Vëzhgim/Analizë

Memaliaj/Infrastruktura rrugore “detyron” banorët të braktisin vendlindjen

7 prill 2021/Porta Vendore/Memaliaj/Këlcyrë

Mungesa e infrastrukturës rrugore po dëmton ekonominë e banorëve të zonave rurale, që po e braktisin me shpejtësi jetën rurale. Të njohura për natyrën e rrallë dhe të pasur me bimë medicinale, ujëra, mjaltë, prodhime blegtorale dhe vreshtari, në Memaliaj dhe Këlcyrë popullohen nga më pak se 30% e banorëve. Një muaj përpara zgjedhjeve, ata kërcënojnë me bojkot, nëse nuk rikthehet vëmendja ndaj tyre, ndërsa gjithçka kërkojnë është vetëm një rrugë e shtruar prej disa kilometrash.

Rrugët rurale të lëna në harresë.

Është vetëm 12 km rrugë, por për rreth njëmijë banorët e katër fshatrave në cepin fundor të Bashkisë Memaliaj, kjo distancë kërkon pothuajse gjysmën e ditës që të përshkohet, ndërsa në kohë me reshje rruga bëhet e pakalueshme, duke detyruar banorët që shpesh edhe të vdekurit apo të sëmurët t’i transportojnë me krahë. Asnjë investim ose kthim koke ndaj tyre për të paktën tre dekada, ka detyruar banorët që të braktisin shtëpitë duke tkurrur ndjeshëm numrin e banorëve rezidentë. 

“Zona është tërësisht e harruar dhe rruga nuk ka njohur kurrë investim”, tregojnë banorët.

52 fshatrat e Bashkisë Memaliaj nuk kanë rrugë të asfaltuara. Infrastruktura e shkatërruar po ndikon jetën e banorëve dhe po dyfishon kostot për arritjen e shërbimeve. Vetëm 30% e popullsisë jeton aktualisht në këto zona, ku realizimi i transportit bëhet i vështirë në kohë me reshje edhe për mjetet “off road”. Infrastruktura rrugore ka qenë përherë një nga sfidat më të mëdha të Bashkisë së Memaliajt, e dyta për nga madhësia në nivel qarku, njëkohësisht edhe më e varfra, me numrin më të lartë të familjeve me ndihmë ekonomike në Qarkun e Gjirokastrës. Në Memaliaj jetojnë rreth 22 mijë banorë, të vendosur në 5 njësi administrative. Zona trashëgoi shumë pak investime që lehtësojnë jetën e banorëve, por mungesa e rrugëve është duke izoluar mijëra vetë dhe duke boshatisur fshatrat malorë.

Banorëve të Kamcishtit në njësinë e Krahësit, një prej zonave më të largëta të Bashkisë Memaliaj, u duhet të udhëtojnë për disa orë me këmbë ose kafshë dore për të sjellë prodhime në treg.

Banorët e fshatit Benjë, Këlcyrë.

I takojmë ata në një prej lokaleve në anë të rrugës nacionale, vetëm 5 km larg territorit të Bashkisë Fier. Ky vend është pika e grumbullimit për banorët e fshatit Toç, Anëvjosë, Koshtan, Kamçisht, por rrugëtimi deri në këtë vend është i gjatë dhe i mundimshëm. Rruga plot kthesa dhe gropa e bën udhëtimin të vështirë për banorët dhe mjetet e transportit. Shumë prej tyre zbresin rrallë pikërisht për shkak të pamundësisë për të lëvizur lirshëm.

“Kjo rrugë është një pengesë e madhe për këto 6 fshatra, që kanë rreth njëmijë banorë. Mungesa e rrugës ka detyruar djemtë tanë të braktisin prindërit, tokat, ullinjtë që janë me mijëra rrënjë të mbetura shkretë se nuk ka rrugë” tregon Shpëtimi, banor i fshatit Toç, ndërsa shton më tej se Bashkia Memaliaj u ka pohuar pamundësinë për investime dhe u ka kërkuar banorëve bashkëpunim për të ndarë shpenzimet. “Gjysmat e lekëve ne, gjysmat bashkia. Por ne jemi pa punë, pa asnjë të ardhur. Taksat i paguajmë, të paktën rrugën ta rregullojnë. Jemi si në mesjetë”, shton ai për Portën Vendore.

Situata bëhet dramatike në raste emergjente si sëmundjet apo vdekjet. Në zonë mungon funksionimi i një qendre shëndetësore, ndërsa në ditë me reshje rruga e pakalueshme e bën të pamundur qarkullimin, duke i detyruar banorët ta përshkojnë në këmbë.

“Na kanë vdekur njerëz që jetojnë jashtë fshatit dhe që kanë lënë amanet të varrosen në fshat. Jemi detyruar ta ngremë arkivolin në krahë dhe të sëmurët në barela”, tregojnë banorët e fshatit Koshtan, pikës fundore të këtij segmenti rrugor.

Infrastrukturë e munguar, ekonomi e dëmtuar

Kjo gjendje është duke prekur rëndë ekonominë e ullirit në zonën e Toçit, Koshtanit dhe gjithë fshatarëve kodrinore të Memaliajt, që kultivojnë me mijëra rrënjë ullinj, si produkt me të ardhura jetike për ekonominë. Të ardhur nga emigrimi dhe me dëshirën për investime, mungesa e infrastrukturës ka dështuar planet e këtyre banorëve për biznes.

Fshatrat Toç, Koshtanit etj në Bashkinë Memaliaj.

Erjoni është një i ri i kthyer vitet e fundit nga emigrimi në Greqi. Të ardhurat e grumbulluara i investoi në një fermë ullinjsh në fshatin Toç, por ndonëse prodhimi ka qenë i kënaqshëm, mungesa e rrugës e ka përballur me vështirësinë e gjetjes së punëtorëve për vjeljen e prodhimit, dhe më pas gjetjen e tregut të përshtatshëm, që mbulon kostot e shpenzimeve.

“Janë me qindra rrënjë ullinj, por punëtorët nuk vinin dot t’i mblidhnin. Vajin që nxjerrim e kemi vështirë ta shesim për shkak të informalitetit, por edhe të kostos. Mungesa e rrugës na i rrit kostot e prodhimit, por askush nuk do t’ia dijë. U ktheva nga emigrimi, për të investuar në fshatin tim, me familjen jetoj në Tepelenë, por po has kaq shumë vështirësi saqë po pendohem që jam kthyer. Kjo situatë i pret rrugën çdo investimi”, tregon ai.

Rruga e amortizuar e fshatit.

Mirela që është nënë e dy fëmijëve të vegjël 9 dhe 12 vjeç, tregon se fëmijët e saj duhet të ecin një orë me këmbë nëpër pyll, për të shkuar në shkollën më të afërt.

“Të dy fëmijët shkojnë në Kamçisht, duke ecur një orë në këmbë, nëpër pyll. Nga fshati ynë janë 5 (pesë) fëmijë që venë në shkollë, herë të shoqëruar e herë të pashoqëruar. Nuk kanë ç’të bëjnë. Herë venë e herë s’venë, varet nga moti”, thotë ajo.

Fshatra të ndryshëm, panorama e njëjtë

Në fshatin Bënjë të Këlcyrës nuk kanë mbetur më shumë se 8 shtëpi të banuara. Banorët janë larguar duke braktisur vendlindjen për shkak të mungesës së infrastrukturës. Banorëve të Leskovecit, Xhanaj, Mërtinjë dhe Bënjë, të njësisë administrative Dëshnicë, u duhen më shumë se 60 minutë rrugë me makinë, dhe mbi dy orë me këmbë për të mbërritur në fshatin Tolar, ku rruga nis e përmirësohet, ndërsa e gjithë distanca deri në Këlcyrë ka një gjatësi prej 15 km. Zona që njihet për resurset natyrore dhe turistike, përshkohet vetëm me mjete “off road” ose kafshë. I gjithë segmenti prej 10 km nga fshati Tolar në Bënjë, është i degraduar, me gropa, dhe gjatë dimrit jo vetëm i pakalueshëm, por edhe i rrezikshëm. Zona mbetet e izoluar për një pjesë të mirë të vitit.

“Jemi harruar prej 30 vitesh. Pa shkollë, pa rrugë, pa drita e pa ujë. Nëse më parë në të gjithë këtë zonë që përshkon në total 6 fshatra, jetonin e punonin 400 – 500 krahë pune, sot është bërë gjithçka zero. Ne e donim demokracinë, por jo të tillë, pa asnjë investim. Ka shumë fshatarë që janë rikthyer dhe po investojnë, por askush nuk pyet ku janë këta njerëz”, tregon i revoltuar pensionisti Dashnor Kolleshi.

Ai u rikthye në fshatin e lindjes pas gati dy dekadash i larguar, por pritshmëritë ishin zhgënjyese në krahasim me realitetin. “E lashë Tiranën pasi mbeta pa punë. Investova në vreshtari, por kostoja e prodhimit është e lartë për shkak të infrastrukturës. Kam kuintalë me verë dhe raki të mbetur nëpër kazanë. Sos hallit të përditshëm që kemi, na erdhi dhe pandemia, që na fundosi plotësisht”, thotë ai për Porta Vendore.

Saimiri u kthye nga emigrimi disavjeçar për të vendosur të investojë në fshatin e tij të lindjes. “Klima e favorizon shumë mbarështimin e bletëve”, thotë ai. “Unë vendosa të ndjek traditën e familjes edhe pasi u lodha duke punuar në Greqi. Pse të mos punojmë dhe investojmë në vendin tonë, por të rropatemi dyerve të botës? Problemi është se këtu nuk ka asnjë mbështetje dhe perspektivë”, shton Saimiri, i cili rrëfen se vështirësitë e tregtimit të produktit janë të shumta, duke nisur së pari nga mungesa e tregut dhe konkurrenca e pandershme. “Për shkak të mungesës së rrugës, nuk arrij t’i transportoj bletët nga një vend në tjetrin. Mos të flasim pastaj për mungesën e ujit, që shumë prej banorëve e kanë siguruar vetë, me burime apo puse”, rrëfen ai.

Një pjesë e mirë e fshatarëve kanë hequr dorë nga mbarështimi i bagëtive duke u kujdesur vetëm për disa krerë bagëti të imët, të mjaftueshme për konsum. “Një litër qumësht kushton më pak se një gotë lëng frutash në market. Me 50 lekë të reja na e marrin litrin e qumështit baxhot. Asnjë përfitim për blegtorin”, shton pensionisti Brahim Bundo.

Ç’ka bërë qeveria, e majtë dhe e djathtë, për këta banorë? Të gjitha fshatrat janë të braktisura. Asnjë qeveri nuk ka bërë gjë. Si kanë sy e faqe vijnë kërkojnë votën.

Kur vjen ora e votimeve të gjithë premtojnë rrugë e ujë. 30 vjet ky muhabet”, thonë banorët e revoltuar.

Ndërsa flasin për zgjedhjet qendrore të këtij viti, banorët zbulojnë gjithashtu se sa do t’u kushtojë atyre (banorëve të kësaj zone) hedhja e votës në kutitë e votimit. Shifra është mbi tremijë lekë të rinj. Kaq është kostoja e një taksie apo makine të faturuar nga Këlcyra për në fshatin e tyre. Qendra e votimit për banorët e këtyre 6 fshatrave është fshati Bedyqas, në të cilin janë të regjistruar 477 zgjedhës.

Në të gjitha rastet, banorët e këtyre zonave të thella malore, pohojnë se kërkesat e tyre pranë drejtuesve të pushtetit vendor kanë rënë në vesh të shurdhët. “Më shumë se 5 – 6 herë kemi kërkuar shtrimin e rrugës, por asnjë reagim. Kërkojmë vetëm rrugën, asgjë më shumë”. Është kjo thirrja e revoltës dhe dëshpërimit që del nga goja e këtyre banorëve të Memaliajt apo Këlcyrës, që jetën e tyre e kalojnë me vështirësive të shumta ekonomike dhe infrastrukturore, duke mbajtur ndezur dëshirën për të mos braktisur vendlindjen.

Pushteti vendor, investime dhe parashikime

Mjafton të hedhësh një sy në parashikimet e investimeve të viteve të fundit të bashkive për të vënë re se investimet kapitale, ku përfshihen edhe ato në zonat rurale, zënë një përqindje të ulët krahasuar me shpenzimet për personelin apo të tjera. Kjo vërtetohet edhe në raportin e Financave Publike Vendore 2019. Raporti gjen se shpenzimet për personelin, operacionet dhe ‘të tjera’, janë më të larta se sa investimet kapitale.

Raporti flet për kapacitete më të ulëta nga ana e bashkive të vogla për të nxjerrë të ardhura dhe si pasojë, për të dhënë shërbime publike. Në vështrimin edhe tek mënyra si bashkitë kanë shpenzuar fondet e tyre, raporti konfirmon një rritje të shpenzimeve nga fondet e veta, ku shpenzimet për personelin, operacionet dhe ‘të tjera’, janë më të larta se sa investimet kapitale.

Në investimet e vitit 2018 Bashkia Memaliaj parashikonte vetëm shtrimin e një rruge të brendshme në një lagje të fshatit Toç.

Ndërsa më poshtë është tabela e investimeve të parashikuara për vitin 2020 – 2021 nga Bashkia Memaliaj, ku nuk shihet asnjë parashikim për shtrim rruge.

Planifikimi i investimeve Bashkia Memaliaj 2021
Planifikimi i investimeve Bashkia Këlcyrë 2021

Banorët e këtyre fshatrave kërcënojnë me bojkotim të zgjedhjeve nëse situata mbetet e pandryshuar. 

Mungesa e infrastrukturës vazhdon të mbetet një ndër shkaqet kryesore të largimeve të banorëve nga këto fshatra. Mbi 50% e fshatrave të këtyre dy bashkive rrezikojnë të izolohen nga mungesa e rrugëve. Të pyetur nga Porta Vendore, Bashkitë nuk japin të dhëna konkrete, por pohojnë se është ndërhyrë në pjesën më të madhe të fshatrave përsa i përket infrastrukturës rurale, duke pohuar se kjo mbetet ndër sfidat kryesore të bashkive. Buxheti i shtetit dërguar për vitin 2020 në Bashkinë Këlcyrë është 60,191 mijë lekë, pa përfshirë funksionet specifike për një popullsi të regjistruar 12.500 banorë. Gjatë vitit 2019 – 2020 kjo bashki ka asfaltuar dy akse me buxhetin e vet bashkisë, rrugën e fshatit Goricë dhe Podgoran – Fushë.