Vëzhgim/Analizë

Transparenca e bashkive në nivel të ulët, Raporti i IDM: Si paraqiten 12 bashkitë kryesore

17 prill 2021/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore

Tre vite pas miratimit të Programit të Transparencës, një detyrim për 61 bashkitë e vendit, shumë bashki ende mbeten problematike për llogaridhënien ndaj qytetarëve, pasi nuk e zbatojnë këtë program. Niveli më i ulët nga bashkitë, sa i përket transparencës, mbetet ai për pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje, që shënon nivelin 31% të transparencës, ndërsa problematike mbetet dhe transparenca për fushën e shërbimeve. Të dhënat janë bërë publike nga një studim i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), mbi transparencën dhe llogaridhënien në nivel vendor, ku janë monitoruar 12 bashkitë kryesore të vendit.

Në praktikat më të mira të qeverisjes vendore, transparenca konsiderohet si baza e qeverisjes së mirë dhe komuniteteve të forta. Transparenca e institucioneve vendore lufton korrupsionin, rrit besimin e qytetarëve si dhe forcon integritetin e lidershipit vendor.

IDM ka monitoruar 12 bashkitë kryesore (qendra qarqesh) në vend për Programin e Transparencës (PT), një detyrim për pushtetin vendor që në vitin 2018, kur Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka miratuar një model të tij. Programi i Transparencës, i cili duhet të publikohet nga çdo institucion, sipas ligjit “Për të drejtën e informimit” u garanton qytetarëve akses te dokumentet zyrtare dhe parashikon që institucionet shtetërore të vënë në dispozicion informacionin pa kërkuar motivet. 61 bashkitë e vendit kanë detyrimin ligjor ta zbatojnë atë, dhe të jenë pro-aktivë në informimin e qytetarëve dhe aktorëve të tjerë në lidhje me veprimtarinë e tyre. Madje, ato kanë detyrim që Programi i Transparencës të publikohet në faqen e tyre të internetit.

Raporti për transparencën

raportin e realizuar nga IDM, nga 12 bashkitë e monitoruara në total, dy prej tyre, konkretisht Bashkia Gjirokastër dhe Bashkia Berat nuk kanë të publikuar në faqen e tyre në internet Programin e Transparencës. Në raport theksohet se pavarësisht progresit të bërë deri tani, procesi i monitorimit të transparencës, i kryer në 12 bashkitë e vendit, tregon se ka akoma nevojë për punë që Programi i Transparencës të jetë funksional dhe i plotësuar me informacion. “Edhe pse 10 nga 12 bashki e monitoruara janë të pajisura me Programin e Transparencës dhe të gjitha kanë faqe uebi, nëse këto nuk janë të plotësuara me informacione, nuk mund t’i shërbejnë në mënyrë efektive publikut”, shkruhet në raport. Dy bashkitë që nuk kishin publikuar një Program Transparence, Bashkitë Berat dhe Gjirokastër, u monitoruan vetëm për informacionet e publikuara në faqet e tyre në internet.

Nga monitorimi i dokumentacionit të publikuar në Programin e Transparencës në 10 bashki të vendit rezultoi që një bashki i përket kategorisë “Transparencë e ulët” (Kukës), një prej tyre i përket kategorisë “Transparencë pjesërisht e ulët” (Vlorë), katër prej tyre i përkasin kategorisë “Transparencë mesatare” (Dibër, Lezhë, Tiranë, Elbasan), tre bashki i përkasin kategorisë “Transparencë pjesërisht e lartë” (Durrës, Korçë, Fier) dhe vetëm një bashki i përket kategorisë “Transparencë e lartë” (Shkodër). Bashkia me numrin më të lartë të pikëve është Bashkia Shkodër, ndërsa ajo me numrin më të ulët të pikëve është Bashkia Kukës”, shpjegohet në raport.

Përqindja e transparencës sipas 12 bashkive të monitoruara

Përveç mënyrës së paraqitjes, edhe mënyra e organizimit të Programit të Transparencës ndryshon nga një bashki në tjetrën. P.sh., në Bashkinë e Korçës gjenden të mirë organizuara të gjithë rubrikat dhe nënrubrikat e Programit të Transparencës, ndërkohë që ka bashki që e kanë vendosur Programin e Transparencës PT si nënrubrikë në rubrika të tjera me emra të ndryshëm. Për shembull në rastin e bashkive Elbasan dhe Fier, PT gjendet nën rubrikën “Shërbimet”, në bashkitë Kukës dhe Tiranë gjendet nën një rubrikë që quhet “Zëri yt” dhe në Bashkinë Durrës, PT gjendet në një rubrikë që quhet “Qyteti dhe qytetarët”. Mungesa e një modeli të unifikuar e vështirëson gjetjen e informacionit për qytetarët që nuk mund të orientohen shumë mirë në faqet ueb. Problematikë tjetër është që një pjesë e rubrikave për informacion ekzistojnë vetëm si tituj dhe rezultojnë pa informacion kur klikohen, p.sh në Bashkinë Kukës.

Transparenca, më e vogël te informacionet thelbësore

Nga monitorimi, konstatohet që përgjithësisht bashkitë kanë publikuar në mënyrë të plotë, si në formë ashtu edhe në përmbajtje, ato kategori informacioni që konsiderohen më “të lehta” dhe informative për publikun. Për rrjedhojë, fushat ku informacioni është përgjithësisht teorik dhe jo sensitiv, janë edhe fushat ku bashkitë kanë performuar më mirë në krahasim me të tjerat, si p.sh ajo e informacionit në lidhje më kërkesat për informim që është fusha me transparencën më të lartë (76.96%, transparencë pjesërisht e lartë).

Po ashtu edhe fusha e informacionit mbi organizimin dhe funksionimin e bashkisë paraqitet me transparencë pjesërisht të lartë, konkretisht 64.06%. Megjithëse me transparencë pjesërisht të lartë, fusha e organizimit dhe funksionimit paraqiste mangësi në disa tregues, si kalendari dhe njoftimet për mbledhjet e Këshillit Bashkiak apo rendi i ditës.

Ndërsa në fushën e kërkesave për informim, treguesit më problematikë ishin ata të informacionit të kërkuar më parë, dhe atij të kërkuar më shpesh. Struktura organizative dhe numri i punonjësve, si dhe të dhënat e koordinatorit për të drejtën e informimit, janë ndër treguesit me performancën më pozitive në këto dy fusha.

Renditja e performancës mesatare në secilën fushë në % nga më transparentja tek më pak transparentja

Fusha ku bashkitë janë treguar më pak transparente është ajo pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje, me transparencë pjesërisht të ulët, 32.03%. Kjo fushë mungon plotësisht në PT e dy bashkive, asaj të Kukësit dhe Dibrës. Në këtë fushë mungojnë të dhëna për nismat vendimmarrëse, procedurën e marrjes dhe shqyrtimit tё komenteve dhe rekomandimeve, dhe raporti vjetor për transparencës e bashkisë. Ndër treguesit më të plotë në këtë fushë janë informacioni për koordinatorin për njoftimin e konsultimin publik si dhe për subjektet për ankimimin lidhur me procesin e këshillimit me publikun.

Pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje

Fusha “Pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje” është marrë në monitorim në 9 nënfusha me 32 tregues. Pavarësisht rëndësisë së informacionit që ka kjo fushë, pasi ndihmon qytetarët të njohin procedurat dhe mjetet e disponueshme për të ndikuar në vendimmarrjen e qeverisjes vendore, rezulton se bashkitë kanë performuar më dobët se në të gjitha fushat e tjera.

Numrin më të madh të pikëve në këtë fushë e ka Bashkia Shkodër, ndërkohë që të gjithë bashkitë e tjera qëndrojnë në nivel mesatar dhe më poshtë. Edhe pse kjo fushë është me 32 tregues, bashkitë e Kukësit dhe Dibrës nuk kanë plotësuar asnjërin prej tyre. “Për disa bashki kjo ka qenë fusha me numrin më të ulët të pikëve, duke përforcuar kështu shqetësimin e përgjithshëm për dobësitë në zbatimin e ligjit për konsultimin publik”, shkruhet në raport. Disa bashki kanë “investuar” më shumë në publikimin e kontakteve, si në rastin e koordinatorit, se sa në publikimin e informacionit cilësor. Për shembull, Bashkia Tiranë, edhe pse nuk kanë dhënë informacion për procedurat e ankimimit lidhur me procesin e këshillimit me publikun, është mjaftuar me vënien në dispozicion të adresës postare/elektronike të koordinatorit për depozitimin e këtyre ankimeve.

Si në fusha të tjera, edhe këtu ka raste që informacioni është publikuar jashtë Programit të Transparencës (Fieri, Korça) ose vetëm në Facebook (Fieri). Për më tepër, në Bashkinë e Fierit disa informacione të kësaj fushe gjenden në faqen e buxhetit, gjë që merr më shumë kohë për kërkim. Nga ana tjetër, në Bashkinë e Lezhës janë konstatuar dokumente apo lidhje me informacion të hershëm në kohë (mbi 10 viteve më parë), ndërsa në Bashkinë Tiranë gjendej një kalendar për nismat vendimmarrëse i pa përditësuar që nga viti 2016”, thuhet në raportin e IDM.

Transparenca për shërbimet, në nivel mesatar

Një tjetër fushë e rëndësishme për transparencën e bashkive mbeten shërbimet. Sipas raportit të IDM, transparenca në këtë fushë mbetet në nivel mesatar  me 53.33%. “Në këtë fushë është për t’u vlerësuar Bashkia Durrës, e cila ka arritur pikët maksimale, ndërsa në PT e Bashkisë Vlorë kjo fushë mungon plotësisht. Është pozitive që treguesi i procedurave për të bërë ankesa apo vërejtje në lidhje me shërbimet është publikuar siç duhet në pjesën dërrmuese të bashkive, ndërkohë që problematik paraqitet informacioni për subjektet që përjashtohen nga tarifat dhe oraret e punës së strukturave/njësive/sporteleve që ofrojnë shërbime administrative”, deklarohet në raport.

Fusha e shërbimeve të bashkisë është monitoruar në 3 nënfusha me 15 tregues, dhe është ndër më të rëndësishmet për qytetarët, sepse ndryshe nga thuajse çdo fushë tjetër, është më e prekshme për ta, pasi ndikon në aspekte të përditshmërisë si transporti, furnizimi me ujë, arsimi, pastrimi i qytetit, shërbimet sociale, dokumente/vërtetime të ndryshme që lëshohen nga bashkia etj. “Pavarësisht rëndësisë së madhe që paraqet fusha e shërbimeve për qytetarët, shumica e bashkive kanë performuar pjesërisht dobët. Konkretisht, Bashkia Vlorë nuk ka marrë asnjë pikë, ndërsa bashkitë Kukës dhe Elbasan kanë shënuar një numër shumë të ulët pikësh. Në këtë fushë ka performuar më mirë Bashkia Durrës, pasuar nga ajo e Dibrës dhe Korçës. Niveli mesatar i transparencës për të 10 bashkitë e monitoruara është 53.3% ose transparencë mesatare. Kjo është fusha e pestë më transparente nga 7 fusha për bashkitë e monitoruara”.

Edhe kategoria e informacionit tjetër kategorizohet me transparencë pjesërisht të ulët (38%). Në këtë fushë, informacioni në lidhje veprimtarinë e shoqërisë civile dhe strukturat komunitare është publikuar në nivel të ulët. Kjo mund të shërbejë edhe si tregues për nivelin e bashkëpunimit apo promovimit të veprimtarisë së organizatave të shoqërisë civile në nivel vendor. Në këto fusha ka bashki me numër minimal pikësh (Kukës, Tiranë, Durrës, Elbasan), si dhe bashki që nuk kanë plotësuar asnjë tregues (Korça).

Fusha e transparencës ekonomiko-financiare, pavarësisht mangësive, është fusha e dytë me performancën më të mirë, me transparencë mesatare 65%, e cila klasifikohet si pjesërisht e lartë. Në këtë fushë është pozitiv fakti që buxheti vjetor, së bashku me dokumentacionin, është publikuar në mënyrë të plotë në të gjithë bashkitë. Megjithatë, një pjesë e mirë e informacionit të kësaj fushe që konsiderohet me natyrë më sensitive, siç është ai i lidhur me monitorimin dhe auditimin e buxhetit, prokurimet publike, donacionet, informacioni për asetet dhe pronat e ofruara për shitje, ose dhënie me qira mungojnë për një pjesë të konsiderueshme të bashkive. Në këtë fushë, transparencën më të ulët e kanë bashkitë Vlorë dhe Kukës.

Pavarësisht se nga bashkitë është publikuar informacioni me natyrë teorike dhe jo sensitive në përgjithësi, kjo nuk vlen për fushën e legjislacionit dhe akteve të brendshme rregullatore, e cila edhe pse nuk paraqet natyrë sensitive apo vështirësi në publikimin e informacionit, ka pasur mangësi të mëdha në një pjesë të mirë të bashkive. Transparenca në këtë fushë është e kategorisë mesatare, 55.83%. Në këtë fushë, problematikë ishin sidomos treguesit e dokumenteve politike vendore dhe vendimet, urdhëresat dhe urdhrat e kryetarit të bashkisë me karakter normativ. Për t’u vlerësuar janë bashkia Shkodër dhe Elbasan që kanë arritur pikët maksimale, ndërkohë që në PT e Bashkisë Kukës, fusha e legjislacionit mungonte plotësisht.

Për përmirësimin e situatës në lidhje me fushat që janë gjendur me mangësi informacioni, IDM ka dhënë një sërë rekomandimesh për bashkitë, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe për organizatat e shoqërisë civile.