Ngjarje/Personazhe

Korçës i janë rikthyer sërish turistët, Dardha destinacioni i 4 stinëve

24 mars 2021/Bledi Gilaj/Porta Vendore/Korçë

Pandemia e Covid-19 mbylli shumë lokale dhe restorante për shkak të mospërballimit të krizës financiare që ky virus la pas, por gjithashtu edhe shumë të tjera janë në kufij të mbijetesës, pasi e kanë të vështirë të mbijetojnë në këtë treg tejet të vështirë. Përballë kësaj situate duket se korçarët ia kanë dalë të përshtaten me ndryshimet në këto kohë pandemie, duke sjellë mënyra alternative të të bërit biznes, teksa duket se turistët i qëndrojnë besnikë të përjetshëm fshatit turistik të Dardhës.

Muajt e parë të këtij viti kanë rikthyer sërish vizitorët e parë, aq shumë të munguar për qytetin në juglindje të Shqipërisë. Këtë e dëshmojnë bizneset e vogla; baret, restorantet dhe strukturat hoteliere në këtë zonë, por gjithashtu edhe bujtinat e vogla ku ka një shtim të tyre në këtë kohë pandemie.

Por nuk mungojnë as dyqanet e suvenireve në Pazar, për të gjithë ata që janë të pasionuar pas kujtimeve dhe marrjes së diçkaje simbolike, sado të vogël nga vendi që vizitojnë. Sipas shitëses së njërit prej dyqaneve të suvenireve në hyrje të Pazarit të Korçës, ka pasur kërkesë kohëve të fundit. “Ka blerës, nuk është që s’ka, por ajo që vë re unë është se ka një stepje për të mos harxhuar shumë ” , tregon ajo.

Pazari i Korçës është gjithnjë i tejmbushur. Zjarri bubulak i menduar si një zgjidhje mjaft e mirë në këto ditë covidiane, dhe që ndihmon gjithashtu për përballimin e temperaturave të ulëta, të fton që të ulesh për të konsumuar një kafe, kapuçino a çaj në baret e kësaj zone. Dhe në fakt janë të shumtë ata të rinj që e vizitojnë Korçën në grup.

“Për festat e fundvitit ishim shumë shumë dobët, aq sa i humbëm shpresat për ringritje, kjo pasi prej muajsh nuk po lëvizte praktikisht asgjë. Por duket se ky vit ka nisur i begatë, pasi ka pasur goxha lëvizje në Korçë. Uroj që të vijojë kështu”, tha një kamerier në restorant Antik, i cili ndodhej në mes të bulevardit.

Turistët nëpër rrugët e qytetit të Korçës.

Ai shtoi gjithashtu, se i bëhet qejfi që shqiptarët më në fund kanë filluar të pushojnë shqip, kjo pasi Shqipëria duhet parë e gjitha, për resurset dhe vendet e mrekullueshme që ka, dhe kjo jo vetëm në periudhë pandemie.

Ai gjithashtu ngre një tjetër shqetësim, për sa i përket orës policore, pasi për të dhe shumë biznese të tjera, është një kufizim shumë i madh.

Muzika që dikur dëgjohej deri në ambientet e jashtme të bareve dhe restoranteve është zëvendësuar në këtë kohë pandemie nga efektivët e policisë, të cilët të ndarë në grupe inspektojnë zonën çdo natë në orën 22:00, teksa futen në lokale e restorante për të njoftuar pronarët e këtyre të fundit mbi respektimin e orës policore, e ku nuk mungojnë edhe debatet mes palëve. Policët gjithashtu kujdesen për largimin e klientëve të fundit nga këto ambiente duke i rekomanduar që të shkojnë në shtëpi, ose në ambientet akomoduese.

Baret dhe restorantet teksa respektojnë orën policore.

Por këtë shqetësim e ngrenë edhe baret e restorantet e tjera, jo vetëm të zonës së Bulevardit Republika, por edhe të Pazarit të Korçës, Pedonales, e zonave të tjera të qytetit të serenatave, që veç të tilla nuk ka më në kohë pandemie.

Ndaj me të drejtë, kur dëshiron të rezervosh në një restorant, të thonë nga përtej telefonit, mbase me një sinqeritet të tepruar, se: “Ndjesë, por nuk kemi muzikë. Jemi në shtetrrethim ende”.

Në fakt në qytet në çdo orë të ditës, njerëzit duken si të çliruar nga rregullat dhe masat anticovid për moslejimin e përhapjes së virusit sars-cov 2, pasi janë të paktë, dhe madje numërohen me gishtat e dorës ata që mbajnë maska.

Por fundjavat e para të këtij viti kanë bërë që Korçës t’i kthehet harmonia e munguar, megjithëse çmimet e strukturave hoteliere janë disi të kripura në këtë kohë, ku një dhomë çift normale shkon nga 5000 mijë lekë deri në 10 000 lekë.

“Gjatë javës çmimet nuk janë kaq të larta, por ama ne fundjavën presim, sidomos në këtë periudhë që nuk kemi bërë fare punë, dhe normalisht duke qenë kërkesa e lartë edhe çmimi do rritet. Por tani që ka filluar dëbora në Dardhë e Voskopojë ka pasur në fakt interes nga njerëzit për të ardhur në Korçë, dhe kryesisht ata që vijnë nuk e kanë për herë të parë”, tha menaxheri i një hoteli në qendër të qytetit.

Megjithatë duket se kush shkon në Korçë, nuk mundet dot të mos shijojnë një vizitë ditore ose edhe një fundjavë të plotë në Dardhë, fshati turistik i cili duket se i magjeps të gjithë me bukuritë e tij natyrore, sidomos në këtë periudhë dimri, ku ka edhe prezencë dëbore.

Për Neri Ibin nga My Albania “Nature Explorers” Korça vijon të jetë një destinacion i preferuar i shqiptarëve, i cili nuk del kollaj nga “moda”, madje në këto kohë pandemie fluksi i turistëve në Korçë dhe rrethinat e saj ka qenë edhe më i lartë.

“Këtë vitin e fundit Korça, Voskopoja dhe Dardha kanë qenë destinacione të preferuara për turistët vendas dhe të huaj. Madje ka pasur mjaft raste që ne si agjenci të vogla nuk gjenim dot vende në strukturat akomoduese, në udhëtimet tona të fundjavës që ofrojmë”, tregon ai, duke shtuar se në këndvështrimin e tij, këto janë vende që nuk janë prekur financiarisht nga kriza e pandemisë pasi kanë qenë gjatë të gjithë kohës plot me turistë.

Dardha ndodhet 19 kilometra në juglindje të Korçës, në një lartësi mbi 1300 m. Rruga që gjarpëron mes pyllit të bardhë të bën për vete dhe kurioz mezi pret të ngjitesh për në fshatin e njohur tanimë për bukuritë e tij natyrore dhe ushqimet e shijshme, jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë.

Rruga drejt fshatit turistik të Dardhës.

Me kujdesin që duhet të karakterizojë çdo shofer, rruga e Dardhës përcaktohet si e vështirë për tu përshkruar, pasi vigjilenca duhet të jetë e madhe, e sidomos kur ka dëborë e ngrica, ndaj gjatë rrugës ka një numër të madh tabelash të qarkullimit rrugor që kujtojnë për pajisjen me zinxhirë në këtë periudhë dimri.

Pista e Skive Bigëll është kthyer në një atraksion tanimë prej vitesh, por kjo pistë duket se është bërë një pikë ndalese për shumëkënd, sidomos në këtë periudhë pandemie ku duan të shijojnë aktivitetin në ajër të pastër.

Numri i vizitorëve shtohet nga viti në vit, ndërsa në brendësi mund të shijosh edhe një çaj të nxehtë pranë oxhakut rrethor në mes të ambientit.

Dardha është ndër të paktët fshatra që ka pasur kalldrëme që në vitet e komunizmit, ku sipas rrëfimeve të banorëve për to kanë investuar “të ikurit” , ata që kanë emigruar kryesisht në Amerikë dhe që investonin për mirëqenien e fshatit të tyre, madje duke ndërtuar edhe çezma, të cilat sot janë kthyer në atraksione të këtij fshati.

Zhvillimi i Dardhës varet kryesisht nga turizmi, ndaj vlejnë për t’u veçuar monumentet e natyrës si Guri i Vjeshtës, Rrëpira e Rahut, Bredhi i Vishnjës, apo burimet ujore të zonës që njihen për vlerat kurative.

Në rrugicat e ngushta të fshatit vihet re një numër i madh bujtinash të reja të hapura gjatë kohëve të fundit, por edhe restorantesh me stil dhe finese.

“Ajo që vihet re është se pandemia ka bërë që të shtohet numri i familjeve që shtëpitë e tyre i kthejnë tanimë në funksion të turistëve, psh dy-tre dhoma. Dhe nga ana tjetër janë të shumtë ata njerëz që e kanë përqafuar këtë ide, pasi e ndjejnë veten më rehat dhe të sigurt, si dhe me çmime shumë herë më konkurruese se hotelet”, tregon Neri Ibi guidë turistike.

Rrugicat në brendësi të fshatit turistik të Dardhës.

Ndërsa vihet re që në këtë fshat, megjithëse në listën e programit të “100 fshatrave turistik”, nuk duket të jetë bërë ndonjë investim, si në unifikimin e çative karakteristike me plloçë; rehabilitimin e gjurmës ekzistuese të rrugës së vjetër hyrëse për në Dardhë; rrethimi i varrezave; ndërtim i qendrës shëndetësore; rikonstruksioni i rrjetit të Ujësjellësit dhe ndërtimi i rrjetit KUZ, sikurse kryebashkiaku Soqiraq Filo kishte deklaruar në prill të 2018, me bërjen publike të listave të zonave për “100 fshatrat turistik”.

Mateo Karanxha është 19 vjeç dhe ka dy vite që punon në fushën e turizmit në zonën e Dardhës si kamerier. Pasioni për punën ka bërë që i riu të jetë i papërtueshëm dhe të bëj rrugën e Dardhës në dëborë e në temperatura – disa gradë celsius çdo ditë vajtje ardhje, drejt Korçës ku edhe banon.

Pandemia në këndvështrimin e tij ka të mirat dhe të këqijat e veta, ndërsa ndjehet i entuziazmuar që ka nisur sërish që Dardha të popullohet nga turistët.

“Këtë vit shqiptarët nuk dolën jashtë, dhe detyrimisht pushimet i kaluan brenda në Shqipëri. Ne kemi pasur në verë më shumë klientë se në sezonet e kaluara. Ndërsa për festat e fundvitit kishim turistë, por u monitoronim gjithë kohën nga policia, dmth deri në 8 të mbrëmjes që ishte ora policore në atë kohë. Tanimë vijnë njerëz edhe gjatë javës kur ka dëborë, por fundjava është ajo që bën diferencën le të themi”, thotë Mateo, teksa vë në dukje se nuk ka një krizë financiare post-covid në Dardhë, megjithëse nuk mbetet pa komentuar faktin që shqiptarët kanë filluar të kursejnë paksa me ardhjen e pandemisë.

Mateo Karanxha kamarier në Bujtinën Mihallari në Dardhë.

“Nëse turistët vijnë nga Tirana për një fundjavë nuk kursejnë, nëse vijnë këtej nga zona jonë, nga Korça janë pak dorështrënguar. Ndërsa çmimet ne i kemi njësoj. Kemi çmime të ulëta dhe cilësi të lartë”, tregon Mateo, teksa na rrëfen gjithashtu se përveçse 14 dhomave të hotelit, kanë edhe dy bujtina, me një kapacitet prej 5 personash dhe që çmimi së bashku me mëngjesin shkon 5 000 lekë të reja nata.

“Këto bujtinat në këto kohë pandemie janë shumë të preferuara. Dhe në fakt në zonë kemi rreth 5 hotele, të tjerat janë struktura të vetë familjarëve që i kanë venë në dispozicion dhe që janë shtuar në fakt me ardhjen e pandemisë”, thotë ai.

Shumë biznese paguajnë për zhbllokimin e rrugës së fshatit, në mënyrë që turistët vendas dhe të huaj të mos hasin vështirësi, por megjithatë nuk janë të pakta rastet që për shkak të ngricave në rrugë dhe bllokimit nga dëbora, turistët të mbesin në mes të rrugës ose të kthehen mbrapsht duke bërë që të anulojnë rezervimin.

“Një rast i tillë ishte ai i janarit, për shkak të reshjeve të dëborës rruga u bllokua duke shkaktuar një sërë incidentesh, dhe vonësa e borëpastrueseve bëri që shumë familja ta kalonin natën në makinë, duke anuluar kështu edhe rezervimet, por ndodh edhe kështu”, thotë ai.

Taverna Mihallari ka 20 vite që ofron shërbimin e saj për turistët vendas e të huaj që vizitojnë Dardhën, dhe në të gjen gatime tradicionale, përfshirë specialitetin e kësaj zone, lakrorin.

“Ne dallohemi si zonë për mishin e qengjit në saç, lakrorin, dhe produktet bio. 75 % të produkteve i prodhojmë vetë, ndërsa pjesën tjetër i marrim tek miqtë tanë”, përfundon Mateo.

Emri “Dardhë” vjen nga një gojëdhënë që thotë se kryengritësit që themeluan Dardhën, gjetën strehë rreth një stani, dhe kur i pyesnin “ku gjendeni”, thoshin “Tek Stani nën dardhë”. Bëhet fjalë për një dardhë të egër që gjendej atje, ndërsa dëshmia e parë historike deri më sot gjendet në enciklopedinë greke Pirsos, ku thuhet: “Në Dardhë, fshat shqiptar, u hap shkolla greqisht më 1768-ën”.