dheu, shkëmbinjsh); hidrometeorologjike (përmbytje, shira të rrëmbyer, thatësira, stuhi bore, orteqe apo bllokim nga bora, stuhi ere); bio-fizike (zjarre në pyje, epidemi) ndërsa ato të shkaktuara nga njeriu konsistojnë në: shpërthim digash, përmbytje e fatkeqësi teknologjike. Shqipëria ndeshet gjithashtu me një numër problemesh mjedisore, të cilave u shtohet ekzistenca ende e zonave me rrezik të lartë për shkak të ndotjes (hot-spote). Shqipëria karakterizohet nga shkallë e lartë sizmiciteti”, thuhet në raport e publikuar në vitin 2015-të.

Shërbimi zjarrfikës ishte një nga strukturat e para që u angazhuan në shpëtimin e njerëzve nën rrënoja në rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Por edhe pse ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga tërmeti tragjik, sipas ekspertëve ende nuk është investuar për përmirësimin e aftësive dhe kushteve të tyre të punës.

Rasti i zjarrit masiv në Casa Italia, tregoi edhe një herë tjetër vështirësitë si pasojë e kushteve të punës për shërbimin zjarrfikës dhe pamundësitë e tyre reale për të ndërhyrë në situate delikate pa mjetet e duhura, duke rrezikuar kështu edhe persona të tjerë.

Sipas ekspertëve, në shërbimin zjarrfikës janë rekrutuar qindra zjarrfikës të cilëve u mungon aftësia për këtë shërbim jetik, dhe për të edukuar dhe trajnuar brezat e rinj.

Nuk kemi Qendër Trajnimesh në vend, e kanë kthyer godinën në komisariatin nr. 6. Ngritja e një Qendre Trajnimi është e domosdoshme për të edukuar sa më mirë brezat e ardhshëm të zjarrfikësve. Zjarrfikësit përditë kanë evoluuar në botë, si t’i marrim vesh ne. Këta janë mbuluar me specializime, kanë ikur jashtë gjithë drejtorët dhe kur ka fatkeqësi natyrore, të gjithë drejtorët zhduken. Këta bëjnë trajnime dhe në terren shkojnë zjarrfikësit”, thotë i revoltuar Bajrami, kreu i sindikatës së zjarrfikësve.

Edhe Premçi i mëshon edhe më shumë nevojës urgjente për trajnime. “Për rastin e tërmetit, strukturat i kishin pajisjet por nuk janë të organizuar, nuk janë të trajnuar. Nuk dinë se për çfarë përdorën pajisjet për operacione të ndryshme. Çdo strukturë e mbrojtjes civile duhet të ketë pajisjet e tyre specifike. Janë rekrutuar 500 zjarrfikës në 8 vite dhe shumica e tyre nuk kanë lidhje me shërbimin zjarrfikës. Në 2014 kishte një qendër zjarrfikëse trajnimi. Por që prej atij viti nuk kemi qendër trajnimi, qeveria e ktheu qëllimisht në komisariat, dhe zjarrfikësit kanë shumë mangësi e njëkohësisht shumë nevojë për trajnime”, shpjegon ai.

Menaxhimi i Zjarrit tek Casa Italia, një kronikë e paralajmëruar

Kreu i Sindikatës të Shërbimit Zjarrfikës, Bledar Bajrami tregon se për fikjen e një zjarri si ai të Casa Itali-as, përdoret sistemi Kobra duke na nënvizuar se mungon në Shqipëri.

“Zjarrfikësit te Casa Italia kanë qenë të sfilitur, duke punuar në 24 orë pa ndërprerje. Kemi marrë tym aty sa nuk kam marrë gjatë gjithë jetës time, se nuk kishim maska oksigjeni. Flasim për AP3 bombulën e ajrit, secili duhet të ketë kompletin e vet, duhet të ketë bombolën e oksigjenit, maskë dhe pajisje. Psh, për fikjen e zjarrit në magazinën e Casa Italia-as përdoret sistemi kobra. Nuk i kemi këto pajisje, këta thonë se i kemi. Atëherë pse nuk e fikën zjarrin”, shprehet për Porta Vendore Bledar Bajrami, i cili ka qenë edhe vetë i pranishëm në vendngjarje.

Kreu i Sindikatës të Shërbimit Zjarrfikës, Bledar Bajrami

Bajrami vuri theksin se në vendin tonë mungojnë edhe veshjet zjarrduruese. Ai tregon se për zjarrin te Casa Italia duhet një veshje e tillë si në foton ilustruese më poshtë.

Ilustrim mbi veshjet se si duhet të ishin.

Sigurisht që këtë veshje në nuk e kemi parë në asnjë operacion të shërbimit zjarrfikës.

Ndërsa Shemsi Premçi thotë se: “Rasti i zjarrit në Casa Italia tregoi se nuk kishim bombula me shkume të mjaftueshme për të neutralizuar zjarrin, pra tregoi një mosorganizim dhe vjen si pasojë e mungesës së trajnimeve”.

I pyetur për menaxhimin e situatës së zjarrit tek qendra tregtare Casa Italia, drejtuesi i zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj u shpreh se: “Kush futet në zjarr askush nuk del dot nga ai. Ne nuk u lajmëruam që në momentet e para, por pasi ra zjarri i dytë, i cili po tentohej të fikej nga punonjësit. Ushtria solli vetëm 2 autobote me ujë, por ne kishim ujë. Zjarrfikësit kanë punuar 40 orë pa u ndalur, me grupe të alternuara, ku futeshin çifte-çifte për 25 minuta aq sa i zgjaste bombula e oksigjenit. Është bërë maksimumi në atë ngjarje”, tha ai për Portën Vendore.

Ekspertja e pushtetit vendor Cacaj: Pushteti vendor i papërgatitur për kompetencat në shërbimin zjarrfikës

Por problemet e këtij shërbimit jetik, për eksperten e pushteti vendor, Aida Cacaj, vijnë si pasojë e decentralizimit të këtij shërbimi. Cacaj thekson se shërbimi zjarrfikës ishte në gjendje të keqe kur kaloi në varësi të institucioneve dhe se bashkitë janë përpjekur të investojnë në strukturat e gatishmërisë së përhershme, sa kanë pasur mundësi. Ajo analizon për Portën Vendore se pavarësisht decentralizimit të këtij shërbimi, qeveria nuk duhej të mënjanohet, pasi përbën një nga strukturat e emergjencave civile dhe është e nevojshme që përpos përpjekjeve të pushteti lokal, duhet të ndërveprojë edhe pushteti qendror.

“Shërbimi zjarrfikës u transferua tek bashkitë në gjendje aspak optimale me 39 stacione, 750 punonjës dhe 105 automjete. Qeveria financoi me transferta specifike bashkitë për të mbuluar shpenzime për personelin dhe ato operative. Transfertat kanë qenë gati te barabarta nga 2016 e ne vazhdim. Për vetë natyrën e tyre, këto transferta nuk mund të mbulonin shpenzimet për ngritjen e stacioneve të reja, sigurimin e automjeteve të reja apo të pajisjeve teknike të specializuara. Këto mbeten barrë e bashkive, e nuk duhet të habitemi pse bashkitë nuk kanë mundur të na sigurojnë një shërbim zjarrfikës me standarde. Është një praktikë tashmë në Shqipëri që në emër të decentralizimit, ne injorojmë parime po aq të rëndësishme si ai i sigurimit të të gjitha mjeteve të nevojshme nga qeveria qendrore për bashkitë në momentin e transferimit”, shprehet ajo për Portën Vendore lidhur me këtë problematikë.

Ekspertja e pushtetit vendor, ndër të tjera thekson se qeveria duhet të ofrojë më shumë vëmendje në këtë shërbim jetik, pasi tërmeti dhe zjarri në përmasa të tilla të madhe si ai i Casa Italia-s, sipas Cacaj, tregoi se kemi mungesë të kapaciteteve për përballimin e përmasave të tilla.

“Rëndësia që ka ky shërbim për sigurinë e jetës kërkon shumë më tepër vëmendje, plane kombëtare të trajnimit të vazhdueshëm, inventarizim i aseteve dhe plane për azhurnimin e tyre. Rastet e fatkeqësive të kohëve të fundit, qoftë tërmeti qoftë zjarri, dëshmojnë fatkeqësisht mungesë të kapaciteteve për përballimin e tyre, jo vetëm nga bashkitë. Dua të theksoj se nuk mund dhe nuk duhet të bëjmë bashkitë përgjegjëse pse kanë bërë në këto 5 vjet ato çfarë nuk janë bërë në 30 vjet. Kanë për personelin shumë shpenzime operative, dmth nuk kanë për investime, duhet t’i shtojnë nga të ardhurat e tyre. Decentralizimi nuk duhej të ishte bërë ose të ishin ndarë më shumë fonde për zjarrfikësit”, shprehet Cacaj.

Por përveç mungesës së pajisjeve dhe qendrës së trajnimeve të zjarrfikësve, ekspertja e pushtetit vendor Aida Cacaj vuri në dukje një tjetër problem në këtë shërbim. Ajo shprehet se numri i zjarrfikësve në raport më popullsinë është i vogël, dhe jo sipas standardeve dhe kritereve të përcaktuara.

“Numri i punonjësve për numër banorësh dhe konkretisht një punonjës për 1500-2000 banorë nuk është arritur. Sipas Ministrisë së Brendshme, janë aktualisht 1250 punonjës në fund të 2020. Sipas standardit, nëse konsiderojmë një popullsi prej 2,860,000 banorësh duhet të kishim 1400-1900 punonjës zjarrfikës”, shprehet, ajo tek citon kështu ligjin nr 152/2015 për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.

Porta Vendore pyeti gjithashtu në Ministrinë e Brendshme lidhur me këtë çështje ku ky institucion bën me dije se:

 “Së pari; Shërbimi zjarrfikës operues me ligjin nr.152/2015 ‘Për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin’ nga janari i vitit 2016 është strukturë e decentralizuar e pushtetit vendor dhe i ka kaluar në varësi direkte Kryetarit të Bashkisë. Në nenin 9 të këtij ligji, te ‘Kryetari i bashkisë’, janë përcaktuar disa nga detyrimet e kryetarit të bashkisë; dhe ndër detyrimet kryesore të tij janë: a. ‘Marrja e masave për kompletimin me mjete dhe pajisje të stacioneve zjarrfikëse për fikjen e zjarreve dhe shpëtimit’; b. ‘Sigurimin e gatishmërisë së përhershme të stacioneve të MZSH me automjete, pajisje zjarrfikëse dhe pajisje speciale, personel zjarrfikës dhe i vë ato në dispozicion për shuarjen e zjarreve dhe shpëtimin e jetës, pronës, në çdo rast aksidenti, incidenti apo fatkeqësie dhe emergjencash’. Sa më sipër cituar, del qartë që detyrimi për marrjen e masave dhe investime për shërbimin zjarrfikës, nuk është i Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të MZSH-së, por i Kryetarit të Bashkisë përkatëse, i cili ka dhe menaxhon buxhetin e këtij shërbimi, thotë në përgjigjen e saj Ministria e Brendshme duke ia deleguar gjithë kompetencën për mirëfunksionimin e këtij shërbimi pushtetit vendor dhe kryetarit të bashkisë përkatëse.

“Së dyti; Aktualisht është në fuqi ligji nr.10435, datë 23.6.2011 ‘Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë’. Në nenin 4 të tij thuhet: “Organizimi i shërbimit të kërkim-shpëtimit” përcaktohet: 1. Shërbimi i kërkim-shpëtimit organizohet në nivel kombëtar. 2. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura caktohet Koordinatori Kombëtar i Kërkimit dhe Shpëtimit (KKKSH) në Republikën e Shqipërisë. KKKSH-ja drejton operacionet e kërkim-shpëtimit nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit. Struktura e Forcave të Armatosura, me ligjin e sipërcituar, është direkt përgjegjëse për realizimin e misionit të kërkim-shpëtimin, duke i pajisur me mjete speciale, kompletuar me qen nuhatës, trajnuar personelin, për çdo rast të specializuar të kërkim-shpëtimit dhe duhet të ngrejë grupe, ekipe dhe struktura funksionale. Megjithatë shërbimi zjarrfikës, duke qenë aktori i parë që ndërhyn nëpërmjet moduleve nga përfitimi i projekteve të ndryshme ka realizuar krijimin dhe ngritjen e grupeve të ndryshme specifike, duke i pajisur me pajisjet specifike si për CBRN (luftën kundërkimike), grupe për shpëtim në zbritje dhe ngjitje për shpëtimin e njerëzve të aksidentuar në puse, gremina etj, grupe të kompletuara me pajisje për ndërhyrje në përmbytje të ndryshme që ndodhin”, shton më tej në përgjigjen e saj Ministria e Brendshme, duke bërë kështu një panoramë të gjerë të gjithçkaje që disponohet aktualisht ky shërbim.

Aktualisht, Ministria e Brendshme bën të ditur se ka tre projekte të mëdha, të cilat shumë shpejt do të fillojnë aplikimin e tyre: Projekti me PNUD; Projekti i përbashkët Shqipëri, Itali, Mali i Zi, për rritjen e kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës dhe projekti me Agjencinë e Mbrojtjes Civile, për rritjen e kapaciteteve dhe ngritjen e një qendre trajnimi të përbashkët, financuar nga qeveria Italiane.