29 mars 2020/Albina Hoxhaj/Porta Vendore/Tiranë
Tirana ka shtuar ndjeshëm korsitë e biçikletave në vitet e fundit, madje duke krijuar dhe shumë pakënaqësi, sidomos te bizneset anës rrugës, ku janë hequr parkimet dhe ndërtuar rrugët për dyrrotakët. Por ekspertët mendojnë se pavarësisht shtimit të korsive të biçikletave, ato janë sërish shumë larg standardit, qoftë për mënyrën e ndërtimit, qoftë për sasinë e tyre.
Sipas një vëzhgimi të Portës Vendore, korsitë e biçikletave në kryeqytet janë shtuar ndjeshëm, sidomos gjatë 5 viteve të fundit. Bashkia Tiranë në shumë rrugë dhe rikonstruksione në zona të ndryshme të kryeqytetit, ka përshirë brenda investimit të kryer edhe korsinë e dedikuar për përdoruesit e biçikletave, të cilët janë shtuar nga viti në vit.
“Mirë ka bërë bashkia që ka rritur investimet, pasi vihet re që ka ndryshuar gjendja e qytetit për ne adhuruesit dhe besnikët e dyrrotakut. Unë kam vite që jam i rregullt në lëvizjen me biçikletë. Me këtë shoqen time i kam kryer të gjitha detyrimet jashtë shtëpisë. Bëj pazarin, shkoj në punë, pse jo edhe të marr nipin nga kopshti”, shprehet Avniu, i cili na rrëfen se ka mbi 20 vite që e ka parë biçikletën si mjet alternativ lëvizjeje, teksa mban edhe trupin në formë.
Ndërsa Sokoli, që është një djalë rreth të 35-ve na tregon se me gjithë shtimin e korsive, sërish ka një lloj sensibilizimi të pakët të përdoruesve të biçikletave dhe automjeteve mbi detyrimet e tyre në rrugë, çfarë shkakton shpesh dhe raste aksidenti. “Sërish jemi të rrezikuar ne si përdorues biçiklete, jemi ende në një sensibilizim minimal do të thosha për rregullat që duhet të ndjekim në rrugë, jo vetëm ne, por edhe drejtuesit e mjeteve, pasi shpesh kemi konflikte të vazhdueshme me ta, ku nuk kanë munguar edhe incidentet”, tregon ai.
Aktualisht janë të shumta rrugët në kryeqytetet që ofrojnë një korsi të dedikuar për çiklistët, ose thënë ndryshe përdoruesit e biçikletave, të tilla si: Rruga e Kavajës, Rruga Muhamet Gjollesha, Bulevardi Zhan Dark, Bulevardi Gjergj Fishta, Sheshi Willson, Stadiumi Dinamo, Kryqëzimi i Komunës së Parisit, zona e Selvisë, Rruga e Barrikadave, Myslym Shyri, Rruga e Durrësit, Pazar i Ri, Kinostudio, Kombinat,etj.
Por megjithatë, pavarësisht faktit që qytetarë të ndryshëm shprehen të kënaqur me investimet e kryera, ka edhe nga ata shoferë ose biznese që “qahen” për shtimin e korsive të biçikletave, sidomos në rrugën “Myslym Shyri dhe Rrugën e Durrësit, pasi sipas tyre, aty është ngushtuar goxha rruga për makinat.
“Bashkia Tiranë duhet të gjente një zgjidhje me adekuate për shtimin e korsive të biçikletave në zonat shumë të populluara, siç është edhe ajo e Myslym Shyrit. Unë jam vetë banues në këtë zonë dhe është bërë e pamundur jetesa këtu, pasi rrugët janë ngushtuar goxha, aq sa nuk kemi më as ku parkojmë, një situatë kritike për mendimin tim dhe e tmerrshme. Jam dakord me shtimin e korsive dhe e respektoj këtë gjë, për të gjithë target-grupin e përdoruesve të biçikletave, por ama jo në dëm të ne të tjerëve, pasi ashtu sikurse ka disa zona jo të pakta nëpër Tiranë që ende nuk janë ngritur korsit,ë kështu mund të ishte bërë edhe me zonën tonë”, thotë Frani, teksa përpiqet të parkojë në parkim dysh në “Myslym Shyri”, për të bërë disa pazare në një prej bizneseve aty pranë.
Por të njëjtin opinion ndan edhe Ana, e cila është pronare e një dyqani rrobash në këtë zonë, teksa rrëfen se korsitë e biçikletave dhe pandemia po fundosin njëherë e mirë biznesin e saj.
“Nuk ka më njerëz që vijnë të parkojnë dhe të hyjnë në dyqan për të parë e më pas për të blerë. Shumë nga klientët i kam humbur, pasi është e pamundur që në këtë zonë në këto kushte të gjendet parkim. E kemi shumë të vështirë mbijetesën, sidomos në këto kushte dhe me pandeminë nëpër këmbë. Dikush duhet të mendojë për ne”, apelon ajo.
Ndërhyrjet e fundit infrastrukturore në rrugën e Durrësit, sikurse ndodh në çdo investim të rëndësishëm, ka bërë që banorët dhe bizneset të ndahen në pro e kundra. Rruga përveçse është kthyer me një sens, me dy korsi për makinat e një për biçikletat, vetëm ardhje nga Zogu i Zi drejt Qendrës së Tiranës, ka bërë që tanimë shoferët të ankohen për trafikun e madh që bëhet në rrugën Mine Peza, pas mbylljes së korsive me dy sense lëvizjeje në Rrugën e Durrësit.
“Jemi në pikë të hallit, po humbasim klientët tanë më të mirë, nuk kanë ku të qëndrojnë për të ardhur e parkuar as që bëhet fjalë fare. Uroj që kjo situatë të ndryshojë, por ne e kemi shprehur që në krye të herës që s’kemi qenë dakord me këtë investim, pasi i dinim shumë mirë efektet, por askush nuk na dëgjoi dhe përveçse gjatë atyre muajve të punimeve në këtë rrugë nuk patëm punë, pasi qëndruam mbi 3 muaj të mbyllur, tani megjithëse të hapur si qepena, bizneset tona po falimentojnë për fat të keq”, tha një pronar i një dyqani floriri në këtë zonë.
Ndërsa një banor i kësaj zone tregon për Portën Vendore se ky investim i kryer ishte i duhuri për zonën e tyre, pasi e kanë kërkuar prej vitesh që kjo gjë të ndodhte dhe shprehen të lumtur me infrastrukturën e re të kësaj rruge.
Kurse një taksist i tha Portës Vendore se me ridimensionimin që ka marrë tanimë Rruga e Durrësit, si dhe me shpalljen zonë kantieri rrugor përsa i përket infrastrukturës në disa rrugë, Tirana është shndërruar në një vend që s’jetohet, e aq më pak trafiku që është në nivele alarmante. “Nëse deri dje një lëvizje me taksi për një klient varionte nga 500-800 lekë për lëvizje mesatare në Tiranë, tani së paku për shkak të kaosit dhe trafikut në rrugët e rikonstruktuara dhe ato në ndërtim, një klient paguan rreth 30% më shumë, dhe kjo është e pafalshme. Vetëm nga qendra po të shkosh deri në Astir, trafiku të mban rreth 1 orë e gjysmë dhe normalisht që kjo është kosto për klientin, i cili ndaj e ka kontraktuar një shërbim të tillë taksi që të shkojë shpejt, por me këto ndryshime që po i bëhen Tiranës as ne s’kemi më zgjidhje për klientët tanë, sado që u bë një jetë me këtë zanat dhe e njohim kryeqytetit me pëllëmbë”, tregon Avniu.
Premtimet e kryebashkiakut në fushatën elektorale
Ashtu sikurse ka raportuar edhe më parë Porta Vendore, Bashkia Tiranë premtoi në fillim të vitit 2018, se qytetit do t’i shtoheshin edhe 10 km korsi e dedikuar, ndërhyrje që do të shtriheshin në disa zona si: aksi bulevardit “Zogu i Parë”, gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga qendra deri tek rruga e “Dibrës”, deri te Farmacia 10 dhe pastaj nga Farmacia 10 deri në Kinostudio. Po kështu, edhe në rrugën e re të Kombinatit. Dhe në fakt kjo ka ndodhur, pasi Tirana tanimë rezulton si qyteti me numrin më të madh të korsive të biçikletave, krahasuar kjo me qytetet kryesore të Shqipërisë.
Një nga premtimet e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj (në fushatën e vitit 2015) ishte krijimi i hapësirave të posaçme për çiklistët. Në programin elektoral shkruhet “Do të kryhet promovim i përdorimit të mjeteve alternative të transportit si biçikletat duke shtuar korsitë e dedikuara, hapësirat pedonale dhe duke kontrolluar rreptësisht respektimin e tyre në territorin e bashkisë”. Korsitë e biçikletave janë shtuar në disa zona të kryeqytetit dhe janë promovuar gjerësisht në rrjetet sociale të kryebashkiakut dhe faqes zyrtare të bashkisë së Tiranës. “Segmenti i parë i 10 km korsi të dedikuara biçikletash, është ai në Bulevardin ‘Zogu I’. Korsia lidhet më pas edhe me Bulevardin e Ri, ndërsa nga ana tjetër, është sheshi ‘Skënderbej’, një hapësirë të madhe pedonale për biçikletat. Mandej, do të vijojmë me korsitë e Unazës së Vogël, për të vijuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për një korsi ekskluzive biçikletash”, thuhet më tej në përgjigjen e këtij institucioni.
Në periudhën e pandemisë kryebashkiaku i Tiranës i kushtoi një rëndësi të veçantë korsive të biçikletave duke nënvizuar meritat e bashkisë për këtë infrastrukturë e cila iu shërbeu qytetarëve. Intervista të shkruara dhe televizive nënvizuan ndër të tjera tre elementë: kursimin e shpenzimeve, lehtësimin e trafikun dhe domosdoshmërinë e këtij mjete gjatë periudhës së pandemisë.“Për sa kohë që nuk kemi një vaksinë, e ardhmja do të jetë e këmbësorëve dhe e çiklistëve. Disa gjëra që më përpara i bënim sepse ishim bashki progresiste, pra rregullim trotuaresh, korsi biçikletash, tani do t’i bëjmë si detyrim dhe emergjencë shëndetësore. E di që tingëllon e çuditshme, por zgjerimi i trotuareve dhe korsitë e biçikletave janë pjesë e një emergjence shëndetësore, njësoj si shërbimi zjarrfikës, shërbimi policor apo shërbimi i ambulancës”, nënvizoi kryebashkiaku në një ndër daljet e tij publike.
Porta Vendore iu drejtua Bashkisë së Tiranës për situatën e korsive të biçikletave në kryeqytetit, ndërsa ky institucion na bën me dije se deri më tani janë ndërtuar 33 km korsi të dedikuara për çiklistët, duke shkuar në total në 44 km së bashku me korsitë ekzistuese.
“Investimet e fundit të Bashkisë Tiranë kanë bërë të mundur që të ketë një rrjet më të gjatë të korsive të biçikletave, si një alternativë e shëndetshme për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe cilësinë e ajrit në zonat urbane. Deri tani përafërsisht janë ndërtuar 33 km korsi biçikletash, dhe pjesa tjetër është planifikuar në vijim pasi kemi të bëjmë me rrugë dhe kryqëzime të cilat kërkojnë vlerësim të shumë detajeve dhe kushteve të sigurisë”, thotë në përgjigjen e saj Bashkia Tiranë, teksa shton se: “ Në Tiranë, me shtimin e korsive të dedikuara është rritur numri i qytetarëve që i përdorin ato, rreth 6% e lëvizjes kryhet me biçikletë ndërsa shprehim ambicien se deri në vitin 2030 kjo shifër do të shkojë në 50%”, përfundon në përgjigjen e saj për Portën Vendore, Bashkia Tiranë.
Ekspertë dhe aktivistë: Duhen më shumë korsi
Aktivistja Xhenis Kryekurti ka ndërmarrë një projekt, me mbështetjen e Leviz Albania, “Pedalo i sigurt në kryeqytet”, që ka për qëllim rritjen e sigurisë për përdoruesit e biçikletave në qytetin e Tiranës, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit për respektimin e sinjalistikës dhe korsive prej çiklistëve, këmbësorëve dhe automjeteve (aty ku ndërthuren).
“Bashkia e Tiranës prej më shumë se katër vite ka vendosur ndër prioritetet e saj krijimin e korsive të dedikuara ndaj përdoruesve të biçikletave. Krijimi i këtyre korsive të biçikletave ka rritur ndjeshëm përdorimin e biçikletave nga qytetarët e Tiranës, ashtu sikundër ka shtuar dhe ofruesit e shërbimit të qiradhënies së biçikletave. Kjo sipërmarrje ka paraqitur anët e saj pozitive dhe negative njëkohësisht. Ne kemi realizuar një dokument teknik në bashkëpunim me ekspertë auto- teknik mbi rëndësinë e kryerjes së testimeve, studimeve dhe analizave paraprake prej institucionit vendor në kuadër të investimeve në krijimin e korsive të biçikletave, i bazuar në tre shtylla: nevoja – impakti – siguria. Gjithashtu, gjatë kësaj jave ky dokument do te përcillet pranë autoriteteve lokale e do shërbejë si mjet ndërgjegjësim/advokim tek autoritetet vendore për vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale, paralajmëruese, mbi rrezikshmërinë që paraqesin kryqëzimet e rrezikshme, me qëllim rritjen e përgjegjshmërisë prej përdoruesve të korsive të biçikletave”, shprehet aktvistja Xhenis Kryekurti.
Raporti teknik i hartuar ka në thelb një auditim mbi efektivitetin e investimit në infrastrukturën e biçikletave në qytetin e Tiranës, e me në veçanti ka të bëjë me korsitë e biçikletave, të cilat kanë lidhje me kategoritë e rrugëve urbane dytësore dhe urbane kryesore.
“Një përfundim i përgjithshëm është se politikat mund të jenë efektive në mbajtjen e niveleve të larta të çiklizmit dhe forcimin e kulturës së çiklizmit. Dokumenti bën një analizë të thellë të rrugëve kryesore në të cilat janë ndërtuar korsitë e biçikletave dhe problematikave që kanë sjellë ndërhyrjet në to, në lidhje me infrastrukturën ekzistuese. Një nga modelet më të suksesshme që janë marrë në studim është ai i zhvilluar kohët e fundit në Holandë i cili sjell konceptin “autostradë” te biçikletave, me qëllim të promovimit të çiklizmit ndërurban, si një mjet për lehtësimin e bllokimeve në autostradat; autostradat e biçikletave sigurojnë rrugë me cilësi të lartë në korridoret ndërurbanë deri në 20 km”, thotë ajo për Portën Vendore.
Kryekurti sqaron se ky dokument do të përcillet brenda kësaj jave në organet përgjegjëse, e më pas në fillim të shkurtit do të organizohet edhe një takim/tryezë diskutimi me aktorët kryesorë, përfaqësues të bashkisë, përdorues të biçikletave e jo vetëm, policinë rrugore, ekspertë të qarkullimit, organizata të shoqërisë civile të angazhuara në kauza të ngjashme. “Në këtë aktivitet përmbyllës të projektit do të diskutohen arritjet kryesore dhe sugjerimet përkatëse të dokumentit teknik”, përfundon Xhenis.
Porta Vendore kontaktoi me një sërë ekspertësh për çështjen e korsive të biçikletave dhe problematikat që janë ende prezentë në kryeqytet në këtë aspekt.
Ened Mato, drejtues i EcoVolis dhe aktivist i shoqërisë civile, i pyetur nëse aktualisht a janë të mjaftueshme korsitë, apo duhet të zgjerohet rrjeti ende me korsi të tjera në rrugët që shërbejnë si zgjatime te kryeqytetit, tha për Portën Vendore se në një qytet me një milion banorë, 44 km korsi janë akoma shumë pak. “Duhen shumë më shumë. Përparësi deri sot i ishte dhënë vetëm makinave, tashmë po i jepet çiklistëve shumë më shumë, por duhet t’i jepet edhe këmbësorëve, duke shtuar, e zgjeruar njëkohësisht me korsitë dhe trotuaret e biçikletave. E përgjithshmja në Tiranë është se rrugët janë ende shumë larg të qenit miqësore me njerëzit. Si për përdoruesit e biçikletave, të cilëve edhe në korsitë e reja rruga u pritet dhunshëm, ashtu edhe për këmbësorë,t që shpesh ecin në rrugë apo në korsi se nuk kanë trotuar ku të ecin”, shprehet Ened Mato, aktivist i shoqërisë civile.
Urbanisti Gent Kaprata identifikon tre elementë thelbësorë që duhet të jenë në qendër të vëmendjes, kur zbatohet plani i përgjithshëm vendor i qytetit, lidhur pikërisht më çështjen që kemi marrë në shqyrtim. “Lehtësimi i lëvizjes biçikliste dhe në këtë kuptim shtimi i numrit të qytetarëve që e përdorin këtë lloj transporti qytetas, mund të suksesojë vetëm nëpërmjet një procesi të gjatë për implementimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të qytetit. Por edhe ky proces duhet të mbështetet në tre kushtëzime thelbësore: Së pari, procesi duhet të jetë aq i gjatë sa të shkojë paralel me kohën që kulturalisht qytetarët të përvetësojnë gjerësisht këtë mënyrë lëvizjeje; Së dyti, plani duhet të jetë hartuar duke përfshirë të gjitha mënyrat alternative të lëvizshmërisë urbane dhe jo vetëm atë biçikliste; dhe së fundi, plani duhet të projektojë një Tiranë policentrike, me theksin te rrjetet e transportit dhe blloqet mikse urbane. Çdo mënyrë tjetër, veçanërisht rruga që ka zgjedhur administrata e sotme, mund të prodhojë vetëm dështim për synimin dhe zhgënjim e vuajtje për qytetarët”, shprehet Kaprata.
Një auditim i realizuar nga eksperti rrugor Artur Sulçe, konstaton disa problematika kryesore të korsive të biçikletave në kryeqytet. Sipas tij, fillimisht ndërtimi i infrastrukturës u fokusua në rrugën nga sheshi “Avni Rustemi”, deri tek kryqëzimi i rrugës “Bardhyl”, apo dhe rruga nga kryqëzimi i “Farmacisë 10” drejt qendrës së qytetit, apo dhe rruga nga sheshi “Ëilson” drejt Liqenit të Tiranës, të cilat kanë ulur nivelin e shërbimit të këtyre rrugëve nga vendosja e korsive të biçikletave, duke pasur probleme në sinjalistikë rrugore dhe stacionet e autobusëve, po kështu dhe në hyrje-daljet në këto segmente rrugore ku mungojnë dhe trekëndëshat e dukshmërisë. Eksperti sugjeron se do të ishte mirë të përcaktoheshin tre rrjete biçikletash: një rrjet në nivelin e qytetit, një rrjet në nivel rrethi, një rrjet në nivel lagjeje.
Rreziku që iu kanoset çiklistëve
Në auditimin e realizuar, eksperti Sulçe ndalet te rrezikshmëria e çiklistëve në rrugë ku konstatoi se një ndikim të madh në rritjen e riskut të biçiklistëve kanë stacionet e autobusëve, konkretisht në rrugën “Hoxha Tasim”, rruga “Petro Nini Luarasi”, rruga “Farmacia 10 – Qendër”.
“Vendosja e ndalesave të autobusëve anash në seksionin rrugo,r kërkon një ekuilibër midis funksionimit të autobusëve, trafikut të automjeteve motorike dhe këmbësorëve. Konfigurimi më i zakonshëm është një ndalesë përkrah frenimit tipik të rrugës”, thotë Sulçe.
Eksperti tha për Portën Vendore se nisma për korsitë e dedikuara biçikletave është e mirë, por duke pasur parasysh kulturën rrugore të përdoruesve të rrugës nevojitet më shumë kohë. “Nisma e Bashkisë së Tiranës për korsitë e dedikuara për çiklistët është e mirë, por duke pasur parasysh kulturën rrugore të përdoruesve të rrugës qofte këmbësorëve, drejtueseve të automjeteve etj, kjo është një nismë që do kohë që edhe vetë shoqëria të ketë një kulturë të tillë. Kur vetë shoqëria nuk është e përgatitur për këtë infrastrukturë rrugore atëherë nisma dështon”, tha eksperti.
Ai konstaton e nuk është bërë një plan i plotë dhe mirë-studiuar përpara se të investohej në këtë infrastrukturë. Këtë e lidh me numrin e kërkesave, duke iu referuar numrit të personave që përdorin biçikletën si mjet transporti. “Të mos harrojmë që edhe biçikleta është mjet rrugor në bazë të nenit 47 të kodit rrugor, dhe përdoruesi i saj duhet të sillet në rrugë si drejtuesi i automjetit. Ju shikoni herë pas here që kalojnë në rrugën e këmbësorëve që nuk është vendi i çiklistëve. Biçikleta është mjet rrugor, nuk mund të kalojë në rrugën e këmbësorëve, në këtë rast ai duhet të zbresë nga biçikleta dhe ta marrë atë në dorë. Me ketë doja të tregoja që akoma nuk është kultura e çiklistëve, pra ne po ndërtojmë një infrastrukturë kur nuk kemi përgatitur ende njerëzit”, nënvizon eksperti Sulçe duke theksuar rëndësinë e kulturës së përdoruesve të rrugës.
Eksperti sugjeron që ndërtimi i infrastrukturës të fillonte nga unaza e Tiranës. “Për unazën kam një koncept tjetër, linja që është për parking të bëhej korsi biçiklete, rrugë emergjencë dhe të kalonin edhe mjetet e transportit publik. Kjo do të zvogëlonte trafikun në unazë pasi autobusi do të dërgonte qytetarët në kohën e duhur në të gjitha destinacionet dhe do të minimizonte trafikun”, thotë ai.
Ai vëren se disa rrugë janë ngushtuar për të krijuar korsitë e biçikletave dhe e ilustron këtë me rrugën “Myslym Shyri”. Nga ana tjetër eksperti tregon se çiklistët janë të rrezikuar në rrugë, e veçanërisht në kryqëzime ku mund të jenë të rriskuar për t’u përfshirë në aksidente rrugore. “Në kryqëzimet, ku nuk është dhënë zgjidhje çiklistëve për shkak se nuk duken por ka edhe semaforë që lejojnë të kthehen në të njëjtën kohë çiklistët dhe makinat, ndërkohë që çiklistit mund t’i shmangej hyrja në trafik. Kuptohet që në çdo kryqëzim nuk janë zbatuar standardet e projektimit dhe risku është shumë i madh për aksidente. Kjo ndodh për shkak se nuk janë kryer studime”, tha Sulçe.
Sipas tij, duhet dixhitalizuar minimalisht unaza e Tiranës me të gjitha rrugët që ka përgjatë unazës.
Pandemia rriti numrin e çiklistëve
Pandemia shërbeu gjithashtu për shitjen e një numri më të madh biçikletash, këtë fakt e konfirmojnë edhe dyqanet e shumta që janë shtuar në Tiranë gjatë pandemisë së Covid 19, teksa kanë zgjedhur që të tregtojnë biçikleta. Pronari i një dyqani biçikletash pranë zonës që njihet si “Tregu i Biçikletave”, na tregon se shitjet nga muaj mars e deri më tani janë shtuar thuajse me dyfish.
“Njerëzit kërkojnë biçikleta duke nisur që nga më të lirat e deri tek ato më të shtrenjta, në varësi të buxhetit, por përgjithësisht gjatë kësaj periudhe kemi shitur biçikleta të një niveli mesatar, por është vënë re doemos një numër më i madh shitjesh, të paktën pandemia shërbeu për diçka, në pamundësi për mjete të tjera transporti, zgjodhëm biçikletën. Ndërsa mendoj që kriza që ka hyrë në ekonominë e shumë familjeve shqiptare ka bërë që biçikleta të shikohet tanimë si një mjet alternativ transporti ku ka edhe pjesën e kursimit brenda”, tha ai, teksa nuk donte që emri i tij të bëhej publik.
Por pavarësisht kësaj, a janë sensibilizuar qytetarët për përdorimin e biçikletës si mjet alternativ për të ulur edhe ndotjen e ajrit në kryeqytet.
“Qytetarët po i bezdis makina gjithmonë dhe më shumë. Biçikleta ngelet praktike, e shëndetshme, pa shpenzime në lëvizje. Nëse qyteti do të bënte analizat e mushkërive, doktori gjëja e parë që do sugjeronte do të ishte të fiknim makinat, për vete dhe për qytetin. Sot gjithmonë dhe më shumë duhet të dëgjojmë mjekët, për pasojat që na vijnë ndotja e ajrit”, përfundon Ened Mato për Portën Vendore.