18 mars 2021/Elvis Hila/Porta Vendore
Numri i pacientëve që po marrin shërbimin për Covid 19 në banesë po rritet nga dita në ditë, ku nuk kanë munguar edhe fatalitetet. Porta Vendore sjell rastet e pacientëve nga Kamza, Rubiku, e Tirana, ku të afërm dëshmojnë se si ndërprerja e energjisë elektrike ka shkaktuar deri vdekjen e tyre.
Ndërprerja e energjisë elektrike rezultoi fatale për jetën e një të sëmuri me COVID-19 në zonën e Kamzës. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e 19-shkurtit, teksa i sëmuri po trajtohej në kushte shtëpie dhe mungesa e energjisë elektrike ka nxjerr jashtë funksioni aparaturën e oksigjenit.
“Bëhet fjale për një rast në Kamëz. Ka qenë një person i sëmurë me covid-19 i cili po trajtohej në kushte shtëpie. Me rëndimin e gjendjes shëndetësore, e kishte të domosdoshme që të trajtohej me oksigjen dhe familjaret bënë të pamundurën dhe ia siguruan aparaturën. Po teksa gjendja e tij ishte mjaft e rënduar, mesnatën e 19-shkurtit u ndërpre energjia elektrike për rreth 2 orë në zonën e Kamzës, dhe i sëmuri brenda pak minutash ndërroj jetë, pasi aparatura e oksigjenit funksionon përmes energjisë elektrike” thotë Dhimitër Koleci, i afërm i personit që ndërrojë jetë.
Koleci është i afërm dhe i tre pjesëtarëve të së njëjtës familje që humben jetën brenda një jave nga COVID-19 në Rubik. Ai tregon se dhjetëra të sëmurë me koronavirus po trajtohen me aparatura oksigjeni në banesat e tyre dhe ndërprerja e energjisë elektrike është kthyer në rrezik serioz për jetën e tyre.
“Si e dini COVID-19 ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë për familjen Cara në Rubik. Brenda një jave virusi iu ka marrë jetën çiftit të bashkëshorteve përkatësisht 83 dhe 72-vjeç, dhe djalit të tyre të vetëm, 42-vjeç. U sëmuren dhe fillimisht u trajtuan në shtëpi të tre pjesëtarët e familjes, por më pas djali dhe e ëma u transferuan në spital, ku dhe gjetën vdekjen, ndërsa i zoti i shtëpisë ka vdekur në shtëpi. Kanë pas blerë aparaturën e oksigjenit e cila funksionon me korrent. Dua të them se po përdoret oksigjeni në shtëpi përmes disa aparaturave që nuk janë të përshtatshme, nuk kanë oksigjenin e duhur për të furnizuar këta njerëz. Një katastrofë tjetër është ndërprerja e energjisë elektrike dhe këto aparatura punojnë me energji elektrike dhe menjëherë i ndërpritet oksigjeni. Kjo situatë po sjell fatalitet për shumë të sëmurë që e kanë të domosdoshëm oksigjenin”, tregon Koleci.
Rastet e të sëmurëve me COVID-19 që trajtohen me oksigjen në banesat e tyre janë të shumta. Bektash Keta tregon se babai i tij 76-vjeç u prek nga virusi dhe është trajtuar me aparatura oksigjeni në kushte shtëpie.
“Babai im është 76-vjeç dhe u prek nga COVID-19, në fillim të muajit shkurt. Duke qenë se ka punuar shumë në minierë, gjendja e tij nisi dhe u rëndua. Nga pasiguria që kishim për ta dërguar në spitalet COVID në Tiranë, vendosem që ta trajtojmë në kushte shtëpie. Duke parë gjendjen e rënduar shëndetësore, mjekët na rekomanduan që të vendoset në oksigjen. Në këto kushte, u vumë në lëvizje dhe arritëm ta gjejmë aparaturën e oksigjenit në Maqedoni, e cila na kushtoj 1 mijë euro” thotë Keta.
Ashtu sikurse deklarojnë edhe mjekët situata që ka shkaktuar pandemia e Covid 19 është alarmante, pasi nuk rekomandohet në asnjë moment trajtimi me oksigjen në shtëpi. Por në kushtet kur spitalet janë duke ezauruar kapacitetin e shtretërve dhe teksa mungon aksesi i informacionit për familjarët, shumë pacientë zgjedhin kështu të trajtohen në kushte shtëpie, herë me bekimin e mjekëve infektiv e pneomolog të spitaleve shtetërore e herë të tjera me vendimmarrjen e tyre.
Ai tregon se duke qenë se babai jetonte në fshat, ndërprerjet e energjisë elektrike ishin të shpeshta, duke nxjerrë aparaturën e oksigjenit jashtë funksioni, e duke rrezikuar kështu edhe jetën.
” Një natë u ndërprenë dritat, e në të njëjtën kohë dhe oksigjeni. Gjendja e babait u rëndua shumë dhe iu rrezikua jeta. Në këtë situatë, arritëm të gjejmë një gjenerator dhe vumë në punë shpejt, duke i rikthyer oksigjenin. Që prej asaj nate e kemi mbajtur gjeneratorin në gatishmëri derisa sa babai e kaloj virusin dhe gjendja e tij u përmirësua”, tregon Keta.
Mjeket në Lezhë që po trajtojnë të sëmurët me COVID-19, nuk pranojnë të flasin zyrtarisht në lidhje me këtë problematike, nga frika e largimit nga puna. Në kushtet e anonimatit, një nga mjeket e spitalit u shpreh se që nga nisja e pandemisë është një numër i konsiderueshëm personash të prekur nga COVID-19 të cilët janë trajtuar në kushte shtëpie me aparatura oksigjeni.
“Që nga muaji tetor e në vazhdim janë një numër i konsiderueshëm personash të cilët janë detyruar të blejnë apo marrë me qira aperatura oksigjeni për tu trajtuar në kushte shtëpie. Ato aperatura funksionojnë me energji elektrike dhe normalisht që ndërprerjet e energjisë janë një rrezik për jetën e pacienteve që trajtohen me oksigjen“, thotë mjeku për Portën Vendore.
Në këto kushte tragjedia e vërtetë duket se qëndron tek fakti që këta pacientë teksa virusi ka agravuar gjendjen e tyre shëndetësore në kushtet e mungesës së besimit tek spitalet shtetërore, përmbushjes së kapaciteteve të shtretërve, mungesës së hapjes së spitaleve të tjera rajonale e bashkiake si dhe frikës së krijuar nga numri i lartë i vdekjeve dhe vetëvrasjeve në spitalet Covid zgjedhin më mirë të trajtohen në shtëpi, ku mungesa e energjisë ka shkaktuar edhe humbje të jetës.