22 prill 2021/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet e 25 prillit analistët politikë, por edhe ekspertët e ekonomisë bëjnë analizën e fushatës zgjedhore dhe të premtimeve elektorale. Të ndarë në qëndrime e bindje politike në fusha të caktuara, ata bien dakord se në këtë fushatë ka premtime elektorale të përsëritura, të ricikluara nga zgjedhjet e kaluara, mungon një bilanc për 8 vite qeverisje, apo edhe për aksionet e opozitës, sikurse mungojnë programet e shkruara dhe një buxhet konkret për realizimin e objektivave qeverisëse. Porta Vendore sjell përmes këtij artikulli një përmbledhje të premtimeve elektorale të dy kampeve kryesore politike, sikurse sjell edhe opinionin e analistëve dhe ekspertëve, se çfarë risish solli kjo fushatë, cilat janë pikat e forta të programit të Ramës e të Bashës dhe sa të realizueshme janë objektivat e tyre. Përmbledhja më poshtë vjen si rrjedhoje e punës monitoruese të Portës vendore të premtimeve elektorale gjatë fushatës 1 mujore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, pasi nuk ekziston një program i shkruar e zeza në të bardhë nga asnjë prej dy kampeve politike marra në shqyrtim.
Programi i PS
Ndryshe nga fushata e vitit 2017 kur kryeministri Rama doli në ‘fushëbetejë’, pas një marrëveshje mesnatën e 17 majit me kryedemokratin Basha; një fushatë me pak premtime, por vetëm duke ironizuar e sulmuar ish-aleatin LSI dhe ku në qendër ishte thirrja më jepni ‘timonin’ që të qeveris i vetëm pa ndarë “tepsinë”; kjo fushatë për zgjedhjet e 25 prillit e sjell kryesocialistin me një “buqetë” premtimesh të mëdha.
Më kryesoret janë rindërtimi falas i shtëpive të shembura nga tërmeti, duke garantuar strehimin për mijëra familje, por edhe duke ndërtuar lagje të reja.
Vaksinimi masiv i popullatës një premtim që ka nisur të zbatohet ,dhe aktualisht numërohen mbi 332 mijë të vaksinuar, një proces që vijon ende.
Premtimet për ndërtimin e objekteve të mëdha infrastrukturore që flasin për një përpjekje të Ramës për të lënë gjurmë nëse fiton një mandat të tretë qeverisës, që t’i vërë “emrin” e tij ndërtimit të 3 aeroporteve të reja dhe 4 porteve. Në Kukës shkeli i pari në pistën e aeroportit të ri “Zayed – Flatrat e Veriut”, ku u ul avioni i parë më 18 prill, megjithëse ai do jetë vetëm për fluturime operacionale të paktën deri në 17 qershor, kur është premtuar të certifikohet si aeroport ndërkombëtar.
Porti i Madh i Durrësit është një tjetër vepër e premtuar dhe e prezantuar në 3D me plane fantastike që ngjasojnë me resortet me të bukura të botës, një investim rreth 2 miliard euro që do realizohet nga Sheiku i Dubait Muhammed El Alabbar, president i EMAAR Group.
Ndërtimi i dy aeroporteve në Vlorë e Sarandë dhe dy porteve turistike, të cilat Rama i cilëson si portat e qiellit dhe të detit, janë premtime që synojnë një zhvillim të madh të turizmit. Në çdo takim Rama premton se do ta kthejë Shqipërinë në kampione të Ballkanit, jo vetëm në turizëm, por edhe në agro-turizëm, ku produktet shqiptare do arrijnë shifrën e 1 miliard lekëve në eksporte.
Përmes ndërtimit të Skavicës dhe vënies në punë të HEC-it të Vlorës, Rama premton kthimin e Shqipërisë në kampione të prodhimit dhe eksportit të energjisë elektrike.
Ndërkohë që me ndërtimin e Rrugës së Arbrit, kryeministri shënon një premtim të mbajtur qysh nga të paktën 2 fushatat e tij të kaluara, por edhe të një premtimi të paraardhësit të tij Berisha shumë vite më parë.
5 mijë euro çdo emigranti që kthehet në atdhe dhe investon në rijetëzimin e bujtinave; 40 mijë lekë paga minimale; 0 TVSH për bizneset; naftë pa akcizë për fermerët; vijimin e aplikimit të taksës progresive; reformë në fushën e fiskalizimit; mësime falas të gjuhës së kodimit për të rinjtë; amnisti për paratë e emigrantëve si dhe vijimin e reformës në drejtësi, janë këto disa nga premtimet kryesore të Ramës në këtë fushatë.
Programi i PD
Ndërsa në programin elektoral të Partisë Demokratike, fokusi vendoset tek shëndetësia, arsimi, biznesi, ekonomia etj.
Programi ekonomik i PD-së ndahet në 16 pika: duke filluar nga hapja e 110 mijë vendeve pune, pagë minimale 36 mijë lekë, ulje e taksës mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh dhe ulje e sigurimeve shoqërore në vlerën 18%.
Ndërsa për biznesin, PD premton taksë 9% të fitimit mbi të gjitha bizneset me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja; totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme jo më i lartë se 0.5% e xhiros; anulimi i taksës prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin dhe ulje e çmimit të energjisë elektrike.
Një tjetër pikë e programit të PD lidhet me pensionistët, ku deklarohet rritja e pensioneve me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit.
Po ashtu në programin ekonomik të PD është premtuar mbulimi për shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj; tekste shkollore falas për të gjithë ciklin parauniversitar dhe pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për 5 vitet e para të jetës për çdo të porsalindur.
Një tjetër pikë e programit për tu veçuar është pagesa nga qeveria e 100% të interesave bankare për çdo kredi që do të marrin çiftet e reja për të blerë një apartament apo një banesë dhe 20 mijë çifte dhe familje të reja që do të kenë strehim përmes skemës së subvencionimit të interesave në mandatin e parë.
Në planin për shëndetësinë, PD vendos në qendër pacientin, madje ndërsa premton riorganizim të spitaleve publike, duke rritur menaxhimin dhe kujdesin për t’u shërbyer sa më mirë. Gjithashtu kjo forcë politike ka premtuar rritje në paga, përkatësisht 700 euro paga e infermierit dhe 1200 euro ajo e mjekëve si dhe hapjen e një fakulteti të ri mjekësor në Shqipëri.
Përsa i përket programit për arsimin, PD ka premtuar tekste shkollore të reja falas, për 350 mijë nxënës, rritje me 60% të pagave të mësuesve (700 Euro në muaj rrogë), bursë të plotë për çdo student që vjen nga familje me të ardhura nën 64 000 lekë. Gjysmë-bursa (50%) për studentët nga familje me të ardhura mbi 64 000 lekë. Rritje të pagave me 50%, duke ju garantuar pedagogëve paga prej 900 Eurosh në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 euro.
Programi i turizmit nga kjo forcë politike ndalet tek dyfishimi i punësimeve, si dhe prioritizimi i turizmit si një përparësi për qeverisjen e re.
Programi për bujqësinë ndalet tek subvencionimi drejtpërsëdrejti nga buxheti i shtetit, i 100 milionë Euro-ve në vit për fermerët shqiptarë dhe financimi i 50 milionë Euro-ve të tjera çdo vit për infrastrukturën bujqësore, krahas financimeve të Bashkimit Europian.
Programi për energjinë fokusohet tek ulja e faturës së energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.
“Ne do të lidhim gazsjellësin TAP me TEC-in e Vlorës, do të gazifikojmë zonat industriale dhe do të aplikojmë projektin e magjistralit Jon-Adriatik, duke siguruar një lidhje me magjistralin e gazit me Kosovën”, ka thënë lideri i opozitës.
Por jashtë fokusit duket se PD nuk ka lënë as rininë, ku ka premtuar zgjidhje të çështjes së papunësisë, ulje të emigrimit dhe rritje të cilësisë.
“Angazhohem se të gjithë studentët shqiptarë, 9 në 10 prej tyre që vinë nga familje me të ardhura nën 64.000 lekë të reja në muaj do të përfitojnë mbështetje të plotë përmes financimit 100% të tarifave për bachelor dhe master. Pjesa tjetër, që vinë me të ardhura mbi 64.000 lekë të reja në muaj do të përfitojnë përgjysmimin e këtyre tarifave universitare”, ka thënë gjatë prezantimit të programit për rininë z. Basha, teksa ka premtuar gjithashtu 5000 bursa të plota në vit që do t’u ofrohen të gjithë të rinjve të cilët kanë pamundësi ekonomike për të ndjekur studimet e larta si dhe për studentët, tha se do të kenë praktika të paguara prej 30 000 Lekë në muaj për 12 muaj për 10.000 më të mirët prej tyre çdo vit.
Por nuk mungon gjithashtu programi për biznesin, barazinë gjinore, pronat, energjinë, ujin e pijshëm e mirëqenien sociale ku ndër të tjera përmendet statusi i minatorit brenda 6 muajve të para të qeverisjes.
Premtimet e PS-PD në lupën e ekspertëve
Premtimet si nga mazhoranca, ashtu dhe opozita për katër vitet e ardhshme duket se janë të shumta, megjithëse qytetarët shpesh herë në media kanë dëgjuar kritikat për kundërshtarët më shumë se sa programet e dy kampeve kryesore politike që kërkojnë të marrin drejtimin për qeverinë e ardhshme. Por pyetjet kryesore që ngrihen mbi këto premtime janë dy: a janë të realizueshme këto premtime dhe sa të besueshme janë për votuesit shqiptarë. Ekspertët ekonomikë të medias shprehen se shumë nga këto premtime janë të përsëritura në vite si nga njëri kamp ashtu dhe tjetri, kur lind pyetja nëse janë të realizueshme, ndërsa shtrojnë tezat për problemet e secilës palë në këtë fushatë elektorale.
Erlis Çela, Doktor i Shkencave të komunikimit, drejtues i departamentit të gazetarisë në Universitetin Beder thotë se që të dy liderët kanë përsëritje premtimesh të vjetra. “Kryeministri Rama, është një prej politikanëve që e ka çuar në një nivel më të avancuar përsëritjen e premtimeve. Nëse do t’i riktheheshim fushatës elektorale të vitit 2013, ai premtoi një qeverisje të ndershme, taksim të ndershëm, dhënien fund të korrupsionit, mbështetje për fermerët duke ulur çmimin e naftës, 300 mijë vende pune, etj. Ndërkohë në fushatën elektorale të vitit 2017, ne kishim një tjetër panoramë, pasi zhvilloi një fushatë bazuar në një diskurs pa thelb. Ai u përqendrua vetëm tek ideja se i duhej pushteti i vetëm që t’i bënte si duhet gjërat, duke akuzuar kështu për mosarritjet, partnerin e tij në qeverisjen e mandatit të parë, LSI-në. Në nivel lokal premtimet përsëriten në mënyrë të dukshme. Për shembull, në zonën e Dibrës, z. Rama në tre fushata elektorale premton ndërtimin e Rrugës së Arbrit. E njëjta situatë është edhe me projekte të tjera si ai lumit të Vlorës, apo rruga Qukës-Qafë Plloçë”, shprehet Çela. Për Çelën, Rama duke qenë se ka qeverisur vendin për 8 vite, është futur në një fushatë pa bërë një bilanc qeverisës dhe në gjithë diskursin e tij, duket sikur e kërkon pushtetin për herë të parë.
Ai veçon si premtimet më të spikatura të Ramës rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti dhe projektin e madh të portit të Durrësit. Por e shikon si dobësi përqendrimin e fushatës te denigrimi i kundërshtarit politik. Shqetësuese për Çelën mbetet edhe fakti se kryeministri nuk e ka shpjeguar se cili do jetë burimi i të ardhurave për ndërtimin e projekteve të mëdha, ndërsa nuk harron të komentojë edhe PPP-të, që jo pak herë kanë qenë objekt debatesh. “Një pjesë e mirë e premtimeve lidhen me projekte që kanë kosto të mëdha për buxhetin e shtetit. Qeveria e z. Rama në këto tre vite ka zgjedhur që të ndjekë modelin e zhvillimit ekonomik të bazuar në kontratat e partneritetit publik privat, duke u përpjekur të çojë përpara projekte të rëndësishme me fonde të investitorëve privatë. Megjithatë në këto 8 vite është vënë re se roli i PPP-të ka krijuar shumë dyshime për korrupsion dhe ka rritur dukshëm borxhin publik. Në këto kushte kur vendi përballet me pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia e COVID-19 dhe pasojat e tërmetit shkatërrues të vitit 2019, duket gati e krejtësisht jo realiste që një sërë projektesh të premtuara të realizohen”, shprehet pesimist Çela.
Ndërsa për Bashën veçon si premtime të përsëritura “çështjen e legalizimeve, zgjidhjen e problematikës me pronën, integrimin e vendit në Bashkimin Europian, etj”.
Mungesën e burimit të financimit të projekteve që premton në fushatë, Erlis Çela e shikon edhe tek kryedemokrati Basha. Në fokus të programit të tij është ekonomia, taksa e sheshtë 9%, ndihmë për çiftet e sapomartuara etj, por që të gjitha këto pa një burim të ardhurash. “Kreu i opozitës ka premtuar të ndryshojë taksën progresive me një taksë të sheshtë 9%, duke e rikthyer me një nivel më të ulët taksës e sheshtë të aplikuar nga Qeveria Berisha. Në përgjithësi mund të them se premtimet z. Basha janë të përqendruara në çështje konkrete të ekonomisë dhe të shqetësimeve të tjera të shoqërisë. Megjithatë, edhe në rastin e opozitës vihet re mungesa e detajeve për burimet e financimit. Plani ekonomik është i pashoqëruar me një faturë të detajuar financiare, që tregon burimin e të ardhurave për projektet e mëdha dhe rritjen ekonomike të premtuar”, shprehet Çela. Megjithatë, ai beson se taksa e sheshtë 9% e cila është aplikuar më herët nga qeveria Berisha është një premtim i Bashës që mund të realizohet lehtësisht nëse ai fiton zgjedhjet, sikurse e vlerëson realist dhe premtimin për të hapur negociatat me BE në 100 ditët e para të qeverisjes. “Taksa e sheshtë është një projekt i realizuar edhe më parë. Për këtë arsye duket se është një nga premtimet që jep më shumë garanci për t’u realizuar. Po kështu edhe hapja e negociatave me Bashkimin Europian brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, duket një premtim realist nëse i referohemi stadit aktual se ku ndodhet marrëdhënia e Shqipërisë me BE-në. Ndërkohë, përsa i përket premtimeve të tjera për hapjen e vendeve të punës, mbështetjen e fermerëve me 100 milionë euro investime, heqjen e pagesës në rrugën e kombit, apo premtime të tjera për mbështetjen e çifteve të sapomartuara, etj., do të na duhet një program më i detajuar për të parë sa të realizueshme janë”, shprehet Çela. Ai shton se kostoja ekonomike e zbatimit të programit elektoral do të jetë një sfidë e vështirë e zotit Basha. “Mendoj se kostoja ekonomike e programit të opozitës është një çështje që ende kërkon përgjigje nga z. Basha dhe ekipi i tij. Në fillimet e shpalosjes së programit, u fol për një kosto që varionte nga 500 në 700 milionë euro, ndonëse ende nuk ka një përllogaritje të qartë të saj. Në këtë pikë mendoj se krahas kostove që kanë premtimet e opozitës, është më shumë rëndësi të tregohet si do t’i gjejë këto të ardhura qeveria e re. Në kushtet kur jemi në mes të një krizë globale të shkaktuar nga pandemia dhe kur situata e buxhetit, bashkë me nivelin alarmant të borxhit publik, gjetja e burimeve për të mbështetur një program kaq ambicioz mbetet një sfidë e vështirë”, shprehet Çela.
Në aktivistja e analistja Brizida Gjikondi shprehet “Nuk ka një platformë ekonomike, apo një analizë. Ka vetëm tituj bombastikë.”. Gjikondi ngre si shqetësim faktin se nuk ka ballafaqim mes të dy palëve, jo vetëm mes Bashës dhe Ramës por mes ekspertëve të të dy kampeve politike. “Program të shkruar jo vetëm që s’ka, por s’ka as ballafaqime mes palëve. Që t’i ulësh e të thuash, t’i mendon kështu për taksën e sheshtë, ndërsa ti kështu për progresiven. Cila është e mira dhe cila e keqja. Nuk ka ballafaqim dhe ç‘është e vërteta nuk na duhet më ballafaqimin mes Ramës e Bashës, na duhet mes ekspertëve të të dyja palëve. Por as kështu nuk ka. Dhe për mua kjo është fyerje ndaj votuesve”, thotë ajo.
Ndërsa eksperti i ekonomisë e pedagogu Klodian Muço thotë se vaksinimi e rindërtimi nuk mund të konsiderohen dy kuajt e “betejës” së Ramës, ashtu siç po vepron ai, pasi nuk mund të jenë premtime elektorale, sepse kushdo që do të jetë në postin e kryeministrit do t’i ketë prioritet. “Vaksinimi është një proces i realizueshëm. Por besoj se edhe këtë kushdo që të vijë në pushtet do ta realizojë se vaksinimi është një proces normal. Bota ka kuptuar se një virus si Covid-19 nuk luftohet i vetëm, por me të gjithë bashkë.”, thotë Muço, i cili thekson të njëjtën gjë edhe për rindërtimin, që aq më tepër e cilëson premtim të pambajtur të kryeministrit Rama. “Rindërtimi nuk është premtim për mandatin e tretë. Sepse nëse do marrim rindërtimin, Rama më 27 nëntor tha se do i rindërtojmë të gjitha brenda vitit. Tashmë ka kaluar 1 vit e gjysmë dhe qeveria parashikoi 28 miliard lekë për rindërtimin. Në buxhetin e 2021 janë parashikuar 34 miliard lekë dhe në 2022, që qeveria ka premtuar se do mbyllet rindërtimi, qeveria ka parashikuar 2.8 miliard. Kështu që rindërtimi nuk mund të konsiderohet premtim sepse ai tashmë është buxhetuar. Pra kushdo që merr pushtetin do ta realizojë se është i buxhetuar”, thotë ai.
Lidhur me premtimin e Ramës se do i japë 5 mijë euro çdo emigranti që kthehet në Shqipëri, Muço e sheh si të realizueshëm për qeverinë, por që nuk bën sens pasi nuk do ketë sipas tij emigrantë që do kthehen për kaq pak para që nuk mjaftojnë për të ngritur një biznes. Me dyshim shikon edhe premtimin e Ramës për ndërtimin e portit të ri të mallrave në Durrës. “Unë portin e shoh me skepticizëm, sepse Rama tha se nuk do dalë asnjë lek nga buxheti i shtetit për rindërtimin e portit të ri të mallrave të Durrësit. Sipas një raporti të Bankës Botërore po të rindërtosh portin e mallrave në Durrës kushton rreth 500 milionë euro. Në të tilla kushte nëse nga xhepat e qytetarëve shqiptarë nuk do dalë asnjë lek për ta ndërtuar, kush do ta ndërtojë?”, ngre pyetjen eksperti Muço.
“Edhe aeroportet që thotë, Shqipëria nuk ka nevojë për kaq shumë aeroporte. Sepse nuk ka logjikë ekonomike. Aeroportet bazohen në flukse pasagjerësh. Një aeroport duhet të ketë minimalisht 50 të punësuar. A do jetë rentabël? E them këtë, sepse të gjitha aeroportet që premton Rama nuk janë që do t’i ndërtojë privati, por janë aeroporte që shteti merr përsipër riskun, siç është i i Vlorës dhe privati bën ndërtimin. Pra, kushdo e bën këtë”, thotë Muço.
Sa i takon premtimeve të Bashës, eksperti i ekonomisë Klodian Muço veçon taksën 9%, për të cilën thotë se do të ketë impakt në rritjen e të ardhurave dhe do të tërheqë vëmendjen e investitorëve të huaj. “Më pëlqen premtimi për 9%, sepse në 2008 kur u implementua për herë të parë taksa e sheshtë, pati një rritje të bizneseve të regjistruara me gati 12%, pati dhe rritje të të ardhurave fiskale më 16%. Sigurisht që 2008 ka qenë një vit shumë i mirë për Shqipërinë, për sistemin fiskal sepse bëri bujë në atë periudhë. Kjo tërhoqi vëmendjen e investitorëve të huaj. Këtë e shikojë me pozitivitet”, thotë Muço, i cili analizon disa premtime ekonomike të Bashës. Ai e shikon të vështirë mbajtjen e premtimin për uljen e sigurimeve shoqërore, sepse do të rriste defiçitin në buxhetin e shtetit, ndërsa e shikon pozitivist premtimin për rritje me 5% të pensioneve. “Unë e shikoj me shumë skepticizëm këtë uljen e sigurimeve shoqërore vetëm nëse bëhet e shtrirë në kohë, jo në mënyrë drastike. Ndërsa rritja e pensioneve gjeneron rritjen e konsumit. Shtresa e pensionistëve konsiderohet shtresë e varfër, dhe një rritje me 5% e nënkupton se ti do rrisësh kostumin me 5%.”, thotë Muço.
Ai sheh me dyshim dy premtimet e tjera të Bashës sikurse është ulja e çmimit të naftës dhe të energjisë elektrike, por thotë se mund të realizohen me një politikë afatmesme dhe jo menjëherë. Ndërkohë veçon si pikë të fortë të programit të kryedemokratit premtimin për bonusin e bebeve dhe ndihmën me kredi për çiftet e reja. “Problemi i shoqërisë shqiptare sot është që po reduktohen lindjet dhe po plaket shoqëria me ritme të frikshme. Po kështu më pëlqen pjesa e kredive për çiftet e reja që edhe kjo ka në thelb familjen. Pse ikin të rinjtë? Ikin sepse Shqipëria nuk konsiderohet një vend i sigurt. Është e vështirë që pa një ndihmë të blejnë një shtëpi dhe të ngrenë një familje. Pra, kreditë e buta për çiftet e reja janë ndihmë. Janë këto praktikat e paguara për të sapodiplomuarit edhe kjo është pozitive. I stimulon këta të rinj që të qëndrojnë në vend të mos ikin në emigracion”, thotë Muço, i cili thekson se këto janë premtime të realizueshme. Me dyshim shikon premtimin e Bashës për të anuluar koncesionet korruptive, por sugjeron që për koncesionet të aplikohet një taksë luksi. Ai thotë se programi ekonomik i PD do të sjellë më shumë mirëqenie sesa i Ramës që është fokusuar tek investimet strategjike afatgjatë, që sipas tij nuk janë të gabuara, por impakti ekonomik nuk është i menjëhershëm por kërkon kohë.
Ndryshe mendon gazetari e analisti Ylli Pata. Për të investimet e mëdha në porte dhe aeroporte që premton Rama do të injektojnë para të mëdha dhe do të sjellin padyshim zhvillim ekonomik. “Për mendimin tim pikë e fortë e premtimit të Edi Ramës është logjika e investimeve të mëdha në infrastrukturë siç është porti turistik në Durrës, Vlorë e Sarandë e më pas zhvendosja e porteve industriale. Sikur vetëm këto të ndodhnin do të injektonin shumë para në ekonomi dhe për një kohë të gjatë, vendi nuk mund të kishte problem recensioni”, thekson Pata, i cili thotë se kjo fushatë e sjell ndryshe kryeministrin Rama, larg stilit të 2017 me “tenxhere e tepsi”.
“Në fakt 4 vite më parë Edi Rama nuk se ka pasur një shtrat premtimesh në kuptimin e vërtetë të fjalës. Rama bëri fushatë me fabulën e famshme të ‘tepsisë dhe timonit’. Këtë herë Rama ka diçka më konkrete, edhe si pasojë e fushatës që vjen në një kohë jo të zakontë për Shqipërinë pas tërmetit të 2019 ku dhjetëra mijëra vetë mbeten pa shtëpi apo Pandemisë së Covid-19. E gjithë bota ka ndryshuar me pandeminë, gjithçka, pra edhe prioritetet. E mbani mend se deri dy vite më parë shikohej hyrja në BE si shpëtimi i vendit. Sot jeta e njeriut është e para”, vëren Pata.
Sa i takon premtimeve të Bashës, analisti Ylli Pata thotë se ka riciklim të taksës së sheshtë të Berishës, e cila sipas tij është një mekanizëm i komplikuar i përdorur edhe në vendet e rajonit, por që duhej të ishte shpjeguar më mirë nga ekspertët e PD. “Premtimet e Bashës janë në një anë një riciklim i logjikës apo idesë ekonomike të PD-së, nga ana tjetër ka mjaft zëra të sjella rishtas. Basha ka njësoj si 4 vite më parë taksën e sheshtë, të cilën mendoj unë do të duhej ta kishte injektuar në debat të gjerë prej kohësh për të arritur një impakt dhe një diskutim më të gjerë. Kleçkat fiskale janë mjaft të komplikuara për t’i gjykuar vetëm për një muaj, ndryshe ata kthehen në parodi politike. Në Itali, Flat Tax u përdor nga Lega e Salvinit, por nuk u zbatua kurrë kur ky i fundit mori qeverinë me 5 Yjet. Ndaj dhe u kthye ne material për kabaretë humoristike të fundjavës në tv. Maqedonia e Gruevskit e përdori taksën e sheshtë, por kryesisht për një sërë biznesesh të mëdha, gjë që solli një rritje të parave të mbledhura nga taksat dhe shtimin e investimeve të huaja, kurse tek të ardhurat e qytetarëve përdorej një skemë krejt tjetër. Në SHBA, Gjermani, Francë etj, ka tjetër skemë, por gjithsesi është një debat akademik”, shpjegon Pata. Ndërsa sa i takon premtimeve të tjera të kryedemokratit, ai thotë se janë të paqarta dhe lënë hapësira për korrupsion. “Për shembull thotë se duhet t’u paguajmë çifteve të reja interesin e kredisë bankare për blerjen e shtëpisë. Është një sofizëm, por mendoj nuk mund të realizohet kurrë, pasi nëse qeveria do të kompensojë fitimin e bankave, përse nuk paguan dot një pjesë të kredisë dhe këtu mbyllet dhe çdo çift i ri do të lehtësohej goxha. Kleçka e pagesës nga shteti të fitimit të bankave është një histori që shumë vështirë se do të zgjidhet, madje do ta komplikonte çështjen duke krijuar struktura që do të kërkonin financime më shumë dhe do të ishin të prekshme ndaj korrupsionit”, thekson Pata, i cili vlerëson si pikë të fortë të programit të Bashës premtimin për t’i qëndruar larg drejtësisë së re (mos ndërhyrjes në autonominë institucionale të organeve të drejtësisë). “Të tjerat më duken përgjithësisht kontradiktore”, përfundon analisti.
Ndërsa sa i përket programeve së dy kampeve kryesore politike, Rigels Xhemollari drejtues i organizatës Qëndresa Qytetare, thotë për Portën Vendore se nga 9 premtime të bëra në 2017 nga qeveria Rama për rininë, 3 rezultojnë të pambajtura, 2 të mbajtura dhe 4 të mbajtura pjesërisht.
Ndërsa për Partinë Demokratike shprehet “Partia Demokratike ka publikuar një program online në të cilin rinia dhe arsimi trajtohet elektoralisht mirë, ka premtime për financime, bursa dhe mbështetje për biznese të reja apo punësim. Dy mungesat që kemi vënë re në këtë program janë se së pari mënyra se si do të arrihen premtimet, dhe e dyta mos përfshirja e elementëve që përmirësojnë cilësinë e arsimit si lufta ndaj korrupsionit, kontrolli i titujve akademikë dhe pastrim i sistemit nga plagjiatura”, thotë Xhemollari. Ai thotë se nuk ka evidentuar një program të publikuar nga kampi tjetër politik. “Partia Socialiste nuk ka publikuar një program të shkruar, pavarësisht se i kemi dërguar kërkesë për informacion nuk kemi asnjë përgjigje. Nga ajo që kemi parë dhe monitoruar nga rrjetet sociale të Kryeministrit vëmë re përsëritje premtimesh për rininë dhe arsimin si kthimi i shkollave në qendra komunitare apo heqja e mësimit me dy turne, por ajo që mungon kryesisht tek kjo parti është plani konkret dhe vizioni që ka për rininë në 4 vitet e ardhshme, në terma kohorë dhe financiarë”, thotë ai.