Vëzhgim/Analizë

Hijet e privatizimit të varrezave të Durrësit, katërfishohet fondi i 2019-s

19 prill 2021/Bledi Gilaj/Porta Vendore/Durrës

Bashkia e Durrësit i është rikthyer projektit të para dy viteve për privatizimin e varrezave publike, me pretendime të ndryshme që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Hapja e kësaj procedure vetëm 3 muaj para zgjedhjeve, ka çuar Bashkinë Durrës në KQZ për shkelje të ligjit zgjedhor, kurse fatura që do të paguhet me taksat e qytetarëve është katërfishuar në krahasim me atë të miratuar 2 vite më parë.

Më 28 janar 2021, Bashkia Durrës njoftoi se në mbledhjen e këshillit bashkiak të asaj dite është dërguar për “Shqyrtim dhe miratim projektvendimi për miratimin e ndryshimit të VKB nr. 599, datë 11.03.2019 “Për miratimin e përdorimit të fondit vjetor prej 8.800.000 lekë për prokurimin e sipërmarrjes private të shërbimit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave publike të qytetit të Durrësit”.

Qytetarët e Durrësit janë njohur me këtë çështje vetëm pas vendimit të këshillit bashkiak. Për qytetarët që kanë të dashurit e tyre në varreza kur ky shërbim nuk ofrohet si duhet nga ana e shtetit, për sektorin privat do të jetë edhe më e vështirë. “Çfarë mund të presim nga privati? Këtu bashkia nuk po bën asgjë, privati do t’i lërë fare në harresë”, thotë Ymer Lika, banor i zonës së Spitallës në Durrës. I moshuari i trembet faktit se me privatizimin e shërbimit të varrezave, qytetarët duhet të paguajnë nesër më shumë dhe se shërbimet askush nuk mund t’i kontrollojë. “Privati mund të kërkojë nesër më shumë për hapjen e një varri dhe një shërbim. Vende të lira nuk ka dhe kur nuk i krijoi bashkia hapësirat e lira, si mund t’i krijojë privati. Edhe shërbimin e vetëm që kishte ngelur në qytet shtet, këta e privatizuan”, thotë i moshuari. Lika dhe të tjerë qytetarë që Porta Vendore kontaktoi pranë varrezave shprehen se lajmin për privatizimin e shërbimit e mësuan vetëm, pasi u bë realitet, madje nëpërmjet medias. “Jo nuk dinim gjë që do privatizohen, nga lajmet e kemi mësuar. Por, le të privatizojnë dhe varrezat se e ishte e vetmja gjë që kishte ngelur pa privatizuar në këtë qytet. Le të vënë dhe një tra në hyrje të varrezave që të paguajmë dhe për të shkruar tek ata që nuk jetojnë më”, thotë një tjetër banor në kushtet e anonimatit.

Hyrja në varrezat e qytetit të Durrësit.

Por, vendimi i vitit 2019 flet pikërisht për “Miratimin e fondit limit për sipërmarrjen private të shërbimit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave publike të qytetit të Durrësit me vlerë 8.8 milionë lekë në vit”, pra privatizimin e shërbimit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave.  Megjithatë, siç lexohet edhe në shkresën më poshtë, vendimi për dhënien e miratimit Bashkisë Durrës të zhvillojë procedurat e prokurimit publik për kalimin në sipërmarrje të shërbimeve publike të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave publike në qytetin e Durrësit është dhënë që në vitin 2014 nga këshilli bashkiak.

Në foto: Vendimi i Këshillit Bashkiak datë 11.03.2019

Duke u nisur nga ky vendim, ajo që vihet re është fakti se në vitin 2019, Bashkia Durrës ka bërë tentativën e radhës të privatizojë varrezat publike, por ky projekt u pezullua, pasi në procedurën e hapur në atë kohë nga bashkia, nuk u ofrua asnjë konkurrent. Dy vite më vonë, Bashkia Durrës e ka rikthyer në vëmendje për arsye që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, duke shënuar kështu dhe të parën bashki në rang vendi që e ka marrë këtë vendim, lidhur me privatizimin e një shërbimi të tillë.

Varrezat e qytetit të Durrësit të cilat janë në proces privatizimi.

Komunalja dhe kryebashkiakja, argumente të ndryshme

Drejtoria e Shërbimeve Funerale ka deklaruar se ky shërbim po i kalohet privatit për shkak të rritjes së numrit të të vdekurve gjatë pandemisë dhe pamundësisë për të përballuar varrimet nga sektori, i cili ka një numër të kufizuar punonjësish.

Struktura e organikës së këtij sektori është miratuar që në vitin 2010 kur u hapën varrezat e reja. Duke qenë se vitin e fundit, Durrësi dhe Shqipëria është prekur nga pandemia, mesatarja e varrimeve ka qenë 2-3 varrime në ditë, ndërsa në vitin 2020 ka shkuar 10-11 varrime në ditë, gjë që ka qenë e papërballueshme nga ana e punonjësve të sektorit të varrezave”, ka deklaruar nëndrejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale (NSHK) Durrës, Soren Dedja. Sipas tij, kalimi  vetëm i sektorit të varrezave në sipërmarrje, nga ana e kontraktuesit privat do të ketë një kërkesë llogaridhënie më të madhe dhe një shërbim më të mirë. “Tarifa nuk do të ndryshojë, por do të jetë 24 mijë lekë për shërbimin e varrimit, siç ka qenë gjithmonë. Po ashtu nga ky privatizim nuk do të dalë asnjë punëtor pa punë”, shtoi Dedja, duke vënë theksin se numri aktual i punonjësve nuk i përballon varrimet, dhe nëse procedura e privatizimit dështon, atëherë do i kërkojë bashkisë rritjen e numrit të punonjësve të sektorit të varrezave.

Por, Kryetarja e Bashkisë Durrës ka dhënë një tjetër argument, ndryshme nga sa ka deklaruar Drejtoria e Shërbimeve Komunale në Durrës. Kryebashkiakja e Durrësit thotë se një masë e tillë erdhi pas ankesave të shumta të qytetarëve.

Shërbimi që ne ofrojmë, sigurisht ka të metat e veta dhe ka nevojë për përmirësime, dhe duke e nisur dhe nga ankesat e vazhdueshme të qytetarëve për shërbim publik, kemi gjykuar se mund të jetë një zgjidhje shumë e mirë që po i njëjti shërbim të kryhet nga operatorë të jashtëm të bashkisë. Ajo që dua të theksoj është që pagesa që kanë për të bërë qytetarët e Durrësit do të jetë po e njëjta pas viteve 1991 që ndërmarrjet kanë marrë një rol publik”, tha Sako në një prononcim për mediat, ndërsa shtoi se investimet do të bëhen nga Bashkia Durrës dhe jo nga privati, ku sivjet është parashikuar një fond prej 20 milionë lekësh të reja për të shtruar rrugën brenda varrezave dhe për të ndërtuar një strehëz, ku të kryhen shërbimet funerale.

Por, Porta Vendore nuk u mjaftua vetëm me këto dy deklarata mediatike, duke verifikuar më tej mbi këtë nismë të Bashkisë Durrës për privatizimin e varrezave publike. Nga verifikimi i kryer, rezulton se gjatë vitit 2019, numri i të vdekurve në Durrës ka qenë 1006 persona, ndërsa në vitin 2020, numri i të vdekurve ka shkuar në 1261 persona. E thënë ndryshe, NSHK është përballur mesatarisht me 2.7 varrime në ditë gjatë vitit 2019 dhe me 3.4 varrime në ditë gjatë vitit 2020. Pra vihet re qartë se mesatarisht nuk janë shërbyer 10-11 varrime në ditë, por 3 herë më pak.

Privatizimi, katërfishohet fondi i vitit 2019

Por, historia e privatizimit të varrezave të Durrësit nuk përfundon këtu. Porta Vendore kërkoi me insistim Vendimin e Këshillit Bashkiak të Durrësit, të marrë më 28 janar 2021, i cili ndryshonte vendimin e marsit të 2019-s. Fillimisht për këtë iu drejtuam Bashkisë Durrës, e cila nuk dha detaje mbi vendimin, por deklaroi se stafi i komunales është i vogël dhe i pamjaftueshëm për të përballuar procesin. “Nuk është koncension, është privatizim për dy varrezat publike të Durrësit. Është hapur procedura, tani presim fituesin, i cili do të ketë një kontratë 1 vjeçare të rinovueshme. Gjendja e tyre është e amortizuar, ndaj privatit do t’i duhet edhe të ndërhyjë më pastrime dhe rregullime, si dhe rrethimin e varrezës së dytë të qytetit. Fituesi nuk është i përcaktuar ashtu sikurse është artikuluar, por ne jemi në pritje të përfundimit të procesit. Ka qenë në fakt një ide para tërmetit të nëntorit 2019 për tu kryer një privatizim i tillë pasi stafi i komunales është shumë i pakët në numër dhe i pamjaftueshëm për të administruar të gjithë këtë proces. E rëndësishme për qytetarët është dhe mbetet fakti që çmimi nuk do të ndryshojë”, thanë burime zyrtare nga Bashkia Durrës lidhur me këtë çështje.

Kurse, Prefekti i Qarkut të Durrësit, Roland Nasto, i pyetur nga Porta Vendore në lidhje me vendimin e këshillit bashkiak tha se: “E kam njohur vendimin e këshillit bashkiak, brenda afateve që parashikon ligji për Institucionin e Prefektit të Qarkut. E kam miratuar sepse e njoh problemin e shërbimit të varrezave publike në qytet. E njoh nga situata që kam parë vetë në terren. E njoh nga ankesa që më ka sjellë drejtoria përkatëse. Në varrezat e reja të qytetit të Durrësit, vendet për hapjen e varreve të reja mungojnë, ky problem duhet të gjejë zgjidhje të menjëhershme, ndaj i hapa rrugën procesit të ofrimit të shërbimit tek privati, ashtu siç miratoi këshilli”, tha ai.

Porta Vendore u përpoq gjithashtu të kishte një përgjigje zyrtare nga Kryetari i Këshillit Bashkiak Ani Dyrmishi, por pasi patëm një bisedë telefonike, zoti Dyrmishi kërkoi që pyetjet t’i bëheshin në rrugë zyrtare, konkretisht me email, por nga data 29 mars e deri më sot, ai nuk i është përgjigjur kërkesës për prononcim të Portës Vendore lidhur me këtë situatë.

Megjithatë, Porta Vendore arriti të gjejë vendimin e Këshillit Bashkiak datë 28 janar 2021, ku vihet re se fondi i vitit 2019 do të katërfishohet. Konkretisht, në vendimin nr. 7, ndër të tjera deklarohet: “Këshilli Bashkiak vendosi “Ndryshimin e VKB nr. 599, datë 11.03.2019 “Për miratimin e përdorimit të fondit vjetor prej 8.800.000 lekë për prokurimin e sipërmarrjes private të shërbimit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave publike të qytetit të Durrësit” dhe akordimin e këtij fondi në vlerën 37.6 milionë lekë sipas buxhetit të miratuar dhe në funksion të kalimit të shërbimit funeral dhe mirëmbajtjes me operator ekonomik”.

Në Foto VKB nr. 7 datë 29.01.2021

Po ashtu, në VKB deklarohet se ky fond do të jetë për tre vite 2021-2023. Vlen për t’u theksuar se NSHK-ja kishte në dispozicion vetëm 8.8 milionë lekë për këtë shërbim, ndërsa për privatizimin, ky fond është katërfishuar.

Privatizimi i varrezave dhe Kodi Zgjedhor

Një tjetër fakt që vihet re nga ky proces i ndërmarrë nga Bashkia Durrës ka të bëjë me Kodin Zgjedhor. Dega e Partisë Demokratike në Durrës ka depozituar më 2 shkurt 2021, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kallëzim për Bashkinë Durrës, pasi sipas kësaj force politike është shkelur Neni 91, pika 4 e Kodit Zgjedhor, në të cilin deklarohet se “ndalohet ‘propozimi’ dhe/ose miratimi’ i çdo akti ligjor ose nënligjor, që mund të shërbejë si mjet për dhënien e një pasurie publike”. Sipas degës së PD Durrës, “një shërbim i cili kryhej nga Bashkia e Durrësit, vendoset t’i kalohet privatit, në një periudhë kohore të ndaluar nga Kodi Zgjedhor. Ky kallëzim mësohet se është marrë në shqyrtim nga Komisioni Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili më 2 prill 2021 ka vendosur të pushojë hetimet, duke argumentuar se vendimi për privatizimin është marrë që në vitin 2014, dhe ky vendim nuk përfshin vënie në dispozicion të aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme të pronës publike.

Sa i takon faktit nëse kjo veprimtari është apo jo në shkelje të nenit 1.3 shkronja “c”, të vendimit 9/2020 të Komisionit Rregullator, sipas provave të administruara, rezulton se shërbimi funeral i kaluar në sipërmarrje private, nuk përfshin vënie në dispozicion të aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme të parashikuara në nenin 142, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Kalimi në sipërmarrje private të shërbimeve publike të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave publike te qytetit të Durrësit, është bërë që në vitin 2014 me vendimin nr 199, por ashtu sikurse dhe vetë në përgjigjen e saj, zj Sako pohon, edhe pse ishte në rregullim dhe vijimësi të një procedure të nisur në 2014-tën, marrja e vendimit objekt denoncimi, ishte e nevojshme pasi nuk u ndryshua vetëm vlera e fondit të vënë në dispozicion për kalimin në sektor privat të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave publike, por u shtua dhe shërbimi funeral për kalim në sipërmarrje private. Në këto kushte Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk mund të vazhdojë shqyrtimin administrativ për kallëzimin e kryer nga Partia Demokratike pasi në përfundim të hetimit administrativ rezulton se, veprimtaria e Këshillit Bashkiak Durrës, nuk përmban fakte dhe rrethana që përfshihen në fushën e zbatimit të ndalimeve të përcaktuara në vendimin nr. 9/2020, të Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në vendimin e publikuar në faqen e KQZ.

Ky vendim i ka hapur rrugë procedurës për privatizimin e varrezave publike të Durrësit, të cilat ndahen në varreza të vjetra dhe të reja. Varreza e reja përfshijnë një sipërfaqe prej 160 mijë metra katrorë, ndërsa të vjetrat 210 metra katrorë, duke bërë në total 370 mijë metra katrorë.