Vëzhgim/Analizë

Efekti i fushatës/ Qeveria iu transferon bashkive 56% të fondit vjetor të Rindërtimit përpara zgjedhjeve

11 maj 2021/Aurora Sulce/Porta Vendore/Tiranë

Pas ngecjeve të forta në shfrytëzimin e fondeve të rindërtimit, qeveria ka përshpejtuar ndjeshëm procesin në muajt e parë të këtij viti, periudhë që përkoi edhe me fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në vitin 2020 u shpenzuan 57% e fondeve të programuara, vetëm 16.6 miliardë lekë nga 29 miliardë të planifikuara. Ndërkohë që vetëm në katër muajt e parë të këtij viti (2021), qeveria shqiptare ka shpenzuar nga Fondi i Rindërtimit, duke transferuar tek bashkitë si Transfertë të Pakushtëzuar, 56% të totalit të Fondit Vjetor të Rindërtimit. Një pjesë e mirë shkon për transferta tek individi. Të dhënat janë bërë publike nga Open Data Albania, bazuar në pagesat që janë bërë nga thesari i shtetit.

(Tabela me të dhënat: Viti 2021)

Sipas këtyre të dhënave, transferta buxhetore për 11 bashki nga Fondi i Rindërtimit për periudhën 1 Janar  deri më 25 Prill 2021 është 15 430 836 420 Lekë (pesëmbëdhjetë miliard e katërqind e tridhjetë milion e tetëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e katërqind e njëzet lekë). Ekuivalent kjo shumë me 124.44 milionë euro. “Vetëm në 30 datat Fushatë Zgjedhore kjo Transfertë e Pakushtëzuar drejt bashkive të prekura nga tërmeti ka shënuar 8 574 636 507 Lekë (tetë miliard e pesëqind e shtatëdhjetë e katër milion e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e shtatë Lek). Në euro rreth 69.1 milionë euro”, theksohet në raportin e Open Data Albania.

(Tabela me të dhënat: Viti 2021)

A janë përdorur këto fonde për qëllime elektorale?

Aranita Brahja, drejtore ekzekutive e Open Data Albania shpjegon për Porta Vendore se shifrat dëshmojnë se një ecuri e tillë në shpërndarjen e fondeve është e qëllimshme. “Open Data Albania ka hulumtuar mbi shtesa për Transfertën e Pakushtëzuar për 11 bashki përfituese nga Fondi i Rindërtimit.  Fokus janë Transfertat e miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave VKM në Periudhën Fushatë Zgjedhore 25 Mars deri 25 Prill 2021. Në analizë janë parë edhe data parazgjedhore nga 1 janari deri 25 Prill. Nga të dhënat na rezulton se përdorimi dhe shpërndarja e 30% të Fondit të Rindërtimit vetëm në muajin e fushatës zgjedhore duket diçka e qëllimshme. 16 muaj pas tërmetit, qeveritë vendore aplikojnë transferta kryesisht tek individët . Nga ana tjetër, bashkitë nuk kanë qartësuar cila është nevoja e emergjencës për individët përfitues. A janë ata me status të dëmtuar banese që shërben si strehë apo është një banesë luksi apo mirëqenie. Kjo të bën të dyshosh se në Tiranë dhe në Durrës, por edhe në bashkitë e tjera, fondi është përdorur për të dhënë ndikime tek disa individë votues”, deklaron Brahja.

Eksperti i ekonomisë, Fatos Cocoli argumenton se lëvrimi në shuma kaq të mëdha i fondeve për bashkitë në periudhën e fushatës elektorale ndodh edhe për faktin se ato janë të majta. “Periudhat zgjedhore na kanë mësuar me lumë fondesh të dhëna nga buxheti i shtetit për ministritë dhe bashkitë e partisë apo partive në pushtet. Mirëpo asnjë herë sa kësaj radhe për periudhën janar-25 prill 2021, fondet shtese për pushtetin vendor nuk kanë njohur një rritje kaq të madhe, plot 186 për qind ose rreth 125 milionë euro! Një kërcim i tillë në fonde erdhi ngaqë të gjitha bashkitë i përkisnin vetëm njërës parti, Partisë Socialiste në pushtet”, shprehet Cocoli për Porta vendore. Për ekspertin e ekonomisë, kjo qasje është një abuzim me fondet e buxhetit. 

“Kjo përbën një abuzim flagrant me rregullat e buxhetimit në një vit zgjedhor, kur deri në momentin e zgjedhjeve nuk duhet të livrohen më shumë se 30 përqind e fondeve për bashkitë. Harxhimi i 56 përqind të fondit vjetor të Rindërtimit dhe rreth 70 për qind të fondeve për investime të pushtetit zgjedhor që në katër muajt e parë të vitit, përkthehet thjesht dhe vetëm në para buxhetore për vota. Një abuzim kolosal”, deklaron Cocoli.

Në vitin 2020, qeveria shqiptare u kritikua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për shkak të nivelit të ulët të realizimit të fondeve në kuadër të Programit të Rindërtimit. Në Ligjin për Buxhetin e Shtetit të fillim vitit, në total Transfertat e Pakushtëzuara për këto 11 Bashki ishin 8 299 271 265 lekë (rreth 8.2 miliardë lekë). Po për këto 11 bashki, shtesa e Transfertave të Pakushtëzuara përmes VKM në katër muajt parazgjedhor shënon 15 430 836 420 lekë (15.4 miliardë lekë). Rritja është me 186 për qind.

Raporti i Open Data Albania evidenton se në vlerë, rritjen më të lartë e kanë bashkitë Tiranë, Durrës, Kurbin dhe Kamëz. Si peshë kundrejt Transfertave të Pakushtëzuara të Parashikuara në Ligjin e fillim vitit, rekord mbajnë bashki si Vora (549%); Kurbini (340%); Tirana (250%); Shijaku (228%).

Bashkitë që kanë përfituar shtesë të fondeve përpara zgjedhjeve

Open Data Albania ka evidentuar bashkitë që kanë përfituar edhe shtesë të transfertave të pakushtëzuara në 30 ditë përpara fushatës nga fondet e Programit të Rindërtimit. Transfertat e Pakushtëzuara Tipike janë fonde nga Buxheti i Shtetit për Bashkitë për garantimin e disa shërbimeve bazë të Pushtetit Vendor si arsimi bazë, mbrojtja sociale administrimi i pyjeve, rrugëve, ujërave etj. Ajo parashikohet me formulë çdo vit dhe miratohet si tabelë dhe zë i veçantë i Ligjit për Buxhetin e Shtetit. Nëse krahasojmë vlerat e caktuara në dhjetor 2020, me shtesat e marra sipas Bashkive si Transferta të Pakushtëzuara Rindërtimi VKM parazgjedhore, dhe VKM Data Zgjedhore, shohim përqendrim në datat për të cilat Kodi Zgjedhor i njeh si data fushatë zgjedhore”, theksohet në raport.

Por cilat janë bashkitë e “privilegjuara”?

Bashkia Tiranë. Me Vendim të Këshillit të Ministrave ka përfituar shtesa Transferta të Pakushtëzuara në Data Zgjedhore (30 ditët e fushatës) në vlerën 6 055 001 800 Lekë (gjashtë miliard e pesëdhjetë e pesë milion e njëmijë e tetëdhjetë Lekë). Këto transferta janë urdhëruar me VKM Nr. 189 atë 25 Mars; VKM Nr. 202  datë 25 Mars; VKM Nr. 204 datë 25 Mars.

Bashkia Durrës. Me Vendim të Këshillit të Ministrave i janë dhënë në data Periudhë Zgjedhore 1 181 590 365 Lekë (një miliard e njëqind e tetëdhjetë e një milion e pesëqind e nëntëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë Lekë). VKM Nr. 189 datë 25 Mars; VKM Nr. 201 datë 25 Mars; VKM Nr. 205 datë 24 mars dhe VKM nr 213 datë 31 Mars.

Bashkia Kamëz. Me Vendime të Këshillit të Ministrave ka përfituar 227 909 231 Lekë (dyqind e njëzet e shtatë mijë e nëntëqind e nëntë mijë e dyqind e tridhjetë e një Lekë. VKM Nr. 200 datë 25 mars; VKM Nr. 201 datë 31 mars; VKM Nr. 211 datë 31 Mars dhe VKM Nr 235 datë 14 Prill.

Bashkia Kurbin. Me Vendime të Këshillit të Ministrave janë përfituar 529 262 087 Lekë (Pesëqind e njëzet e nëntë milion e dyqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e tetëdhjetë e shtatë Lekë. Me VKM Nr. 215 datë 31 Mars; VKM Nr. 233 datë 14 Prill dhe Vendim 234 datë 14 Prill.

Bashkia Shijak. Ka përfituar 143 662 566 Lekë në Periudhë Zgjedhore. Kjo periudhë VKM Nr. 212 datë 31 Mars.

Bashkia Vorë. Me Vendim të Këshillit të Ministrave ka përfituar 175 148 070 Lekë (njëqind e shtatëdhjetë e pesë milion e njëqind e dyzet e tetë mijë e shtatëdhjetë lekë). Vendimi Këshillit të Ministrave Nr. 189 datë 25 mars; VKM Nr. 236 datë 14 Prill  dhe VKM Nr. 237 datë 14 Prill.

Bashkia Kavajë. Në periudhë zgjedhore përmes Vendimeve të Këshillit të Ministrave i është krijuar Transferta e Pakushtëzuar prej 201 959 863 Lekë (dyqind e një milion e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë milion e tetëqind e gjashtëdhjetë e tre Lekë). Kjo me VKM Nr. 206 datë 25 Mars dhe VKM Nr. 205 datë 25 Mars.

Bashkia Mirditë Ka marrë 42 262 535 Lekë (dyzet e dy milion e dyqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e tridhjetë e pesë Lekë. Me VKM Nr. 200 datë 25 Mars; dhe VKM Nr. 233 datë 14 prill.

Bashkia Rrogozhinë dhe Bashkia Krujë nuk kanë marrë fonde në data zgjedhore. VKM për Transfertë të Pakushtëzuar për Fondin e Rindërtimin është bërë në datat e mëhershme

Bashkia Lezhë. Kjo bashki ka përfunduar me Vendim të Këshillit të Ministrave transferta në vlerën 17 835 093 Lekë (shtatëmbëdhjetë milion e tetëqind e tridhjetë e pesë mijë e nëntëdhjetë e tre lekë.  VKM Nr. 215 Data 31 mars 2021.