9 prill 2021/E.Gjerani/Porta Vendore/Tiranë
Porta Vendore ka kryer një sërë artikujsh për vështirësinë që po has transporti urban, i cili u hap ndër shërbimet e fundit pas mbarimit të karantinës, me protokolle të qarta e të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përsa i përket kapacitetit dhe mënyrës së të funksionuarit. Por duket se linja të ndryshme kanë probleme, ashtu sikurse raportojnë edhe vetë qytetarët në rubrikën Raporto të Portës Vendore.
Një prej qytetarëve ka denoncuar pikërisht një nga këto linja, Tiranë-Fier, duke treguar me detaje dhe shkeljet e kryera.
“Në linjën ndërurbane të autobusëve Tiranë-Fier nuk zbatohet asnjë pikë e rregullores së Covid-19. Orari 11:00 ditë e mërkurë, 25 Shkurt 2021. Nisja u bë nga Terminali i Ri Fundor (Provizor) në Tiranë me destinacion Fierin. Të dhënat e shoferit i kam të pamundur t’i gjej. Nga 40-50% i kapacitetit mbushës transportues të miratuar nga Qeveria, shoferët nuk e zbatojnë, por e mbushin autobusin në kapacitetin 100%. Nuk ia kemi kujt për borxh të sëmurim prindërit dhe gjyshërit tanë”, thotë Kristi për Portën Vendore.
Pas kësaj ankese të qytetarit referuar Portës Vendore, menjëherë nisi vëzhgimi. Në terminalin pranë kthesës së Kamzës, autobusët presin në radhë. Situata duket e vakët përsa i përket pasagjerëve, ndërsa shoferët tregojnë se ka persona që nuk respektojnë distancimin fizik dhe mbajtjen e maskës gjatë udhëtimit.
“Është problem, pasi duket se qytetarët janë lodhur nga pandemia, dhe ka ndër ato pasagjerë që janë të pakujdesshëm, nuk janë të pajisur me maskë e nuk respektojnë distancimin social. Ne vetë si shoferë i tërheqim vëmendje por kaq kemi për detyrë. Ne vetë i respektojmë rregullat, nuk mbushim jashtë kapacitetit”, tha një shofer i linjës Tiranë-Durrës dhe anasjelltas, për Portën Vendore.

I pyetur nga Porta Vendore mbi këtë situatë, Dashnor Memaj, kryetar i Shoqatës Urbane dhe Interurbane Veri, thotë se gjatë kësaj periudhe nuk ka shanse që të kemi një mbushje të mjeteve as në 50% e tyre, jo më të tejmbushen. “Ne jemi në një situatë alarmante dhe drejt falimentimit, pasi nuk ka pasagjerë. Dasmat e vdekjet nuk bëhet, universitetet janë mbyllur. Mbi 60% e subjekteve tona po mbyllen. Jemi në pritje që kjo situatë të ndryshojë, pasi kështu nuk ja dilet dot më”, tha ai.
Ndërsa situatën e vështirë e konfirmon gjithashtu edhe Kreu i Shoqatës së Transportit Kombëtar Interurban, Kujtim Mema. “Situata vijon e rënduar, që nga fillimi i pandemisë e deri më tani. 40% e pasagjerëve vijnë me ne, 60% e tyre shkon me makina e furgonë të paligjshëm. Problem mbeten sidomos, Shkodra, Fieri, Vlora, Korça, një gangrenë e vërtetë. Të gjitha bizneset e transportit janë në kaos, me detyrime të prapambetura, e fitim 0, po fusim çdo ditë lekë nga xhepi se nuk kemi lekë për naftë”, u shpreh ai. Situata e transportit paraqitet e vështirë, ku në një vit pandemi cilësohet si sektori i prekur më së shumti, pas turizmit.