15 prill 2021/Aurora Sulce/Porta Vendore
Për të ardhurat që qytetarët shqiptarë sigurojnë nëpërmjet pagës, taksohen sot, si nga qeveria qëndrore për taksat kombëtare, ashtu edhe nga pushteti vendor, për taksat dhe tarifat lokale. Në kulmin e debatit politik të ditës për sistem taksimi progresiv (oferta e PS) apo të sheshtë (oferta e PD), natyrshëm lind pyetja: sa i paguajmë bashkitë për shërbimet që marrim?
Qendra studimore e taksave, Altax ka realizuar një studim lidhur me barrën fiskale të individit, i cili është në marëdhënie punësimi dhe që përfshin: tatimin mbi të ardhurat nga paga, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe taksat dhe tarifat vendore. Studimi ka marrë si bazë vitin 2020, si vit i fundit dhe i plotë buxhetor.
Dokumenti ka evidentuar se nisur nga një nivel më i lartë taksash vendore midis Tiranës dhe bashkive të tjera të vendit, shikohet dukshëm se banori i Tiranës ka një barrë fiskale më të lartë, duke filluar nga 14.5% për pagat e ulëta deri në 0.6% për pagat e larta. Ndërkohë pagat e mesme në Tiranë kanë një barrë fiskale prej 2% më të lartë se qytetarët në bashkitë e tjera të vendit.
Kështu, barra fiskale e një qytetari në bashkitë e vendit (përllogaritja është bërë mbi bazën e mesatares së të gjitha bashkive) për vitin 2020 është si më poshtë:
Për pagën 26 mijë lekë në muaj (niveli i pagës minimale në vitin 2020), barra fiskale është 15.8% e të ardhurës vjetore, ku taksat dhe tarifat vendore kanë një ndikim prej 1%.
Për pagën 100 mijë lekë në muaj, barra fiskale është 25.7% e të ardhurës vjetore, ku taksat dhe tarifat vendore kanë një ndikim prej 0.3%;
Për pagën 250 mijë lekë në muaj, barra fiskale është 28.5% e të ardhurës vjetore, ku taksat dhe tarifat vendore kanë një ndikim prej 0.1%.
Për pagën 500 mijë lekë në muaj, barra fiskale është 30.6% e të ardhurës vjetore, ku taksat dhe tarifat vendore kanë një ndikim prej 0.06%.
Ndërsa, barra fiskale e një qytetari në Tiranë është si më poshtë:
Për pagën 26 mijë lekë në muaj barra fiskale është 18.1% e të ardhurës vjetore, ku taksat dhe tarifat vendore kanë një ndikim prej 2.9%.
Për pagën 100 mijë lekë në muaj barra fiskale është 26.4% e të ardhurës vjetore, ku taksat dhe tarifat vendore kanë një ndikim prej 0.9%.
Për pagën 250 mijë lekë në muaj barra fiskale është 28.8% e të ardhurës vjetore, ku taksat dhe tarifat vendore kanë një ndikim prej 0.4%.
Për pagën 500 mijë lekë në muaj barra fiskale është 30.8% e të ardhurës vjetore, ku taksat dhe tarifat vendore kanë një ndikim prej 0.1%.
Të dhënat e mësipërme tregojnë qartazi se sa më e lartë të jetë e ardhura nga paga, aq më pak ka ndikim taksa vendore tek ajo.
Debati për modelin e taksimit vendor
Përballë një situate të tillë, ku taksat dhe tarifat vendore rëndojnë më shumë tek ata që fitojnë më pak, pasi niveli i tyre është fiks, mes ekspertëve të ekonomisë është hapur debati lidhur me modelin e taksimit që duhet të zbatojë pushteti vendor në Shqipëri. Kujtojmë që qytetarët shqiptarë paguajnë për pushtetin vendor tarifa si ajo e pastrimit, tarifa e ndriçimit publik, tarifa e gjelbërimit, tarifa e furnizimit me ujë dhe kanalizime, tarifa e parkimit (jo në të gjitha bashkitë), taksa e arsimit (vetëm 4 bashki të Qarkut Tiranë), si dhe taksa vendore si ajo e pasurive të patundshme (ku përfshihet taksa mbi banesën, mbi truallin dhe tokën bujqësore), taksa e transferimit të të drejtave të pronësisë dhe taksa e shërbimit hotelier.
Eduart Gjokutaj, drejtues i qendrës studimore Altax (hartues i studimit të mësipërm) hedh idenë e zbatimit të progresivitetit edhe në taksimin vendor, siç është aktualisht tek taksat kombëtare.
“Nevojitet një dialog i ri përsa lidhet me progresivitetin, që duhet të kenë taksat dhe tarifat vendore. Individi me pagë të lartë nuk mund të paguajë të njëjtin nivel me individin që ka të ardhura më të ulta. Po kështu, kjo logjikë taksimi duhet të aplikohet sipas standartit të të ardhurave të familjeve. Familjet me të ardhura të larta duhet të paguajnë më shumë taksa dhe tarifa vendore se ato me të ardhura të ulta, për të arritur në një shpërndarje të drejtë të barrës fiskale në raport me të ardhurat e përfituara”, argumenton Gjokutaj për Porta Vendore.
Por Merita Toska, eksperte për financat publike vendore kundërshton sistemin progresiv tek taksat vendore. Sipas saj, taksat dhe tarifat vendore nuk aplikohen si Tatimi mbi të Ardhurat Personale dhe Sigurimet Shoqerore dhe Shëndetësore, dhe baza e taksueshme nuk është paga.
“Tarifat vendore kanë parimin e mbulimit të kostos së shërbimit, dhe lehtësitë aplikohen për shtresat në nevojë. Aktualisht, ne jemi në prani të një dështimi shumë të madh të taksimit progresiv në Shqipëri, që tregon se për nivelin e zhvillimit të vendit, për nivelin e lartë të korrupsionit dhe informalitetit që e karakterizon, për aftësitë e kufizuara të administratës publike (në kahun programues dhe zbatues), kjo lloj politike është totalisht e pavend. Mendoj që kjo ‘gjuetia e shtrigave’ e atyre që fitojnë më shumë, të taksohen më shumë, duhet të marrë fund një herë e mirë. Ai që punon patjetër që do të paguhet, por e ardhura e krijuar në vend që incentivohet, po luftohet nga të gjitha drejtimet. Sot që flasim, si rrjedhojë e këtij taksimi progresiv, e ardhura nga paga – e ardhur bazike, thelbësore, taksohet më shumë se fitimi i biznesit dhe dividendi”, shprehet Toska për Porta Vendore.
Ekspertja Merita Toska shpjegon se barra e taksave nuk duhet të bjerë mbi ata që punojnë më shumë dhe janë shtresa e mesme, të cilët janë edhe taksapaguesit më të rregullt, si në nivel qëndror, ashtu edhe vendor.
“Ne kemi një shtresë të mesme të popullsisë shumë të kufizuar, as 10% e popullsisë, që falë arsimimit, formimit dhe punës arrin të marrë një pagë dinjitoze. Kjo kategori është formale, paguan rregullisht detyrimet, si në nivel qendror ashtu dhe në nivel vendor (aktualisht të larta). Praktikisht, minimalisht secili prej tyre paguan për 10 të tjerë që nuk paguajnë. Duam ta zhdukim këtë fashë të popullsisë? Kush frikësohet prej saj? Ndaj, në vleresimin tim si kërkuese, studiuese dhe ekonomiste, taksimi progresiv vendor është një dështim i sigurtë me kosto shumë të mëdha”, deklaron Toska.
Rezerva për zbatimin e një modeli progresiv tek taksat dhe tarifat vendore ka edhe Agron Haxhimali, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive. Sipas tij, mund të përdoren koeficentë të ndryshëm në bashki të ndryshme për të përcaktuar barrën fiskale që duhet të paguajnë qytetarët për pushtetin lokal.
“Personalisht mendoj se një taksim i sheshtë në përgjithësi është metodë e mirë që siguron bazë të gjerë taksapaguesish, jo deformin dhe fshehje të të ardhurave. Progresiviteti te taksat vendore mund të krijojë paqartësi. Por përdorimin i koficentëve të ekujvalantimi është një zgjidhje për t’u riparë e konsideruar në raport me zhvillimin ekonomik e social të bashkisë dhe vendit”, shprehet Haxhimali për Porta Vendore.
Pro zbatimit të një politike të re taksimi është edhe Adelina Farrici, drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Autonominë Vendore. Por sipas saj, pavarësisht modeleve, e rëndësishme është ruajtja e autonomisë së pushtetit vendor.
“Qeverisja lokale i referohet Ligjit të taksave kombëtare për taksat vendore, ndërsa tarifat janë totalisht vendimarrje lokale, që i referohet kostos së shërbimit. Në rastin kur taksat dhe tarifat zbatohen me përjashtime për kategori të caktuara taksapaguesisht, por edhe me zbatime të ndryshme të legjislacionit, lind nevoja e krijimit të një standardi dhe rregulli kombëtar. Aktualisht, në shumicën e bashkive, qeverisja lokale krijon lehtësira fiskale, duke bërë dhe përjashtime për shtresa në nevojë nëpërmjet vendimeve të Këshillit Bashkiak, si familje që trajtohen me ndihmë ekonomike ose dhe individë me aftësi ndryshe. Në qeverisjen lokale, një sistem ku nuk do të kishte përjashtime tatimore, është i pazbatueshëm, pasi kjo varet nga të ardhurat e familjeve dhe individëve. Mendoj se ka ardhur koha të hedhim idenë e një politike të re taksimi në nivel lokal, por gjithmonë duhet të kemi në vëmendje të mos biem ndesh me ligjin 139 /2015 ‘Për Vetëqeverisjen Vendore’, duke mos cënuar parimin e Autonomisë Lokale”, shprehet Farrici për Porta Vendore.
Modeli i taksimit është vendosur në qendër të debatit mes partive politike në këtë fushatë elektorale. Por fokusi është tek taksat kombëtare, që i paguhen administratës qendrore. Socialistët, që janë në kërkim të një mandati të tretë qeverisës, i qëndrojnë taksës progresive, duke bërë disa ndërhyrje të reja në sistem, ndërsa demokratët ofrojnë si alternativë taksën e sheshtë 9%.
Vlen të theksohet se taksimi është filozofi, dhe pavarësisht llojit të modelit, ajo që është e rëndësishme është që të sigurohen të ardhura të mjaftueshme dhe qytetarët të nxiten të paguajnë, duke ulur kështu informalitetin dhe duke ndarë barrën tek të gjithë. Kjo sot nuk ndodh, as në nivel qendror dhe as në nivel vendor. Ndaj përtej politikës, ajo që duhet, është një model taksimi që t’i shërbejë ekonomisë!