Vëzhgim/Analizë

Shitësit ambulantë në rrugët kombëtare rrezik për aksidente. Institucionet shmangin përgjegjësitë ligjore

26 mars 2021/ Julian Hoxhaj/Porta Vendore/ Korçë

Udhëtimi në aksin rrugor Pogradec-Korçë apo anasjelltas, shpesh të ngjan si parakalim në një treg fruta-perimesh. Përgjatë gjithë këtij aksi rrugor, janë pozicionuar në anë të karrexhatës së rrugës dhjetëra, në mos qindra, tregtarë lokalë që shesin prodhime bujqësore. Banorët kanë ngritur kioska të improvizuara në anë të rrugës kombëtare Korçë-Pogradec, ku ekspozojnë për shitje, prodhime të ndryshme bujqësore. Pozicionimi i tezgave apo kioskave shpesh është në anën e rrugës, brenda trases së karrexhatës, ndërsa nuk mungojnë as tezgat e vendosura në xhepat e pushimit për mjetet.

Të gjitha sa më sipër duket se janë në shkelje të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, i cili ndalon rreptësisht ushtrimin e aktivitetit tregtar në rrugët e kategorisë “A” sic janë rrugët kombëtare. Neni 20 i Kodit Rrugor përcakton ligjërisht ndalimin e ushtrimit të aktivitetit tregtar në bankinën e rrugës. “Në rrugët e tipit A, B, C dhe D, sipas nenit 2, ndalohet çdo lloj zënie e sipërfaqes rrugore, nga panaire dhe tregje me automjete, barraka, tenda etj. Në rrugët e tipit E dhe F zënia e sipërfaqes rrugore mund të autorizohet, me kusht që të përcaktohet një itinerar tjetër për trafikun. Nuk lejohet vendosja e kioskave, qoshkave të gazetave ose e instalimeve të tjera, edhe me karakter të përkohshëm, jashtë qendrave të banuara në brezat e rezervuar. Zënia nuk mund të bëhet në brëndësi të trekëndëshave të fushëpamjes së kryqëzimeve, të treguara në nenin 18, pika 2”, thuhet ndër të tjera në këtë pjesë të ligjit për Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Më tej, po në këtë nen në pikën 4 të tij, përcaktohen dhe masat ligjore për ata që zënë sipërfaqen e rrugës. Dënimi shkon deri në njëqind mijë lekë të rinj. “Cilido që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse, ose që, duke pasur leje, nuk zbaton kushtet e saj, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë”, thuhet në ligj.

Situata dhe përgjegjësitë ligjore

Ashtu siç shihet dhe nga fotot, situata në këtë aks rrugor (por që është në përgjithësi në të gjitha akset kombëtare), tregon se ligji jo vetëm që është shkelur, por aktiviteti tregtar vijon normalisht. Porta Vendore për të sqaruar përgjegjësitë ligjore dhe institucionale për këtë problem ka kontaktuar me disa institucione.  Fillimisht duhet të sqarojmë se siç u përmend më sipër, është përcaktuar në Kodin Rrugor qartësisht ndalimi i zënies së brezit të rrugës. Por për të qartësuar përgjegjësinë e largimit nga rruga të këtyre bizneseve, ne konktaktuam Bashkinë Korçë, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dega Korçë dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Një nga pyetjet që i drejtuam Bashkisë Korçë ishte lidhur me numrin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në këtë aks rrugor. Mirëpo përgjigja e bashkisë ishte sa më poshtë: “Përsa i përket numrit të tregtarëve që shesin fruta-perime përgjatë Rrugës Nacionale Korçë-Pogradec, ju duhet t`i drejtoheni Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), pasi ky autoritet bazuar mbi ligjin për ushqimin, ndjek të gjitha proçedurat e tregtimit të produkteve ushqimore në çdo njësi tregtare dhe për rastin në fjalë për të cilin jeni i interesuar”, ishte një nga përgjigjet e bashkisë. Edhe për pyetje të tjera, lidhur me ushtrimin e aktivitetit nga këto subjekte përgjatë aksit rrugor, Bashkia e Korçës na sugjeroi të kontaktonim me Drejtorinë e Tatimeve, AKU-në dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar. Ndërkohë, vetë ky institucion, të vetmen gjë që duket se ka bërë për të parandaluar këtë fenomen, që bëhet shkak për aksidente rrugore, është sensibilizimi. Sipas përgjigjes ndaj kërkesës tonë, Bashkia Korçë thotë se shpesh ka bërë fushata sensibilizimi ndaj tregtarëve dhe ka komunikuar me institucione të tjera për zgjidhjen përfundimtare të situatës. “Bashkia Korçë me strukturën e saj të Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me administratorët dhe kryepleqtë e njësive administrative përkatëse që janë në varësi të bashkisë, kanë kryer në mënyrë periodike fushata sensibilizuese ndaj këtyre personave. Gjithashtu ka pasur komunikime zyrtare me Institucionin e Prefektit te Qarkut Korçë, ARRSH dhe AKU për zgjidhjen përfundimtare të situates”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Korçë.

Ndërkohë, Porta Vendore e vijoji më tej interesimin institucional për të kuptuar rolin dhe përgjegjësinë për largimin e shitësve të fruta – perimeve nga rruga nacionale. Ne u intereuam pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Korçë lidhur me faktin nëse këto subjekte janë të licensuar të ushtrojnë aktivitetin tregtar ose jo. Drejtoria e Tatimeve sqaron se kryesisht shitësit përgjatë rrugës kombëtare Korçë-Pogradec, janë fermerë të pajisur me NIPT fermeri ose ambulanti. Sipas Drejtorisë së Tatimeve në Korçë, këta fermerë kanë të drejtë të tregëtojnë produktet e tyre, ndërsa janë të përjashtuar nga taksat dhe detyrimet shtetërore përveç pagesës së sigurimeve shoqërore. Megjithatë, Drejtoria e Tatimeve sqaron se nuk është në kompetencën e këtij institucioni, përcaktimi i vendodhjes për tregtimin e produkteve. Si rregull personat të cilët nuk kanë një vend fiks të ushtrimit të aktiviteitt të tyre, pajisen me NIPT ambulanti. Ne nuk e dimë që një person që shet fruta perime në anë të rrugës ka apo s`ka NIPT ambulanti. Ka dy opsione: ose mund të jenë me NIPT ambulant,i ose të pajisur me NIPT fermeri dhe sheshin prodhimet në anë të rrugës. Për pjesën teknike nëse duhet të shesin ose jo në anë të rrugës, ose nëse bëhen burim aksidentesh, këtë s`e kemi ne si përgjegjësi. Fermerët e pajisur me NIPT kanë të drejtën të shesin produktet e tyre bujqësore. Për pjesë se ku se si se sa është distanca, nuk është në kompetencën tonë”,u shpreh Drejtoria e Tatimeve për Porta Vendore.  

AKU Korçë: Nuk është përgjegjësi e jona largimi i subjekteve nga rruga

Duke u nisur nga përgjigja e Bashkisë Korçë, se AKU ka rol ligjor për largimin e subjekteve tregtare nga rruga, Porta Vendore kontaktoi edhe këtë institucion. Ne realizuam një bisedë telefonike me kreun e Autoritet Kombëtar të Ushqimit për degën e Korçës, Adham Papadhami. Ky i fundit shprehet se AKU nuk ka asnjë kompetencë ligjore që të kërkojë largimin e subjekteve që tregtojnë në anë të rrugëve nacionale. Sipas tij, autoriteti i AKU shtrihet vetëm tek subjektet e prodhimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore, që janë të licensuara nga QKB, por as këtyre subjekteve nuk mund t`ju kërkohet përcaktimi i vendodhjes së biznesit. “AKU mbulon vetëm subjekte që kanë lidhje me produktet ushqimore. Në qoftë se një subjekt prodhues ushtron aktivitet anës rrugës, psh., një furrë në një fshat, kjo furrë kërkon nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për të verifikuar nëse i plotëson kushtet sanitare. Ne këtë autoritet kemi, të licensojmë subjektin nëse plotëson kushtet higjeno-sanitare për të prodhuar produkte ushqimore. Ky autoritet jemi ne. ARRSH-ja besoj se është institucioni që duhet të japë informacion se sa duhet të jetë distanca nga rruga për këto subjekte. Unë si drejtues i AKU kam të drejtën vetëm për të licensuar subjekte që i konfirmon QKB-ja që do prodhojë të tilla produkte. Ne nuk na intereson vendodhja e subjektit. Në klauzolat ligjore janë të përcaktuara kriteret e subjekteve. Ne në kushtet tona nuk ju kërkojmë distancimin nga rruga apo nga çdo institucion tjetër, sepse nuk e kemi klauzolë ligjore”, u shpreh Papadhami.

Ministria e Transportit: Tregtarët anës rrugës rrezik për aksidente dhe sigurinë rrugore

Ministria e Transporteve iu përgjigj gjithashtu kërkesës tonë për informacion lidhur me këtë problem. Ky institucion, që është dhe ent pronar i rrugës, pohon se këto subjekte janë rrezik për aksidente dhe paraqesin rrezik për sigurinë rrugore. Gjithashtu Ministria e Infrastrukturës thotë se ka bërë herë pas here ndërhyrje për të larguar këto subjekte nga akset rrugore, duke na dërguar edhe foto të aksioneve. Megjithatë, ky institucion ngarkon Policinë Rrugore me përgjegjësi direkte për të larguar këto subjekte nga rruga. “Po. Paraqesin rrezik për aksidente dhe sigurinë rrugore. Herë pas here nga ana jonë janë organizuar ndërhyrje, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe INUK, me qëllim largimin e tyre nga brezat e rezervuar të rrugëve. Është detyrë e organeve të Policisë Rrugore, referuar kjo nenit 11, pika 1/e të Kodit Rrugor Shqiptar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës. Ndërkohë në Nenin 11 të Kodit Rrugor, pika 1/e thuhet se: “Shërbimet e policisë rrugore janë: e) kujdesi dhe kontrolli i përdorimit të rrugës”, thuhet nën Kodin Rrugor. Pra, kjo pikë e nenit tregon një nga detyrat e Policisë Rrugore për kontrollin e rrugës, por nuk përcakton specifikisht nëse ka detyrë të largojë subjektet tregtare nga rruga. Por, për të sqaruar rolin e Policisë Rrugore në këtë drejtim, Porta Vendore pyeti edhe Policinë Rrugore të vendit. Luan Shehaj është Shef i Policisë Rrugore për Autostradat dhe Rrugët Kombëtare në Policinë e Shtetit. Në një bisedë telefonike për Porta Vendore, Shehaj sqaroi se Policia Rrugore u vjen në ndihmë institucioneve të tjera, si pushtetit lokal apo enti pronar i rrugëve, por nuk është përgjegjësi e Policisë Rrugore largimi i tregtarëve nga rruga. Kjo është përgjegjësi e Entit Pronar të Rrugës. Ne kemi përgjegjësi të rrisim sigurinë në rrugë gjatë qarkullimit të mjeteve. Ne shkojmë në ndihmë pushtetit vendor dhe Autoritetit Rrugor, këtë e bëjmë ne, por jo se e kemi ne si përgjegjësi këtë gjë. Ndërtimet nuk lejohen 25 metra nga rruga” u shpreh ai.

Më tej Ministria e Transporteve tregon se ka bashkëpunuar me pushtetin lokal për t`i larguar këto subjektet nga brezat e rezervuar të rrugës, por ndërkohë nuk ka një bilanc se sa është numri i subjekteve të tilla që operojnë në rrugët kombëtare të vendit. “Gjithmonë është bashkëpunuar me bashkitë me qëllim largimin e tyre nga brezat e rezervuar. Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka një bilanc lidhur me këtë numër. Nuk duhet të ekzistojnë shitës të tillë ambulantë përgjatë akseve kombëtare, pasi janë rrezik i shtuar për aksidente për të gjithë përdoruesit e rrugores”, thotë Ministria e Infrastrukturës.

Eksperti: Përgjegjësia e entit pronar të rrugëve dhe Pushtetit Vendor

Fatmir Hasho është një nga ekspertët e njohur në vend, i cili shpesh ka trajtuar problemet e sigurisë rrugore në Shqipëri. Porta Vendore e pyeti ekspertin Hasho lidhur me situatën aktuale të shitësve ambulantë në aksin Korçë-Pogradec. Eksperti i sigurisë rrugore është kategorik mbi praninë ose jo të shitësve ambulantë përgjatë brezave të rezervuar të akseve rrugore. Ai thekson se përgjegjësia për largimin e tyre prej rrugës është e entit pronar të rrugëve, si dhe e pushtetit lokal. “Në asnjë distancë nuk duhet të ketë zënie të sipërfaqes rrugore. Përgjegjësia është e Entit pronar, në bashkëpunim me organet e qeverisjes lokale. Nuk kam informacion se sa tregtar qëndrojnë në rrugë, por janë shtuar shumë edhe në ato që quajmë autostrada si Elbasan-tiranë, Milot-Thumanë, etj. Rreziku është i pranishëm për shkak të afërsisë me kufirin e karrexhatës. Mendimi im është pa ekuivoke. Nuk duhet të ketë asnjë person në rrugë statik, që merret me veprimtari që nuk është në funksion të qarkullimit rrugor. Në rrugët e kategorisë së mësipërme është e ndaluar rreptësisht të ketë qarkullim edhe të njerëzve në karrexhatë. Pra duhet ndaluar pa asnjë mëdyshje. Tolerance shqiptare pastaj është për t`u diskutuar. Këtu jam pa alternativa të tjera. Pushteti lokal mendoj duhet të bëjë tregje, të pajisur me parkime të sigurta për kryerjen e veprimtarive tregëtare”, thotë eksperti Hasho.

Ligji për Pushtetin Lokal: Bashkitë duhet të ndërtojnë tregje

Ligji Për vetëqeverisjen vendore” i vitit 2015, pra pas reformës Administrative dhe Territoriale, ka përcaktuar detyrime të qarta për bashkitë lidhur me krijimin e hapësirave për tregtim. Konkretisht, Neni 28 për Funksionet e bashkive në zhvillimit ekonomik vendor, në pikë 2, thuhet: “Bashkitë janë përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve; ngritjen dhe funksionimin e tregjeve publike dhe të rrjetit të tregtisë”,thuhet në ligj, ndërsa pasohet nga pika 3 e këtij neni e cila thotë: “mbështetjen për zhvillimin e biznesit të vogël, nëpërmjet veprimtarisë nxitëse, të tilla si panaire e reklama në vende publike”. Pra, këto dy pika të ligjit qartësojnë faktin se : “Bashkitë duhet të krijojnë tregje publike për biznesin ku përfshihen padyshim dhe fermerët që janë pjesë e njësive administrative të këtyre bashkive”. Ndërkohë, nga ana tjetër në Korçë ekzitojnë dy tregje të mëdha fruta perimesh dhe të produkteteve të bulmetit. Njëri është “Markata e shijes”, ku tregtohen fruta-perime si dhe produkte të bulmetit. Një tjetër është tregu i shumicës, ku fermerët nga të gjitha zonat e Korçës nxjerrin për të shitur produktet e tyre. Ndërsa në Pogradec është vetëm 1 treg për shitjen e fruta-perimeve apo prodhime të tjera bujqësore, që prodhohen nga fermerët e qarkut të Korçës.