Vëzhgim/Analizë

Kush i kontrollon miliardat që tenderon Fondi Shqiptar i Zhvillimit…

9 mars 2021/ Artan Rama/ Porta Vendore/ Tiranë

Gjykata Administrative e Tiranës vendosi javën e shkuar të rrëzojë kërkesën e Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) për të mos ekzekutuar një vendim të Komisionerit për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDI). Përtej përplasjes, mes dy autoriteteve qendrore, vendimi i dhënë mbështet një çështje me interes të lartë publik: transparencën dhe llogaridhënien, një parim ende i  paqëndrueshëm në praktikën tonë institucionale.

Konflikti nisi në tetor 2020, kur Komisioneri (KDI), autoriteti më i lartë i qeverisjes që siguron transparencën e saj, urdhëroi Fondin që të publikonte një raport vlerësimi për blerjen e një ndërtese për llogari të administratës publike. Fjala ishte për programin e zhvillimit “Poli i Drejtësisë”, një kompleks infrastrukture për ndërtimin e godinave  të drejtësisë. Më herët, Fondi kishte refuzuar kërkesën e një redaksie lajmesh për të publikuar gjetjet paraprake të raportit të vlerësimit, duke u fshehur pas ligjit të tij organik, në të cilin përcaktohet se FSHZH-ja gëzon statusin e organizatës jofitimprurëse dhe ushtron pavarësi financiare dhe administrative, çka, sipas kësaj të fundit, e klasifikon këtë entitet jashtë përgjegjësive për transparencë, duke pretenduar se nuk mund të konsiderohej ligjërisht, autoritet publik. 

Pas shqyrtimit të çështjes, e cila përfshiu edhe zhvillimin e një dëgjese mes palëve, Komisioneri vendosi të veprojë në favor të transparencës dhe urdhëroi Fondin Shqiptar të Zhvillimit që të jepte informacionin e kërkuar, çka nënkuptonte konsiderimin e këtij të fundit, për herë të parë, një autoritet publik, ligjërisht i detyruar për t’iu përgjigjur kërkesave për informacion të qytetarëve. Qysh prej krijimit të organit të Komisionerit, dymbëdhjetë vjet më parë, Fondi ishte shmangur përgjegjësive të ligjit për të drejtën për informim, duke u justifikuar me statusin si një organizatë joqeveritare. Këtë radhë Komisioneri ndryshoi qëndrim. Por Fondi e përcolli konfliktin në gjykatë, dhe ngriti një padi kundër këtij vendimi. Pas tri seancave, Gjykata e rrëzoi padinë, duke i dhënë të drejtë Komisionerit.

Është e drejtë e Fondit për të ankimuar çfarëdolloj vendimi dhe natyrisht, vendimet e Komisionerit nuk përbëjnë përjashtim, por në këtë rast jemi përpara një kundërshtimi fasadë, pas të cilit fshihet thelbi i refuzimit: të konsideruarit jo një autoritet publik.

Ndonëse Fondi pohoi kontributin e tij, duke u vet-ofruar vullnetarisht në përmbushjen e kërkesave për informacion që vinin nga jashtë, këmbëngulja e tij për t’u konsideruar ligjërisht jo një autoritet publik, përbën një paradoks.

Përkrahja njëkohësisht e dy standardeve, mori fund kur njëri prej tyre, më pak i dëshiruari, u braktis përballë presionit imponues të ligjit për të drejtën për informim.

Fondi u themelua në 1993-shin me mbështetjen e Bankës Botërore. Misioni i atëhershëm i këtij projekti modest ishte lehtësimi i varfërisë, veçanërisht në zonat rurale të vendit. Ai u mbijetoi trazirave të ’97-s dhe krizës ekonomike që pasoi, dhe për afro dy dekada, Fondi fitoi mbështetjen e institucioneve të fuqishme financiare ndërkombëtare.

Në 2009 u riorganizua. Kuvendi  miratoi një  ligj të ri për të, dhe Fondi krijoi një strukturë të re. Projektet u bënë më komplekse dhe volumi financiar u shtua. Misioni i ri synonte zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik dhe zgjerimin në rang kombëtar. Fondi tenderoi miliona euro për ndërtimin e rrugëve të reja; “furnizoi” më ujë zona rurale; mbështeti zhvillime rajonale; kontribuoi në realizimin e projekteve komunitare për një qeverisje të mirë. Gradualisht, ai u shndërrua në pikën fokale të donatorëve, agjencive dhe bankave ndërkombëtare të zhvillimit.

Qeveritë ndërruan; institucionet ranë dhe të tjera u ngritën, por Fondi mbeti, i pandryshueshëm dhe u bë më i fortë.

Në 2017-n, si rezultat i kësaj trajektore të suksesshme financiare ndër vite, buxheti i Fondit Shqiptar të Zhvillimit arriti, për herë të parë, mbi 100 milionë euro.

Në 2018-n, tre agjenci zhvillimi u shkrinë dhe u bërë pjesë strukturore e Fondit.

Në 2020-n, Fondi Shqiptar i Zhvillimit arriti rekordin e shumës së prokuruar: rreth 40 miliardë lekë, ku më shumë se gjysma i përket Fondit të Rindërtimit të objekteve që u shkatërruan nga tërmeti.

Por mungesa e programit të transparencës të këtij institucioni zbeh lavdinë e këtij rrugëtimi, kaq  shkëlqimtar në dukje.

Programi i Transparencës u aprovua në shtator të 2014-s, kur Kuvendi aprovoi ligjin për të drejtën e informimit, që do të siguronte transparencën e autoriteteve publike, përmes përfshirjes në programin e transparencës. Megjithëse sot numri i autoriteteve publike ka arritur në qindra, Fondi Shqiptar i Zhvillimit qëndron ende jashtë këtij programi.

Transparenca si një detyrim ligjor, nuk mund të lihet në diskrecionin e autoritetit për t’u ushtruar në mënyrë jo të ligjshme.

Në dhjetor i kërkuam Komisionerit të dhëna për koordinatorin për të drejtën e informimit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një nëpunës, pjesë e strukturës së Fondit, por rezultoi që Komisioneri nuk kishte dijeni se cili nëpunës e ushtronte këtë funksion.

Nga korrespondencat e pakta të 2020-s të prodhuara, mes Komisionerit për të Drejtën për Informim (KDI) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, lidhur me të drejtën për informim, bie në sy një shkresë që Komisioneri ia ka dërguar Fondit, qershorin e shkuar ku i kërkon zbatimin e detyrimit për të publikuar programin e transparencës. Por programi rezulton ende i papublikuar dhe përsëri Komisioneri nuk ka vendosur ndonjë sanksion administrativ ndaj këtij autoritetit që rezulton në shkelje.

Asnjë arritje nuk është e qëndrueshme, nëse nuk ekziston vullneti për ta imponuar atë. Këtë e bëri gjykata javën e shkuar. Vendimi i dhënë na tregoi, indirekt, se FSHZH-ja është një autoritet publik. Kësisoj, këtej e tutje, ai duhet të sillet si i tillë, duke iu nënshtruar detyrimit ligjor për transparencë.

Por sa e qëndrueshëm është kjo fitore në favor të transparencës dhe llogaridhënies?

Menjëherë pas vendimit, përfaqësuesi i Fondit pohoi se do të apelojë dhe me gjasë, do të duhen edhe disa vite për të shpresuar për një vendim të pandryshuar të formës së prerë. Një tjetër mundësi, më shumë teorike, do të ishte dhënia e vendimeve të tjera të ngjashme kundër Fondit, për të krijuar një praktikë unifikuese në favor të transparencës.

Por deri atëherë, Komisioneri për të Drejtën për Informim mbetet rruga e vetme për ta shtyrë ish projektin modest të Bankës Botërore, që sot është shndërruar në një agjenci multifunksionale që tenderon miliarda, drejt transparencës dhe llogaridhënies. Dhe ka detyrimin ligjor për ta bërë!