17 maj 2021/Marinela Dushi/Porta Vendore
Në zgjedhjet e 25 prillit, shumë persona me aftësi të kufizuar nuk e kanë ushtruar vullnetin e tyre të votës për të zgjedhur parlamentarët e rinj. Ky komunitet përbëhet prej 160 mijë qytetarësh, të cilët kanë të drejtën e votës. Edhe për këto zgjedhje, ashtu sikurse në zgjedhjet e kaluara parlamentare, numri i personave me aftësi të kufizuara që kanë votuar, ka qenë shumë i ulët.
E drejta e votës është një e drejtë kushtetuese dhe e drejtë themelore për çdo qytetar. Ndaj vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.1503, datë 19.11.2008 për miratimin e rregullores “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar” përcakton kërkesat teknike për eliminimin e pengesave që përcaktohen si “barriera arkitektonike” dhe rregullave për eliminimin e barrierave arkitektonike në banesat, hapësirat dhe shërbimet publike. VKM kërkon eliminimin e barrierave arkitektonike në të gjitha godinat publike ekzistuese dhe mos ekzistencën e tyre në godinat e reja që do të ndërtohen.
Ndërsa ligji nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara” dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 1074, datë 23.12.2015 “Për përcaktimin e masave për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara” përcakton se institucionet shtetërore, qëndrore dhe vendore, marrin gradualisht masat për sigurimin e fondeve të nevojshme për mënjanimin e pengesave mjedisore dhe infrastrukturore në ofrimin e shërbimeve publike.
“Organizatat PAK thonë se personat me aftësi të kufizuara nuk marrin pjesë në zgjedhje për shkak të diskriminimit. Kjo do të thotë se personat me aftësi të kufizuara janë edhe më të përjashtuar në shoqëri”, shkruhet në një udhëzues të OSBE/ODIHR për “Vëzhgimin e zgjedhjeve dhe si mund të ndihmohen personat me aftësi të kufizuara të marrin pjesë në zgjedhje”, i publikuar në vitin 2017, kur kanë qenë edhe zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Theksin ky udhëzues e vendos tek respektimi i nenit 9 i Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (KDPAK). Neni 9 i KDPAK-së flet për aksesueshmërinë, duke thënë se: “Me qëllim që të gjithë personat me aftësi të kufizuar të mund jetojnë në mënyrë të pavarur dhe të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e jetës, shtetet palë do të marrin masat e duhura për të siguruar që personat me aftësi të kufizuar, ashtu si gjithë të tjerë të kenë akses në ambientet fizike, ndaj transportit, informacionit dhe komunikimit, duke përfshirë edhe teknologjitë dhe sistemet e informacionit dhe komunikimit, si dhe në facilitete apo shërbime të tjera të disponueshme apo të ofruara për publikun, si në zonat urbane dhe ato rurale”.
Raporti i OSBE/ODIHR shkon edhe më tej, duke u ndalur tek vështirësia e hasur për të marrë informacionin.
“Është e vështirë të merret informacion për numrin e personave me aftësi të kufizuara që votojnë në zgjedhje. Disa informacione thonë se personat me aftësi të kufizuara nuk janë të përfaqësuar sa duhet në të gjitha fazat e zgjedhjeve. Mospërfaqësim sa duhet do të thotë se nuk ka një numër të mjaftueshëm personash me aftësi të kufizuara që marrin pjesë në zgjedhje”, thuhet në raport, duke vendosur disa nga arsyet pse personat me aftësi të kufizuara nuk marrin pjesë në zgjedhje, të tilla si:
- Pengesat ligjore – kjo do të thotë që ligjet e një shteti ua bëjnë tepër të vështirë pjesëmarrjen në zgjedhje personave me aftësi të kufizuara.
- Stereotipet negative për personat me aftësi të kufizuara.
- Informacionet për pjesëmarrjen në zgjedhje nuk janë të aksesueshme.
- Nuk ka mbështetje të mjaftueshme për pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara në zgjedhje.
- Nuk zhvillohen diskutime të mjaftueshme me personat me aftësi të kufizuara
Ndërkohë në një raport të KQZ të publikuar në shkurt të 2018 thuhet “Në lidhje me infrastrukturën e KQV-ve, KQZ u fokusua dhe për krijimin e kushteve për personat me aftësi të kufizuar. Qendrat e votimit u pajisën me dhoma të fshehtësisë për të siguruar të drejtën e votës personave me aftësi të kufizuar dhe me fletë votimi/maskë për votuesit e verbër”, por pa dhënë shifra se sa persona me aftësi të kufizuar mbeten jashtë procesit në atë kohë.
Udhëzimet e OSBE/ODIHR të 2017 dhe ligji për PAK pritej të viheshin në zbatim në zgjedhjet e ardhshme, pra në zgjedhjet e Prillit 2021.
Por sa u vendosën në praktikë ligji dhe udhëzimet e ndërkombëtarëve nga institucionet shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 për këtë kategori personash?
Udhëzuesi i KQZ 01 datë 05.12.2020 mbi: “Përcaktimin e rregullave për ngritjen, caktimin dhe njoftimin e vendndodhjes së qendrave të votimit dhe përgatitjen e hartës së njësisë së vetëqeverisjes vendore për zgjedhjet”, përcakton sipërfaqen që duhet të ketë qendra e votimit, vendndodhjen gjeografike dhe pozicionimin e saj në kate të para, por pa shprehur udhëzim ose detyrim për rampa e aksese të tjera për personat me aftësi të kufizuar.
Në nenit 7, të po të njëjtin udhëzuesi të KQZ-së , thuhet se Kryetari i bashkisë duhet të japë informacion paraprak mbi numrin e zgjedhësve me aftësi të kufizuar.
Si votuan personat me aftësi të kufizuar?
Qarku i Durrësit ka shfaqur disa problematika të cilat kanë vështirësuar pjesëmarrjen në votim të personave me aftësi të kufizuar. ‘Fondacioni Së bashku’ ka denoncuar me foto dhe video disa qendra të votimit, kryesisht në Bashkitë Durrës, Shijak dhe Krujë, të cilat nuk kishin rampe, duke vështirësuar kështu aksesueshmërinë dhe lëvizjen e personave me karrige me rrota për të hyrë në këto qendra.

Por realiteti bëhet më i hidhur kur shikon momente nga vështirësitë e këtyre personave për të shprehur vullnetin e tyre të votës si të barabartë para ligjit.

Siç duket edhe nga fotoja, e cila është publikuar dhe shpërndarë nga Fondacioni Së bashku, një qytetar me aftësi të kufizuar ngrihet në peshë nga familjarë apo qytetarë të tjerë për të kaluar shkallët e Qendrës së Votimit në shkollën 9 vjeçare Demokracia, në lagjen nr. 15 në qytetin e Durrësit, për të votuar. Fondacioni ka pasur 16 vëzhgues në 481 Qendrat e Votimit të Qarkut Durrës, të cilët kanë raportuar disa problematika.
Suela Lala, drejtuesja e këtij Fondacioni, thotë për Portën Vendore se vështirësitë kanë qenë të shumta.
“Kemi parë në Durrës dhe Tiranë që ka pasur qendra votimi në hapësira shumë të ngushta, mosaksesi për të hyrë brenda, dhe mosvënia në vendin e përcaktuar të dhomës së fshehtë për votimin e personave PAK. Kjo mendojmë se vjen si pasojë e mos trajnimit të duhur të vëzhguesve nga ana e KQZ-së, si dhe me shabllonët(fletet e votimit) ata s’kanë pasur informacion. Këtë vit është bërë pak për të garantuar të drejtën e votës për personat me aftësi të kufizuar. Ka shumë nevojë që të përmirësohet ligji, si dhe duhet një institucion monitorues për të parë nëse ligjet janë zbatuar për të gjithë”, tha ajo.
Në të njëjtën linjë mendimi, është edhe aktivisti Jetmir Kallollari, pjesë e komunitetit PAK.
“Ashtu siç edhe në zgjedhjet e kaluar, vështirësitë që kanë hasur PAK janë të shumta. Duke nisur nga përshtatshmëria e qendrave te votimit , të cilat në të shumtën e rasteve janë në shkolla. Në këto godina ekziston rampa në hyrje të godinës dhe vetëm kaq, kjo lehtëson vetëm personat që e kanë emrin në qendrat në katin e pare, por ata me karrige me rrota që e kanë qendrën e votimit në katin e dytë ose të tretë, çfarë ndodhë me ta? Ngelin pa votuar ose ashtu siç ndodh rëndomtë 2-3 veta ngrenë karrocën në krahë”, tregon ai për Portën Vendore duke sqaruar se e gjitha kjo mund të zgjidhej shumë thjeshtë ‘Secili komision të përgatisë një listë të posaçme të PAK votues në atë qendër dhe të vendoset në katin e parë”, shton Jetmiri.
Por sipas aktivistit Kallollari, një detaje pozitiv i këtyre zgjedhjeve është ndërgjegjësimi i komisionerëve nëpër qendrat e votimit.
“Një aspekt pozitiv që duhet përmendur është fakti që komisionerët në qendrat e votimit janë më të ndërgjegjësuar në lidhje me PAK dhe të drejtën e tyre për të votuar, edhe pse informacioni që ata kanë është i mangët. Mungon totalisht një propagandë pozitive nga ana e mediave, shoqërisë civile, komisionit qendrore të zgjedhjeve dhe strukturave të tjera përgjegjëse për të nxitur votimin e PAK si tepër të rëndësishëm për shoqërinë tonë”, përfundon për Portën Vendore, Jetmir Kallollari.
Mungesë rampash dhe qendra votimi në katet e sipërme
Juristja e ‘Fondacionit Së Bashku’ Anisa Seferaj, ka ngritur shqetësimin pranë Portës Vendore ku ka theksuar se në zgjedhjet e 25 prillit nuk u garantuan kushtet minimale për votimin e personave me aftësi të kufizuar.
“Ajo që u vu re në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, ishte fakti që në qendrat e votimit nuk u garantuan kushtet minimale të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për të garantuar ushtrimin e të drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuar. Qendrat e votimit vendosen kryesisht në godina publike arsimore, kulturore, shëndetësore, sportive. Plotësimi i kushteve në qendrat e votimit nuk duhet parë vetëm në këndvështrimin e ngushtë të ushtrimit të së drejtës së votës nga PAK, por në garantimin e një jetese pa barriera për PAK dhe përfitimin e shërbimeve publike në përditshmëri nga PAK. Mungesa e rampës në institucione arsimore do të thotë që një fëmijë me aftësi të kufizuar nuk po e përfiton arsimin publik në kushte të barabarta me fëmijët e tjerë”, shprehet ekspertja ligjore.
Një tjetër problem që theksohet nga vëzhguesit e ‘Fondacionit Së Bashku’ ishte fakti se disa Qendra Votimi ishin të vendosura në katin e dytë apo të tretë, e cila sjell një stërmundim dhe vështirësi që personat PAK të ngjiten për të votuar.
“Ne i kemi dërguar të gjitha problematikat tona edhe në KQZ, të cilët na garantuan se çdo kusht do përmbushej dhe se anëtarët e qendrave të votimit do trajnoheshin, por realiteti ishte krejt ndryshe, është më keq se vitet e kaluara, pra janë vënë QV edhe në kate të treta që nuk është normale. Ne kemi edhe foto dhe video ku tregohet se në disa QV nuk ka asnjë rampë në katet e para, e jo në të dytin”, shprehet Seferaj, duke theksuar gjithashtu që nga 16 vëzhguesit që kanë pasur në terren, ka rezultuar një pjesëmarrje shumë e ulët e personave me aftësi të kufizuar në këto zgjedhje, ku qarku i Durrësit mban “rekord” lidhur me pjesëmarrjen tejet të vogël.
“Na janë raportuar se kanë votuar vetëm 10 persona me aftësi të kufizuar. Ky është një numër shumë i vogël dhe vjen edhe si pasojë e vështirësisë për të votuar në QV”, shprehet Anisa Seferaj.
Shqetësimi për mungesën e rampave dhe vendosja e QV në katet e sipërme të godinave, është përcjellë edhe pranë zyrave të Komisionarit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të cilët kanë nisur verifikimet për të hetuar nëse ka pasur shkelje të vullnetit të qytetarëve apo vështirësi për të votuar. Komisioneri Robert Gajda, në një prononcim për Porta Vendore, u shpreh se ky proces zgjedhor është shoqëruar me disa problematika sa i përket votimit të personave me aftësi të kufizuar, kryesisht në infrastrukturën e lëvizshmërisë së tyre.
“Në të vërtetë ka pasur probleme sa i përket procesit të votimit të personave me aftësi të kufizuar. Nuk është garantuar ligji në disa Qendra Votimi. Infrastruktura fizike për QV duhet garantuar nga bashkitë, ndërsa KQZ merret me materialet. Nuk kemi një shifër të saktë për votimin e PAK. Ne i kemi kërkuar disa bashkive informacion nëse kanë pasur probleme në infrastrukturë. Në një perceptim të përgjithshëm nuk ka pasur një përmirësim të infrastrukturës në QV. Nuk është garantuar e drejta e votës për të gjithë personat me aftësi të kufizuar. Ne kemi kërkuar informacion nga bashkitë dhe nga persona me aftësi të kufizuar. Disa bashkitë na kanë thënë që nuk e kanë garantuar aksesueshmërinë, dmth që e kanë ditur problemin, por nuk kanë ndërhyrë. Ne do hetojmë mbi raste konkrete dhe të nxjerrim një rekomandim sa më të mirë për të përmirësuar infrastrukturën dhe ky problem mos të përsëritet në zgjedhjet e ardhshme”, shprehet komisioneri Gajda.
Një tjetër problematikë e hasur nga vëzhguesit e Fondacionit Së Bashku, por edhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ishte mungesa e trajnimit të komisionerëve për procesin e votimit për PAK.
“Kur voton një person me aftësi të kufizuar, duhet të merret procesverbali i protokollit për atë që voton. Kjo do të ndihmonte për të kuptuar se sa është numri i personave më aftësi të kufizuar që kanë votuar. Në këto zgjedhje është parë që komisionerët në Qendrat e Votimit nuk e dinin procedurën”, thekson Seferaj.
Ndër të tjera, ekspertja ligjore deklaron se çështjen e ka ndjekur edhe te Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. “Pas caktimit në muajin mars të godinave se ku do të votonin qytetarët, ne kemi parë nga afër infrastrukturën e tyre, duke evidentuar se nuk kishin rampe. Për këtë arsye, ne e kemi ndjekur çështjen te Komisioneri dhe na ka thënë që nuk kishte prova. Pas kësaj përgjigje ne dokumentuan me foto dhe video se në shumë QV mungonin rampet dhe ja dërguam provat Komisionerit ne datën 13 prill, dhe presim përgjigjen e tij të dytë në lidhje me problematikën e ngritur nga ne, tha ajo.

Problemi me procesverbalin është vërejtur edhe nga specialisti për Monitorimin dhe Raportimin pranë zyrës së Komisionerit, Darjan Ikonomi, i cili ka qenë është vëzhgues në disa QV në Tiranë.
Sipas udhëzuesit të miratuar nga KQZ në 20 prill 2021, familjarë apo të afërt të cilët ndihmojnë një person me aftësi të kufizuar në procesin e votimit, duhet të deklarojë në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të Komisionit të Qendrës së Votimit, se nuk do tjetërsojë vullnetin apo votën e familjarit të tij PAK. Por kjo gjë sipas ekspertëve nuk ka ndodhur në disa QV, e cila është detyrë e komisionerëve që tu kërkonin familjarëve që do asistonin për votën, që të bënin deklaratën me shkrim.
Ai shprehet për Porta Vendore se komisionerët në disa raste e kanë interpretuar ligjin për votimin e personave me aftësi të kufizuar në disa variante, duke shkaktuar vështirësi.
“Unë kam qenë vëzhgues në disa QV në Tiranë. Kam vëzhguar kryesisht qendrat e votimit të njësia numër 5. Në këto qendra në Tiranë që kam qenë unë, ligji ishte zbatuar, QV ishin në kat të parë, ishin të aksesueshme, kishte njerëz me karrige me rrota. Më vjen keq për pamjet që kemi parë në disa QV në Durrës, ku atje ka pasur disa problematika. Ato duhet të jenë imazhe reflektimi. Në çdo QV kishte shabllone, fletë votimi për të verbrit dhe problematika kryesore me të cilat u përballën njerëzit, ishte votimi i asistuar. Ndërkohë, neni 108 i Kodit Zgjedhor, thotë që lejohet votimi i asistuar me familjarë, mirëpo komisioneri thotë që është votë familjare. Dhe disa persona patën probleme, të paktën në 3 QV kjo u interpretua në mënyra të ndryshme. Në një qendër nuk u është kërkuar fare të plotësohet procesverbali për votimin nga personi i asistuar nga familjari me aftësi të kufizuar, në një tjetër nuk u lejua të votojë me familjarë, votoi tjetër për tjetër dhe në një QV u zbatua ligji. Pra ligji u interpretua në 3 mënyra”, thotë ai për Portën Vendore duke vijuar më tej se: “Kur një person me aftësi të kufizuar kërkon ndihmë për të votuar, mbahet procesverbali. Zakonisht personat me aftësi të kufizuar duhet të paraqisnin edhe letrën e KEMP për të vërtetuar vështirësinë e votimit. Komisionerët nuk kanë qenë të trajnuar mirë në lidhje me votimin e personave me aftësi të kufizuar”, shprehet Ikonomi.
Shoqata e të Verbërve: Shqetësues, cilësia e shabllonit (fleta e votimit për të verbrit)
Presidenti i Shoqatës së të Verbërve, Arjan Hyka, në një prononcim për Porta Vendore u shpreh se fletët e votimit kanë qenë shumë të holla, me një cilësi të dobët, duke shkaktuar vështirësi në leximin e tyre.
“Sa i përket zgjedhjeve ka pasur disa problematika për votimit e personave me aftësi të kufizuar. Shabllonet, fleta e votimit për të verbrit ka qenë e hollë si dhe nuk është ruajtur fshehtësia e votës. Ka pasur persona që kanë votuar të shoqëruar me familjarët e tyre. Në fakt nuk kemi akoma statistika se sa persona kanë votuar, pasi ne nuk kemi qenë pjesë e vëzhgimit. Ata persona që kanë votuar, janë shoqëruar nga familjarë. Situata e infrastrukturës sa i përket garantimit të votimit të personave me aftësi të kufizuar, këtë vit ishte me keq se vitet e kaluara. Problematikat tona i kemi parashtruar në KQZ ndër vite, por nuk e kanë marrë parasysh. Ndërkohë kemi marrë informacione se nuk ka pasur fletë votimi shabllone në të gjitha QV, duke përbërë një problem”, shprehet Presidenti Hyka.
Në lidhje me shqetësimet e ngritura, Porta Vendore kontaktoi edhe me zëdhënësen e KQZ, Drilona Hoxha, e cila u shpreh se janë marrë masat për garantimin e materialeve zgjedhore për të gjitha qytetarët. “Sa i përket problemeve të ngritura për mungesën e rampeve në QV, kjo është një masë që duhej marrë nga bashkitë e vendit. Maksimumi që ka në dorë KQZ, është kur ajo ka dijeni se në një QV do të votojë një PAK. Kemi insistuar që QV të mos jetë në katin e dytë, por në katin e parë. Dhe ajo që kemi në kompetencë është prodhimi i shabllonit të fletëve të votimit të alfabetit braille, të cilat kanë qenë në çdo qendër votimit për të garantuar mundësinë e votimit për personat e të verbërve”, thekson zëdhënësja e KQZ.
Procesi i votimit këtë vit kërkoi investime në miliona euro, kjo për shkak edhe të teknologjisë së re që u ndërfut si risi në këto zgjedhje, identifikimi biometrik por edhe testimi i votimit elektronik që u pilotua në njësinë nr. 8 në kryeqytet. Por këto risi e investime lanë në harresë problemin e aksesimit të qendrave të votimit nga të gjitha grupet shoqërore, pëfshirë personat me aftësi ndryshe.
Edhe pse legjislacioni për PAK ka 7 vite që ka hyrë në fuqi, personave me aftësi të kufizuar nuk i garantohet aksesueshmëria në godinat publike dhe përfitimi i shërbimeve publike në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë të këtij vendi. Cka është më e rëndë, rreth 160.000 PAK me të drejtë vote, u pamundësohet ushtrimi i një të drejte themelore në një shoqëri demokratike, e drejat e votës.