Ngjarje/Personazhe

Karburant i ri në mes të Tiranës, banorët: Ndihemi në rrezik, askush s’na shpjegon gjë

14 prill 2021/Porta Vendore/Tiranë

Ndërtimi i një pike të re të tregtimit të karburanteve, vetëm pak metra larg një karburanti tjetër, ka alarmuar banorët pranë Qendrës Spitalore Nënë Tereza në Tiranë, ku prej disa javësh kanë nisur punimet për ngritjen e godinës. Banorët kanë tentuar të ndalojnë punonjësit, pasi u kanë bllokuar hyrjen e pallatit, por përfaqësuesit e kompanisë kanë paraqitur lejen e marrë nga Bashkia e Tiranës, e cila ka heshtur përballë këtij fenomeni të shfaqur vetëm pak javë para zgjedhjeve qendrore.

Në rrugën Bardhyl, pranë rrugës që të çon për në spitalin e fëmijëve, banorët e një pallati kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me ndryshimet dhe investimet e reja që po kryhen pranë pallatit numër 12, ku ata jetojnë prej më shumë se 40 vitesh. Karburanti i ri që po ndërtohet pa miratimin e banorëve por me bekimin e pronarit të tokës e lejes së siguruar në bashki ndodhet vetëm 5 metra pranë pallatit të banuar në të djathtën e tij, ndërsa nga ana mbrapa dhe majtas e investimit rrethohet me shtëpi përdhese. Ai do të jetë në rrugën kryesore ndërsa po në këtë zonë të banuar rreth 20 metra më tutje ndodhet edhe një tjetër karburant.

Disa ditë më parë, ata krejt rastësisht morën vesh nga fadromat dhe punëtorët që u gjenden në anë të pallatit, se aty po nisnin punimet për një investim të ri. Lagjes tanimë do t’i shtohet një karburant. Një prej këtyre banorëve u ankua dhe pranë Portës Vendore.

 “Kur erdhëm nga puna para 1 jave e morëm vesh. Thjesht pamë punëtorët që kishin vendosur tabelat, dhe kishin sjellë një matrapik të madh që të bënin ndërhyrjet në asfalt. Shkuan 3-4 burra nga pallati për t’i ndaluar punëtorët. Nuk bëhet karburant aty ngjitur me pallatin dhe shtëpitë private. Unë kam mbesën, kemi fëmijë të vegjël, duan të lëvizin. Po sikur të shpërthejë ndonjë gaz, ndonjë gjë? Duke qenë edhe karburanti tjetër 20 metra më poshtë”, tregon Bihania, banore e lagjes, e revoltuar duke thënë se: “S’di ç bëhet këtu më tani? Si të bësh karburant këtu është të ikësh nga shtëpia. Po era e keqe njëherë. S’na ka njoftuar asnjë njeri. As pronari i tokës, i cili ka kaq vite që ka ikur nga këtu, nuk na ka njoftuar”, vijon Bihania për Portën Vendore.

Të revoltuar ata duket se kanë bërë përpjekjet e tyre për të parandaluar këtë situatë, por ndjehen të pashpresë për ndryshimin e saj. “Kemi leje nga bashkia na kanë thënë punëtorët e kompanisë. Këtu janë të gjithë pleq te pallati im, s’ka kush të dalë tjetër. S’dimë ku të shkojmë që të ankohemi. Këtu shumica kanë frikë nuk flasin”, përfundon ajo.

Pallati nr.12 në rrugë Bardhyl, ku ngjitur me të do të ndërtohet edhe karburanti.

Ndërsa një tjetër banore e këtij pallati, e cila banonte në katin e dytë, i tha Portës Vendore se ajo nuk dinte asgjë për këtë projekt të kompanisë e bashkisë. E shqetësuar ajo u shpreh: “Burri im punon tek karburanti që është disa metra me tutje, në anë të rrugës këtu. Nuk ka aq shumë lëvizje e punë kjo lagje sa për tu dyndur karburantet, s’e kuptoj këtë lloj investimi, pse pikërisht në pallatin tonë, ngjitur me ne të ndërtohet një karburant i tillë, me duket pa sens. S’e di ku duhet të ankohemi, s’di gjë fare me thënë të drejtën”, u shpreh ajo.

Porta Vendore u interesua pranë vendit të punimeve, ku rezultoi se ato po kryheshin nga kompania e karburanteve Bolv Oil. Përgjegjësi i punimeve nga kompania Bolv-Oil, i cili nuk pranoi të identifikohet me emër , tha se ata disponojnë të gjithë dokumentacionin dhe lejen nga bashkia që të ndërmarrin këtë sipërmarrje. “Rruga gjatë punimeve do të qëndrojë e mbyllur për efekte sigurie dhe banorët mund të përdorin rrugë tjetër për hyrje e dalje brenda pallatit. Ndërsa me të mbaruar punimet atëherë edhe kjo rrugicë që ndan karburantin me pallatit do të jetë e disponueshme për banorët”, tha shkurtimisht ai.

Puna ka nisur prej disa kohësh nga punëtorët e kompanisë Bolv-Oil.

Nisur nga ky fakt, Porta Vendore dërgoi një kërkesë për informacion lidhur me këtë problematikë edhe në Bashkinë Tiranë, por deri në publikim të këtij shkrimi, nuk ka asnjë përgjigje nga ky institucion i pushtetit vendor. Ndërkohë nga verifikimi i procedurave dhe kushteve për dhënien e licencës, dhe për ndërtimin e një karburanti, rezulton se kur objekti nuk është në autostradë, licenca jepet nga bashkitë përkatëse. Kjo është përcaktuar në një vendim të qeverisë të vitit 2015, pikërisht në pikën 2 të tij, ku deklarohet se dhënia e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, për tregtimin me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet e vajrave lubrifikante dhe të njësive të lëndëve djegëse për përdorim nga konsumatorët fundorë, bëhet nga organet e qeverisjes vendore.

Porta Vendore verifikoi dhe ligjet e tjera që lidhen me stacionet e karburantit, për të kuptuar nëse lejohet ndërtimi i një karburanti në një lagje të banuar apo pranë një karburanti tjetër, siç ndodh rëndom në Shqipëri. Megjithatë, as në këtë vendim të qeverisë, por as në ligjin “për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre” dhe as në urdhrin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për “procedurat e lëshimit të vërtetimit teknik për subjektet që kryejnë aktivitet në fushën e përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të tyre” nuk është përcaktuar asgjë për distancën që një stacion karburanti duhet të ketë nga një stacion tjetër apo nga qendrat e banueshme. Të vetmet kritere që vlerësohen gjatë ndërtimit të një stacioni karburanti, janë ato të vendosura për marrjen e licencës sipas vendimit të qeverisë në vitin 2015.