11 mars 2021/Albina Hoxhaj/Porta Vendore
Të dhënat tregojnë se për herë të parë në Shqipëri, në 58 bashki është plotësuar kuota gjinore në këshillat bashkiakë. 30% e anëtarëve të këshillit janë gra dhe vajza ndërsa pjesa tjetër janë burra. Kjo përqindje është përcaktuar nga ligji, por duket se një ndikim të madh në zbatimin e tij ishte mungesa e konkurrencës në zgjedhje, pasi në garë ishte vetëm një parti e madhe dhe disa parti të vogla. Por, kjo ka shtuar kërkesën e grave, të cilat tashmë synojnë barazi gjinore.
Si hyri dhe si u imlimentua kuota gjinore në Shqipëri, sfidat e grave për të hyrë në politikë
Në prill të vitit 2015 Kuvendi i Shqipërisë miratoi variantin final të propozuar nga 3 deputete të njohura si Aleanca e Grave Deputete sipas të cilës në listat për këshilltarë partitë të politike duhet të ruajnë kuotën gjinore 50 me 50. Fillimisht deputetet Mesila Doda (PD) Mimoza Hafizi (PS) dhe Silva Caka (LSI), patën kërkuar kuota të detyrueshme për partitë si për listat e kandidatëve për anëtarë të këshilleve bashkiake, ashtu edhe për kandidatët për kryetarë bashkish. Renditja e listave duhet të jetë një grua-një burrë me qëllim që të sigurohet se gjysma e listës fituese të përbëhet nga gra. Gjatë diskutimeve nëpër komisionet parlamentare pati përpjekje për të manovruar kërkesat e deputeteve, gjë që solli fillimisht heqjen e kuotave për kryetarë bashkish si klauzolë problematike. Varianti i dërguar sugjeronte që në rast se nuk e respektonin këtë detyrim, të dënoheshin vetëm me gjobë.
Kuotat gjinore u vendosën për herë të parë në Shqipëri në ndryshimet në kodin zgjedhor të vitit 2008, të vlefshme për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Por partitë politike arritën të anashkalojnë me sukses këtë detyrim ligjor duke marrë vetëm dënime minimale. Megjithëse kodi zgjedhor kërkoi një kuotë 30 për qind për gratë në listat e kandidatëve për zgjedhje në çdo qark, partitë politike përfituan nga fakti që listat e deputetëve janë të mbyllura dhe rrjedhimisht i kandiduan gratë në fund të listës, ku shanset e tyre për t’u zgjedhur qenë minimale. Në disa raste, partitë politike kandiduan më shumë kandidatë se sa numri i deputetëve teorikë që mund të fitonin për të pasur 30 për qind gra në lista, pavarësisht se këto gra nuk kishin as edhe një shans matematikor për t’u zgjedhur. Në zgjedhjet e vitit 2013, partitë politike injoruan hapur kuotat gjinore të imponuara nga ligji dhe për këtë u dënuan të gjitha së bashku me 22 milionë lekë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në shtator 2013.
Zgjedhjet e fundit për këshilla bashkiakë u zhvilluan në vitin 2019, të cilat u bojkotuan nga dy parti të mëdha, PD dhe LSI. Ndërkohë, partia e vetme e madhe në vend që garoi në këto zgjedhje ishte PS, e cila listën e kandidatëve për këshilla bashkiakë e kishte ndërtuar në rendin një burrë një grua, ose anasjelltas për të gjithë vendet vakante, rregull ky që nuk është ndjekur nga 38 partitë e tjera të vogla, të cilat morën pjesë në zgjedhje të organizuara në dy koalicione “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe “Shpresa për ndryshim”, partitë që garuan të vetme, apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit.

Por edhe pse u ndoq ky rend, jo në të gjitha bashkitë, gruaja pati fuqinë e përfaqësimit njëlloj me të tjerat. Gratë paraqiten më dobët të përfaqësuara në bashkinë Bulqizë, Përmet dhe Has. Në të tria këto bashki, kuota nuk është respektuar, çka do të thotë që në këshilla bashkiakë nuk janë 30% e anëtarëve gra dhe vajza. Kjo duket se ka ndodhur pikërisht në ato bashki, kur kanë fituar të paktën një anëtar këshilli, partitë e vogla që ishin garuese në zgjedhje. Ajo që vihet re është fakti se pavarësisht se PS ka ndjekur një rregull për listën e kandidatëve, ky rregull nuk është ndjekur nga partitë e tjera. Pra, partitë e vogla kanë vendosur kryesisht emrin e një burri si kandidat i parë, që mund të ketë fituar në zgjedhje, dhe kjo ka prishur balancën e numrit total të anëtarëve të këshillave bashkiakë.
Vetëm 4 gra këshilltare në bashkinë e Përmetit
Bashkia me më pak gra të përfaqësuara është ajo e Përmetit ku anëtare gra në këshillin bashkiak janë vetëm 4, nga 15 anëtarë në total. Në Bulqizë nga 23 anëtarë të këshillit bashkiak vetëm 5 janë gra. Kuota nuk është plotësuar as në bashkinë Has, ku nga 21 anëtarë janë vetëm 6 gra.
Gratë mazhorancë në këshillat bashkiakë
Por, në këto zgjedhje ka ndodhur dhe fenomeni ku gratë janë për herë të parë mazhorancë në këshillat bashkiakë. Në analizën e të dhënave që kemi bërë, rezulton se në disa bashki gratë ia kanë dalë të dominojnë dhe të jenë mazhorancë. Ndonëse në diferenca të ngushta, ky mbetet një tregues se sfida e përfaqësimit të grave është në rrugën e duhur. Kjo vihet re konkretisht në Bashkinë Maliq, Memaliaj, Pustec, Tepelenë dhe Berat. Ndërsa në Mallakastër, këshilli bashkiak është gjysma gra dhe gjysma burra.

Studimi: Gratë këshilltare e perceptojnë si përgjegjësi të tyre përfaqësimin e interesave të grave dhe vajzave në këshillin bashkiak
Një studimi i realizuar në vitin 2015, me porosi të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Shqipëri, me mbështetjen financiare të qeverisë së Suedisë, tregon se raporti i këshilltareve gra nuk ka efekt pozitiv tek pushteti i perceptuar në vendimmarrje. Sipas raportit, këshilltaret gra përballen me pengesa të shumta strukturore sa i takon pushtetit të tyre vendimmarrës. Këto pengesa kanë të bëjnë me kompetencat e dobëta të këshillave vendorë, kapaciteti i dobët fiskal i njësive të qeverisjes vendore, procesi përmes të cilit udhëheqësit e partive përzgjedhin gratë si këshilltare dhe kufizimet që udhëheqësit e partive vendosin për vendimmarrësit vendorë.
Ky studim tregon se shumica e grave këshilltare e perceptojnë si përgjegjësi të tyre përfaqësimin e interesave të grave dhe vajzave në këshill. Mirëpo, efekti i shifrave nuk është në drejtimin e pritur: 73,47 për qind e këshilltareve në këshillat bashkiakë me 10 për qind ose më pak gra këshilltare thanë se e kanë ngritur zërin në këshill për të zgjidhur problemet me të cilat përballen gratë dhe vajzat në komunitet. Ndërkohë, kjo përqindje në këshillat me raport 0,30 ose më shumë ishte 60,7
Sipas studimit mund të ketë shumë shpjegime përse është kështu. “Nëse gratë përzgjidhen për të përmbushur një kuotë të caktuar, atëherë pjesëmarrja e tyre në politikën vendore mund të mos jetë shprehje e angazhimit të tyre për barazi gjinore. Përkundrazi, kjo bëhet për t’u shërbyer interesave të udhëheqësve partiakë. Një shpjegim tjetër është se dallimet ndërmjet grave krijojnë pengesa për bashkëpunim. Interesat e grave ndryshojnë në bazë të moshës dhe klasës shoqërore që ato i përkasin. Këto dallime çojnë në formimin e një grupi heterogjen që nuk e konsideron barazinë gjinore si një prej objektivave të tij kryesorë’, nënvizohet në studim.
Ndërkohë, referuar po të njëjtit studim, një tjetër pritshmëri është se rritja e numrit të grave do të ndikojë si sjelljen e burrave ashtu edhe atë të grave: gratë do të shprehin shqetësimet e tyre, ndërsa burrat do t’ju kushtojnë më shumë vëmendje çështjeve të grave. Ky studim gjeti vetëm mbështetje të pjesshme për këtë pritshmëri.
Rezultatet tregojnë se këshilltaret kanë më shumë gjasa të vendosin lidhje bashkëpunimi me njëra-tjetrën kur janë në një numër të konsiderueshëm. Gjithashtu, përpjekjet e grave për bashkëpunim shkojnë përtej partisë të tyre. “Sfida është si të kalohet nga përpjekjet për bashkëpunim në shkallë të vogël tek nisma të mirë-organizuara të cilat kanë qëndrueshmëri në kohë. Vetëm rritja e numri të grave nuk do të çojnë në një reaksionin zinxhir: të ndryshojë realitetin e grave dhe vajzave në Shqipëri”, theksohet në studim.
Studimi i vitit 2017: Nëse gratë përzgjidhen për të përmbushur një kuotë të caktuar, atëherë kjo bëhet për t’u shërbyer interesave të udhëheqësve partiakë
Ky studim, i realizuar në vitin 2017 ndërton mbi një projekt studimor të PNUD-it që u krye përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2015 (studimi me lart). Megjithatë, këto dy studime dallojnë nga njëri-tjetri në disa drejtime. Së pari, studimi ynë merr në shqyrtim dimensione të shumëfishta të përfaqësimit, dhe jo thjesht pushtetin vendimmarrës. Në pyetësor u përfshinë disa module shtesë: përvoja e mëparshme dhe qëllimi në këshill, burimet e mbështetjes gjatë fushatës, zgjedhore të vitit 2015, njohuritë për qeverisjen vendore, qëndrimet ndaj kuotës gjinore, investimet publike të kërkuara dhe të miratuara nga këshilli bashkiak, dhe bashkëpunimi me organizatat e komunitetit. Po kështu, ky studim fokusohet tek ndikimi që ka numri më i madh i grave tek pjesëmarrja e komunitetit në takimet e këshillit. Në studim u përfshinë 30 këshilla bashkiakë përmes intervistave të zhvilluara me 410 këshilltare dhe këshilltarë, si dhe vrojtimit dhe regjistrimit të tridhjetë takimeve të këshillave bashkiakë.
Arsyeja kryesore e mospërfshirjes në fushatën e vitit 2015 ishte se, sipas këshilltarëve, “rezultatet e zgjedhjeve nuk varen nga angazhimi në fushatë.” Ndër shpjegimet e tjera ishin: mungesa e kohës, vështirësitë e qasjes në zonat e thella, mungesa e përvojës për kryerjen e fushatave zgjedhore dhe obligimet familjare. Një numër i vogël i këshilltarëve raportuan gjithashtu se nuk shihnin ndonjë përfitim nga bërja e fushatës, sepse caktimi i tyre varej nga drejtuesit e partisë. Një këshilltar që u zgjodh në këshillin e Sarandës në vitin 2015, tha: “Nuk kisha nevojë për mbështetjen e banorëve të komunitetit sepse kisha mbështetjen e partisë.” Një këshilltar tjetër në Shijak foli për përvojën e tij: “Katër vjet më parë bëra plot takime me banorët e komunitetit dhe nuk u zgjodha. Këtë herë vendosa të angazhohem më pak”, thuhet në studim.
Studimi konstaton se prezantimi i kuotës gjinore në vitin 2015 ndeshi në rezistencë. “Një nga strategjitë e përdorura nga burrat gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2015 ishte largimi nga partitë e mëdha dhe anëtarësimi në parti të vogla ku kishin pushtet më të madh negociues, dhe si rrjedhojë, edhe mundësi më të mëdha për t’u zgjedhur. E njëjta strategji është raportuar nga Erebara (2015). Të dhënat tona tregojnë se kjo strategji është përdorur nga një grup i shumëllojshëm këshilltarësh: disa me përvojë të gjatë, ndërsa të tjerë me pak përvojë në parti. Megjithatë, nuk është e qartë se si ka ndikuar kuota gjinore në marrëdhëniet ndërmjet partive. Gratë kishin më shumë gjasa se burrat të ishin dakord me kuotën gjinore. Vetëm tri gra u shprehën kundër kuotës, ndërkohë që numri i burrave kundër kuotës ishte 32. Nëse gratë e perceptonin kuotën gjinore si një mundësi për t’i dhënë fund përjashtimit të grave nga politika, burrat e perceptonin atë si një mekanizëm që minon meritokracinë. Kundërshtimet vinin kryesisht nga burrat me përvojë të gjatë në këshill”, nënvizohet më tej në studim.
Një konstatim tjetër është se ekzistonte skepticizëm për ndikimin e kuotës gjinore në cilësinë e qeverisjes. Një nga supozimet që përmendet rëndom është se gratë janë më pak të kualifikuara se burrat. Gjetjet e këtij studimi nuk e mbështesin këtë supozim. Gratë kanë nivel arsimor më të lartë se burrat.
Studimi nxjerr në pah disa shqetësime në lidhje me përfshirjen e grave në takimet e këshillit bashkiak. Pavarësisht nga mënyrat e përdorura për matjen e përfshirjes së tyre, përfundimi i përgjithshëm është se gratë angazhohen më pak se burrat. Gratë kishin më pak gjasa se burrat të raportonin se e kishin marrë fjalën më shumë se 2 herë ose se flasin më shumë se 2 minuta. Ndërkohë, burrat kishin më shumë gjasa se gratë të raportonin që kishin propozuar projekt-vendime ose se i kishin drejtuar kërkesa bashkisë ose sekretarit të këshillit bashkiak. Burrat, po kështu, kishin më shumë gjasa të raportonin se takoheshin me banorët e komunitetit ose që mbështeteshin tek banorët e komunitetit për informacion. Gratë kishin më shumë gjasa se burrat të mbështeteshin në drejtuesit e partisë për marrjen e informacionit. Një nga shpjegimet për nivelet e ulëta të angazhimit të grave, lidhet me përvojën e tyre në këto organe. Krahasuar me burrat, gratë kishin më pak përvojë në këshill dhe në parti. Një shpjegim tjetër lidhet me rrugën e anëtarësimit të grave në këshill bashkiak. Gratë treguan disa histori se si ishin bërë anëtare të këshillit. Shpesh këto histori kishin një tipar të përbashkët: gratë bëheshin anëtare të këshillit për t’i bërë nder një burri, kryesisht babait apo bashkëshortit.
Haxhimali: Gratë t’i meritojnë postet, jo t’i marrin si bonus gjinor
Kryetari i shoqatës së bashkive të Shqipërisë Agron Haxhimali thotë se këto shifra kanë ardhur për shkak të detyrimeve ligjore për plotësimin e kuotës, por nga ana tjetër thekson se e mira do të ishte që gratë të meritonin poste drejtuese dhe jo t’i merrnin ato si bonuse gjinore. “Kjo edhe është e mirë detyruese, por e mirë e vërtet është nëse vetë gratë do të marrin pozita të tilla nga potenciali dhe merita, sesa bonuse gjinore. Ka nevojë për ndryshim të kulturës së përgjithshme mbi faktorizimin e grave, por edhe vetë gratë duhet të vetëfaktorizohen nga ajo çfarë ofrojnë si e mirë publike dhe jo nga aspekti gjinor.”
Krahasuar me zgjedhjet përpara 30 qershorit 2019, rezulton një rritje në përfaqësimin e grave nga 34.% në 46.61%, por problemi qëndron në analizimin e mëtejshëm të situatës. “Nga 1,595 këshilltarësh nga 61 bashki, gra kemi 715 pra gati 46.61%. Zgjedhjet vendore të 2015 treguan se 552 gra ishin anëtare këshillash, nga 1595 këshilltarë në të 61 bashkitë, ose 34.6 %. Në sasi nuk shikoj problem, por duhet analizuar pak pse kemi këtë rritje në 2019? Kemi këtë numër pasi më 30 qershor në zgjedhje u fut vetëm një parti politike – Partia Socialiste? Partitë e tjera opozitare gjerësisht bojkotuan. Kështu që probabiliteti që të futet e gjithë lista e këshilltarëve nga PS është 100%”, analizon Haxhimali.
Ai argumenton se këto shifra nuk do të ishin në rast se partitë nuk do t’i detyronte ligji të plotëson këtë kuotë. “Vështirësia e partive lidhet me dy faktorë: e para kultura dhe tradita jonë e angazhimit të grave në politikë, dhe e dyta pesha e grave në elektorat nuk është si ajo e burrave, ku partitë duan më shumë njerëz të fortë që t’iu garantojnë vota të sigurta”, thotë kreu i shoqatës së bashkive i cili thekson se aftësia dhe merita duhet të prevalojnë mbi gjininë.
Edlira Çepani: Jo vetëm plotësim të kuotës gjinore, synohet barazi gjinore
Edlira Çepani, koordinatore e projektit “Barazi në Vendimmarrje”, aktiviste e shoqërisë civile ka prekur nga afër shumë zona dhe ka biseduar me gratë këshilltare në disa bashki të vendit. Ajo tregon rrugën e gjatë që është përshkruar për të arritur në këtë kuotë gjinore të cilën e konsideron meritë të ligjit. Çepani shprehet se “Realizimi i kuotës gjinore, ka qenë i mundur për shkak të ndryshimeve ligjore dhe sanksioneve të parashikuara në Kodin Zgjedhor të ndryshuara në vitin 2015, që detyronin për herë të parë respektimin e kuotës gjinore 50% në listat e kandidatëve për këshillat bashkiake, si dhe sanksionin e ri të refuzimit të listave të partive nga KQZ në rast të mospërmbushjes së këtij kriteri, duke zëvendësuar sanksionin e mëparshëm me gjobë. Kjo pjesë e reformës ka qenë një arritje e madhe për përfaqësimin e grave dhe vajzave në vendimmarrjen lokale, fryt i shumë viteve punë e këmbëngulje veçanërisht nga shoqëria civile”.
Çepani shpjegon se sanksioni i parashikuar në Kodin Zgjedhor, pengon që në hyrje, partitë politike që nuk zbatojnë kuota gjinore prej 50% në listat e kandidatëve të dorezuara pranë KQZ. Nëse një parti politike nuk e përmbush këtë kuotë, lista i kthehet përsëri për ta rishikuar dhe për të plotësuar kuotën gjinore sipas parashikimeve ligjore. Por, sipas saj, ndryshimi qëndron në dalje, për shkak të specifikave të ndryshme. “Nëse disa parti të vogla për shembull, kanë fituar mandat vetëm 1 këshilltar dhe i pari në listën e kandidatëve ka qenë burrë, atëherë përfaqësimi në këshill nuk do të jetë 50% sa në hyrje, por një përqindje më e ulët. Sidoqoftë që prej hyrjes në fuqi të kuotës 50% në rang kombëtar pjesëmarrja në këshillat bashkiake ka mbërritur përafërsisht 46.61% gra dhe 56.39% burra”, thotë ajo.
Plotësimi i kuotës ligjore, është ende larg barazisë gjinore në politikë pra 50% me 50%. Çepani vlerëson se janë bërë hapa pozitiv në drejtim të përfaqësimit të grave dhe vajzave në politikë, por ka ende shumë për të bërë. “Ka patur raste të presionit të grave dhe vajzave për të lënë pozicionet e tyre, për t’u zëvendësuar nga burrat pasues në lista, e të problematikave të tjera të cilat pengojnë performancën e duhur të vajzave dhe grave në vendimmarrje. Nga ana tjetër duhet theksuar gjithashtu se edhe për integrimin e grave në politikë, por edhe për mbështetjen e atyre që janë pjesë e politikës, duhet të ketë një bashkërendim të kontributit nga institucionet, nga partitë politike, nga shoqëria civile, por edhe nga media e nga komuniteti, në një investim disa planësh për të arritur barazinë e duhur në vendimmarrje.”
Duke u ndalur veçanërisht në pushtetin vendor, Çepani thotë se është e domosdoshmëri barazia gjinore, pra jo vetëm plotësimi i kuotës. Kjo për shkak të specifikës që kanë bashkitë të cilat merren drejtpërdrejtë me problematikat e qytetarëve. “Në veçanti, pushteti vendor që merr vendime të cilat prekin drejtpërdrejtë qytetarët duhet të ketë patjetër, jo vetëm përfaqësim të balancuar gjinor, por edhe integrim gjinor në çdo politikë e vendim që merret në çfarëdolloj fushe, për t’iu përgjigjur në mënyrën e duhur nevojave të të gjithë qytetareve. Ajo që duhet kuptuar në përgjithësi, është që më shumë të drejta për gratë dhe vajzat, nuk do të thotë më pak të drejta për burrat dhe djemtë, do të thotë më shumë zhvillim për komunitetin dhe më shumë efiçencë dhe rezultate për të gjithë shoqërinë.”
Bashkia Has nuk plotëson kuotën, Drita Meshi tregon eksperiencën si zëvendës kryetare e bashkisë
Zëvendës kryetarja e Bashkisë Has dhe drejtuesja në nivel politik që mbulon fushën e drejtësisë gjinore, njëkohësisht edhe anëtare në këshillin bashkiak, Drita Meshi, tregon eksperiencën në karrierën politike. Që në nisje të prononcimit të saj, analizon se barazia gjinore do të duhet të ishte 50 me 50, por edhe kuota gjinore sipas ligjit nuk është plotësuar në këtë bashki në masën 30%, por vetëm në masën 24%.
“Unë kam punuar, kontribuuar e luftuar fort për të arritur këtu ku jam, sepse jam pothuajse e vetmja femër që kam bërë maksimumin për të përfaqësuar denjësisht e me ndershmëri, hallkat dhe problematikat e Komunitetit Hasjan”, thotë Meshi.
Meshi evidenton se në lista dhe në poste të rëndësishme kryesojnë burrat.
“Siç dihet Hasi është vend provincial dhe patjetër që meshkujt dominojnë dhe kryesojnë ne krye të listave apo të posteve, e sidomos në përfaqësimin e këshilltarëve. Ka të bëjë shumë dhe zgjedhja e kryetarëve meshkuj të çdo lloj partie qofshin. Mendimet partriarkale të meshkujve dhe paragjykimi për të kryesuar e drejtuar një femër subjektin politik tek ne, ekziston.”
Meshi nënvizon se ka gra të afta sipas formimit profesional të tyre dhe shumë të forta, por dominon ‘bajraktarizmi’ tek burrat dhe lobimi i tyre më shumë për njëri-tjetrin.
Teksa nënvizon punën që ka bërë në komunitet dhe mbështetjen që i ka ofruar familja, tregon se beteja politike ka qenë e ashpër, por ka vendosur të vazhdojë përpara. “Dhe tani pas një lufte shumë të ashpër politike dhe indirekt me mesazhe anonime nga persona dashakeqës, dua të punoj, të loboj e të luftoj për përfaqësimin e sa më shumë femrave në Aleancën e Barazisë Gjinore sepse sfida gjithmonë bën njeriun më të fortë”, përfundon Meshi.

Elona Mullaraj: Krerët e partive në degët lokale vendosin veten të parin në listat e këshillit bashkiak
Porta Vendore kontaktoi në Përmet me këshilltaren Elona Mullaraj. Përmeti është një nga bashkitë që nuk e ka plotësuar kuotën gjinore dhe në këtë këshill aktualisht ka 4 gra. Mullaraj ka kandiduar nën siglën e ADS të Gaqo Apostolit. “Votat që unë mora ia dedikoj punës sime, reputacionit tim, komunitetit dhe fushatës sime personale me mbështetje të familjes sime. E them këtë pasi ADS nuk ka struktura partiake në Përmet dhe as elektorat”, saktëson ajo, duke na njohur kështu me sfidën që ka mundur të fitojë në një zonë ku emri i saj ishte më i njohur se sigla e partisë që përfaqësonte.
Lidhur me faktin se përse ka pak gra të angazhuara në politikë Mullaraj thotë: “Politika kërkon kohë, angazhim, besim, guxim dhe mbështetje, duke thënë këtë mendoj se gratë në zonën ku unë banoj presin oferta prej partive duke ju munguar iniciativa, pasi rrugët gjenden.”
Lidhur me ndikimin në elektorat dhe diferencën mes gjinive Mullaraj shprehet prerazi: “Besimin në popull e fiton individi me punën e tij dhe jo me përkatësinë gjinore.”
Mullaraj evidenton se drejtuesit politikë lokal kanë një emërues të përbashkët, të gjithë vendosin emrin e tyre të parin në lista. “Kjo është për të ardhur keq pasi një kryetar partie jo domosdoshmërisht duhet të jetë dhe në pozicionin anëtar këshilli, dhe i punësuar gjithashtu. Këtu do doja të shihja një model ndryshe, të hapnin krahun për një emër grua të vendosur të parin në listë dhe ta mbështesnin”, thotë ajo.
“Në karrierën time kam qenë kërkuese dhe jam, iu besoj aftësive të mia dhe admiroj një person që megjithë rrëzimet në jetë numëron ngritjet”, përfundon ajo.
Lluka: Femrat të hedhin pas krahëve paragjykimet
Në bashkitë ku gratë janë të përfaqësuara dhe kuota është plotësuar, këshilltaret tregojnë eksperiencat personale me të cilat janë përballur gjatë zgjedhjes së tyre. Problematike nuk e konsiderojnë faktin se burrat dominojnë, por fajësojnë edhe gratë të cilat nuk kanë bërë aq sa duhet për t’u përfshirë në politikë. Një rast i tillë konkret evidentohet nga anëtarja e këshillit bashkiak në Vaun e Dejës, Valbona Lluka, pjesë e listës së anëtarëve të Partisë Socialiste. Ajo thotë se në zgjedhjet e fundit vendore, numri i grave të përfshira në politikë është më i larti ndër vite. Megjithatë, sipas saj, jo vetëm në politikë, por edhe në jetën sociale, gratë në këtë zonë janë pak të angazhuara.
“Mentaliteti, me gjithë luftën jo të vogël për barazi, mbetet shkaku kryesor që femrat nuk përfshihen në aktivitet politik e si pasojë as nuk zgjedhin të përfaqësohen. Personalisht nuk kam ndeshur në raste ku jam ndjerë inferiore përballë një përfaqësie mashkullore, por duhet goxha punë për të hedhur pas krahëve gjykimet e paragjykimet në këto raste, e shumëkënd kjo e ka bërë të dorëzohet”, thotë ajo.
Lluka thotë se nuk e shikon problematike situatën e përzgjedhjes nga subjektet politike të përfaqësuesve ku dominojnë burrat.
“Nuk besoj se kjo përzgjedhje diferencuese është bërë nga drejtuesit politik pse gratë janë më pak të besuara në popull, por zëri i femrës nuk ka qenë i duhuri për të përmbysur këtë mënyrë zgjedhjeje të bërë rutinë në gjithë politikën shqiptare që sa e sa vite, ku numri i grave ishte i pa konsiderueshëm në krahasim me atë të burrave.”
Anëtarja e këshillit bashkiak thotë se të gjitha gratë duhet të gjejnë forcën brenda vetes për të sfiduar meshkujt në politikë dhe për t’u bërë zëri i grave që nuk kanë mundësi të përfaqësohen.
“Për të qenë një grua e fortë në politikë, së pari duhet hedhur poshtë mendimi se përballë ke një qenie më të fortë se ti që duhet ta sfidosh… por të mendosh se ti ke tërë forcën e duhur për të qenë zëri i shumë e shumë grave të pa zë”, përfundon Lluka.
Zgjedhjet e fundit vendore treguan përmirësim të shifrave të përfaqësimit të grave në këshillat bashkiakë, e megjithatë beteja për integrimin e gruas në politikë në raport të barabartë me burrat vazhdon. Aktivistët shprehen se kuota 30% nuk mjafton, por nga ana tjetër vetë gratë tregojnë se duhet të bëjnë më shumë për t’u bërë pjesë e politikës dhe të jenë të barabarta me ta në çdo sektor.