21 prill 2021/Mimoza Sinanaj/Porta Vendore/Ura Vajgurore
Të dëmtuara nga tërmeti 21 shtatorit, dy familje në Bashkinë Urës Vajgurore, sot Bashkia Dimal, bëjnë apel për ndihmë. Familja Kujtim Baho nga Malas-Gropë dhe familja Rreshat Totaj nga Poshnja, prej më shumë se tre vitesh jetojnë në kushte tepër të vështira. Banesat e tyre janë dëmtuar fillimisht nga tërmeti i vitit 2017, më pas nga tërmeti i shtatorit 2019 dhe ai i 26 nëntorit, i cili i bëri të pabanueshme. Banesa e Kujtim Bahos në fshatin Malas-Gropë është dëmtuar rëndë; muret kanë marrë krisje ndërsa çatia pothuajse e rrëzuar. Pas dëmtimeve nga tërmeti, Kujtimi i është drejtuar Bashkisë Ura Vajgurore dhe ka kërkuar ndihmë. Po kështu edhe familja Totaj, banesa e të cilit është e rrënuar nga tërmeti i nëntorit 2019, i cili ia rrëzoi duke kthyer banesën në një gërmadhë. Nga kjo bashki kanë shkuar një komision verifikimi, ku dhe kanë dalë në konkluzionin se banesat e të dyja familjeve janë të pabanueshme dhe u kanë thënë përkohësisht të jetojnë në çadër.
Familja Rreshat Totaj më shumë se tre vjet në çadër
Kryefamiljari Rreshat Totaj shprehet se që nga tërmeti i vitit 2017 dhe deri në ditët e sotme, familja e tij jeton në çadër, ndërsa kur bie shi futen në shtëpinë gërmadhë, duke rriskuar edhe jetën. “Unë kam gruan të sëmurë ndërsa një nga djemtë e kam me raport. Në këtë çadër jetojmë së bashku shtatë pjesëtarë të familjes. Na kanë premtuar për ndihmë, por unë kam që nga tërmeti vitit 2017 që pres për ndihmë. I pari ma dëmtoi banesën, dëmtoi muret dhe çatinë. Ndërsa tërmeti i nëntorit 2019 ma shkatërroi totalisht, duke e bërë banesën të pabanueshme. Ka qenë komisioni i emergjencave, i ngritur nga vetë bashkia që ka bërë vlerësimin, duke e nxjerrë të pabanueshme banesën. Në tërmetin e ndodhur në vitin 2017, ne na dhanë një çadër, por që ishte tepër e vogël dhe nuk të mbronte nga i ftohti dimrit dhe ishte tepër e vështirë që e gjithë familja të strehohej në të. Pas ankimeve që bëra në bashki, në vitin 2019, më sollën një çadër më të madhe, ndërsa më premtuan se problem im do të zgjidhej më në fund”, thotë i trishtuar ai, duke vijuar se: “Kam më shumë se tre vite që sorollatem dyerve të bashkisë, por marr të njëjtën përgjigje. E njohim situatën tuaj, do t’ju ndihmojmë, por nuk kemi të ardhura mjaftueshme për t’ju sistemuar. Ndërsa jemi në vitin 2021 familja ime jeton në çadër në kushte tepër të vështira, duke përballuar jo vetëm të ftohtin apo vapën e stinës së nxehtë, por edhe situatën e rëndë pandemike. Apeli ynë drejtuar institucioneve është; ju lutem na ndihmoni në zgjidhjen e këtij problem jetik”, shprehet Rreshat Totaj për Portën Vendore.

Familja e tij përbëhet prej 7 pjesëtarësh, ku më i vogli është 6 vjeç dhe më i madhi 67. Ndërsa duket se vuajtjet dhe mjerimi nuk paskan të sosur për familjen Totaj. “Unë kam dhe bashkëshorten të sëmurë që nuk arrin të lëvizë, ndërsa nuk mund të përballoj sëmundjen që ka në këtë çadër. Ndërsa djali i madh është me raport, pasi ka kaluar një sëmundje të rëndë ishemi dhe ka ngelur me pasoja , kurse fëmijët shpesh sëmuren pasi kushtet në çadër nuk mund të përballojnë të ftohtin e dimrit”, përfundon ai.
Një tjetër familje po në Bashkinë Dimal (Ura Vajgurore ) në fshatin Malas Gropë është ajo e Kujtim Bahos, i cili prej afro dy vite jeton në çadër.

Kujtimi shprehet se jetova një dimër në vitin 2020 me nënën e sëmurë, e cila pas ditëve dhe situatës pandemike ndërroi jetë. “Kam kaluar ditët e sëmundjeve dhe të zisë në këtë çadër siç edhe shikoni. Kam ngritur zërin në shumë instanca, madje deri në ministri, por përgjigja ka qenë tepër qesharake. Në vend që të më ndërtojnë një banesë, më sollën një çadër të re, pasi e para ishte shumë e vogël. Jemi në vitin 2021 dhe unë jetoj ende në çadër, në kushte tepër të vështira, ku pandemia apo stina e dimrit e vështirësuan edhe më tej”, shprehet Kujtimi teksa tregon se i është dashur të trokasë, duke ngritur zërin për tu ndihmuar në çdo institucion, por ka marrë përgjigje negative dhe vetëm premtime.

Në dyert e Bashkisë Dimal, dy kryefamiljarët shkojnë pothuajse çdo javë duke pritur me orë të tëra për të marrë kontakt me kryetaren e bashkisë, Juliana Mema, por siç edhe shprehen askush nuk ua hap derën, teksa gjithmonë përcillen me të njëjtat fjalë nga stafi. “Mundësia jonë e vetme është që të prisni, pasi jemi në tratativa për t’ju ndihmuar”, përgjigje që e marrin me shkrim nga sekretarja e bashkisë.
Bashkia Dimal i tha Portës Vendore se në listat e 2019 dhe 2020 nuk kanë qenë të përfshira këto dy familje.
“Është përpiluar një listë me 13 familje të cilat kanë banesa të dëmtuara nga dukuri të ndryshme natyrore ku përfshihen edhe dy familjet e dëmtuara nga tërmeti. I i gjithë dokumentacioni është depozituar në ministrin e ekonomisë dhe financave nga drejtoria strehimit . Jemi në pritje të përzgjedhjes nga ministria nëse fitojnë apo jo …dokumentacioni sipas termave të referencës është depozituar i gjithi me gjithë preventivat”, bën të ditur bashkia.

Sipas dy kryefamiljarëve Bashkia Dimal ende nuk ka dhënë asnjë ndihmë konkrete megjithëse në vitin 2021 ata ende jetojnë në çadra.