Ngjarje/Personazhe

Rindërtohet Kisha e Shën Vlashit në Skuraj të Kurbinit, e lënë prej vitesh në harresë

13 maj 2021/Elvis Hila/Porta Vendore/Kurbin

Katolikë e myslimanë janë bërë bashkë për kthimin në identitet të Kishës së Shën Vlashit në Skuraj të Kurbinit. Ky objekt kulti i shkatërruar nga regjimi komunist, sipas banorëve, ka bërë shumë mrekulli dhe ndaj i gjithë komuniteti ndjehet sot entuziast për rindërtimin e tij, që prej vitesh ishte e harruar.

E diela e 9 majit ishte një ditë feste për banorët e fshatit Skuraj në Kurbin. Pas shumë vitesh, kisha shekullore e “Shën Vlashit” e cila mbart vlera të jashtëzakonshme historike u kthye në identitet. Rindërtimi i këtij objekti kulti i cili kishte degraduar plotësisht u bë i mundur me iniciativën e famullitarit të Milotit, Giovanni Niti, mbështetjen e disa biznesmenëve të zonës, organizatave, pushtetit vendor dhe punës vullnetare të banorëve të zonës, përfshirë dhe ata të besimit mysliman.

“Në vitin 1967, kjo kishë u mbyll, u dëmtua si dhe iu shkatërruan simbolet e saj, ndërsa famullitari i fundit i saj, Imzot Frano Ilia, u burgos nga regjimi i kohës, deri në vitin 1990, por fatmirësisht i shpëtoi vdekjes dhe arriti ta rihapë këtë objekt kulti e të rikthente besimin tek banorët. Në vitin 1967, kisha u kthye në stallë bagëtish dhe të gjitha materialet e ritualeve fetare u dogjën me ceremoni në mes të fshatit, nga drejtuesit vendorë të asaj kohe. Vetëm për të nxjerrë mbetjet nga kisha, banorëve u janë dashur me javë të tëra. Ndaj dhe iniciativën e famullitarit tonë për rindërtimin e kësaj kishe e pritëm mjaft mirë, dhe të krishterë e myslimanë u angazhuam maksimalisht duke punuar që kjo kishë të kthehet në identitet” , thotë Zef Pjetri mësues dhe banor i zonës.

Në ceremoninë e inaugurimit të kësaj kishe ishte i pranishëm dhe Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo. Sipas tij, kjo kishë ka një rëndësi të veçantë, pasi tregon fitoren besimit.

Kjo kishë ka një rëndësi të madhe. Së pari sepse është një kishë e lashtë dhe tregon fitoren e besimit, sepse është rrënuar disa herë, por është rindërtuar. Ky është një fakt që populli e do kishën dhe praninë e zotit. Para se të vij në Shqipëri unë kisha dëgjuar shumë për regjimin e Enver Hoxhës dhe ai regjim ishte një formë shumë e egër e komunizmit, që ishte në të vërtetë një luftë kundër Zotit. Pas gjithë kësaj propagande kundër Zotit e kishës, unë mendoja se populli shqiptar ishte bërë një popull pa besim, por në realitet nuk më rezultoi ashtu, sepse ky popull e do fenë dhe kishën“, tha Frendo.

Gjatë inaugurimit të kishës. Foto: E. Hila

Famullitari i Milotit, Giovanni Niti, i cili ishte iniciatori i rindërtimit të kësaj kishe u shpreh se kur gjërat bëhet me dëshirë dhe dashuri nuk ndjen lodhje.
“Unë kam qenë shumë i kënaqur që të bëj këtë punë të mrekullueshme me këta banorë. Kishat unë i respektoj të gjitha, por kjo kishë tregon një besim që ka rrënjët në këtë vend. E këto vende tregojnë se tradita e kishës dhe besimit është në zemrat e të gjithëve e sidomos e atyre që kanë punuar falas për rindërtimin e kësaj kishe”, u shpreh famullitari i Milotit, Giovanni Niti.
Rindërtimi i kësaj kishe është pritur mjaft mirë nga banorët e zonës, të cilët e kishin pritur prej vitesh një ndërhyrje të tillë.
“Ma të gëzuar nuk ka. Ku të jetë gëzim më i madh se sot që ka shkuar çdo gjë në vendin e vet sepse monizmi nuk na ka lënë ta rregullojmë. E kemi pritur prej shumë vitesh këtë ditë”, thotë Zef Brozi, banor i Skurajve.
Ndërsa një e moshuar thotë se kjo kishë ka bërë shumë mrekulli, duke mos fshehur kështu entuziazmin që ndjen për këtë arritje.
“Jam shumë besimtare, besoj dhe jam shumë e kënaqur. Axhës së burrit i patën vdekur dy djem dhe erdhi këtu tek kjo kishë, duke adresuar lutjet për t’i falur një djalë. Pas ca kohësh zoti ia fali” , thotë një banore e Skurjave.

Kisha e Shën Vlashit në Skuraj të Kurbinit. Foto: E. Hila

Ndërsa një banor i cili i përket besimit mysliman thotë se ka punuar me shumë dashuri për rindërtimin e kësaj kishe. “Unë jam i besimit mysliman, por nuk më ka penguar që të kontribuoj për rindërtimin e kësaj kishe. Bashkë me banorë të tjerë kemi punuar me shumë dashuri që kjo kishë të kthehet në identitet dhe sot jam shumë i gëzuar që e arritëm diçka të tillë. Një meritë të veçantë ka prifti i zonës, i cili ka qenë iniciatori kryesor që kjo kishë të bëhet”, thotë banori.

Kisha “Shën Vlashit” në Skuraj të Kurbinit i përket shekullit të 14-të, ndodhet në mes të një peisazhi piktoresk në malin sipër fshatit, dhe synimi është që ky vend të kthehet në atraksion turistik.