12 prill 2021/Elvis Hila/Porta Vendore/Kurbin
Ekskavatorët kanë nisur të gërmojnë në sheshin dhe bulevardin e qytetit të Laçit, të cilët u ri-konstruktuan 4 vite më parë në kuadër të projekteve të rilindjes urbane. Investimi, i cili ka kushtuar 1.2 milionë euro po shkatërrohet nga zbatimi i projektit për ujësjellësin e ri të qytetit dhe kanalizimet nëntokësore.
Banorët e Laçit thonë se shkatërrimi i një investimi për një tjetër investim tregon mungesën e vizionit të bashkisë dhe qeverisë.
“Ka pak kohë që është bërë, sot matrapiku po e prish. Nuk më duket aspak normale një gjë e tillë. Kur bëhet një projekt duhet mos ta prishësh më për 100 vjet. Po këtu janë mësuar kështu t’i hapin rrugët çdo vit. Kjo tregon mungesë vizioni të pushtetit vendor e qendror të cilët nuk mendojnë aspak për popullin, por vetëm për veten e tyre”, thotë Alfred Siziu banor i Laçit.
Banorët shprehen se punimet nëntokësore duhet të ishin bërë në të njëjtën kohë me projektin e rilindjes urbane.
“Përpara 4 vitesh nuk e dinin këta që do duheshin tubacione për ujësjellës dhe kanalizime. Ky projekt duhet të ishte bërë me kohë, jo prish-ndreq. Ka shkuar 2 fish i shpenzimeve. Duhet të kishin bërë më parë punimet nëntokësore e pastaj të kishin vijuar me projektin e rilindjes Urbane. Fasadë për të marrë vota, ku ishin këto punime për 8 vjet që po i bëjnë sot. E kanë shkatërruar Laçin nga të gjitha anët vetëm e vetëm për të marrë vota”, thotë Gjet Lala banor i Laçit.
Ndërsa aktivisti i Shoqërisë Civile në Kurbin, Elton Laska akuzon pushtetin vendor e qendror për afera korruptive.
“Sheshi dhe bulevardi i ri i Laçit janë bërë 4 vite më parë në kuadër të projekteve të rilindjes urbane dhe janë trumbetuar si super arritje. Tani kanë nisur të prishin sërish investimin që ka kushtuar miliona euro. Nuk e kuptoj pse po bëhet diçka e tillë. Duhen të ishte punuar me plan, jo rregullo e prish, pasi këto janë lekët tona që po shkojnë kot. E gjithë çfarë po bëhet është një masakër dhe një hajdutëri babëzie e paparë. Organet e drejtësisë duhet të vihen menjëherë në lëvizje sepse unë mendoj se kjo është një afër e pastër korruptive”, thotë Elton Laska aktivist i Shoqërisë Civile
Inxhinieria Rodona Bundo thotë se zbatimi i projekti të rilindjes urbane në Laç nxori në pah shumë probleme, pasi ndërhyrja u bë pa një studim urbanistik të zonës.
“Procedura që ndiqet për realizimin e projekteve të rilindjes urbane është një procedurë standarde e projekteve urbane, pavarësisht prapashtesës rilindje që këta i bëjnë. Qyteti i Laçit ka pasur një projekt të mirë të qendrës së qytetit, po ashtu dhe të sistemit të furnizim-kullimit, por që nuk u realizua. Me ndërhyrjen që u bë me projektin e rilindjes urbane të para katër viteve, dolën në pah shumë probleme. Nuk mund të kesh Rilindje Urbane duke paraqitur një “Shesh të bukur”. Qyteti i Laçit ka patur një rrjet ujësjellës – kanalizimesh totalisht të amortizuar, me rrezikshmëri të lartë për shëndetin e qytetarëve. Situata e përmbytjeve mbas ndërtimit të sheshit u rëndua edhe më shumë. Kur ti harton një projekt të tillë supozohet të jetë afatgjatë. Bëhen studime të thelluara gjeologjike, gjeo-teknike, gjithashtu studiohet urbanistika, rrjetet rrugore, sistemi i ujësjellës kanalizimeve. Po duke qene se projektet në Shqipëri hartohen dhe zbatohen sa për foto neglizhohen shumë kushtet teknike që pastaj sjellin këto pasoja”, thotë Bundo për Portën Vendore.
“Projekti i sheshit të Laçit është një projekt me mungesa të theksuar imagjinate, stili, arkitekture. Shpenzimi 1.2 milion € është i tepërt për të realizuar atë lloj projekti. Fakti që ai sot po shkatërrohet ende pa zënë vend mirë është tregues i qartë, këtu punët bëhen pa plan dhe pa studim dhe se keqpërdoren taksat tona. Patjetër që ai shesh do t’i kthehet gjendjes së mëparshme (uroj që edhe më mirë) ama kostoja e kësaj do rëndojë në xhepat e qytetarëve”, shton Bundo.
Në Bashkinë e Kurbinit bëjnë me dije se pas përfundimit të ujësjellësit të ri, të gjitha akset rrugore, përfshirë dhe bulevardin e sheshin do të kthehen në gjendje të mëparshme, pasi sipas bashkisë gjithçka është e përcaktuar në kontratën e firmës që po kryen këto investime. Rikualifikimi Urban i qendrës së qytetit të Laçit ka kushtuar 1.212.571 euro dhe është financuar nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, nëpërmjet programit të financimit të infrastrukturës vendore dhe rajonale. Në këtë projekt u përfshi rikualifikimi i sheshit qendror dhe bulevardit kryesor të qytetit, teksa investimi nisi në vitin 2016-të dhe përfundoi në vitin 2017-të.
Ujësjellësi i ri i Laçit financohet totalisht nga buxheti i shtetit, pra nga Qeveria Shqiptare dhe është një projekt që arrin shifrën e 500 milionë lekëve. Në tërësinë e tij projekti konsiston në rehabilitimin tërësor të rrjetit të jashtëm, pothuajse 7 kilometra të ujësjellësit të Laçit, ndërtimin e dy depove të reja, rehabilitimin e depos ekzistuese, rehabilitimin e dy puseve ekzistuese, ndërtimin e një pusi të ri si dhe ndërtimin e pothuajse 70 kilometrave rrjet të brendshëm. Ky investim do të garantojë furnizim 24 orë ujë të pijshëm dhe me cilësi në zonën urbane të Laçit me 30 mijë banorë dhe do të bëjë të mundur eliminimin e humbjeve dhe ndotjeve të ujit në rrjet, pajisjen e të gjithë abonentëve me matësa si dhe do të reduktojë ndjeshëm kostot e energjisë elektrik duke ndikuar drejtpërdrejt në performancën financiare të UK Kurbin.