3 prill 2021/Eliza Gjediku/Porta Vendore
Pas reformës administrativo-territoriale, shumë bashki në vend kanë shfaqur vështirësi financiare, ndërkohë që pandemia e ka thelluar këtë krizë. Në vitin 2020, 22 bashki janë konsideruar në vështirësi financiare, ndërkohë që Bashkia Kavajë është drejt falimentimit. Kjo ka ndodhur për shkak të borxheve dhe mungesës së të ardhurave.
“Të ardhurat e pushtetit vendor në vitin e kaluar kanë rënë me 4.9%, ose konkretisht në 2020 bashkitë arritën të mblidhnin 21 miliardë e 975 milionë lekë, nga 23 miliardë 102 milionë lekë që arritën të mblidhnin në vitin e tërmetit”, thuhet në një raport të qeverisjes vendore.

Por si pasojë e rishikimeve të vazhdueshme të buxhetit, qeveria reduktoi edhe vlerën e shpenzimeve me 4.2 miliardë lekë. Konkretisht në buxhetin fillestar të bashkive ishte parashikuar një total shpenzimesh prej 57 miliardë e 554 milionë lekë, më pas u rishikuan dhe u ulën në 53 miliardë e 285 milionë lekë, ndërsa faktikisht bashkitë kanë shpenzuae 51 miliardë e 626 milionë lekë.

Bazuar në raportin për të ardhurat e pushtetit vendor totali i detyrimeve të prapambetura arrin në 6.930 miliardë lekë, edhe pse në rënie me 1.239 miliardë lekë krahasuar me vitin e kaluar, përsëri borxhi është tepër i lartë dhe pesha më e madhe është e përqendruar në tre bashki.
Janë 16 bashki që gjatë vitit të kaluar kanë rritur ndjeshëm detyrimet e prapambetura, ndër to 6 spikasin për rritjen më të madhe Bashkia Vorë (+687.9 milionë lekë), Bashkia Malësi e Madhe (+204.4 milionë lekë), Bashkia Roskovec (+156.8 milionë lekë), Bashkia Belsh (+87.8 milionë lekë), Bashkia Divjakë (+62.7 milionë lekë)dhe Bashkia Kuçovë (+92.2 milionë lekë).

Si pasojë e borxheve tepër të larta, 22 prej bashkive ndodhen në gjendje më të vështirë financiare, por më kritike është situata në Bashkinë e Kavajës e cila rrezikon falimentimin. Ne kete te fundit, borxhi eshte sa 85.2% e totalit te shpenzimeve vjetore. Me probleme dhe vështirësi financiare janë listuar bashkitë Peqin, Lezhë, Klos, Selenicë, Mirditë, Kamëz, Cërrik, Librazhd, Roskovec, Libohovë, Bulqizë, Tropojë, Pogradec, Tepelenë, Finiq, Dibër, Rrogozhinë, Kukës, Poliçan, Konispol dhe Ura Vajgurore, ndërsa pjesa tjetër janë pa probleme financiare.

Praktikisht rreth 30% e bashkive kanë probleme financiare, ndërkohë që gjendja është e vështirë në Bashkinë e Kavajës, problemet e së cilës ekspertët i justifikojnë me keq-menaxhimin financiar. Madje kërkohet edhe ndërhyrje e Ministrisë së Financave.
Për ti dhënë fund zvarritjeve dhe akumulimit të borxheve të reja, në shtator të vitit 2019, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet një udhëzimi vendosi t’u dërgojë administratorë bashkive të cilat kanë detyrime të prapambetura ndaj palëve të treta.
Teksa kanë kaluar rreth 1 vite e gjysmë, çfarë ka ndodhur me udhëzimin për vendosjen e administratorit në bashkitë që shfaqnin paaftësi pagese?
Ministria e Financave konfirmon për Portën Vendore, se brenda këtij viti do t’i kërkohet Këshillit të Ministrave vendosja e administratorit në të gjitha bashkitë që kanë vështirësi paguese të borxheve të tyre, pas një pilotimi të kryer në tre bashki, Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Sipas ministrisë kjo kërkesë vjen pas një raporti të kryer në vitin e kaluar ku janë analizuar bashkitë që kanë vështirësi financiare, më pas u është lënë një fazë tranzitore për të parë nëse do të arrijnë të ulin detyrimet. Ndërkohë që tani sipas Ministrisë së Financave ne jemi në fazën kur duhet të propozohet vendosja e një administratori në bashkitë të tilla si Vora apo Kavaja që kanë rrezik financiar. Por po ashtu, lidhur me këtë kohëzgjatje më shumë se një vjeçare për këtë udhëzim, Financat e argumentojnë me tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe pandeminë, që vështirësuan shumë procese.
Por cili do të jetë funksioni i administratorit?
Sipas udhëzimit numër 26 datë 27.09.2019, për “Procedurat për menaxhimin e vështirësive financiare për njësitë e vetëqeverisjes vendore”, thuhet se administratori do të hartojë një plan pune për evidentimin e nevojave minimale që ka njësia, del në një skenar se si do shlyhet borxhi, e më pas do të nisë procesin e negocimit të borxhit dhe shlyerjes së tij me palët e treta.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë i propozon Këshillit të Ministrave, vendosjen e njësisë së vetëqeverisjes vendore me paaftësi paguese nën administrim dhe emërimin e një administratori. Këshilli i Ministrave vendos emërimin e administratorit dhe shpalljen nën administrim të NJVQV-së. Administratori përgatit raporte mbi zbatimin e planit të veprimit çdo muaj të cilat ia dërgon Këshillit të njësisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Administratori do të kontrollojë të gjitha angazhimet, do të nënshkruajë urdhërpagesat, do të mbikëqyrë mbledhjen e të ardhurave të veta dhe menaxhimin e aseteve të NJVQV-së. Ai/Ajo raporton për zbatimin e planit të veprimit për daljen nga gjendja e paaftësisë paguese në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe informon Këshillin e njësisë së vetëqeverisjes vendore. Administratori raporton direkt në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë”, thuhej në udhëzimin e financave.
Pavarësisht vështirësive financiare Merita Toska Menaxhere e Projektit “Financat Publike Vendore”, thotë se vendosja e administratorit nuk do ta zgjidhte problemin.
“Unë nuk mendoj që një përfaqësues i zgjedhur me votë nga qytetarët (Kryetar apo Këshill Bashkiak) të mund të zëvendësohet me një “administrator” të caktuar nga qeveria qendrore. Mendoj që Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka në dorë të gjithë instrumentet dhe hapësirën ligjore për të udhëhequr bashkitë në shlyerjen e këtyre detyrimeve, sipas një plani të dakordësuar” shprehet ajo.
Toska vijon më tej me arsyetimin se duhet vullnet politik për të zeruar detyrimet.
“Mendoj që duhet vullnet i madh politik dhe administrativ për të zgjidhur problemin dhe për t’i dhënë fund krijimit dhe mbartjes së detyrimeve. Kjo gjithashtu do të kërkonte dhe identifikimin e përgjegjësve dhe përgjegjësive të palëve në proces dhe marrjen e masave në rast se fenomeni shfaqet sërish. Është politika gati për një gjë të tillë? Unë dyshoj shumë. Të mos harrojmë se qeveria aktuale erdhi në pushtet me premtimin e fortë që do shlyente detyrimet e krijuara nga “papërgjegjshmëria” e qeverisë së mëparshme. 8 vite më pas ku jemi? Detyrimet veçanërisht ndaj biznesit janë aty, mblidhen çdo vit dhe nuk ka zgjidhje. Ndaj, personalisht mendoj që nuk ka vullnet politik për ta adresuar këtë çështje”, përfundon Toska për Portën Vendore.
Ndërsa kryetari i shoqatës së Bashkive kërkon amnisti për ti falur këto detyrime.
“Duhen lehtësira të tjera, përshembull qeveria të marri përsipër detyrimet e bashkive ndaj palëve të treta”, thotë Haxhimali.
Ekspertët e ekonomisë dhe njohësit e financave publike thonë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të financave nga pushteti vendor.
“Shpesh bashkitë e ndryshme duke konsideruar riskun e rotacionit politik, priren për të maksimizuar dhe jo rrallë herë për të tejkaluar aftësinë e tyre kredi paguese, duke përdorur kredinë e marrë në investime brenda mandatit zgjedhor, edhe pse afatet për pagimin e kredisë shkojnë edhe më tej një mandati elektoral. Pra shpesh ato marrin hua dhe bëjnë investime për qëllime elektorale pa marrë pasojat financiare. Kjo tregon në një farë mënyre mungesën e disiplinës financiare dhe keq menaxhimin e fondeve buxhetore”, i këtij mendimi është eksperti i ekonomisë Klodian Muço.
“Menaxhimi financiar! Nuk është e vetmja, kemi Bashkinë Vorë gjithashtu që ka një rritje të theksuar të detyrimeve në 2020 Q2”, thotë Toska.
“Bashkia është në vështirësi serioze financiare kur borxhet afat-gjata dhe detyrimet e papaguara përbëjnë mbi 80% të shpenzimeve vjetore. Në këtë fazë parashikohet ndërhyrja e Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave. Pra përqindja e stokut ndaj shpenzimeve të miratuara është në përqindje që e vënë në vështirësi”, tha Haxhimali.
Nga ana tjetër, vërehet një ecuri pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga Bashkia Tiranë (-996.1 milionë lekë), Bashkia Kukës (-206.1 milionë lekë), Bashkia Kamëz (-143 milionë lekë), dhe Bashkia Bulqizë (-121.9 milionë lekë).

Por si shpjegohet fakti që bashkitë përpos buxhetit që marrin nga shteti dhe të ardhurat që sigurojnë nga burimet vendore nuk arrijnë dot të shlyejnë borxhet, madje dy prej tyre po shkojnë drejt kolapsit??
Shkaqet janë të shumta thotë Merita Toska ekspertja e ekonomisë teksa shton se ‘fajtorë’ për këtë situatë të krijuar nuk janë vetëm bashkitë por politikat e qeverive të ndryshme. Sipas Toskës kontrolli ndaj pushtetit vendor ka qenë jo efiçent.
“Për sa kohë janë krijuar, do të thotë që ka pasur dhe ka hapësirë ligjore për këtë fenomen, kontrolli dhe monitorimi kanë qenë të dobët (jo eficient) dhe të pamjaftueshëm dhe përgjegjshmëria e qeverisjes në nivel vendor e kufizuar në “4 vjet mandat”. Qeverisja është një proces i vazhdueshëm në kohë dhe jo një pikë, veprimet dhe mosveprimet e qeverisësve ndikojnë dhe mbarten në kohë. Dhe ja ku jemi sot, me një stok detyrimesh të mbartura dhe të krijuara rishtazi nga 61 bashkitë. Ka shumë arsye pse detyrimet mund të krijohen sërish: deri diku ka hapësirë ligjore; menaxhimi financiar është i dobët – bashkitë nuk arrijnë të planifikojnë dhe zbatojnë efektivisht buxhetet e tyre; mund të ketë sjellje oportuniste të tipit nuk i paguaj se ndoshta i merr përsipër qeveria qendrore”, përgjigjet për Portën Vendore, Merita Toska.
Ndërsa kreu i shoqatës së bashkive Agron Haxhimali, ngre si problem edhe faktin që bashkitë planifikojnë shpenzime për shërbime të ndryshme pa pasur fondet e nevojshme në dispozicion, e për pasojë futen në borxhe.
“Këto detyrime janë pengesë e konsiderueshme për financat vendore, janë pengese për shpenzime, shërbime dhe investime. Arsye pse nuk i shlyejnë janë për faktin se nuk kanë të ardhurat vetë sa duhet për të shlyer detyrimet. Ndërsa arsye pse ka detyrime të reja, është pasi bashkitë tentojnë me të drejtë të realizoj shërbimet, të përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve edhe pse nuk kanë burime financiare”, thotë për Portën Vendore Agron Haxhimali.
Nga ana tjetër ekspertët e konsiderojnë të pamjaftueshme transfertën buxhetore që shteti i kalon bashkive në hartimin e buxhetit.
“Bashkitë kanë të kufizuara mundësitë financiare në kushtet kur i konsiderojmë të pa mjaftueshme trasfertat e pa kushtëzuara nga ana e buxhetit të shtetit. Po ashtu kanë probleme me vjeljen e taksave dhe tatimeve për të realizuar të ardhurat vendore. Në të tilla kushte gjenerojnë borxh. Bashkitë ashtu si qeveria qendrore asnjëherë nuk i ka të mjaftueshme fondet e veta duke marrë në konsideratë infrastrukturën rrugore, shkollore etj. Nevojat e tyre janë të mëdha e asnjëherë nuk mund të kënaqen totalisht”, shprehet eksperti i ekonomisë Klodian Muço.
“Për vitin 2021 buxheti i bashkive nga transferta e pakushtëzuar është vetëm 1% e GDP pra 18 miliardë lekë dhe 7.2 miliardë lekë për funksionet e reja, siç janë arsimi parashkollor,administrimi pyjeve, mbrojtja civile,ujitja dhe kullimi. Këtu biem ndesh me parimin e mjaftueshmërisë financiare për funksionet dhe shërbimet që bashkitë bëjnë. Por nga kjo situatë dilet nëse të dy palët edhe qeveria të rrisë buxhetin për bashkitë dhe vete bashkitë të rrisin të ardhurat vendore dhe të shfrytëzojnë asetet e tyre”, pohon Haxhimali.
Por sipas Ekspertes për Zhvillimin Ekonomik dhe Financat Co-PLAN, Merita Toska varësia që bashkitë kanë krijuar ndaj buxhetit të shtetit është e dëmshme, pasi nuk kanë mundësi të përballojnë sfidat me fondet e tyre. Sipas saj qeveria nuk duhet të injektojë fonde në mënyrë të vazhdueshme për bashkitë.
“Personalisht mendoj që është më shqetësuese struktura e burimeve të financimit të bashkive (varësia e tyre nga transfertat që u kalon qeveria) më shumë sesa totali i burimeve që kanë në dispozicion. Kjo i bën bashkitë që të mos kenë mundësi “të ecin me këmbët e veta” dhe të mbajnë përgjegjësi përballë zgjedhësve të tyre. Personalisht nuk mendoj që është zgjidhje që qeveria qendrore të injektojë në mënyrë sistematike në qeverisjen vendore, sepse kjo u rrit varësinë dhe nuk u lë asnjë incentiv për të përmbushur detyrimin ligjor për të mbledhur të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore”, shprehet ekspertja Toska.
Borxhi më i lartë ndër vite është akumuluar nga 3 bashki, Tirana, (761.8 mln) Kavaja (727.8 mln) dhe Vora (702.6 mln) ku secila prej tyre mban më shumë se 10% të borxhit total vendor. Ky grup pasohet nga tre bashki të tjera, Pogradeci (338.7 mln), Lezha (308.4 mln) dhe Roskoveci (302.2 mln), të cilat kanë secila afro 5% të borxhit total vendor.

Detyrimet më të mëdha bashkitë i kanë për investime. Sipas ekspertëve, pushteti vendor po zhytet në borxhe për shkak se lidh kontrata për investime të ndryshme pa pasur fonde në dispozicion. Praktikisht ato po investojnë duke marrë borxhe. Konkretisht sipas raportit të ‘Financave Vendore’ investimet janë barra kryesore më 53.4% të totalit të detyrimeve.
“Një pjesë e madhe e këtyre borxheve (gati gjysma) janë për investime. Ashtu si qeveria qendrore edhe ato lokale nisin investime edhe pse nuk e kanë gjendje (të siguruar) 100% të kapitalit të parashikuar për investim”, thekson eksperti i ekonomisë Muço.
“Problematikat në zbatimin e kontratave janë të panumërta, që rëndojnë si në anën e bashkive ashtu dhe të bizneseve që kanë përfituar këto kontrata investimesh. Një pjesë e këtyre borxheve i detyrohet faktit që para vitit 2015 bashkitë mund të ndërmerrnin një investim edhe pa pasur fondet realisht në llogaritë e tyre. Krahas kësaj, një pjesë e detyrimeve për investime vijnë nga mos pagesa për investime me fonde të kushtëzuar nga qeverisja qendrore”, sqaron ekspertja Toska.
“Detyrime për punë të kryera pra investime të bërë dhe të papaguara përbën gati 53.% të totalit të detyrime. Pra bashkitë kanë investuar në sektor të ndryshëm për të përmbushur premtimet por nuk kanë bërë pagesat sipas kontratave. Nuk shpëtojnë nga këto pagesa”, përgjigjet Haxhimali.
Në vend të dytë me rreth 11.54% të totalit të detyrimeve renditen vendimet e gjykatave, që kanë të bëjnë kryesisht me largimet e padrejta nga puna.
“Largimet nga puna janë problem i madh, për 3 arsye madhore: së pari shkakton problem në shërbime, së dyti nuk e kemi luksin të largojmë profesionistë që çdo ditë na mungojnë pasi po largohen nga Shqipëria, dhe së treti ka kosto që në i paguajmë nga taksat tona”, deklaron Haxhimali.
“Rotacioni politik apo frika ndaj tij sjell shpesh heqje të pa drejta nga puna apo mbi fryrje të administratës bashkiake. Heqjet e pa drejta nga puna dhe humbja e çështjeve ne gjykata po shtohen dita ditës gati po konkurrojnë qeverinë qendrore në këtë aspekt”, pohoi eksperti Muço.
Ndërsa detyrimet e tjera janë 10.18% për shërbime, 3.50% për mirëmbajtje, 3.49% për mallra dhe 16.97% janë detyrime për kategori të tjera.
