Vëzhgim/Analizë

Reklamat elektorale, 40 bashki nuk respektojnë Kodin Zgjedhor

22 prill 2021/ Julian Hoxhaj/ Porta Vendore

Mbi dy të tretat e bashkive nuk e kanë respektuar Kodin Zgjedhor për caktimin e vendeve ku mund të afishohen materialet propagandistike gjatë fushatës elektorale. Komisioni Qendror i Zgjedhjes ka urdhëruar bashkitë që vendimin ta publikojë secila bashki në faqen e saj zyrtare online, por nga një vëzhgim i Portës Vendore rezulton se 40 prej tyre nuk e kanë kryer një veprim të tillë, ndërsa vetëm 10 prej atyre që e kanë publikuar, e kanë bërë brenda afatit të përcaktuar.

Kryekomisioneri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, firmosi në datën 23 mars të këtij viti, udhëzimin Nr.6 me përmbajtje: Për përdorimin e materialeve propagandistike e edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore. Ky udhëzim hynte menjëherë në fuqi dhe u drejtohej kryesisht bashkive, si institucionet të cilat administrojnë territorin dhe kanë autoritetin për të përcaktuar vendet e afishishimit të vendosjes së materialeve propagandistike nga subjektet politike. Ky udhëzim, në Nenin 3 të tij, detyronte kryetarët e bashkive, në bazë të dispozitave të Kodit Zgjedhor, të caktonin në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, dhe jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, vendet publike në territorin e bashkive për afishimin e materialeve zgjedhore. “Kryetari i bashkisë, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, përcakton vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin e materialeve propagandistike nga subjektet zgjedhore. Materialet propagandistike zgjedhore lejohet të afishohen deri në një distancë prej 5 metrash nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor përkatës, jo më parë se tridhjetë ditë para datës së zgjedhjeve. Me mbarimin e fushatës zgjedhore, subjektet zgjedhore marrin masa për heqjen e të gjitha materialeve propagandistike”, thuhet në udhëzimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Udhëzimi përcaktonte gjithashtu edhe vendet të cilat nuk mund të përdoren për vendosjen e banderolave propagandistike të partive politike. “Të tilla janë fasadat e godinave të banimit, institucioneve publike apo ambienteve rrethuese pranë e rreth tyre, brenda zonave rekreative, parqeve, në pemët e qytetit dhe në shtyllat e ndriçimit, apo dhe në mjetet e transportit publik”,thuhet në pikën dy të këtij neni.

Nga ana tjetër, bashkitë udhëzoheshin që në përcaktimin e vendeve publike për afishimin e reklamave politike, duhet të caktonin vende apo mjedise që sigurojnë shikueshmëri publike, ku të gjitha partitë apo subjektet politike që marrin pjesë në zgjedhje, të kenë hapësirë të mjaftueshme që të paraqesin materialet propagandistike, programet e tyre zgjedhore etj. Në pikë 5 të këtij neni, “bashkitë duhet të marrin masa që vendet e caktuara për afishimin e banderolave propagandistike, duhet të jenë në mënyrë proporcionale duke shmangur dhënien e përparësisë për ndonjë subjekt zgjedhor”, thuhet ndër të tjera në udhëzimin e KQZ.

Udhëzimi i KQZ për bashkitë, dy ditë para hapjes zyrtare të fushatës

Udhëzimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve drejtuar bashkive për përcaktimin e vendeve ku subjektet zgjedhore do të afishonin banderolat propagandistike është i bazuar dhe në Kodin Zgjedhor. Konkretisht, në Nenin 79 të këtij kodi, për “Afishimin e materialeve propagandistike”, thuhet që në fillim se: “Jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, kryetari i bashkisë, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, përcakton vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin prej partive politike dhe subjekteve zgjedhore të materialeve propagandistike. Vendet e caktuara duhet të jenë në ambiente që sigurojnë shikueshmëri publike dhe të kenë hapësirë të mjaftueshme ku të gjitha subjektet zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhje të paraqesin programet e tyre zgjedhore dhe mesazhet zgjedhore. Vendimi i kryetarit të bashkisë bëhet publik në faqen e internetit të bashkisë menjëherë pas miratimit”,thuhet në pikën 1 të këtij ligji. Pra Bashkitë janë të detyruara nga Kodi Zgjedhor për respektimin e këtij afati, ndërkohë që një përcaktim të tillë e ka përforcuar dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Pra, nën këtë frymë, KQZ ka nxjerrë udhëzimin e sipërcituar ku orienton bashkitë për zbatimin e ligjit. Mirëpo, siç shihet duket se ka mungesë koherence në zbatimin e afateve ligjore nga vetë KQZ si fillim, për nxjerrjen e këtij udhëzimi. Ky i fundit është firmosur në datë 23 Mars, vetëm dy ditë përpara hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore, ose thënë ndryshe vetëm 32 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve. Më pas, duke marrë parasysh procedurat dhe dërgimin me postë, udhëzimi u është dërguar bashkive për zbatim në një kohë që këto institucione duhet të kishin nisur zbatimin më herët.

Bashkitë, në shkelje të ligjit

Ndërkohë, Porta Vendore vëzhgoi gjatë dy javëve të para të muajit prill të gjitha faqet e internetit të bashkive për të parë nëse këto institucione, në bazë të udhëzimeve dhe përcaktimeve ligjore, kanë përmbushur këtë detyrim të rëndësishëm për fushatën zgjedhore. Nga vëzhgimi rezultoi se vetëm 21 nga 61 bashki kishin publikuar vendimin e kryetarit të bashkisë për përcaktimin e vendeve ku partitë politike do të afishojnë banderolat propagandistike. 40 të tjera nuk e kanë të publikuar në faqen zyrtare në internet një udhëzim të tillë. Por, duke analizuar me hollësi publikimin e vendimeve, vihet re se dhe ato bashki që e kanë publikuar vendimin e kryetarit, janë në shkelje. Vetëm 10 nga 21 bashki që e kanë publikuar vendimin, e kanë bërë atë brenda afateve të përcaktuara. Konkretisht, Bashkia e Fierit, Kukësit, Sarandës, Mallakastrës, Kolonjës, Devollit, Roskovecit, Klos, Malësia e Madhe dhe Vau i Dejës e kanë publikuar vendimin në datën 25 mars, ose një muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Ndërkohë bashki si Konispoli (në 23 mars), Libohova (24 mars), Lezha (23 mars), e kanë publikuar udhëzimin përpara datës së hapjes zyrtare të fushatës, duke u bazuar te Kodi Zgjedhor, pa pritur udhëzimin e KQZ. Ndërkohë, disa prej bashkive që e kanë publikuar vendimin e kryetarit të bashkisë për caktimin e vendeve publike për afishimin e banderolave, e kanë bërë publikimin gjatë muajit prill ose në fund të muajit mars. Konkretisht bashki si Librazhdi, Prrenjasi, Gramshi, Belshi, Shijaku, Kruja, Bulqiza apo Hasi, e kanë publikuar njoftimin pas datës 25. Një tjetër veçori që vihet re tek këto bashki që e kanë publikuar njoftimin, është pozicioni i njoftimit në faqen zyrtare online. Disa nga bashkitë e kanë të fshehur tek nënkategori njoftimin, duke mos e bërë shumë vizual për qytetarët. Ndërkohë disa bashki e kanë të publikuar direkt në seksionin e njoftimeve dhe në ballinën e faqes së internetit, duke e bërë vizualisht të dukshme dhe lehtësisht të aksesueshme për të gjithë qytetarët dhe subjektet politike.

Bashkitë e mëdha në shkelje të ligjit?

Mes bashkive, të cilat nuk e kanë publikuar vendimin për caktimin e vendeve publike për afishimin e banderolave politike, janë dhe disa nga bashkitë e mëdha në vend. Mes tyre është bashkia e kryeqytetit, Tirana, Elbasani, Berati, Korça. Shkodra, Vlora, Durrës, Kurbin apo Gjirokastra. Këto bashki, kanë dhe përqendrimin më të madh të popullsisë, pasi janë bashki qendër qarku. Megjithatë, duket se në drejtim të publikimit të vendimit të kryetarit të bashkisë për caktimin e vendeve publike për afishimin e banderolave propagandistike ka një neglizhencë apo shkelje të ligjit. Sëpaku, në faqen zyrtare, këto bashki nuk e kanë publikuar një vendim të tillë. Ndërkohë, nga pikëpamja ligjore duket se janë tejkaluar të gjitha afatet për të përcaktuar vendet ku partitë politike të vendosin banderolat propagandistike. Tashmë fushata është në fundin e saj dhe nuk mbeten më ditë për zbatimin e kësaj dispozite të Kodit Zgjedhor, shumë të rëndësishme nga pikëpamja elektorale.

Ekspertët: Të respektohet Kodi Zgjedhor nga bashkitë

Lidhur me mosrespektimin e Kodit Zgjedhor nga pushteti vendor,ekspertët shprehen se KQZ duhet të veprojë. Instituti i Studimeve Politike ka evidentuar këtë shkelje nga shumë bashki duke publikuar kështu detyrimin ligjor, pra nenin 79 të Kodit Zgjedhor që detyron bashkitë për publikimin e vendeve publike ku do të afishohen materialet propagandistike.

Ndërsa zgjidhja sipas ISP-së mbetet që KQZ tu kërkojë bashkive kopje të vendimit, sipas nenit 79, dhe publikimin e vendeve përkatëse për postera dhe materiale zgjedhore. “KQZ të përdorë kompetencat e saj për të imponuar respektimin integral të Kodit Zgjedhor dhe barazi për çdo objekt dhe në të gjithë fushatën elektorale”, thuhet në një raportim të ISP lidhur me këtë situatë.

Në këtë fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2021 duket se edhe shoqëria civile po luan një rol të madh në edukimin e publikut për ushtrimin e votës.

Rigels Xhemollari, drejtues i Qëndresës Qytetare, thotë se ky udhëzim i KQZ për pushtetin vendor është më i hershëm, dhe daton që në vitin 2017 në Kodin Zgjedhor, ndaj duhet të kishte një respektim më masiv të tij nga ana e pushtetit vendor. “Detyrimi për të caktuar vendet e materialeve propagandistike është miratuar nëpërmjet një udhëzimi të KQZ në vitin 2017, vit në të cilin u zbatua me rigorozitet nga bashkitë dhe forcat politike, nën presionin edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë. Ky vit elektoral, ndoshta edhe për shkak të përkatësisë politike të 60 bashkive, i gjeti ato të papërgatitura ose të pa motivuara për të ndarë në mënyrë të barabartë hapësirat publike për forcat që garojnë në zgjedhjet e 25 Prillit duke shkelur udhëzimin e KQZ”, thotë Xhemollari.

Lidhur me këtë shkelje, 1 javë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të gjobisë me 10 mijë lekë, kryetarin e bashkisë së Vorës për mos publikim të njoftimit sipas Kodit Zgjedhor dhe Udhëzimit të KQZ në faqen zyrtare të bashkisë.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se pas administrimit të provave u vendos që kryebashkiaku i Vorës të dënohej me gjobën 10 mijë lekë.

“E konsideroj të mbyllur shqyrtimin e hetimit administrativ, dhe përsa është referuar në këtë shqyrtim dhe bazuar në provat e administruara, KQZ vendos sanksionin administrativ me gjobë ndaj zotit Gentian Picari, kryetari i Bashkisë Vorë në shumën e 10 mijë lekëve. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në KAS brenda 3 ditëve nga publikimi i këtij vendimi”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi,në një deklaratë për mediat më 14 prill 2021.

Këtë problematikë eka konstatuar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit ku nëpërmjet një raporti ka bërë të ditur se: “Në vendimin nr. 140 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, shqyrtohet ankesa ndaj Bashkisë Vorë në Qarkun e Tiranës, për shkelje të parashikuar në vendimin nr. 9, datë 24/12/2020 të Komisionit Rregullator, lidhur me mospasjen e faqes së internetit, me qëllim reflektimin e informacionit dhe vendimeve dhe zbatimin e nenit 79 të Kodit Zgjedhor. Nëpërmjet vendimit, Komisioneri udhëzon Kryetarin e Bashkisë Vorë që të marrë masat e menjëhershme për aksesimin e faqes së internetit. Mospërmbushja e detyrimeve passjell aplikimin e sanksioneve të parashikuara në nenin 173 të Kodit Zgjedhor. Nëpërmjet vëzhgimit të kryer nga KShH, vërehet se Bashkia Vorë vijon ende të mos ketë një faqe aktive interneti. Për sa më sipër, KShH i rekomandon KQZ-së të ndjekë në mënyrë sistematike, zbatimin e detyrimit të Kryetarëve të Bashkive për publikimin e vendimmarrjeve lidhur me vendet ku do afishohen materialet propagandistike, qoftë për rastin e Bashkisë Vorë për të cilën tashmë ka një vendimmarrje, qoftë për rastet e sinjalizuara në këtë raport”, thuhet në raport ndër të tjera.

Ndërkohë,më 18 dhe 19 prill 2021, KQZ iu drejtua me një letër dy partive kryesore, PS dhe PD, për heqjen e banderolave dhe të posterave nga godinat publike.

Dy shkresat e dërguara nga KQZ për PS dhe PD

Për drejtuesin e Qëndresës Qytetare duhej të ishte bërë më shumë nga ky institucion.“Këtë vit situata u rëndua akoma më shumë kur pamë se disa institucione publike përdorën fasadat e tyre për të reklamuar materialet propagandistike të partisë socialiste. Kjo është një hap prapa në këtë drejtim dhe KQZ, për mungesë kapacitetesh apo vullneti, deri tani nuk ka ndërmarrë masa administrative për subjektet që kanë shkelur udhëzimin”, tha ai.

Porta Vendore pyeti gjithashtu përfaqësues të KQZ lidhur me masat që priten të ndërmerren për këto bashki qe nuk kane publikuar vendet e materialeve propagandistike, por ky institucion u përgjigj shkurt nëpërmjet zëdhënëses Drilona Hoxhaj se: “Udhëzimi ynë e thotë që ata duhet t’i publikojnë në faqet zyrtare të bashkive. Kontrolloni faqet e bashkive ju lutem”, thotë ajo.

previous arrow
screenshot_faqja_zyr_AESOl
screenshot_faqja_zyr_bWi64
screenshot_faqja_zyr_cz1dg
screenshot_faqja_zyr_F45id
screenshot_faqja_zyr_gCyPJ
screenshot_faqja_zyr_kkfAO
screenshot_faqja_zyr_oARHp
screenshot_faqja_zyr_SdYqo
screenshot_faqja_zyr_sEMsc
screenshot_faqja_zyr_Uf356
screenshot_faqja_zyr_VX27d
screenshot_faqja_zyr_XfERt
next arrow