Vëzhgim/Analizë

Bashkia Tiranë mblodhi mbi 26 milionë euro nga taksa për arsimin për 5 vite

30 prill 2021/Eljona Ballhysa/Porta Vendore

Katër nga pesë bashkitë e qarkut Tiranë kanë implementuar prej disa vitesh taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore, duke ndjekur shembullin e kryeqytetit, që ishte bashkia e parë që futi një taksë të tillë. Por çfarë ka ndodhur me këtë taksë pesë vite pasi u implementua nga Bashkia e Tiranë. Porta Vendore kontaktoi me të gjitha bashkitë e qarkut Tiranë, por vetëm një prej tyre pranoi të bëjë transparencë për investimet e kryera me fondet e mbledhura nga kjo taksë, ndërsa ekspertët e cilësojnë një taksë abuzuese dhe që ka mungesë të theksuar transparence.

Porta Vendore bëri një bilanc të bashkive të qarkut Tiranë për të kuptuar sesa para janë mbledhur nga taksa për infrastrukturën arsimore, që aplikohet që prej vitit 2016, dhe sa është shuma konkrete që është reflektuar në investime në ndërtimin apo rikonstruksionin e shkollave. Nga informacioni që mblodhëm nga Bashkia Tiranë, Bashkia Kamëz, Kavajë e Rrogozhinë, vumë re se taksa mblidhet, paratë grumbullohen, por mungon bilanci i shkollave të investuara.

Konkretisht, Bashkia Tiranë ka mbledhur në pesë vite mbi 26 milionë euro nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore, taksë kjo e parashikuar për t’u investuar në ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave.

Tabela me të dhënat e vëna në dispozicion nga Bashkia Tiranë

Konkretisht sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave vendore të Bashkisë së Tiranës, në vitin 2016 nga abonentët familjarë janë mbledhur 141,429,000 lekë taksë për arsimin, ndërsa nga bizneset janë mbledhur 354,521,390 lekë. Ndërsa në vitet pasardhëse kjo vlerë ka ardhur në ulje, sipas tabelës më poshtë.

Tabela me të dhënat e vëna në dispozicion nga Bashkia Tiranë

Në total shuma e mbledhur, si nga abonentët familjarë dhe nga bizneset bashkë, është 3,257,138,660 lekë në 5 vite ose rreth 26,4 milionë euro.

Të ardhurat e mbledhura nga taksa e arsimit rezulton se janë më të ulëta dhe nga parashikimi i bërë nga Bashkia e Tiranës në studimin e fizibilitetit, për vitin 2019, të paktën për vitet 2016, 2017 dhe 2018. Të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë parashikohet të jenë 630 milionë lekë në vitin2016, 690 milionë lekë në vitin 2017 dhe 720 milionë lekë në vitin 2018”, thuhet në studimin e fizibilitetit të Bashkisë Tiranë më 2019-ën. Pra në këto tre vite rezulton se është mbledhur vetëm 51% e vlerës së parashikuar nga Bashkia e Tiranës.

Me vendim të këshillit bashkiak, Bashkia e Tiranës ka nisur të aplikojë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore në maj të vitit 2016. Asaj i nënshtrohen të gjitha familjet e bizneset që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Niveli i taksës për familjarët është 150 lekë çdo muaj, ose 1800 lekë në vit. Ndërsa për bizneset varion sipas klasifikimit, nga 4 mijë lekë për biznesin e vogël deri në 37 mijë lekë në vit për VIP-at. Ky detyrim evidentohet në faturën e konsumit të ujit dhe pagesa bëhet së bashku me faturën e ujit.

“Të ardhurat nga kjo taksë e përkohshme do të përdoren me qëllimin për të cilën është vendosur, për rikonstruksionin e objekteve arsimore, shkolla e kopshte, si dhe të infrastrukturës arsimore të Bashkisë së Tiranës e cila e ka të domosdoshme ndërtimin e shkollave e kopshteve të reja dhe ndërhyrjet për rikonstruksionin e atyre ekzistuese”, thuhet në relacionin e bashkisë Tiranë.Vendosja e taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore do të zgjasë për një periudhë 7 vjeçare, pra deri në vitin 2022.

Porta Vendore kërkoi informacion nga Bashkia e Tiranës lidhur me numrin e shkollave që janë ndërtuar apo rikonstruktuar përmes parave të mbledhura nga kjo taksë, informacion ky që nuk u dha nga Bashkia e Tiranës.

Porta Vendore iu drejtua edhe katër bashkive të tjera për të mësuar më shumë mbi taksën e mbledhur dhe investimet e kryera, por ashtu si Bashkia e Tiranës, as Bashkia e Kavajës nuk dha një përgjigje mbi investimet e kryera. Bashkia e Kavajës ka nisur ta aplikojë taksën për arsimin në vitin 2017, pra një vit më vonë, dhe kjo taksë i është mbajtur vetëm abonentëve familje dhe jo bizneseve. Në Kavajë kjo tarifë nuk faturohet në faturën e ujit, pasi nuk disponojnë një kontratë me UKKA si agjent mbledhës i tarifave familjare. Në total, në 4 vite,Bashkia e Kavajës ka mbledhur 10, 446,000 lekë nga taksa për arsimin.

Ndërsa Bashkia e Kamzës u tregua më transparente, duke deklaruar se në tre vite ka mbledhur në total 42,709,095 lekë përmes taksës për infrastrukturën arsimore ose thënë ndryshe rreth 346 mijë euro.

Ndryshe nga Bashkia e Tiranës dhe ajo e Kavajës,Bashkia e Kamzës e ka një bilanc me shkollat e investuara. Kështu në vitin 2018 është investuar në ndërtimin e një shkolle të re në zonën e Frutikulturës me vlerë investimi 1.7 milionëeuro. Kjo taksë që mblidhet, bën të ditur bashkia, shkon për shlyerjen e këtij investimi.​Në vitin 2019, në Bashkinë Kamëz janë rikonstruktuar kopshti “Nënë Tereza” në Laknas; kopshti “Hillary Clinton” në Kamëz dhe kopshti “Halit Çoka 1” në Bathore. Ndërsa në vitin 2020 janë ndërtuar kopshti “Lidhja e Prizrenit” në Paskuqan, Kopshti “Niko Hoxha” në Valias dhe kopshti “Halit Çoka” në Bathore. Të pyetur për projektet për vitin 2021, sa të ardhura kanë parashikuar të mbledhin përmes taksëssë arsimit dhe ku do të investohen ato Bashkia e Kamzës bën të ditur se nuk kanë projekt për vitin 2021.

Po ashtu, Porta Vendore pyeti dhe pranë Bashkisë Vorë, që sipas informacioneve e ka implementuar këtë taksë, por ajo nuk dha asnjë përgjigje.

Ndërkohë,Bashkia Rrogozhinë, pjesë e qarkut të Tiranës bën të ditur se nuk e aplikon taksën e arsimit dhe si rezultat nuk ka planifikuar të mbledhë të ardhura nga kjo taksë për vitin 2021. “Por shpenzimet për rikonstruksionin e shkollave janë realizuar nga të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore të bashkisë”, njoftondrejtori i zhvillimit ekonomik Rakip Skuqi.

Megjithatë, ajo që vihet re është fakti se veç Bashkisë Kamëz, tre bashkitë e tjera, Tirana, Vora dhe Kavaja, nuk kanë një bilanc publik për investimet e kryera me këtë taksë të përkohshme.

Ekspertët: Taksa abuzuese dhe duhet transparencë

Lidhur me debatin e madh, jo vetëm mes ekspertësh por edhe qytetarësh, përsa i përket taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore, e cila fillimisht u vu në zbatim nga Bashkia Tiranë, e tashmë dhe nga disa bashki të tjera të këtij qarku, se sa e drejtë është ajo për xhepat e qytetarëve, Porta Vendore pyeti ekspertin e ekonomisë, Klodian Muço, i cili pranon faktin që ajo është një barrë financiare në fund të muajit për qytetarët. “Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore është një barrë relativisht e rëndë për qytetarët dhe bizneset. Kjo taksë mund të konsiderohet pa asnjë dyshim si një taksë e paligjshme, pasi neni 57 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë tekstualisht: Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas. Në këtë rast bie që arsimi detyrueshëm të jetë falas, ndërsa infrastrukturat arsimore të jenë me pagesë nga të gjithë. Po ashtu edhe librat janë me pagesë, ndërkohë që duhet të ishin falas. Mendo një çift pleqsh që nuk kanë fëmijë apo nipër e mbesa, edhe ata duhet të paguajnë për ndërtimin e disa shkollave që duhet të bëheshin nga buxheti i shtetit apo nga ai i qeverisë lokale, që edhe këto buxhete gjenerohen nga kontributi i qytetarëve shqiptarë përmes taksave të tjera që ata paguajnë”, thotë ai. Duke u nisur nga vetja, Muço bën një llogaritje të thjeshtë qëçdo qytetar mund ta bëjë lidhur me këtë taksë, ku një familje i bie të paguajë 18 mijë lekë të vjetra në vit.  “Unë jam një banor i Tiranës i cili kam paguar e vazhdoj paguaj diku te 18000 Lekë të vjetra në vit (1500 Lekë në muaj) për shtatë vite radhazi për ndërtimin e disa shkollave (17), që do të ndërtohen në Tiranë e që çuditërisht në vijim u jepen privatëve t’i ndërtojnë me konçesion apo disa kompanive që jo rrallë herë ofrojnë çmimin më të lartë në tender. Për më tepër, në 2016 u mblodhën rreth 360 milionë Lekë që do të përdoren për shpronësime, ndërkohë që terrenet që janë publike, jo rrallë herë u jepen privatëve me konçesion me përqindje shumë më të ulëta nga sa mund t’i negocionte një individ privat, në një kohë që këto terrene publike mund të jepeshin për ndërtimin e shkollave”, shprehet eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

Lidhur me dhënien e shkollave me koncension Porta Vendore i kushtoi një artikull në janar të 2020 kësaj çështjeje, ku u vu në dukje se Bashkia e Tiranës dha  më 11 nëntor 2019  me Partneritet Publik Privat, ndërtimin e katër shkollave në Tiranë, ndërkohë në studimin e fizibilitetit të kryer nga Bashkia, parashikohet të jepen me PPP17 shkolla.

Shqetësuese e shikon situatën e investimit në shkollat e kryeqytetit e më gjerë edhe Aida Cacaj, Eksperte e Pushtetit Vendor, e cila vë theksin tek kohëzgjatja e taksës, e cila është jashtë kuadrit ligjor. “Taksa e përkohshme është miratuar në Bashkinë Tirane prej 2016. Ligji për Financat Vendore i 2017, parashikon se taksat e përkohshme nuk mund të zgjasin më shumë se 3 vjet, ndërkohë që paketa fiskale e bashkisë thotë se kjo taksë do të zgjasë 7 vjet nga data e miratimit. Nuk e di cili mund të jetë argumentimi i bashkisë për këtë mospërputhje.Taksa e përkohshme, për vetë natyrën e saj, është e lidhur me një interes të taksapaguesit. Psh në këtë rast, nga kjo taksë përfitojnë prindërit e fëmijëve. Por fakti që kjo taksë aplikohet dhe për familjare dhe për biznese lë vend për diskutim. Një familje, e cila ka të regjistruar një biznes gjendet në kushtet e taksimit të dyfishtë, pasi e paguan këtë taksë dy herë, një herë në faturën e ujit dhe një herë me taksat e biznesit”, tregon ajo.

Megjithëse kjo taksë ka filluar së implementuari që në vitin 2016, pra një vit para se të merrej vendimi për taksat e përkohshme dhe kohëzgjatjen e tyre, sërish ajo që shqetëson shumicën e qytetarëve është barra e dyfishtë e taksimit që hera-herës bie me ata si familjarë, dhe si biznese. Ekspertja Cacajpranon faktin se infrastrukturat shkollore nuk kanë njohur ndryshime thelbësore. “Njësitë vendore kanë pasur detyrimin për tu kujdesur për ndërtesat e shkollave 9-vjeçare, ashtu si dhe të drejtën për të vendosur taksa të përkohshme dhe para miratimit të ndarjes së re administrative e legjislacionit pasues.Ndërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave arsimore të sistemit shkollor parauniversitar, me përjashtim të shkollave profesionale, nuk ka pësuar ndryshime thelbësore në menaxhim nga ana e bashkive”,shpjegon ajo.

Ekspertja Cacaj ndalet gjithashtu edhe tek një plan i qartë e konkret që duhet të kishte bërë pushteti vendor lidhur me investimet në infrastrukturën shkollore, ku thekson se ai duhet të ishte tërësisht publik dhe i aksesueshëm nga të gjithë. “Para miratimit të taksës së përkohshme, ligji për financat vendore kërkon që bashkia të hartojë një plan për realizimin e të ardhurave dhe kryerjen e investimeve, psh Bashkia Tiranë duhej të kishte bërë publike të gjitha investimet e parashikuara me vlerat përkatëse dhe t’u shpjegonte qytetarëve dhe bizneseve se kjo vlerë e caktuar do të grumbullohej nga taksa e përkohshme. Bashkia nuk mund të grumbullojë më shumë taksa sesa vlera e investimit.Në dijeninë time, ky plan nuk është publik”, shprehet Aida Cacaj, ekspertja e pushtetit vendor.

Në pikëpyetje sipas saj mbetet cilësia dhe kostoja e tyre, dy komponentë për të cilët nuk kanë munguar as akuzat e opozitës.Madje në muajin dhjetor të vitit 2020 eksperti i Ekonomisë pranë selisë blu, Mateo Spaho akuzoi bashkinë se nuk ka investuar para të mbledhura përmes kësaj takse në ndërtimin e shkollave.“Është i vetmi qytet që ka një taksë për infrastrukturën arsimore, të cilën do të vazhdojmë ta paguajmë edhe vitin e ardhshëm. Taksa është e paligjshme, antikushtetuese, pasi arsimi publik në Shqipëri është falas, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është se paratë që u ka marrë banorëve të Tiranës për këtë taksë të paligjshme, Bashkia nuk i ka investuar në shkolla”, tha Spaho në dhjetor të 2020.

Sa shkolla mund të ndërtojë Bashkia Tiranë me 26 milionë euro?!

Bashkimi Evropian i ka dhuruar ndër të tjera Shqipërisë një shumë prej 15 milionë eurosh përmes të cilave është parashikuar të rindërtohen ose të rehabilitohen 22 shkolla të dëmtuara ose të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Bashkitë Tiranë, Durrës, Krujë, Shijak dhe Lezhë. Megjithëse nuk dihet numri i saktë i shkollave që do të përfitojnë nga fondi i BE në Bashkinë e Tiranës, kjo e fundit ka mbledhur edhe mbi 26 milionë euro nga taksa e arsimit, me të cilat mesa duket mund të ndërtohen më shumë se 22 shkolla. Pra, Bashkia Tiranë nuk do të përfitojë për investimet në shkolla vetëm nga taksa e arsimit, por dhe nga fondet e BE për tërmetin.

Në programin politik të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës për mandatin qeverisës 2015-2019, theksohet se “mbipopullimi i kopshteve dhe shkollave ka ndikuar në uljen e cilësisë dhestandardeve që ofrojnë këto institucione.Një kopsht në kryeqytet u shërben mesatarisht 198fëmijëve ndërsa një shkollë ka mesatarisht 819 nxënës, ndërkohë që në rang vendi ky raportështë 44 fëmijë për kopsht dhe 276 nxënës për çdo shkollë”. Ndërtimi i shkollave dhe kopshtevetë reja, për t´i dhënë fund problemit të mbipopullimit dhe të mësimit me dy turne ishte një ngaangazhimet më të rëndësishme të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

“Ky angazhim politik është reflektuar në Programin Buxhetor Afatmesëm 2016-2018, kutheksohet se një nga prioritetet kryesore të kësaj PBA-je është eliminimi i mësimit me dyturne. Për jetësimin e këtij prioriteti, me Vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 59, datë30.12.2015, u vendos edhe Taksa e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore, e cila do tëpaguhet nga të gjitha familjet, personat juridikë e fizikë, vendas ose të huaj, që banojnë dheushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë Tiranë. Mbledhja e kësaj takse kafilluar që në vitin 2016 dhe parashikohet të mblidhet për 7 vjet. Në Relacionin që shoqëron ketëVendim të Këshillit Bashkiak thuhet shprehimisht se të ardhurat e siguruara nga kjo taksë do tëpërdoren vetëm me synimin për t´i dhënë fund mësimit me dy turne, përmes ndërtimit tëshkollave të reja dhe nëse do ketë hapësirë fiskale edhe për rikonstruksionin e shkollaveekzistuese. Të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë parashikohet të jenë 630 milionë lekë në vitin2016, 690 milionë lekë në vitin 2017 dhe 720 milionë lekë në vitin 2018”, thuhet në studimin e fizibilitetit të Bashkisë Tiranë më 2019-ën.

Të ardhurat e Bashkisë së Tiranës për t’i dhënë fund mësimit me dy turne, do të gjeneroshin nga Taksa e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore, e cila është vendosur në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiaknr. 59, datë 30.12.2015, “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore për qytetin e Tiranës”.

“Investimet e kryera shpesh herë janë vënë në dyshim për cilësinë apo koston e tyre. Qëllimi kryesor, të paktën për Bashkinë Tiranë, ka qenë shmangia e mësimit me dy turne. Kushtet e pandemisë nuk na mundësojnë ta shohim sa është realizuar ky kusht, megjithatë duke parë që dhe me dy turne kemi nga 20 nxënës në klasë na lind natyrisht dyshimi”, thekson ekspertja e pushtetit vendor Aida Cacaj për Portën Vendore, ndërsa të njëjtën gjë mendon edhe eksperti i ekonomisë Klodian Muço. “Qëllimi i kësaj takse të përkohshme kur u vendos ishte heqja njëherë e përgjithmonë e mësimit me dy turne. Por ndërkohë që tani jemi në prill 2021, pra kanë kaluar rreth pesë vite, vihet re se misioni nuk është përmbushur as pjesërisht”,përfundoi ai.