5 prill 2021/Albina Hoxhaj/Porta Vendore
Fondi i emergjencave civile është i domosdoshëm për pushtetin vendor për të menaxhuar pasojat e fatkeqësive natyrore dhe për të ndihmuar banorët t’i përballojnë ato. Për këtë arsye është përcaktuar me ligj që fondi i emergjencave nuk duhet të jetë më pak se 4% e buxhetit total të bashkisë. Por sa e kanë respektuar bashkitë këtë pikë të Ligjit për Mbrojtjen Civile në këtë periudhë të vështirë, pasi vendi u godit nga tërmeti, pandemia, e më pas nga përmbytjet. Porta Vendore ka pyetur dhe analizuar të dhënat e disa bashkive për të pasur një panoramë të qartë të kësaj situate, ku rezulton se pjesa dërmuese e tyre nuk e kanë respektuar këtë nivel për fondin e emergjencave.
Çfarë parashikon ligji për fondin e emergjencave
Fondi i emergjencave të fatkeqësisë natyrore është një detyrim ligjor sipas nenit 65 të ligjit Nr. 45/2019 “për mbrojtjen civile” për bashkitë në vend. Ligji parashikon që secila bashki të ndajë minimalisht 4% të buxhetit për emergjencat civile. “Bashkitë mund të planifikojnë fonde të tjera shtesë nga burimet financiare, si më poshtë: a) nga të ardhurat e veta vendore; b) nga fondet që u vijnë drejtpërdrejt nga ndarja e taksave dhe tatimeve kombëtare, huamarrja vendore, donacionet; c) si dhe burime të tjera të parashikuara në ligj. Procedurat dhe kriteret e ndarjes dhe të përdorimit të fondit të kushtëzuar të buxhetit të shtetit për mbrojtjen civile miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet konkretisht në ligj. Referuar ligjit, planet për emergjencat civile miratohen në nivel qendror, në nivel qarku dhe në nivel vendor dhe rishikohen jo më pak se një herë në çdo tre vjet. Neni 41 parashikon dëmshpërblimin e çdo qytetari të prekur nga fatkeqësia natyrore. Dëme përballohen nga vetë bashkitë, në rast se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm, pagesa shtrihet në vitin pasardhës. Por në rast se vlera e kompensimit për fatkeqësinë natyre të qytetarëve të prekur e tejkalon 8% të buxhetit të bashkisë, Komiteti i Mbrojtjes Civile vendos që kompensimi të kryhet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit. Masa e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe pasuritë dhe subjektet që kompensohen miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Projektbuxheti 2021, 500 milionë lekë si transfertë specifike për emergjencat civile
Sipas ligjit numër 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021” në nenin numër 3 përcaktohet se të ardhurat e buxhetit vendor për vitin 2021 janë në total 56 miliardë 826 milionë lekë, nga të cilat 500 milionë lekë i përfiton nga Buxheti i Shtetit si transfertë specifike për emergjencat civile.

Kjo vlerë ndahet sipas bashkive në formën e transfertës së pakushtëzuar, sipas një formule që favorizon bashkitë më të populluara, dhe jo detyrimisht ato që kanë risk më të lartë të goditen nga fatkeqësitë natyrore. Kështu, për mbrojtjen civile më shumë para shkojnë për Bashkinë e Tiranës prej 174.5 milionë lekë, më pas vjen Durrësi që ka të përcaktuar për mbrojtjen civile 26 milionë lekë, ndjekur nga Shkodra me 18 milionë lekë, ndërsa Lezha që ka pësuar përmbytjet më të mëdha deri më tani ka për mbrojtjen civile 10.9 milionë lekë.
Por veç fondit për emergjencat civile të akorduar për bashkitë në formën e transfertës specifike, Buxheti i Shtetit ka akorduar një fond për emergjenca civile dhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, e cila është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Fondi i vënë në dispozicion për këtë strukturë në raste emergjencash është 760 milionë lekë. Kjo shumë është afro dy herë më e lartë nëse krahasohet me vitin paraardhës, ku ishin përcaktuar në total 434 milionë lekë. Megjithatë, ky fond përdoret vetëm në rastet e shpalljes së fatkeqësive natyrore, të tilla si tërmeti, përmbytjet, zjarret etj.

Prençi: Në 2020 bashkitë financojnë 1.7% të buxhetit për emergjencat
Bashkitë, për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, si dhe kryerjen e detyrave në zbatim të Nr. 45/2019 “për mbrojtjen civile” mbështeten në parashikimin minimal prej 4 për qind të totalit të buxhetit vjetor të tyre, të cilat sigurohen nga fondet e kushtëzuara të buxhetit të shtetit. Megjithatë, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, me anë të një shkrese, Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë se bashkitë duhet të japin për emergjencat vetëm 1.7% të buxhetit, pjesa tjetër do të sigurohet nga qeveria.
Ish-kreu i emergjencave civile, Shemsi Prençi, thotë për Portën Vendore se “Me një shkresë të datës 24/12/2019 me nr. 23198/1 të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë drejtuar Prefektëve (dhe ndoshta edhe bashkive) u bëhet e qartë së për vitin 2020 bashkitë duhet të financonin 1.7% nga buxheti i tyre. Restoja prej 2.3 % do u transferohej si transfertë e kushtëzuar nga MFE në 2020. Tani nevojitet informacion për secilën bashki për vitin 2020 dhe për planifikimin e 2021. Sa % e buxheti të bashkisë i është dërguar si transfertë e kushtëzuar nga MFE? Sa % i ka lënë bashkisë të financojë vetë?.”
Referuar kësaj shkrese zyrtare, përgjegjësia më e madhe për menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe zvogëlimin e riskut bie mbi pushtetin qendror, dhe jo atë vendor, referuar të ardhurave që do mbulojë secila palë në fondin e emergjencave civile. Prençi nënvizon se Ministria e Financës dhe Ekonomisë duhet të përgjigjet se përse për vitin 2020 u ka lënë bashkive 1.7 % ta paguajnë nga buxheti i tyre, kur në nenin 65, pika 1 thuhet se: “Bashkitë, për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, si dhe kryerjen e detyrave në zbatim të këtij ligji, mbështeten në parashikimin minimal prej 4 për qind të totalit të buxhetit vjetor të tyre, të cilat sigurohen nga fondet e kushtëzuara të buxhetit të shtetit. Pra duhen nga fondet e kushtëzuara të buxhetit të shtetit dhe jo nga buxheti i bashkive”, sqaron ish kreu i emergjencave civile.
Për këtë Preçi thotë se bashkitë nuk investojnë në hartimin e strategjive për të minimizuar riskun duke mos zbatuar kështu ligjin nr 45 dt 18.07.2019. “Nuk kryhen investime për zvogëlimin e riskut dhe as për implementimin e ligjit dhe probleme të tjera të Mbrojtjes Civile. Që prej vitit 2016, as bashkitë dhe as qeveria nuk kanë kompensuar dëmtimet nga përmbytjet në banesa, orendi, mobilie dhe pajisje. Shkodra dhe Sukthi nuk kanë marrë kompensime as për përmbytjen e vitit 2016, as për atë të vitit 2018”, deklaron ish kreu i Emergjencave Civile. Porta Vendore kontaktoi me disa bashki për t’i pyetur nëse e kanë përcaktuar buxhetin e emergjencave për vitin 2021, dhe sa kanë mundur të ndihmojnë qytetarët për vitin 2020 më këtë fond.
Konkretisht, Porta Vendore kontaktoi me disa bashki të cilat po përballen me fatkeqësi natyrore, po edhe me bashki të tjera të cilat nuk janë përballë fatkeqësive për të parë se si menaxhohet fondi i emergjencave dhe a është planifikuar ai në vlerën 4% të buxhetit të bashkisë në tërësi.
Bashkia Shkodër respekton “4%” për emergjencat
Një nga bashkitë që ka pasur emergjencën më të madhe nga fatkeqësitë natyrore në fillim të vitit 2021, është pikërisht Bashkia Shkodër, e cila prej një muaji e gjysmë ka mijëra hektarë dhe dhjetëra banesa të përmbytura. Kjo bashki rezulton se e ka respektuar me përpikmëri ligjin për emergjencat, sa i takon fondit të përcaktuar. Siç tregohet në tabelën e mëposhtme Bashkia Shkodër në momentin e parashikimit të buxhetit të vitit 2021 ka pasur parasysh dhe shkresën e Ministrisë së Financave për nivelin prej 1.7% të fondit që duhet përballuar nga vetë bashkitë, dhe pjesa nga pushteti qendror.

Megjithatë, Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, deklaron se ka kërkuar me insistim shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pasi bashkia e ka të pamundur të përballojë financiarisht situatën. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme bën të mundur aktivizimin e fondeve të tjera të përcaktuara për Emergjencat Civile të cilat i kalojnë bashkisë për përballimin e situatës vetëm me vendim të këshillit të ministrave. Për të treguar situatën e vështirë dhe gjendjen aktuale, pushteti vendor ka inspektuar zonat dhe të dhënat, dëmet e shkaktuara janë publikuar çdo ditë të përditësuara. Ademi thekson se 4% e buxhetit të Bashkisë Shkodër e planifikuar për emergjencat është i pamjafueshëm për përballimin e kësaj situate të shkaktuar nga përmbytjet. Por kjo nuk është një situatë që ndodh për herë të parë në Shkodër. Banorët nuk janë dëmshpërblyer akoma për përmbytjet e vitit 2018, vlera e dëmit është llogaritur 3.5 miliardë lekë. “Kujtoj këtu situatën e krijuar në vitin 2018, e cila ndoshta ka qenë ndër më të rëndat e kaluara vitet e fundit nga shkodranët. Edhe atëherë, qeveria qendrore e nxori jashtë vëmendjes Shkodrën. Po ju përmend vetëm një fakt. Bëmë evidentimin e dëmeve nga përmbytjet në atë kohë dhe shifra kaloi 3.5 miliardë lekë apo rreth 3.5 milionë dollarë. Asnjë dëmshpërblim nga qeveria, pavarësisht dëmeve të jashtëzakonshme”, thotë Ademi.
Kryebashkiakja thotë se asnjë investim post përmbytje nuk është bërë dhe për këtë i referohet vitit 2018. “Edhe sivjet, ku duket se pasojat do të jenë edhe më të rënda nga përmbytjet, kam kërkuar publikisht shpalljen e gjendjes se emergjencës së fatkeqësisë natyrore dhe dëmshpërblimin e shkaktuar nga dëmet e krijuara nga shkarkimet. Madje, edhe për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e 2018- ës. Banorët e fermerët e zonave të përmbytura, jo nga uji i shiut, siç përpiqen ta shesin, por nga shkarkimet e hidrocentraleve, si pasojë e kaskadës së Drinit, duhet të dëmshpërblehen”, thekson Ademi.
Lezhë, rritet fondi i emergjencës, krahasuar me vitin 2020
E ngjashme është situata edhe në Lezhë. Brikena Doda, Specialiste e Drejtorisë së Emergjencave Civile, Bashkia Lezhë sqaron se është zbatuar ligji dhe është ndarë fondi i emergjencës në vlerën 48 milionë e 135 mijë lekë, ndërsa buxheti në tërësi është afërsisht 2 miliardë (1,997,319,000) lekë. Një vit më parë fondi i emergjencave ishte 43.941.900 lekë, ose 9% më pak, dhe janë shpenzuar duke iu ardhur në ndihmë banorëve si më poshtë.
Bashkia e Kurbinit: Buxheti i emergjencave civile më i ulët se një vit më parë
Ndonëse në shumë bashki fondi i emergjencave është rritur, këtë vit, krahasuar me vitin 2020, në Bashkinë Kurbin, e cila u përball me shumë përmbytje në muajin e parë të këtij viti, sidomos në Njësinë Administrative të Mamurrasit, ka ndodhur e kundërta, pasi fondi i emergjencave ka pësuar ulje. Bashkia e Kurbinit ka parashikuar në buxhetin e vitit 2021, i cili është në vlerën 499,8 milionë lekë, vetëm 20 milionë lekë për fondin për emergjencat civile. Megjithatë, Bashkia Kurbin ka respektuar nivelin prej 4% të buxhetit total për fondin e emergjencës. Ndërkohë, një vit më parë, edhe pse buxheti ka qenë më i ulët se në vitin 2021, fondi i emergjencës ka qenë më i lartë. Konkretisht buxheti i Bashkisë Kurbin për vitin 2020 ishte 429 milionë lekë, ndërsa fondi i emergjencave 24 milionë lekë, ose e thënë ndryshe afërisht 6% e buxhetit.
Bashkia e Tiranës, fond më të vogël se kufiri ligjor
Edhe Bashkia e Tiranës, e cila është bashkia më e madhe dhe me buxhetin më të lartë në gjithë vendin, nuk e ka respektuar ligjin për nivelin e fondit për emergjencat civile. Bashkia Tiranë nuk iu përgjigj kërkesës për informacion të Portës Vendore, por nga të dhënat zyrtare pranë faqes online të kësaj bashkie rezulton se totali i buxhetit për mbrojtjen nga zjarrin dhe mbrojtjen civile është 687 milionë lekë, nga të cilat 116 milionë janë për investimet ndërsa 571 milionë për shpenzimet. Ndërkohë, buxheti total i planifikuar për vitin 2021 për Bashkinë Tiranë është 20.5 miliardë lekë. Kjo do të thotë se nëse do të respektohej niveli prej 4%, fondi i emergjencave për këtë vit do të ishte 820 milionë lekë, por është vetëm 687 milionë, ose vetëm 3.3% e buxhetit.
Bashkia Korçë: Fond i emergjencave, ndihmë për familjet pas situatës së Covid
Bashkia e Korçës bën me dije se për vitin 2021 buxheti për emergjencat civile është në vlerën 16,7 milionë lekë, ndërkohë që në vitin 2020 ky buxhet ishte në vlerën 29 milionë lekë. “Buxheti për emergjencat civile në vitin 2020 është përdorur për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë me pako ushqimore, si rezultat i pandemisë së COVID-19 dhe si ndihmë financiare për familjet për rastet e dëmeve të shkaktuara nga zjarri”, saktëson ky institucion pa përcatuar shifra konkrete. “Buxheti për emergjencat civile për vitin 2021 është në vlerën 16,690,646 lekë, nga të cilat 13,690,646 lekë nga buxheti i shtetit dhe 3,000,000 lekë nga të ardhurat e bashkisë”, specifikon bashkia kur e pyesim për detyrimin ligjor për të vendosur 4% të buxhetit për emergjencën civile dhe fatkeqësitë natyrore. Në total Buxheti i Bashkisë Korçë për vitin 2021 është 1 miliard e 666 milionë lekë. “Buxheti i Bashkisë Korçë është i ndarë në shpenzime personeli, në shpenzime korrente, në shpenzime principali dhe interesi dhe në shpenzime kapitale. Peshën më të madhe e zenë shërbimi i pastrimit, shërbimet publike, ujitja dhe kullimi, arsimi bazë dhe parashkollor, si dhe shpenzime të tjera korrente. Duke vazhduar me shpenzimet e personelit, shpenzimet kapitale dhe me ato për pagesën e principalit dhe interesit”, sqaron zyrtarisht bashkia e Korçës. Por, ajo që vihet re në këto shifra është fakti se Bashkia e Korçës nuk e ka respektuar anën ligjore për buxhetin e vitit 2021, pasi për emergjencat janë vënë në dispozicion vetëm 1% e buxhetit total nga 4% që është detyrimi ligjor.
Bashkia Has: Me fondin e emergjencave u ndërtuan 4 shtëpi
Bashkia e Hasit ka parashikuar për vitin 2021 buxhetin për emergjencat në masën 10,923,920,00 lekë, ndërkohë që një vit më parë ishte: 4,036,896 Lekë. Sipas bashkisë, vitin që lamë pas komunitetit i është ardhur në ndihmë me: 2 banesa të dëmtuara nga zjarri, 2 banesa të dëmtuara nga faktorë natyrorë, Pandemia, Covid 19 dhe emergjencat dimërore. Bashkia thotë se e ka respektuar ligjin duke i dedikuar 4% të buxhetit për emergjencat. Në total buxheti i Bashkise Has është 249 milionë e 428 mijë lekë. Megjithatë, nuk ka dhënë informacion nëse ky aspekt ligjor është respektuar dhe në vitin 2020 apo jo, kur fondi për emergjencat ishte 2.5 herë më i vogël se për vitin 2021.
Bashkia Pogradec: Fondi i emergjencave u përdor për uljen e dëmeve pas 13 zjarreve
Një tjetër bashki që e ka nivelin e fondit për emergjencat poshtë 4% të buxhetit total është Pogradeci. Kjo bashki ka parashikuar në total një vlerë prej 25 milionë lekë për zërin “Emergjencat Civile”, vlerë kjo që parashikohet të përdoret për të dëmshpërblyer familjet banesat, e të cilëve mund të preken nga fatkeqësi natyrore sipas kërkesave ligjore. Ndërsa Buxheti total i Bashkisë Pogradec parashikohet në vlerën 1.25 miliardë lekë. Nga këto shifra rezulton se për emergjencat është përdorur vetëm 2% e buxhetit total dhe jo 4%, siç e parashikon ligji. Ndërsa për vitit 2020, ky fond ka qenë dhe më i vogël. “Fondi i Emergjencave Civile, për vitin 2020 ishte 17 milionë lekë, nga të cilat janë përdorur 15 milionë lekë. Kryesisht janë përdorur për dëmshpërblim të dëmeve nga fatkeqësitë e ndodhura (13 zjarre), bonus qeraje për familjet në nevojë, banesat e të cilëve ishin të pabanueshme. Nga ky fond u përdoren dhe një vlerë rreth 6 milionë lekë për kuotën e bashkë-financimit në projektin ‘Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitete të varfëra dhe të pa favorizuara’, projekt i financuar nga Ministria e Financave. Gjithashtu një peshë të madhe në përdorimin e këtij fondi zënë dhe ndihmat e masat që u morën për përballimin e situatës nga COVID 19”, sqaron Bashkia Pogradec për Portën Vendore.
Bashkia Kukës: Fatkeqësitë natyrore u menaxhuan me fondet e emergjencës
Një tjetër bashki, e cila u përball këtë vit me motin e keq dhe me shumë probleme të shkaktuara, sidomos nga reshjet e dëborës, është Kukësi. Kjo bashki pretendon se “fatkeqësitë natyrore janë menaxhuar me fondet e kushtëzuara të buxhetit për emergjencat”, por rezulton se për vitin 2021, fondi i planifikuar për emergjencat është më i vogël se 1% e buxhetit total. “Buxheti i vitit 2021 për Emergjencat Civile, i miratuar nga Këshilli Bashkiak me vendim Nr.169, datë 23.12.2020 është 7.506 mijë lekë nga të cilat 5.506 mijë lekë janë fonde të transfertës së kushtëzuar nga shteti vetëm për fatkeqësitë natyrore dhe 2.000 mijë lekë nga fondet e veta të Bashkisë Kukës, në këtë shumë nuk janë të përfshira shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore të stafit të Drejtorisë Planifikimit Përballimit Emergjencave Civile”, deklaroi Bashkia Kukës. Ndërkohë, buxheti i planifikuar për vitin 2021 për këtë bashki është 1 miliard e 395 milionë lekë. Nga kjo rezulton se fondi për emergjencat është vetëm 0.5% e buxhetit total.
Bashkia Rrogozhinë 2020 s’respektoi ligjin
Ndërsa Bashkia Rrogozhinë duket se e ka respektuar këtë nivel, ndërkohë që pranon se në vitin 2020 nuk ishte ruajtur niveli prej 4%. Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia Rrogozhinë, rezulton se fondi për emergjencat për vitin 2021 është 17 milionë e 380 mijë lekë, ndërkohë që buxheti është në vlerën 507 milionë e 594 mijë lekë. “Për vitin 2020, ligji nuk është respektuar në masën e duhur, ndërsa për vitin 2021 janë respektuar me rigorozitet të gjitha kushtet e ligjit”, deklaroi Bashkia Rrogozhinë.
Por, ajo që vihet re si nga ekspertët, por dhe nga të dhënat e mbledhura nga Porta Vendore, është fakti se pavarësisht se Ministria e Financave ka deklaruar se bashkitë do japin vetëm 1.7 % të buxhetit total për emergjencat dhe pjesën tjetër do e japin institucionet qendrore për të plotësuar vlerën 4%, sërish kjo masë nuk është respektuar në shumë bashki të pyetura mbi këtë fakt.