Ndodhi

Hyn në fuqi vendimi/ Pagesa e taksave vendore në Tiranë shtyhet deri më 20 maj

19 prill 2021/ Aurora Sulce/ Porta Vendore/ Tiranë

Hyn në fuqi vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës për shtyrjen e pagesave të taksave vendore deri në datë 20 maj 2021. Zyrtarisht është publikuar VKB Tiranë Nr.50 datë 6.4.2021, i cili parashikon dy masa lehtësuese për biznesin e prekur nga pandemia e COVID 19, dhe kryesisht për subjektet në sektorin e shërbimeve dhe turizmit, si dy nga degët e ekonomisë më të goditura nga emergjenca shëndetësore e koronavirusit.

Kështu, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur përjashtimin nga pagesa e detyrimit të tarifës së zënies së hapësirës publike për periudhën prill – shtator 2021, për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetin e bar, restauranteve dhe hoteleve të klasifikuara si biznes i vogël. Ndërkohë që pika e dytë është shtyrja e afatit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore për të gjitha subjektet, deri më 20 maj 2021. “Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar për zbatimin e këtij vendimi”, theksohet në shkresën zyrtare të Këhsillit Bashkiak të Tiranës, që ka marrë tashmë fuqi të plotë vepruese.

Këto masa lehtësuese për bizneset e kryeqytetit ishin paralajmëruar më herët nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj. Sipas tij, synohen të ndihmohen bizneset e shërbimeve dhe turizmit që të rimëkëmben pas goditjes nga pandemia, duke mos paguar detyrimet vendore gjatë periudhës së verës, kur është edhe fluksi më i madh i punës. Ndërsa bizneseve të tjera iu jepet kohë që të krijojnë të ardhura nga rifillimi i procesit të punës, dhe më pas të paguajnë taksat dhe tarifat vendore 

“Ne do të falim të gjitha tarifat vendore për hapësirën publike të të gjitha bizneseve të bareve, restoranteve, lokaleve, kafeneve që konsiderohen biznes i vogël për periudhën Prill-Shtator 2021. Pra, duam që edhe mbasi të mbarojë vaksinimi i popullsisë gjatë muajve të verës, të punohet pa i paguar tarifat bashkiake, që të kenë mundësi të rikuperojnë kohën që nuk u punua dhe nuk pati fluks në këto lokale dhe restorante. Për të gjithë të tjerët e kemi shtyrë afatin e pagesës së taksave dhe tarifave vendore deri në 20 Maj të vitit 2021. Pra, i kemi dhënë kohë edhe bizneseve të tjera që mos të nxitojnë. Mund ta bëjnë këtë gjatë muajit Maj”, theksoi Veliaj.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, në Bashkinë e Tiranës janë aktive 51.292 biznese, të cilat përfitojnë nga shtyrja e pagesës së taksave dhe tarifave vendore deri më 20 maj. Ndërsa njësi shërbimi, ku përfshihen aktivitetet e bar, restauranteve dhe hoteleve, të cilat do të përfitojnë nga falja e pagesës së detyrimit të tarifës së zënies së hapësirës publike, janë gjithsej në kryeqytet 18.272 subjekte.