Ngjarje/Personazhe

“Me sytë dhe veshët nga pandemia”: Turizmi në Durrës, mes dilemave për sezonin e ri

19 maj 2021/ Griseld Hoxha/Porta Vendore/Durrës

Qindra biznese në zonën e plazhit të madh në qytetin e Durrësit kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri turistik mes shumë dilemave pas situatave të vështira që lidhen sa me pandeminë e COVID-19, aq dhe me tërmetin e vitit 2019.

Sapo zbarkon në plazhin e Durrësit, një mjet tip fadromë, që largon nga bregu i detit leshterikët e shumtë që ka lënë nga pas stina e dimrit të gjatë të këtij viti, të bën të kuptosh se po bëhen përgatitjet për sezonin turistik. Disa punonjës të shërbimeve komunale shihen duke pastruar zonën, që njihet nga të gjitha si “plazhi i madh”, ndërkohë që puna ka ditë që ka filluar, por ende nuk ka përfunduar.

Më 2 prill 2021, Bashkia e Durrësit deklaroi nisjen e përgatitjeve për sezonin turistik duke u shprehur se po ndërmerrte një sërë masash për të patur një sezon më të mirë se viti i kaluar.

Vetë kryetarja e Bashkisë Emiriana Sako, u shfaq duke inspektuar punët në bregdet. Pastrimi i leshterikëve, lirimi i hapësirave publike do t’i hapnin rrugën punëve për dezinfektimi dhe plugimin e rërës.

Por, nga verifikimi në terren që Porta Vendore bëri gjatë javës së parë të muajit maj në zonën e plazhit të madh, rezultoi se ende nuk ka përfunduar procesi i heqjes së leshterikëve.

Në Ndërmarrjen e Shërbimeve Komunale të Plazhit, pranohet fakti që zona duhet të ishte pastruar me kohë, por premtohet se në 10-ditëshin e parë të këtij muaji gjithçka do të ketë përfunduar.

Fakti që mbetjet e Durrësit largohen drejt Tiranës bën që dhe puna për procesin e largimit të leshterikëve të plazhit të vështirësohet, por 10-ditëshi i parë i këtij muaji do ta gjejë plazhin e Durrësit, gati për sezonin turistik”, thanë burime nga Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale për Porta Vendore.

Gjendja në të cilën ndodhet plazhi sot. Foto: G.Hoxha

Ndonëse, prej dy vitesh tanimë nuk ka një datë për nisjen e sezonit turistik, në qytet synohet një turizëm përgjatë gjithë vitit, nisur nga vlerat dhe potencialet, ndërkohë që bashkia beson tek projektet në këtë fushë.

Janë dy projekte mjaft të rëndësishme si ai për amfiteatrin dhe Programi i Bashkimit Europian për trashëgiminë kulturore, i cili ka në plan që 8 objekte nga qyteti i Durrësit do të rikonstruktohen, rivitalizohen si dhe do të futen në guidat ndërkombëtare”, bëri me dije kryetarja e bashkisë Sako në një postim në lidhje me këtë çështje.

Nga ana tjetër, edhe pronarët e bareve, restoranteve e hoteleve në zonën e plazhit, kanë nisur nga puna për të pasur gjithçka gati për këtë sezon turistik me shpresën e vetme që ai do të jetë më i mbarë se një vit më parë.

Pasi kanë kaluar një sezon të vështirë, pas situatave që lidhen sa me gjurmët e tërmetit të nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë së COVID-19, subjektet private i kanë sytë tek sezoni i ri.

 “Viti 2020 ishte një ndër vitet me të tmerrshëm dhe fjalët janë të pakta për ta përshkruar. Hoteleria u mbajt gjallë nga turistët lokal dhe shumë më pak turistë jashtë kufijve tanë. Duke mos lënë pa përmendur Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë Së Veriut të cilët kanë qenë një ndihmë shumë e madhe për ne në këtë kohë të vështirë”, thotë për Porta Vendore Majk Kulla, menaxher i përgjithshëm i Palace hotel.

Në brendësi të lagjes 13, në vijën e parë me detin, dy të rinj shihen duke punuar në mjediset e jashtme të një bari. Ata lyejnë me bojë rrethimin prej druri të godinës së vogël, të cilën e kanë pagëzuar me emërin “Grill bar”.

Për të limituar shpenzimet po mendojmë të përshtatim një mjedis të thjeshtë me një bar që ofron shërbime plazhi me tavolina jashtë, me muzikë në sfond dhe çadrat në breg”, thotë Mario Begaj për Porta Vendore.

Bizneset e ndodhura pranë vijës bregdetare duke bërë përgatitjet e fundit para fillimit të sezonit. Foto: G. Hoxha

Begaj së bashku me shokun e tij Ilir Muço, kanë marrë me qira mjedisin për të punuar gjatë muajve të verës, duke i besuar njohurive të tyre profesionale në fushën e menaxhimit të hoteleve e restoranteve.

 “Njohuritë i kemi, eksperiencën gjithashtu dhe pas një dimri thuajse pa punë, vendosëm të investojmë në këtë zonë me shpresën se do të kemi më shumë vizitorë se vitin e kaluar”, thotë Muço.  

Të rinjtë Muço dhe Begaj, nuk janë të vetmit që vetëpunësohen ose punësohen gjatë verës në këtë zonë, pasi operatorët e turizmit gjithmonë kanë nevojë për punonjës.

Një tjetër operator turizmi ka hapur mjediset e jashtme, në vijën bregdetare dhe gjithë stafi është në punë e sipër.

 “Fundjava e parë e majit na shtoi shpresat se do të kemi një sezon më të mirë këtë vit. E mbyllëm si e mbyllëm sezonin e vitit të kaluar dhe është momenti që t’ia nisim nga puna. Jemi pak vonë, sepse normalisht duhet ta kishim gjithçka gati që në fund të prillit, por të shpresojmë”, thotë një tjetër operator turistik për Porta Vendore.

Pjesë e rajonit me numër 5, lagja 13, ishte një nga më të prekurat e tërmetit të nëntorit të vitit 2019, ndaj dhe në zonë pandemia i shtoi problematikat që kishin nisur. Pesë hotele u shembën nga tërmeti në këtë zonë, 969 objekte u dëmtuan në rajonin me numër 5, ku përfshihet zona e plazhit, ndaj dhe dëmet, humbjet dhe çdo tronditje që la pas tërmeti kanë lënë ende shenjë.

Në disa godina pallatesh, shenjat e tërmetit janë ende të dukshme, ndërkohë që shumë subjekte janë ende me qepena, shumë të tjera kanë dalë në shitje dhe të tjera jepen me qira.

Por, operatorët e turizmit dhe në tërësi banorët e kësaj zone që jetën e kanë të lidhur me turizmin, shpresojnë për një sezon me të ardhura më të mira, pasi plazhi është puna, jeta e tyre.

Vendimi i Komitetit Teknik, më datë 5 maj, për heqjen e karantinës 14-ditore me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka shtuar shpresat se më shumë vizitorë do ti drejtohen Durrësit, duke e kthyer në destinacionin e shumë kërkuar si vite më parë.

 “Pa punë gjatë fundjavave në dimër, gjë që nuk ndodhte më parë, pasi në Durrës vinin të gjithë, tani sytë i kemi tek situata e pandemisë”, thotë Besi Hodo, një tjetër operator turizmi në zonën e plazhit.

Turistët e parë kanë “zbarkuar” në Durrës. Foto: G.Hoxha

Përgatitja e mjediseve dhe gjithë masat anticovid, është puna e përditshme e të gjithë operatorëve, ndërkohë që procesi i vaksinimit tek operatorët e turizmit është një mundësi më shumë për këtë sektor.

Për Alban Isterin, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, një turizëm i suksesshëm këtë vit, është mundësia e vetme jo vetëm për këtë sektor, por në tërësi për ekonominë në këtë qytet, ndaj dhe vaksinimi i operatorëve ka rritur shpresat.

Me procesin e vaksinimit që ka nisur dhe po ecën për operatorët e turizmit, kemi mundësi që të ofrojmë siguri për turistët, ata rajonal që presim këtë vit, por dhe siguri për vetë stafet” thotë Isteri për Porta Vendore.

Si një lehtësi e shikon procesin e vaksinimit për sektorin e turizmit dhe kryetarja e bashkisë Sako.

 “Plani i qeverisë për të vaksinuar të gjithë punonjësit e hotelerive parashikon që sezoni turistik i këtij viti të jetë i lehtësuar”, shprehet Sako në një prononcim në lidhje me turizmin në Durrës.

Vaksinimin e shohin si një mundësi mjaft të mirë dhe drejtuesit e bizneseve.

“Ndihemi të privilegjuar dhe shumë të kënaqur që i gjithë stafi ynë është vaksinuar dhe po mundohemi që të gjithë së bashku të ecim përpara e të punojmë për një të ardhme sa më të mirë”, thotë Kulla nga Palace hotel.

Pikërisht falë vaksinimit, në zonën e plazhit, Porta Vendore gjeti dhe vizitorët e parë të huaj që shijonin rrezet e diellit këtë javë të parë të muajit maj.

Aneta Logan, së bashku me mikun e saj Daniel Gilan, dy të rinj nga Çekia, pasi kryen vaksinimin nuk u menduan dy here, por nisën një udhëtim drejt Shqipërisë, të cilin e kishin planifikuar prej vitesh.

Nuk u menduam dy herë. Bëmë vaksinën dy javë më parë në Çeki dhe ja ku jemi. Morëm makinën dhe jemi në Shqipëri, sot në Durrës dhe nesër në një qytet tjetër që nuk e kemi vendosur ende se cili do të jetë, por ne do të kalojmë një javë në vendin tuaj, ku gjithçka duket kaq bukur”, thotë Aneta Logan për Porta Vendore.

Turistët e parë i japin shpresë jo vetëm operatorëve të turizmit në zonën e plazhit, por dhe tregtarëve të vegjël ambulantë që punojnë në zonë prej shumë vitesh dhe me të ardhurat mbajnë familjet e tyre.

Hotelet dhe shtëpitë me qira në Durrës presin për fillimin e sezonit turistik. Foto: G. Hoxha

Ismet Lica, ka përshtatur një biçikletë për të shitur topa, kamerdare dhe gjithçka tjetër që lidhet me plazhin. Me afrimin e ditëve të ngrohta ai ka nisur nga puna, duke përshkuar me mjetin e tij vijën bregdetare dhe pse shitjet nuk kanë filluar.

Vite më parë niste puna që në muajin prill çdo ditë flas, se të shtunave dhe të dielave punonim pa ndërprerje, por dy vitet e fundit shumë vonë kemi nisur të shesin, sepse sezoni po fillon vonë dhe nuk ka shumë njerëz si vite më parë”, thotë Lica për Porta Vendore.

Ai nuk është zhgënjyer që ka zgjedhur Durrësin për të jetuar më shumë se 15 vite më parë, duke u larguar nga Dibra për një të ardhme më të mirë për familjen, ndërkohë që shpreson që qyteti të ketë shkëlqimin e dikurshëm.

Dimër e verë plazhi i Durrësit kishte jetë, kishte punë, por sa tërmeti sa pandemia, të gjitha u bënë bashkë dhe vështirësuan situatën, por shpresojmë që më mirë do të jetë ky sezon për të gjithë”, thotë ai.

Ngjashëm me të edhe Gëzim Selimi, që shet luleshtrydhe në plazh pasditeve, kujton vitet kur punonte dhe siguronte më shumë të ardhur, ndaj uron dhe shpreson që ky sezon të jetë më i mbarë.

30 arka me banane kam shitur në një ditë të vetme në plazh dy- tre vite më parë, por vitin e kaluar mezi jo dola të mbajë familjen, ndërsa për këtë vit sytë i kemi tek vizitorët se dhe muaji i Ramazanit mbaron në mesë të majit, thotë Selimi për Porta Vendore, duke shpresuar për ardhjen këtë vit të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë më herët për në plazh.

Operatorë të turizmit që kanë investuar në resorte, pronarë baresh, restorantesh e hotelesh, por dhe shitësit e frutave, librave, ata të aksesorëve të ndryshëm, shitësit e misrave, etj, të gjithë në plazhin e madh i kanë sytë tek sezoni i ri turistik.