15 maj 2021 /Porta Vendore/Mat
Banorët e Zall Gjocajt, të cilët prej tre vitesh protestojnë kundër ndërtimit të hidrocentralit në zonën e tyre, janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund luftës, pavarësisht pengesave që u janë krijuar rrugës, si nga pandemia, ashtu dhe institucionet qendrore dhe vendore. Ata janë në pritje të tre proceseve të hapura në institucionet e drejtësisë, ndërkohë që qeveria mësohet se ka nxjerrë një vendim për ndryshimin e kufijve të parqeve kombëtare, me qëllim nxjerrjen jashtë parkut veprën e marrjes së ujit.
Protesta e fundit e banorëve ishte rreth dy javë më parë, ndërsa në fillim të muajit prill ata iu bashkuan banorëve të Thirrës për një tjetër Hidrocentral, ndërsa shprehen se ata mbështesin çdo kauzë si e tyre, por që nuk do të lënë asnjëherë betejën kundër hidrocentralit që duan të ndërtojnë në Zall Gjocaj.
Dhimitër Koleci banor dhe aktivist i zonës, shprehet se krimet në zonën e tyre nuk kanë të ndalur, ku veç ndërtimit të HEC, bashkia po lejon dhe prerjen e pyjeve.
“Kemi 3 vite që e vijojmë kauzën tonë dhe fakti që brenda parkut kombëtar vazhdon puna, neve si banorë dhe aktivistë thjesht na motivon për të vazhduar këtë kauzë, duke ngritur zërin për moslejimin e shkatërrimit të natyrës. Para dy javësh organizuam një protestë në zonë, por ama edhe kjo pandemia na ka kushtëzuar disi në organizime pasi nuk mund të mblidhemi se aq duan ata e të fusin në burg. Jemi me pak fjalë një zonë e pushtuar, ndërsa gjykata nuk po flet. Ne çështjen e kemi dërguar edhe në SPAK, se është vërtetë për të ardhur keq që një pasuri kombëtare të prishet kështu nga lejimi i HEC-eve në zonë të mbrojtur. Madje tani, Bashkia Mat po lejon një tjetër krim mjedisor siç është prerja e pyjeve në këtë zonë, teksa janë hap rrugë të reja gjoja në shërbim të komunitetit, por ato po krijohen për të shfrytëzuar pyjet dhe për të krijuar kështu një tjetër masakër mjedisore në zonë”, tha ai për Portën Vendore.
*Video e realizuar nga aktivistët e Grupimit ATA.
Por, megjithëse kanë munguar protestat e vazhdueshme për shkak të pandemisë, aktivistët po punojnë ngushtë me banorët për t’i ndihmuar në këto organizime. Një prej tyre është edhe grupimi ATA, të cilët protestën e banorëve kanë tentuar ta plotësojnë dhe me elementë të tjerë artistikë, ndërsa ndjekin hap pas hapi tre çështje gjyqësore. “Sa i përket Zall-Gjocaj, banorët dhe aktivistët herë pas here po mblidhen dhe po diskutojnë sesi me ndërmarrë nisma/aksione në terren. Më datë 17 prill ne ishim në terren dhe bëmë një aksion atje teksa dhamë edhe një shfaqje teatrale. Paralelisht janë hapur tre çështje gjyqësore në gjykatën Administrative të Apelit, dhe një tjetër në SPAK ku të paditur janë Blendi Klosi, Agron Malaj (kryetari i bashkisë), Zamir Dedej dhe Edi Rama. Eventi i radhës me siguri do jetë shfaqja e video-dokumentarit për Zall Gjocaj. Ne si aktiviste të grupit ATA po i mbështesim sa mundemi dhe po ua lehtësojmë organizimin e aksioneve dhe protestave. Vendimi i fundit për ndryshimin e kufijve të zonave të mbrojtura, pa transparence, dhe që sjell tkurrjen e disa prej zonave të mbrojtura në Shqipëri na ka revoltuar edhe më shumë. Sa i përket Zall Gjocaj ky vendim e prek në mënyrë direkte, pasi tenton që veprën e marrjes së ujit tek vendi ku është ndërtuar diga, ta nxjerrë jashtë zonës së mbrojtur. Ne do te vazhdojmë t’i ndihmojmë banorët edhe në përfaqësimin e tyre ligjor, dhe do e ndjekim hap pas hapi zhvillimet që do të ndodhin. Nëse do të ketë lëvizje apo përpjekje të përbashkëta me organizata të tjera mjedisore apo ligjore ne do ju bashkohemi, bashkë me banorët e Zall Gjocaj për të mbrojtur parqet tona kombëtare”, tha Diana Malaj, aktiviste e grupimit ATA.
Ndërsa avokatja nga Klinika Ligjore, Dorina Ndreka, e cila ka ndjekur nga afër gjithë procesin gjyqësor bën një panoramë më të gjerë të gjithë situatës. “Në janar të vitit 2020 është paraqitur padia e parë me objekt konstatimin e pavlefshmërisë absolute të akteve administrative të miratuara për këtë projekt. Konkretisht: deklarata mjedisore, leja e ndërtimit, kontrata koncensionare, leja e përdorimit të burimit ujor, etj.. Në përfundim të procesit, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, edhe pse në vendim pranoi një sërë prej shkeljeve të pretenduara nga banorët, vlerësoi se këto shkelje nuk ishin të tilla sa të sillnin pavlefshmërinë absolute të akteve administrative. Për këtë çështje është paraqitur ankim pranë Gjykatës së Apelit Administrativ dhe është bërë kërkesë për përshpejtim, duke qenë se plotësohen kriteret e përcaktuara në urdhrin e KLGJ, pasi bën pjesë tek çështjet që trajtohen me përparësi. Gjykata e ka refuzuar këtë kërkesë tonën për t’u trajtuar me përparësi”, shprehet ajo.
Ndreka shpjegon se pas refuzimit të gjykatës për të trajtuar kërkesën e depozituar, në shtator 2020 kanë depozituar padinë e dytë për këtë çështje. “Objekti i kësaj padie është detyrimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, dhe autoritetet e tjera publike kompetente që të marrin masat e nevojshme për të mbrojtur Parkun Kombëtar “Lurë Mali i Dejës”, duke ndryshuar projektin e HEC-ve Sekë dhe Zais dhe duke e nxjerrë atë jashtë zonës së parkut kombëtar. Ky proces është përfunduar dhe gjykata vendosi të rrëzojë padinë e banorëve. Është bërë ankim në Gjykatën e Apelit Administrativ. Do të depozitohet dhe një kërkesë për përshpejtim”, vë në dukje avokatja.
Ndërkohë, në tetor 2020, pas marrjes dijeni nga publikimi në Fletore Zyrtare për miratimin e licencës për prodhimin e energjisë elektrike për HEC-et Sekë dhe Zais, banorët kanë bërë një kërkesë për rishikim drejtuar Entit Rregullator të Energjisë, dhe më pas brenda afatit ligjor i janë drejtuar me një tjetër kërkesë-padi për shfuqizimin e këtij akti administrativ. “Kjo padi është bërë pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Argumentet mbi të cilat mbështetej kjo kërkesë padi janë të lidhura me dhënien e një leje për prodhim energjie për një HEC që po ndërtohet në Park Kombëtar, ku ligji e ndalon kategorikisht ndërtimin e HEC-ve. Së dyti, fakti që shoqëria nuk ka përfshirë HEC-in Zais në objektin e veprimtarisë së saj në QKB. Gjykata vendosi që ta shfuqizojë pjesërisht vendimin e ERE, pikërisht për pjesën e licencimit të HEC-it Zais, që është edhe HEC-i që shtrihet në zonën e mbrojtur. Aktualisht çështja është ankimuar nga palët e tjera dhe është në pritje për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit”, shpjegon Dorina Ndreka.
Ndërkohë në kuadër të monitorimit të procesit të rivlerësimit të zonave të mbrojtura në të gjithë territorin, nga hartat e publikuara rezulton se parku kombëtar Lurë Mali i Dejës është zvogëluar në sipërfaqe, duke hequr dhe pjesën ku ndodhet HEC-i. Megjithatë, ende nuk është publikuar VKM përfundimtare, por shoqëria civile dhe banorët janë duke e monitoruar dhe po përgatiten për ta kundërshtuar në bllok si procedurë.