21 maj 2021/Enriko Gabaj/Porta Vendore/Vlorë
Pylli i Sodës në Vlorë, i cilësuar si mushkëria e qytetit, po degradon dita-ditës e kjo si pasojë e papërgjegjshmërisë qytetare, por njëkohësisht dhe neglizhencës nga ana e pushtetit vendor. Në një vëzhgim të bërë nga Porta Vendore, duke nisur që në Plazhin e Vjetër e deri në Zvërnec, ajo çka vihet re është “dhuna” e qytetarëve ndaj natyrës dhe pamjaftueshmëria e mbrojtjes nga institucionet publike lokale e qendrore.
Vlora ka sipërfaqe pyjore prej rreth 3445 Ha, ku përveç parkut Llogara, përfshihen si të rëndësishme pyjet e bregdetit të Adriatikut, ku është dhe Pylli i Sodës, Rezervati i gjuetisë “Pylli i Pishës”, pylli i Zvërnecit, pyjet anës Lumit Vjosa e brezi bregdetar. Statusin si zonë e mbrojtur peisazhi Vjosë-Nartë e mori më datë 22.10.2004, në vendimin nr. 680 si kategoria e pestë.
“Pylli i pishës zë një sipërfaqe prej 1 200 ha, një pjesë e konsiderueshme e zonës së Nartës.
Shtrihet paralelisht në sistemin dunor. Pishat janë mbjellë 30-40 vjet më parë për të stabilizuar vijën bregdetare nga erozioni. Ky formacion përfaqësohet nga disa lloje pishash ku më të zakonshmet janë Pinus maritima, P. pinea dhe P. Pinaster. Zonat pyjore përdoren për kullotje, dru zjarri dhe mbledhje tagjie. Shfrytëzimi i drurit nuk përbën ndonjë problem akut për momentin. Disa nga aktivitetet e përmendura më lart kanë nevojë për kontroll në mënyrë që të parandalohet degradimi i mëtejshëm i pyjeve dhe shkurretave”, thuhet në raportin e Ministrisë së Infrastrukturës mbi peisazhin e mbrojtur të Vjosë-Nartës, në të cilin përfshihet edhe Pylli i Sodës në Vlorë.
Ligji Nr. 81/2017 për zonat e mbrojtura vë theksin tek funksioni i plotë që duhet të ketë Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila në nenin 3 të këtij ligji thuhet se:
“Ministria, në bashkëpunim me AKZM-në, bashkërendon punën për ngritjen dhe administrimin e sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura”.
Ndërsa neni 42 përveç AKZM-së dhe ministrisë së linjës, pra Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit në rastin konkret, përmend gjithashtu edhe bashkinë si dhe shoqërinë civile.

E gjitha hapësira e Pyllit të Vlorës është kthyer në vendgrumbullim mbeturinash, të cilat janë hedhur ngado nga banorët e zonës. Në vende të ndryshme të pyllit janë të depozituara mbetje, inerte, pjesë automjetesh, goma, të cilave më pas u vendosin dhe flakën. Pamja është e frikshme, e me këtë “hap gjigand” të shkatërrimit nga ana e qytetarëve, jetëgjatësia e kësaj mrekullie që zoti ka falur, do të përgjysmohet shumë shpejt.
Veç ndotjes masive, tjetër shqetësim madhor mbetet prerje pa kriter e pemëve. Sipërfaqe të tëra të tmerrojnë me pamjen e ofruar, ku kanë mbetur vetëm trungje pemësh të prera, duke treguar me këtë shembull mungesë të theksuar përgjegjësie, por njëkohësisht dhe mungesën e përkujdesjes e respektin ndaj natyrës.
Pylli i Sodës është më i madhi e më i rëndësishmi në Vlorë, për arsyen se bën një pastrim të gjithë ndotjes që vjen nga automjetet, fabrikat e firmat e industrive të ndryshme që operojnë në këtë qytet. Por pylli i Sodës, së fundmi, nga vlonjatët shihet vetëm si një vend në të cilin mund të sigurojnë drurët e dimrit e asgjë më tepër. Kur diskutohet për mungesën e përgjegjshmërisë vendin e parë e zënë qytetarët, por nuk mund të lihet pa përmendur neglizhenca e institucioneve, ku sipas Ligjit për Moratoriumin e Pyjeve, i cili është dhjetë vjet 2016-2026, përgjegjëse për zbatimin e tij janë Ministri i Mjedisit, Ministri i Punëve të Brendshme, Ministri i Financave dhe bashkitë.

Nga vëzhgimi i kryer nga Porta Vendore, vihet re se në terren nuk ka në asnjë moment roje për ruajtjen e pyjeve, teksa masakra vijon nga dita në ditë, pa ndalur.
Por në kuadër të ruajtjes dhe mbrojtjes së pyjeve, më 1 mars 2016 kryetari Leli në një prononcim për mediat u zotua se pylli do të ruhej nga policia bashkiake. Asokohe fjalët e kryetarit Leli ishin: “Hapësira e gjelbër e Pyllit të Sodës, ky aset mjaft i rëndësishëm për qytetin dhe komunitetin e banorëve, do të mbrohet përmes një plani të përcaktuar masash. Tashmë, ka ikur koha kur abuzuesit dhe keqpërdoruesit përfitonin duke dëmtuar këtë mjedis, me një funksion dhe histori të spikatur. Prej ditës së sotme, Bashkia dhe Policia Bashkiake, nisën ruajtjen e të gjithë kësaj zone përgjatë 24 orëve, në të gjitha ditët e javës. Tashmë, të gjithë ata që do të guxojnë të cenojnë këtë pasuri të përbashkët të të gjithëve, do të përballen me një ligj më të fortë që nuk do t’i lejojë më të bëjnë veprime që dëmtojnë sipërfaqet pyjore. Moratoriumi “Për Pyjet”, që tashmë ka hyrë në fuqi, dëshmon vullnetin e Qeverisë”, ka thënë ai në një dalje publike . Por asgjë nuk ndryshoi pas premtimit të kryetarit të bashkisë edhe pse kanë kaluar tanimë 5 vite, edhe pse kryetari deklaroi se të gjithë ata që do të abuzonin me pyjet do kishin një dënim nga 3-5 vite burg, ende edhe sot nuk ka asnjë person të proceduar nga policia, thonë burimet e Portës Vendore brenda këtij institucioni. Madje Bashkia e Vlorës nuk mundi të marrë masa as për institucionet e tjera në varësi të saj, e të zbulonte në këtë mënyrë përgjegjësit e këtij shkatërrimi, për t’i vendosur përpara përgjegjësisë.
Alarmin e kanë ngritur edhe ekspertët e mjedisit në Vlorë, teksa nuk ngurojnë të drejtojnë gishtin nga pushteti vendor.
“Menaxhimi, Monitorimi e konservimi i gjendjes dhe biodiversitetit të pyjeve në Vlorë kërkon një angazhim real për të garantuar mbrojtjen e tyre ligjore . Mbrojtja e habitateve pyjore në Vlorë dhe biodiversitetit përkatës si pasuri kombëtare, duhen trajtuar në përputhje të plotë me standardet që ofrojnë kriteret e monitorimit, për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve sipas “Natyra 2000” për Mirëmbajtje, Konservim dhe Përmirësim te Diversitetit Biologjik të Ekosistemeve Pyjore. Pasuria natyrore pyjore e vendit tonë është një nga resurset më të rëndësishme për vlerat ekonomike, studimore të diversitetit të saj floristik, shoqëruar me atë faunistik si dhe për peisazhin e zhvillimit e turizmit”, thotë eksperti i mjedisit Niko Dumani i pyetur nga Porta Vendore lidhur me situatën e pyjeve aktualisht në Vlorë.
Por sikur të mos mjaftonte ndotja, në sezonin veror janë shënuar dhe zjarre në Pyllin e Sodës, duke djegur sipërfaqe të tëra, por sërish asnjë person nuk është vënë përpara përgjegjësisë. Madje ekipet e zjarrfikëses e kanë pasur tejet të vështirë shuarjen e flakëve.
Fenomenet në dëm të këtij aseti për qytetin nuk kanë fund, ku shpesh shihen rrethime me tel të cilat më pas kthehen në prona të qytetarëve apo ngritja e bizneseve duke mos respektuar asnjë ligj.

Nga ambientalistët e ekspertët lokalë bëhet me dije se Pylli i Sodës në Vlorë ka një sipërfaqe rreth 550 ha, e cila çdo ditë po vjen duke u ngushtuar si pasojë e këtyre fenomeneve.
Për çudi e fatkeqësi, përveç uzurpimeve e prerjeve të paligjshme, një dëmtim masiv ka ardhur gjithandej edhe nga djegiet e pyjeve në parkun Llogara- Dukat Fshat, Pylli i Pishës, Pylli i Zvërnecit e deri në kurorën e gjelbër të qytetit të emërtuar “Pylli i Sodës”.
“Një nga arsyet e lënies në harresë të pyjeve është shkrirja e Drejtorisë së Pyjeve Vlorë në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, duke ia kaluar përgjegjësinë një sektori me personel shumë të reduktuar në varësi të Bashkisë Vlorë. Po kështu aktualisht Vlora është pa Inspektorat Mjedisi. Nisur nga gjendja faktike e pyjeve konstatohet prania e shumë drurë të prerë nga njeriu, drurë gjysmë të rrëzuar, drurë tërësisht të rrëzuar e të tharë nga natyra, janë bërë rrezik zjarri por edhe rrezik permanent për jetën e njeriut”, thotë eksperti Niko Dumani ,duke vijuar se: “Konstatohet se Pyjet kanë 30 vjet që nuk mirë administrohen , nuk rigjenerohen, nuk pastrohen e as sigurohet mbrojtje për të evituar zjarret por edhe prerjet e paligjshme. Ndërkohë konstatohet se edhe Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë për arsyet të ndryshme nuk ka kapacitetet e duhura për mirëadministrimin e mirëmenaxhimin e pyjeve të përfshira në Zonat e mbrojtura”, shpjegon eksperti i mjedisit në Vlorë, Niko Dumani.

Opinioni i gjerë i publikut vlonjat dhe OSHC-ve në Vlorë janë zëri i fuqishëm drejtuar institucionet përkatëse për të siguruar një mbrojtje të fuqishme ligjore e reale të pyjeve. Madje pak kohë më parë është hartuar edhe një peticion duke kërkuar kështu edhe nismë ligjore për shpalljen e Pyllit të Sodës “Kurorë e gjelbër”, pastrimin nga ndotjet urbane dhe prerjen e drurëve të mundshëm për tu rrëzuar, që paraqesin rrezik për jetën e njerëzve, por megjithatë përsëri situata është e pandryshuar dhe e pa përmirësuar, teksa bashkia, ministria e mjedisit dhe AKZM-ja heshtin para ksaj masakre mjedisore.