Vëzhgim/Analizë

Vaksinimi i mësuesve nën ethet e frikës. Institucionet shëndetësore, të cunguara në informacion

22 mars 2021/Marinela Dushi/Porta Vendore

Me mbërritjen e dozave të para të vaksinës AstraZeneca në vendin tonë, menjëherë filloi procesi i vaksinimit të mësuesve në disa qytete. Por këto 5 ditë, pas ardhjes së 38 mijë vaksinave AstraZeneca, vendi ynë u përfshi në një situatë tensioni të rrethuar nga paqartësia.

Procesi i vaksinimit për mësuesit startoi gjatë ditës së shtunë të datës 13 mars në shkollën “4 Dëshmorët” në kryeqytet. Kryeministri Rama premtoi se ky proces do të shtrihej në të gjithë vendin nga e hëna e datës 15 mars dhe ashtu ndodhi, shumica e qyteteve të konsideruara si zona të kuqe, me një numër të madh infektimesh, ngritën qendrat e vaksinimit në ambientet e shkollave për vaksinimin e mësuesve, megjithëse këta të fundit po tregohen skeptikë ndaj vaksinës anticovid AstraZeneca.

Ashtu sikurse ishte premtuar nga qeveria Rama procesi i vaksinimit nisi edhe për kategorinë e mësuesve, si një tjetër target-grup i riskuar nga infektimi i Covid-19. Në total, në Shqipëri ka 38 000 mësues e edukatorë, ndërsa po aq vaksina kanë mbërritur edhe nga kompania AstraZeneca.

Mësuesit u ndodhën në një udhëkryq, mes kryerjes së vaksinës nën hijen e dyshimit se pas injektimit të dozave mund t’u shkaktonte efekte anësore, apo të qenurit i pambrojtur përballë rrezikut të infektimit nga virusi Sars COV 2. Situata u bë kaotike në vendin tonë kryesisht përgjatë dy ditëve të fundit, ku disa shtete të fuqishme të BE-së, duke përfshirë Gjermaninë, Italinë, pezulluan injektimet me vaksinat AstraZeneca për shkak se disa qytetarë kishin shfaqur komplikacione pas vaksinimit, kryesisht mpiksje të gjakut dhe temperaturë. Për këtë arsye, EMA (Agjencia Europiane e Barnave) u detyrua të kryejë një hetim të shpejtë dhe të enjten doli në një deklaratë për shtyp, duke konfirmuar sigurinë e kësaj vaksine.

Por pavarësisht se EMA dha dritën jeshile mbrëmjen e së enjtes  për vazhdimin e vaksinimit me AstraZeneca, duke garantuar efektivitetin e duke anashkaluar mundësinë e mpiksjes së gjakut, skepticizmi i arsimtarëve shqiptarë vazhdoi dhe gjatë të premtes së 19 marsit, pasi shumë mësues janë ende të pabindur që ta kryejnë këtë injeksion.

Kjo vihet re edhe nga shifrat e raportuara për mësuesit që kanë pranuar të bëjnë këtë vaksinë. Konkretisht, procesi i vaksinimit të mësuesve ka filluar në qytetin e Elbasanit që prej ditës së hënë. Nga 1200 mësues që ka ZVA Elbasan, vetëm 611 prej tyre kanë pranuar që të bëjnë vaksinën, ndërsa pjesa tjetër ka hezituar, ndërsa disa prej tyre kanë refuzuar.

Porta Vendore kontaktoi nëpërmjet një lidhje telefonike me drejtuesin e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor të Elbasanit, Hekuran Bezati. Ai refuzoi të jepte informacione se sa mësues e kanë refuzuar vaksinën Astrazeneca në Elbasan.

“Nuk e di a jam i autorizuar për të dhënë shifra apo jo se sa mësues janë vaksinuar”, tha Bezati. Pas insistimit të Porta Vendore, Bezati dha vetëm një informacion.

“Sot është dita e tretë e vaksinimit të mësuesve me vaksinën Astrazeneca. Janë vaksinuar deri tani 157 arsimtarë”, bëri të ditur kreu i NJVKSH Elbasan, duke vënë në dispozicion shifrën e ulët të mësuesve të vaksinuar në tre ditë.

I pyetur në lidhje se sa është numri i mësuesve që kanë refuzuar injektimin e vaksinës, ai e konsideroi si një informacion të fshehtë, duke u shprehur: “Eh tani të lutem mos kërko gjëra të tilla, mirupafshim”,- dhe mbyll telefonin. Ndërkohë, sipas mësuesve, hezitimi dhe refuzimi nuk është i bazuar vetëm në informacionet e qarkulluara për vendet e tjera të Europës, por dhe nga situata në vendin tonë. Burimet i thanë Portës Vendore se pas injektimit të vaksinës , Kastriot Kadiu drejtori i gjimnazit “Mahir Domi”në Elbasan kishte pasur disa shqetësime. I kontaktuar nga Porta Vendore, Kadiu u shpreh se: “Jam vaksinuar, kam pasur shqetësime të lehta, kam pasur temperaturë 37.1, 37.2. Situata ka kaluar normale, pasi vaksina kështu e jep. Sipas rregullores, çdo njeri që bën vaksinë, edhe fëmijë të vegjël, këto lloj vaksinash të shkaktojnë një ditë ose dy ditë, pak temperaturë, pra është normale si gjithë të tjerat dhe kjo vaksinë, pra trupi reagon. Ka pasur mësues të stafit tim që kanë bërë vaksinën, por edhe ata kanë pasur shqetësime të njëjta siç kam pasur dhe unë, dmth të kalueshme”, tha drejtori i gjimnazit “Mahir Domi” në Elbasan.

I pyetur se sa është numri i mësuesve që kanë refuzuar të bëjnë vaksinën, drejtori i gjimnazit refuzoi të përgjigjej. “Ka platforma të tjera, dmth që i kemi deklaruar në zyrën arsimore, kështu që mund t’i marrësh informacionet atje”, përfundon komunikimin Kastriot Kadiu.

Gjithashtu vaksinimi do të shtrihet edhe tek rojet e sanitaret, ku këta të fundit në shumë shkolla kanë refuzuar në mënyrë kategorike, por pa e ditur nëse do të kenë kështu një shans të dytë me një vaksinë tjetër. Gjatë një vizite në shkollën “Jorgji Dilo” në Elbasan,  në një deklaratë për mediat, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, lidhur me skepticizmin e arsimtarëve tha se: “Përderisa OBSH sugjeron vazhdimin e procesit, nuk ka arsye përse të ndalet, duke i konsideruar të pavërteta lajmet në media”, tha ajo.

Ndërsa Qarku i Durrësit ka 1600 mësues në total, ku nga burime konfidenciale bëhet e ditur se janë regjistruar për këtë proces 800 prej tyre, ndërsa deri më tani vetëm 250 prej tyre janë vaksinuar.

“Nuk kam besim tek AastraZeneca. S’ka lidhje me shtetet e tjera se çfarë kanë vendosur, por nuk është një kompani shumë serioze në gjykimin tonë”, i thotë një arsimtare Portës Vendore.

Mësuesja e shkollës 9-vjeçare në qytetin e Durrësit, i tha gjithashtu Portës Vendore se gjatë dy ditëve të fundit në shkollën e tyre kanë munguar 4 mësues që e bënë vaksinën, pasi kanë pasur efekte anësore.

Ndërsa Drejtoresha e Shëndetit Publik Durrës, Aurora Hyka refuzoi të jepte informacionet nëpërmjet telefonit, duke theksuar se të dhënat mund t’i marrim vetëm nëse do dërgonim e-mail zyrtar. “Të lutem nise me email kërkesën për informacion, unë për çdo lloj informacioni lidhem me qendrën. Meqë ti e do kërkesën për shpejt, më dërgo pyetjet që mos të humbasim kohë”, tha Hyka. Porta Vendore i bëri kërkesë me e-mail, por ende nuk ka një përgjigje.

Procesi i vaksinimit sipas shkollave në Durrës.

Edhe në Korçë pjesëmarrja e mësuesve ka qenë e ulët në këto tre ditë, ku vetëm 115 prej tyre janë vaksinuar nga 1300 në total. Po kështu procesi duket se po ecën me hapa të ngadalta edhe në Pogradec e Devoll. Në Korçë, vaksinimi po kryhet në shkollën e mesme të përgjithshme “Kristaq Capo”, ndërsa janë vaksinuar mësuesit nga shkollat: “Kristaq Capo”, “Ajet Xhindole”, “Zini Toska”, “Mehmet Ali Vrioni” ,”28 Nëntori”dhe “Stiliano Bandilli”.

Vaksinimi i mësuesve ka nisur gjithashtu edhe në Krujë, ku janë rreth 850 veta të cilët do të vaksinohen, përfshirë dhe stafin mbështetës si roje, sanitare, sekretare etj. Deri tani janë vaksinuar afro 130 veta, dhe vaksinimi po kryhet në dy pika, atë ta Krujës dhe Fushë-Krujës, në të cilat janë ngritur 6 poste. Duke iu referuar shqetësimeve të mësuesve, Porta Vendore kontaktoi me drejtues të njësisë së kujdesit shëndetësor në disa qytete. Pavarësisht interesit publik për transparencë, përgjigjet e disa prej drejtuesve të kujdesit parësor ishin të cunguara. Ata shprehën pasigurinë nëse kanë autorizim për të dhënë informacione të tilla, ndonëse në asnjë rast nuk u kërkuan të dhëna personale, por shifra statistikore.

Akoma më e rezervuar në dhënien e informacionit në lidhje me procesin e vaksinimit të mësuesve, ishte Drejtoresha NJVKSH Lezhë, Zoje Zefa. “Unë i raportoj të dhënat tek operatori qendror, mund t’i merrni atje për siguri. Unë i kam të dhënat dhe ia jap operatorit, nuk t’i jap të dhënat për momentin se janë në proces vaksinimi”, duke shkëputur komunikimin dhe duke refuzuar të hapte telefonin pas tentativës së dytë apo edhe të tretë për ta kontaktuar. Ndërsa nga informacionet konfidenciale mësohet se në Lezhë, nga 1000 mësues vetëm 250 prej tyre kanë marrë dozën e vaksinës AstraZeneca.

Ndërsa operatori numerik, Kujtim Llapi na dha disa informacione për situatën e vaksinimit të mësuesve në Vlorë, ndërkohë drejtuesi i NJVKSH Vlorë, doktor Muzaferi, nuk e hapi telefonin.

Në dijeninë time, janë bërë dje dhe pardje, 150 vaksinime të mësuesve. Ditën e parë janë bërë 24  ndërsa dje janë bërë te 130 mos gaboj për në Vlorë. Kemi vaksina për të gjithë stafet akademike dhe pedagogjike. Janë dërguar në shumë qendra shëndetësorë vaksinat dhe mësuesit shkojnë atje. Ka mësues që refuzojnë vaksinimin, se disa e kanë kaluar Covid-19, ka të tjerë mësues që nuk duan të vaksinohen pasi po presin deri sa EMA të shprehet se AstraZeneca nuk shkakton pasoja. Këta që nuk pranojnë të vaksinohen, si rregull plotësojnë formularin e refuzimit prej 10 faqesh dhe ne nuk kërkojmë arsyet”, tha Llapi.

Ndërsa drejtoresha e NJVKSH Fier, Mirela Mitre, ndryshe nga kolegët e saj, nuk hezitoi të tregonte të dhëna që kanë lidhje me punën e duke zgjedhur t’i përgjigjej interesit publik. “Janë 1600 mësues në gjithë Fierin, kemi në dispozicion 2 mijë doza AstraZeneca. Deri të enjten janë vaksinuar 250 mësues, dy staf, si dhe 4 pensionistë. Për refuzime, ka persona, që refuzojnë verbalisht për të bërë vaksinën, por deri tani nuk kemi të dhëna për formularë të plotësuar, me anë të të cilit zyrtarizohet refuzimi nga mësuesit”, tha Mitre e pyetur nga Porta Vendore.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Shkodër, ku ka pasur një rezistencë të madhe të mësuesve për kryerjen e vaksinës anticovid, dhe pikërisht atë të AstraZeneca. “Nëse do të ishte një kompani tjetër do ta bëja me vrap, se kam edhe sëmundje bashkëshoqëruese, por për këtë kam dëgjuar shumë fjalë të këqija e nuk dua të rrezikojë”, tha një mësuese letërsie, duke na treguar se ka pasur edhe raste kolegësh që i është ushtruar presion nga drejtuesit e shkollave, për kryerjen e vaksinës.

Ndërsa Berati nuk ka pasur aq shumë refuzime sa bashkitë e qarqet e tjera të vendit. Të enjten janë vaksinuar 210 mësues nga 6 shkolla të qytetit ku nuk bëhet e ditur të ketë pasur refuzime.

Gjatë një vizitë në Shkodër, pati një prononcim lidhur me situatën nga Kryeministri Edi Rama dhe nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. “E rëndësishme është që të rrisim intensitetin, të vaksinojmë dhe të ulim hallkat e zinxhirit të infektimeve dhe të lehtësojmë sezonin turistik si fillim. Besoj që do kemi më në  fund lajme te tjera të mira dhe do kemi në dispozicion sasi të konsiderueshme vaksinash për tu shtrirë shumë fort përtej këtyre kategorive, për të marrë mbarë gjithë kategorinë tek mosha mbi 60 dhe pastaj për të vazhduar nën 60”, tha ai.

Ndërsa Manastirliu u ndal në shifra konkrete për mësuesit që e kanë kryer vaksinën gjatë këtyre 5 ditëve. “Jemi duke vijuar me vaksinimin e mësuesve në të gjithë vendin dhe deri tani janë vaksinuar 4300 mësues. Në total, janë mbi 33 mijë doza vaksinimi të kryera, ku janë aplikuar mbi 23 mijë doza tek personeli shëndetësor, mbi 5 mijë doza tek të moshuarit dhe 4300 mësues tashmë janë vaksinuar“, tha Manastirliu.

Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, prof. Silva Bino është shprehur se procesi i vaksinimit ka ecur i qetë dhe pa efekte anësore.

“Ne kemi një survejancë të mirë që edhe temperaturën, edhe reaksionet e lehta anësore i evidentojmë, kështu që jemi duke treguar kujdes, por nuk kemi parë asgjë dhe nuk ka pasur asnjë problem në vendin tonë”, deklaroi Bino.

Formulari që plotësojnë mësuesit për vaksinimin

Plotësimi i formularit të refuzimit, cilësohet nga mësuesit, por edhe vetë kreu i Sindikatës së Mësuesit, Isa Halilaj, si një formë presioni. Ai i shpreh për Porta Vendore se në të gjithë vendin, përqindja e vaksinimit të mësuesve deri tani është shumë e ulët, për shkak të pasigurisë që ndjejnë për vaksinën.

“Sipas informacioneve tona, shumica e mësuesve po refuzojnë vaksinën AstaZeneca. Nuk po refuzojnë vaksinën si vaksinim, por për vaksinën AstrZeneca janë të paqartë. Autoritetet shëndetësorë nuk i kanë sqaruar mirë mësuesit. Janë disa vende të rëndësishme europiane që i kanë pezulluar dhe përqindja e vaksinimit të mësuesve është shumë e ulët. Është një farë presioni, po u kërkohet një deklarim për vaksinim ose mosvaksinim”, tha ai.

Kreu i sindikatës ndër të tjera theksoi se ka pasur disa raste ku mësuesit kanë shfaqur probleme të vogla pas vaksnimit. “Ka pasur raste me temperaturë për mësuesit që janë vaksinuar, por shqetësimet kanë qene të lehta. Por mësuesit janë të shqetësuar shumë në lidhje me këtë proces. Është një formular që e plotëson çdo mësues që e pranon ose jo vaksinimin, dhe prandaj ne formularin e quajmë një farë presioni sepse mësuesit e marrin si presion do ta bësh, sepse pas saj që nuk e pranojnë, kanë frikë se mos penalizohen edhe nga puna. Deri tani pjesëmarrja është e ulët. Në Korçë, deri sot në mëngjes janë vaksinuar vetëm 7.2% e mësuesve, shifër shumë e ulët”, përfundon reagimin e tij Isa Halilaj.

Mjaft mësues i thanë Portës Vendore se vaksina i kishte shkaktuar një sërë efektesh anësore, si temperaturë, dhimbje muskujsh, të vjella, marrje mendje etj. Ndërsa shumë prej kolegëve të tyre e kanë refuzuar kryerjen e kësaj vaksine pikërisht nga frika e efekteve anësore.

Megjithëse EMA doli në një vendim duke qartësuar opinionin publik, se AstraZeneca është efektive si vaksinë anticovid dhe se mund të përdorej, duket se kjo nuk ka ndërruar mendjen e një pjese të mësuesve, që vijojnë të refuzojnë në mënyrë kategorike kryerjen e vaksinës.