Vëzhgim/Analizë

Zjarrfikësit, në luftë me flakët, pa kushte dhe me ulje page: Mohojmë jetën tonë për të shpëtuar qytetarët

1 prill 2021/ Marinela Dushi/Porta Vendore/Durrës

Shërbimi zjarrfikës është jetik për qytetarët, ata janë kudo dhe kurdo për emergjencat civile. Punonjësit zjarrfikës shpesh u duhet të përballen me flakët, tymin, asfiksimin, ndërsa nëntorin e vitit 2019 u përballën dhe me pasojat e tërmetit, duke rrezikuar shëndetin e tyre për të kryer misonin human, atë të shpëtimit të njerëzve. Por, edhe pse pas tërmetit të 26 nëntorit u konsideruan heronj, duket se hallet për ta nuk kanë fund, pasi të gjithë zjarrfikësve së fundmi i është ulur edhe paga.

Thirrja për ndihmë nuk ka orë, janë në gatishmëri ditën e natën, mes zjarreve dhe përmbytjeve, por ata ndihen të pashpërblyer mirë financiarisht dhe moralisht. Duke u bazuar në një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2019, bashkitë kanë marrë urdhrin që duhet të ndryshojnë mënyrën e llogaritjes së pagave për zjarrfikësit për ditët e pushimeve, apo festave. Menjëherë institucionet e pushtetit lokal, kryesisht në Tiranë, por edhe në Durrës kanë zbatuar vendimin dhe prej disa muajsh pagat e zjarrfikësve janë ulur me 5-7 mijë lekë të reja në muaj. Ky vendim nuk është pritur mirë nga zjarrfikësit, të cilët problemin e tyre e kanë deleguar edhe te kreu i sindikatës. Në një deklaratë për mediat, kreu i sindikatës së zjarrfikësve, Bledar Bajrami, paralajmëroi edhe organizimin e protestave nga punonjësit zjarrfikës deri sa problemi dhe kërkesat e tyre të plotësohen.

Për të dëgjuar nga afër shqetësimet e zjarrfikësve, ‘Porta Vendore’ u ndal në Shërbimin Zjarrfikës Durrës ku zhvilloi një takim me Drejtorin e Shërbimit Zjarrfikës Durrës, por edhe me zjarrfikësit, të cilët të revoltuar radhitën problematikat dhe vështirësitë me të cilat përballen.

 “Kishte rënë zjarr në një pallat këtu tek ujësjellësi. Ishin dy të moshuar brenda në banesë. Gjatë operacionit, hymë në ndërtesë me një aparat ap3 i themi ne, bombul oksigjeni. Pasi hymë në banesën ku kishte rënë zjarri, gjetëm personin e parë dhe e shpëtuam. Por fqinjët na thanë që është edhe një tjetër i moshuar në banesë. Ne nuk po e gjenim dot personin tjetër. Teksa po kërkonin, na jep sinjal bombula e oksigjenit që po na mbaronte dhe për pak do të mbeteshim pa oksigjen, e cila ishte e nevojshme, pasi i gjithë vendi ishte me tym. Në këtë moment ne duhej të merrnin një vendim të shpejtë, ose duhej të zbrisnin në kat të parë të ndërronin bombulat e oksigjenit, ose duhej të rrezikonim e të qëndronim edhe pa oksigjen. Ne vlerësuam që nuk kishte kohë që të ktheheshim për të marrë bombulën e oksigjenit, pasi nëse do vepronin kështu, personi që po e kërkonim do të kishte humbur jetën nga asfiksia. Atëherë rrezikuan edhe ne jetën tonë dhe qëndruam në banesë duke kërkuar në çdo cep të shtëpisë për të moshuarin, të cilin fatmirësisht e gjetën në kohë si dhe vetë shpëtuam”, thotë Komandanti i Shërbimit Zjarrfikës Bashkim Mema, duke risjell  në vëmendje një moment vështirësie që ai u përball gjatë misionit për shpëtimin e një qytetari në rrezik.

Prej disa muajsh, punonjësve të zjarrfikëses së Durrësit, por jo vetëm, u është ulur paga me nga 50-70 mijë lekë të vjetra. Kjo, pas miratimit të një VKM në vitin 2019 që ndryshon një pikë të VKM-së të vitit 2015. Në VKM  e dytë, të vitit 2019, përcaktohet që zjarrfikësit nuk do paguhen më sipas Kodit të Punës. Konkretisht në rast se zjarrfikësit punojnë gjatë ditës së pushimit, përkatësisht të shtunë e të diel, apo ditë feste, duhet të paguhen si ditët e tjera të javës, dhe jo siç ishte me VKM e 2015-s, që dita e punës vlerësohej sipas Kodit të Punës me dyfishin e ditës normale të javës.

Tkurrja e shërbimit zjarrfikës

Edhe pse të pakët në numër, punët janë të strukturuara mirë në Shërbimin Zjarrfikës Durrës. Kapaciteti njerëzor i këtij shërbimi është 39, por problemi është më i dukshëm kur numërohen trupat zjarrfikëse në një turn. Sipas punonjësve zjarrfikës, në turn janë në gatishmëri 7 persona, mes tyre, shoferi, komandanti, punonjësi i informacionit si dhe zjarrfikësit.

Automjetet zjarrfikëse në Shërbimi Zjarrfikës në Durrës. Foto: M. Dushi

Fillimisht puna e këtij shërbimi nis nëpërmjet telefonatave të qytetarëve, të cilët japin alarmin për rrezikun që u kanosën njerëzve. Thirrjeve për ndihmë u përgjigjet Astrit Çeçaj, i cili është punonjës i informacionit ose i sallës operative. Ai dëgjon me vëmendje telefonatat e qytetarëve për të marrë sa më saktë informacionin e situatës së zjarrit apo nevojës për ndihmë dhe vendndodhjen teksa ia delegon kolegëve zjarrfikës.

“Puna fillon në qoftë se kemi thirrje nëpërmjet telefonit nga qytetarët për ndihmë për çdo lloj ndërhyrje që mund të këtë nevojë. Më pas bëhet njoftimi i menjëhershëm i grupit, dhe bëhet dalja e mjetit brenda 1 minute, dalim qoftë natën e qoftë ditën. Thirrjet për ndihmë fillojnë nga ndërhyrjet për hapje dyersh, për shpërthim bombolash gazi, që kur ka aksidente automoblistike, pastaj fillojmë nga zjarret, etj”, tregon ai për Portën Vendore.

Ndërsa Shefi i Sektorit të Ndërhyrjes Operacionale, Vladimir Zhupa, nënvizoi edhe problemin e numrit të ulët të trupave zjarrfikës, duke theksuar se duhet të shtohet organika dhe stacionet e zjarrfikësve. Bashkia Durrës me 300 mijë banorë, ka një stacion kryesor zjarrfikëse në qendër të qytetit, si dhe një nënstacion në zonën  e Plazhit, ndërsa gjatë verës krijohet një tjetër nënstacion provizor në Gjirin e Lalzit.

Duhen shtuar stacionet që zjarrfikësit të arrijnë pa u djegur shtëpitë, se po u dogjën, për çfarë të shkojnë zjarrfikësit më. Madje, mirë që nuk shtojnë apo nuk strukturën stacionet, por ne nuk po na shtojnë grupin që është këtu, nga 6 ta bëjnë në 8, se një është punonjës informacioni. 6 veta kemi, komandanti këtu, dy zjarrfikësit, komandanti atje te stacioni në plazh me një zjarrfikës dhe një shofer. Komandanti i grupit gjithmonë i duhet të bëjë edhe shërbimin zjarrfikës, edhe të drejtojë skuadrën, edhe të vlerësojë situatën edhe të mbajë tubin e ujit në dorë”, sqaron ai për Portën Vendore.

Komandanti Bashkim Mema u ndal edhe tek shembuj konkretë, që sipas tij sjellin vështirësi gjatë operacionit të shpëtimit.

“Kemi problemin e mungesës së organikës, kemi vite pa marrë lejen e zakonshme. U bë një vit që kemi mungesë organike, 3-4 veta, por tani janë plotësuar. Ja të jap një fakt të thjeshtë. Me rënë zjarri në kat të 9 ose 10, dy persona më duhen për të mbajtur tubin me ujë, por kush do e hapë derën, kush do evakuojë njerëzit, po kush do e shuajë zjarrin?! Minimalisht, për një operacion shpëtimit duhet të paktën 8 ose 9 persona. Por kur kemi disa operacione shpëtimi njëkohësisht, ekipi ndahet. Ne jemi 7 veta në turn, bashkë me personelin e shërbimit operativ, dy janë shoferët, një komandat shërbimi dhe 3 zjarrfikës. Por problemi më madhor është në pikun e verës, ku kemi ngarkesën më të madhe Këtu ne jemi më pak se sa jemi në dimër, sepse dy persona ikin tek nënstacioni provizor te Gjiri i Lalzit dhe këtu ngelin dy zjarrfikës në turn”, tha ai.

Shpëtojnë jetë njerëzish, por i ulet paga

Shefi i Operacionales, Zhupa u shpreh se zjarrfikësit nuk vlerësohen financiarisht siç e meritojnë të cilët sipas tij, rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar qytetarët në nevojë. Ai thekson se shpesh zjarrfikësi merr vendime vetëmohuese.

“Për vetë detyrën e vështirë, për shërbimin jetik që u ofrohet qytetarëve, ka vend për një vlerësim më cilësor për pagat. Shpesh punojmë jashtë orarit në varësi të thirrjeve për ndihmë, është punë e vështirë, kërkon punë luftarake, kërkon përkushtim, është një punë që në shumë situata kërkon vetëmohimin, nuk ndërhyn prindi për fëmijën, e presin të ndërhyjë zjarrfikësi. Të  gjitha situatat vlerësohen në kohë reale. Një tjetër problem është se duhet të sqarohet statusi, si dhe llogaritja e viteve vjetërsisë. Zyrtarët e quajnë një lapsus, por u mbush vitit i tretë, pse duhet ta quajnë një lapsus”, parashtron me të drejtë ai.

Komandati Mema e cilësoi uljen e pagave, si një vendim qesharak.

“Ne kemi shumë problem në lidhje me pagën. Psh ata zjarrfikës që vijnë nga radhët e policisë, nuk u quhen vitet e punës në polici, ndërsa ata që vijnë nga ushtria u quhen vitet që ka punuar aty, kjo është absurde. Pa llogaritur tani që na hoqën 70 mijë lekë, kjo është qesharake”, tha ai. Punonjësi i sallës operative të zjarrfikëses në Durrës, Astrit Çeçaj, është nga ata zjarrfikës që vjen nga radhët e policisë. “Unë kam punuar 10 vjet në Policinë e Shtetit, nuk ma njohin si vjetërsi pune këtu si zjarrfikës, ndërsa ata që vijnë nga SHISH, apo ushtria ua njeh”, shpjegon Çeçaj.

Mungesa e disa pajisjeve për operacione të caktuara, siç u tregua me rastin e tërmetit, si dhe nevoja për shtim të organikës së trupës së zjarrfikësve, është një tjetër problem që u nënvizua për ‘Porta Vendore’, ndërkohë që shefi i Sektorit të Ndërhyrjes Operacionale të Shërbimit Zjarrfikës në Durrës nënvizoi që ka pasur raste ku trupat zjarrfikës kanë pësuar lëndime gjatë detyrës së tyre dhe nuk janë dëmshpërblyer nga sigurimi i jetës.

“Nuk kemi pasur humbje jete nga ana e qytetarëve gjatë operacionit të shpëtimit në këto 3 vite, ndërsa nga trupat zjarrfikëse ka pasur raste lëndimi pa pasoja në jetë. Kemi pasur probleme edhe me sigurimet e jetës, ka pasur zjarrfikës që janë djegur duke shuar zjarrin e makinës, nuk u është kompensuar, por kohët e fundit ka filluar të zbatohet”, thotë Zhupa për Portën Vendore.

Por përveç lëndimeve nga zjarri, ka pasur raste kur zjarrfikësit kanë rrezikuar jetën e tyre nga asfiksia.

Automjetet zjarrfikëse në Shërbimi Zjarrfikës në Durrës

Por me gjithë vështirësitë e sfidat e mëdha që paraqet ky zanat, kjo nuk i tremb të rinjtë që t’i bashkohen këtij misioni sa human aq edhe të vështirë. Jurgen Mezani, i cili edhe pse i ri në moshë, ka zgjedhur t’i shërbejë qytetarëve si zjarrfikës. Ai shprehet se puna e zjarrfikësit kërkon një shpirt luftarak, pasi përballet çdo ditë me situata të rrezikshme, duke vënë theksin se nuk duhet të emocionohen në asnjë lloj rrethane. Detyra fisnike është shpëtimi i jetëve.

“E kam filluar punën si zjarrfikës para 4 vitesh. Është eksperiencë e vështirë, por edhe e bukur. Duhet të kesh shpirt luftarak, është punë me përgjegjësi, sepse duhet të futesh aty ku është zjarri. Të tregoj një rast që jam emocionuar, pasi kemi shpëtuar disa persona, mes tyre edhe fëmijë. Kishte rënë zjarr në një pallat në kat të dytë, edhe e gjithë ndërtesa u mbush me tym. Aty na është dashur të ndërhynim të nxirrnim fëmijë, ishte e vështirë sepse ishin asfiksuar nga tymi. Ne jemi njerëz dhe mund të bëhemi të ndjeshëm në varësi të situatës, me të cilën përballesh, por duhet ta përmbajmë veten, nuk duhet të lejojmë që të përfshihemi emocionalisht në një operacion, sepse duhet të jemi të kthjellët që të bëjmë punën dhe të mos rrezikojmë qytetarët”, thotë Jurgeni.

Bashkia Durrës. në dijeni të problematikës, zgjidhja ende larg

Porta Vendore u interesua dhe pranë Drejtorisë së Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri në Durrës për problemin e ngritur për uljen e pagave, por dhe mungesat e tjera të identifikuara nga zjarrfikësit. Drejtori i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri Durrës, Adriatik Velaj sqaron për ‘Porta Vendore’ problemin e pagave të zjarrfikësve si dhe foli për masat që janë marrë.

“Ne kemi paguar me urdhrin e kryetarit të Bashkisë, të shtunat dhe të dielat 25-50% sipas Kodit të Punës si dhe ditët festive. Kjo ka ndodhur nga viti 2016 e deri në vitin 2020. Në një sqarim që na erdhi nga Ministria e Brendshme, në shtator të vitit 2020, na u tha se ne jemi me status të veçantë dhe nuk duhet të trajtohemi me Kod Pune. Është bërë një takim, ku ishte dhe Sekretari i Përgjithshëm e na u tha se do të rregullohet, deri më sot akoma nuk është rregulluar. Punonjësit përfitonin para këtij urdhri mesatarisht 5-7 mijë lekë shtesë për pagat”, thotë drejtuesi i SHMZ Durrës për Portën Vendore.

Velaj foli edhe për problemin mosnjohjes së vjetërsisë së punës për zjarrfikësit, të cilët më parë kanë punuar në Policinë e Shtetit.

“Është bërë një lapsus për dhënien e vjetërsisë për vitet që kanë kryer pranë Policisë së Shtetit, sepse mbi 80% e trupës që operon në zjarrfikëse vjen nga Policia e Shtetit. Na është thënë se është një lapsus njerëzor, ku njihet vjetërsia në sektorë të tjerë, në Gardë në SHÇBA, është harruar siç duket për Policinë e Shtetit”, sqaron ai, por nuk shpjegon se çfarë është bërë për të gjetur një zgjidhje.

Ndërsa për problemin e lejeve vjetore dhe mungesës së personelit, drejtori tha se është bërë kërkesë. “Ne kemi bërë kërkesë Këshillit Bashkiak që të na shtohen edhe 4 vet personel, me argumentin që niveli bazë i punonjësve të ndërhyrjes të përfitojnë lejen e zakonshme. Ne kemi bërë me pjesë zëvendësimi, në periudhën shkurt deri në qershor kemi  një periudhë që nuk kemi një ngarkesë dhe u kemi dhënë nga dy apo tre shërbime pushim, ose sipas nevojave të tyre, por leje të zakonshme të mirëfilltë nuk u kemi dhënë. Pra u kemi dhënë leje të pjesshme, por të plotë jo, për shkak të mungesës së organikës”, shpjegon ai.

Adriatik Velaj ngriti edhe shqetësimin e buxhetit që ka në dispozicion Shërbimi Zjarrfikës Durrës, i cili theksoi se është i pamjaftueshëm. “Ne jemi me buxhet specifik që është miratuar nga Ministria e Financave  dhe vjen në fillim të vitit dhe është në vlerën 48-49 mln lekë të reja. Nuk është i mjaftueshëm sepse më këto ne kryejmë të gjithë pjesën organike për një vit kalendarik, që nga pagat, sigurimet shoqërore, shëndetësore, blerja e karburantit, mirëmbajtja e automjeteve”, shprehet ai. Një tjetër problematikë që ka zjarrfikësja Durrës sot, është numri i kufizuar i automjeteve, të cilat nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjitha zonat e Bashkisë Durrës. Shërbimi zjarrfikës në Durrës ka mungesa në pajisje dhe automjetet me të cilat operojnë, janë të vjetra, kryesisht të viteve, ’60-’90. “Nuk i kemi të gjitha mjetet e duhura për çdo ndërhyrje, pjesërisht i kemi mungesa për ndërhyrje, sidomos rasti i tërmetit tregoi se kemi  goxha mungesa duke u krahasuar me Kosovën. Kemi  mungesa në pajisje, kamera sepse shkenca ka evoluar. Ne kemi mjete që variojnë nga vitet  60, 70, 80, 90 dhe vetëm një mjet kemi të 2011. Përderisa nuk kemi mundësi tjetër, ne qytetarëve do t’i shërbejmë me këto që kemi. Në zonën e verës thirrjet më të shpeshta për ndihma janë rastet e zjarreve në zonat pyjore, për shkak të temperaturave,7 mjete zjarrfikëse janë për gjitha zonat bashkisë Durrës. Por Autoriteti Portual ka një shërbim të vetin zjarrfikës dhe na vjen në ndihme për shtim trupash në rast nevoje, ku ata kanë 3 mjete dhe 34 personal”, tha Velaj.

Pagat dhe vjetërsia? Institucionet ping-pong me njëra-tjetrën

Në lidhje me pagat e zjarrfikësve, ‘Porta Vendore’ i dërgoi një kërkesë për informim edhe Bashkisë Durrës, duke e pyetur se çfarë masash janë marrë për të zgjidhur problemin e këtij shërbimi.

“Në  lidhje  me  disa shqetësime të cilat janë bërë me dije  nga punonjesit e Policisë së  Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi përsa i takon pagave ju sqarojmë se nuk është kompetencë e Bashkisë Durrës niveli i pagave. Ato janë të përcaktuara me VKM nr. 350 datë  19.04.2017  ‘Për trajtimin me  pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin’, ku në pikën tre përcaktohen dhe vjetërsinë në punë. Për mosllogaritje të vjetërsisë në punë të punonjësve, të cilët vijnë nga Policia e Shtetit, i jemi drejtuar Drejtorisë së MZSH pranë  Ministrisë së Brendshme për ndërhyrje në  VKM dhe jemi në pritje të përgjigjes”, tha bashkia teksa iu përgjigj kërkesës për informacion referuar nga Porta Vendore.

Teksa Bashkia dhe Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri Durrës janë në pritje nga Drejtoria e MZSH pranë Ministrisë së Brendshme, Porta Vendore iu drejtua këtij institucioni nëpërmjet një kërkesë për informim, në lidhje me uljen e pagave dhe vjetërsinë e punës. “Për pagesën e punonjësve të Shërbimit Zjarrfikës, në zbatim të ligjit 152/2015 ‘Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin’ janë aktualisht 2 VKM, të cilat normojnë pagesën: VKM nr. 350, datë 19.4.2017 ‘Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të MZSH’ dhe VKM nr. 203, datë 10.4.2019 ‘Për përcaktimin e kritereve, të masës së përfitimit dhe llojeve të pushimeve të tjera, me apo pa pagesë në shërbimin e MZSH’. Për zbatimin e këtyre dy vendimeve ngarkohen bashkitë, të cilat kanë buxhetin e punonjësve zjarrfikës. Këto dy vendime të Këshillit të Ministrave nuk kanë ndryshuar dhe janë në fuqi. Drejtuesit vendorë të shërbimit zjarrfikës duhet të përllogarisin konform këtyre dy vendimeve orët e punës për çdo zjarrfikës, çdo javë, çdo muaj. Problemi i njohjes së vjetërsisë së periudhës kur punonjësit kanë shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit është në proces diskutimi, që edhe kjo periudhë të njihet si vjetërsi shërbimi”, u përgjigj Ministria e Brendshme e kontaktuar nga Porta Vendore.

Siç duket, problemi për vjetërsinë e punës do të rregullohet nga instancat përkatëse. Por shqetësimi për shtimin e numrit të zjarrfikësve, duket se duhet të nisë zgjidhjen nga vetë bashkitë. Shërbimi Zjarrfikës i bashkive ka 150 automjete zjarrfikëse, të cilat kryesisht janë të përdorura. Në 61 bashkitë në vend janë instaluar 70 stacione zjarrfikëse, nga 38 që ishin në 2014, me 1250 punonjës. Sa i përket nevojës për trajnimin e zjarrfikësve, mbetet ende në nivelin e planifikimit pasi pandemia ndaloi projektin për ngritjen e një Qendër Trajnimesh.