18 maj 2021/Aurora Sulce/Porta Vendore/Tiranë
Numri i vdekjeve tejkalon atë të lindjeve në Shqipëri. Të dhënat e Institutit të Statistikave konfirmojnë se shtesa natyrore e Shqipërisë ka qenë negative në tremujorin e parë të këtij viti. Kjo për shkak të pandemisë së COVID 19, që ka shtuar ndjeshëm numrin e vdekjeve, që për periudhën në fjalë ka qenë 3651 më shumë sesa numri i lindjeve. Kështu, sipas statistikave të INSTAT, në tre muajt e parë të 2021, numri i lindjeve ka qenë 6.006, duke shënuar një rënie me 5.4 % kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërsa numri i vdekjeve për tremujorin e parë të këtij viti rezulton 9.657, me një rritje vjetore prej 55.8 %.
Shtesa natyrore e popullsisë llogaritet si diferencë mes lindjeve dhe vdekjeve. Për tremujorin e parë të 2021, ajo ka qenë negative, pasi ka pasur 3651 vdekje më shumë se lindje. Ndërkohë që në tremujorin e parë të vitit 2020 shtesa natyrore ka qenë pozitive, me 153 lindje më shumë.
Në tremujorin e parë 2021, vlera më e lartë e shtesës natyrore u regjistrua në qarkun e Kukësit, ku numri i lindjeve tejkaloi me 10 numrin e vdekjeve. Ndërkohë që qarku me shtesën natyrore më negative është Tirana, ku vdekjet tejkalojnë me 681 numrin e lindjeve.

Tirana regjistron numrin më të madh të lindjeve, me 2.020 të tilla në tre muajt e parë të këtij viti, pasuar nga qarku i Durrësit me 636 lindje. Një ecuri që shpjegohet me numrin më të madh të popullsisë të përqendruar në këto dy qarqe, si pasojë edhe e migrimit të brendshëm dekadat e fundit. Elbasani dhe Fieri janë të radhës në renditje për sa i përket numrit më të lartë të lindjeve në tremujorin e parë të këtij viti.
Ndërkohë që qarku i Gjirokastrës shënon edhe numrin më të ulët, me vetëm 113 lindje në periudhën respektive. Në vend të dytë për numrin më të ulët të lindjeve është Kukësi me 178 lindje, pasuar nga qarku i Beratit me 262 lindje në tremujorin e parë të 2021. Këto janë qarqet me popullsi më të vogël, për shkak të intensitetit të lartë të emigracionit, por edhe lëvizjeve migratore drejt qyteteve të tjera.

Pandemia e COVID 19 ka bërë që vdekjet të jenë të larta në të gjitha qarqet e vendit. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në tremujorin e parë të këtij viti Tirana kryeson për numrin më të lartë të vdekjeve me 2.701, pasuar nga qarku i Fierit me 1.165 dhe qarku i Elbasanit dhe Durrësit me respektivisht 929 dhe 925 vdekje.
Ndërkohë që në tremujorin e parë 2021, numri më i vogël i vdekjeve u regjistrua në qarkun e Kukësit me 168 vdekje, pasuar nga Gjirokastra me 281 vdekje. Popullsia më e vogël në këto qarqe vlerësohet si arsyeja kryesore e një tendence të tillë.

Ekspertët vlerësojnë se përveç pandemisë, emigrimi është një ndër faktorët që ka ndikuar, që në Shqipëri vdekjet të jenë më të larta se lindjet. Kjo pasi për shkak të emigracionit janë pakësuar lindjet, duke pasur parasysh se ata që emigrojnë janë kryesisht të rinjtë.
“Plakja e popullsisë është një fenomen negativ, që vjen si pasojë e uljes së normës natyrore të popullsisë. Kjo si rrjedhojë e shtimit të vdekjeve dhe uljes së numrit të lindjeve. Kjo tendencë ka vite që vjen duke u përkeqësuar në Shqipëri dhe shoqërohet me efekte negative në ekonomi dhe në treguesit makroekonomikë. Emigrimi dhe migrimi janë një tjetër faktor që ka ndikuar në shtesën negative të popullsisë”, shpjegon Elona Shehu, eksperte për ekonominë për Porta Vendore. Ndërsa Kastriot Sulka, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike dhe Sociale ngre shqetësimin e pandjeshmërisë përballë një emigrimi masiv, që një ndër pasojat ka të bëjë me pakësimin dhe plakjen e popullsisë. Kjo duke pasur parasysh se kjo dukuri vijon tashmë prej vitesh dhe nuk nisi në periudhën e pandemisë. “Problemet e tkurrjes së popullsisë tashmë kanë fituar një pandjeshmëri të frikshme. Sigurisht që kjo tkurrje ka shumë arsye, por unë mendoj se në këtë rast mund të gjejë aplikim shprehja se 1 plus 1 jo gjithmonë bëjnë 2. Por në këtë rast shumatorja e këtyre faktorëve bën më shumë. Pra, nuk është vetëm pasojë e pandemisë, por neglizhenca ndaj këtij problemi i detyron njerëzit që të gjejnë zgjidhje te tjera. Sikurse ndodhi me mungesën e energjisë elektrike, kur na u mbushën rrugët me gjeneratorë, edhe në këtë rast po mbushen avionët me të rinj që largohen. Efekti nuk është vetëm numri i atyre që largohen, por pasojat që na lënë duke mos shtuar familjet në Shqipëri”, argumenton Sulka për Porta Vendore.
Sipas tij, duhen ndërmarrë politikat e duhura nga qeveria për të frenuar emigracionin e të rinjve. “Unë mendoj se duhet të kemi një qasje të rëndësishme shtetërore, duke e bërë Shqipërinë të jetueshme dhe me mundësi zhvillimi, kryesisht për të rinjtë, sidomos për grupet që kanë investuar apo që konsiderohen si potencial për klasën e mesme të shoqërisë. Është e kuptueshme dhe e sigurtë që nuk funksionon politika për të bërë ‘xheloz’ nëpërmjet hapjes ndaj punonjësve nga Bangladeshi apo duke ‘inkurajuar’ dembelët e kafeneve”, shprehet Sulka.
E të njëjtit mendim është edhe ekspertja e ekonomisë, Elona Shehu. Ajo argumenton se duhen nisma konkrete për t’i mbajtur familjet e reja në Shqipëri, si dhe për të rikthyer në atdhe emigrantët. “Duhen politika nxitëse financiare ndaj familjeve të reja, duke filluar nga pagesat e vazhdueshme për cdo fëmijë deri në moshën e pjekurisë së tyre, kreditë e buta për ciftet e reja për të siguruar një strehë, si edhe politika të tjera nxitëse për kthimin e të rinjve në Shqipëri”, shprehet Shahini.
Për shkak të emigracionit të vazhdueshëm, popullsia e Shqipërisë është zvogëluar vazhdimisht pas viteve 1990, me rreth 0.3 për qind në vit sipas të dhënave të INSTAT. Në regjistrimin e vitit 2001, popullsia ra në rreth 3 milionë banorë nga afërsisht 3.3 milionë që ishte në vitin 1990. Ndërsa ka zbritur aktualisht në 2.8 milionë banorë (INSTAT), çka dëshmon qartazi se PO TKURREMI!