3 maj 2021/Gjergj Figuri/Porta Vendore/Kurbin
Në Malbardhë të Kurbinit, banorët duhet të luten që Zoti t’i mëshirojë e tu falë shi nga maji deri në shtator. Kjo është mundësia e tyre e vetme për të pasur ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre, ose vetëm duke e mbushur poshtë në fushë për ta ngjitur lart në fshat.
Këtë problem e kanë 130 familjet e këtij fshati në Njësinë Administrative të Milotit në Bashkinë e Kurbinit. Rezervuari i ujit me kapacitet 100 metër kub, një investim i realizuar 7 vite më parë nga ish komuna Milot, furnizohet vetëm nga burimet ujore të malit. Prej muajit maj e deri sa rikthehen reshjet e vazhdueshme të shiut në stinën e vjeshtës, prurjet në këtë rezervuar janë aq minimale sa u mundëson këtyre familjeve vetëm 150 litra ujë çdo ditë dhe ai nuk është më i pijshëm. Pranvera i ka bërë banorët sërish aktivë për të kërkuar zgjidhje, që në fakt nuk është dhënë asnjëherë. Ndërmarrja e Ujësjellësit, e cila paguan edhe një punëtor për të hapur dhe mbyllur saraçineskën e rezervuarit, thotë se nuk e ka marrë në dorëzim objektin dhe se nuk mundet të ndërhyjë. Bashkia thotë se objekti është ndërtuar nga ish komuna Milot, por nuk është bërë inventarizimi si aset i saj dhe në këto kushte nuk mund të ndërhyjë, pasi në gjendjen aktuale vlerësohet si objekt privat rezervuari dhe pritën e ndërtuar për mbrojtjen e saj. Kjo është një mënyrë për të shmangur edhe përgjegjësinë e Njësisë Vendore të Kurbinit ndaj banorëve, por indirekt, me pagesën e punëtorit, është prezente në zonë. Bashkia e Kurbinit nuk e njeh investimin e kryer, pra nuk ka bërë inventarizimin e plotë të pronave të saj ku bën pjesë edhe ky rezervuar, dhe në momentin që nuk është në inventarin e saj nuk e konsideron si pronë legjitime, por paguan punëtorin sepse është i vetmi ujësjellës për banorët.

Në mungesë të veprimit nga bashkia, të rinjtë kanë ndërmarrë një nismë, ku synojnë të angazhojnë fshatin dhe drejtuesit e tij për të kërkuar zgjidhje. Endri Kola është mësues në këtë fshat dhe ka nisur një fushatë, ku ka përfshirë kryepleqësinë dhe ekspertë të pyjeve për të ngritur zërin. Për Portën Vendore, Endri, i riu që mëson fëmijët e fshatit thotë se po synon të “mësojë” edhe fshatin që duhet të ngrenë zërin dhe të apelojnë ndaj institucioneve.
“Ne kemi ndërmarrë një nismë për të sensibilizuar fillimisht banorët e Malbardhës, dhe më pas edhe institucionet në lidhje me një shqetësim serioz dhe që kërkon të marrë vëmendje. Ne do të shkojmë tek institucionet për të ngritur zërin dhe për t’ju treguar se ekziston fshati, ekziston rezervuari, por njerëzit e kësaj zone nuk po marrin ujë të pijshëm vazhdimisht. Ky rezervuar është në rrezik shembjeje, pasi prita e vendosur në përrua rrezikon të shembet, ndaj duhet që të investohet shpejt para se gjithçka të ketë përfunduar. Banorët po ndërgjegjësohen dhe së bashku do të hartojmë edhe një peticion për ta dorëzuar në Bashkinë e Kurbinit, ku të prezantohet situata dhe të kërkohet zgjidhja”, tha për Portën Vendore Endri Kola, mësues i fshatit.
Sensibilizimi ka funksionuar. Kryetari i fshatit, Ramazan Hidri ka folur dhe ka prezantuar situatën në fshatin e tij. Problemi i është prezantuar edhe Administratorit të Milotit. Kryeplaku Ramazan Hidri shpjegon se rasti është parë nga kreu i kësaj njësie, që ka dalë tek rezervuari së bashku me banorët, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. “Kemi shkuar në Njësinë Administrative të Milotit dhe në fakt kreu i saj ka ardhur dhe e ka parë nga afër rezervuarin dhe rrezikun që paraqitet, por ai ngre duart duke thënë se njësia nuk ka fonde, pasi ndërhyrjet kryhen vetëm nga bashkia. Na ka thënë se e ka përcjellë shqetësimin tonë, por sesi ka shkuar andej nuk na është thënë asgjë. Kërkesën tonë administratori e ka edhe me shkrim dhe është në dijeni të problemit, por sa i takon zgjidhjes ende nuk dimë asgjë dhe nuk na është thënë asgjë”, shprehet kryeplaku i fshatit, Ramazan Hidri.
Ai shpjegon se për 5 muaj me radhë nuk kanë as ujë për të pirë , dhe duhen menduar zgjidhje që tani, në mënyrë që të kalojnë verën. “Malbardha ka probleme të vazhdueshme me ujin e pijshëm, pasi furnizohet vetëm 7 muaj në vit. Kaq është mundësia nga burimet natyrore dhe më pas gjithçka shteron dhe ne mbetemi pa ujë. Kapaciteti i rezervuarit është i konsiderueshëm, por nuk grumbullohen ujëra të mjaftueshme për të furnizuar të gjitha familjet me ujë që nga muaji prill e deri në shtator. Për pasojë, uji i pijshëm mungon në pjesën më të madhe të kësaj kohe. Me këtë ujë ne e kalojmë krejt vitin, dikujt i shkon e dikujt jo, me orare shumë të reduktuara në pranverë e thuajse pa ujë në verë. Ne nuk kemi ujë as për të pirë gjatë 5 muajve të vitit, se për nevoja të tjera as që bëhet fjalë”, thotë kryeplaku Hidri.
Po ashtu, kryeplaku ngre shqetësim edhe për pritën malore që siguron rezervuarin që të mos rrëshqasë gjatë reshjeve intensive të shiut. Kryeplaku i Malbardhës është i bindur se prita është thuajse drejt shembjes dhe sipas tij kështu mundet të zgjasë edhe një vit. Tubacionet e vendosura janë jashtë çdo standardi dhe bombolat që bëjnë shpërndarjen janë ndryshkur. Ai vijon me idenë se duhet gjetur një mënyrë që uji të vijë me ngritje mekanike deri në rezervuar gjatë stinës së pranverës dhe verës, në mënyrë që 130 familjet e fshatit të marrin ujë. “Rezervuari është i mjaftueshëm për të pasur ujë të vazhdueshëm për popullatën, por nuk furnizohet nga ujërat e malit pas kalimit të dimrit e kjo bën që të vështirësojë jetën e banorëve. Ne vetëm po presim, por kështu ka vazhduar prej vitesh dhe ende asnjë zgjidhje. Nëse ka thatësirë, ne thahemi për ujë, duke vështirësuar përditshmërinë tonë. Mundësia është që të mbrohet ky rezervuar dhe të fortësohet prita e të garantohet qëndrueshmëria e saj. Për hapjen dhe mbylljen e ujit nga rezervuari paguhet një punëtor nga Bashkia e Kurbinit, por asnjë shërbim tjetër nuk marrim”, thotë ai për Portën Vendore.
Shqetësimin për rrezikun që shfaq shembja e pritës e ka bërë të ditur edhe eksperti i pyjeve Limon Smaçi. Ai shpjegoi për Portën Vendore jo thjesht situatën, por edhe ndërhyrjet. “Kjo pritë duhet përforcuar, duhet bërë një kundra-pritë dhe me oborre që të mos gërryhet me tej pasi punimet nuk kanë qenë ato të duhura që të garantonin qëndrueshmërinë e vetë pritës dhe të rezervuarit. Ka nevojë që të pengohet vërshimi i mëtejshëm i përroit, gërryerjet dhe shembjet që shkakton ai dhe kjo është e dukshme edhe sot. Nëse nuk vendoset prita do të ketë dëme shumë të mëdha dhe përfundimisht do të dëmtojë edhe rezervuarin. Dëmtimi i tij do të hiqte mundësinë e furnizimit të banorëve me ujë edhe gjatë 7 muajve që sot ata e kanë ujin në shtëpitë e tyre. Kjo pritë dhe ky rezervuarë nuk kanë asnjë siguri qëndrueshmërie me reshjet intensive të shiut siç ranë këtë dimër. Themeli ka nisur të ikë dhe po vijon me ritme të shpejta. Ky investim qëndroi vetëm 2 vite dhe më pas nisi degradimi i saj dhe shembjet vijuan pa u marrë në konsideratë nga Bashkia e Kurbinit”, tha eksperti i mjedisit Limon Smaçi.