8 mars 2021/ Aurora Sulçe/ Porta Vendore
Të bësh biznes në Shqipëri është e shumë vështirë për një grua. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se pesha e grave në pozicione drejtuese në biznes, apo që zotërojnë një sipërmarrje, mbetet ndjeshëm më e ulët se e burrave. “Në vitin 2019, përqindja e grave pronare apo administratore në ndërmarrjet aktive është 25.4 % nga 25.7 % që ishte në vitin 2018”, vlerëson INSTAT.
Albana Muçaj është një nga gratë sipërmarrëse në Shqipëri. Ajo drejton prej 5 vjetësh biznesin që e ka ngritur, duke pasur në fokus fëmijët. Një qendër që quhet Kallz dhe që ofron shërbime të ndryshme, duke filluar nga aktivitetet sportive dhe argëtuese, e deri tek mbështetja për mësimet. Fillimi nuk ka qenë i lehtë, por asnjëherë nuk është kur nis një biznes. Por në rastin e saj, duhet të ishte e patundur në atë që ëndërronte të realizonte, përballë skepticizmit të të gjithëve.
“Çfarë duhet për të bërë biznes? Pasion dhe ide të qarta. Unë e kisha mëse të qartë objektivin tim, e madje kisha të gjithë kundër, se koha për inagurimin e qendrës ishte e pakët sipas tyre. Por kur u festua dhe u shpërndanë 250 sanduiçë të bërë nga vetë ne më 1 qershor, ky ishte tejkalimi i sfidës së parë”, tregon ajo për Porta Vendore.
Albana kujton se nisja e biznesit të saj nuk varej shumë nga shuma e parave që do të investonte. Ajo që nevojitej ishte kujdesi dhe dashuria për fëmijët. Aty qëndron edhe suksesi i sipërmarrjes që drejton. “Nuk nevojitet një sasi e madhe parash për të ndërmarrë një nismë. Po t’u thoja sa para kisha në xhep, sërish do të më ndalonin ta hapja, duke më thënë që nuk kisha para mjaftueshëm. Sot qendra numëron rreth 50 fëmijë që e frekuentojnë për disa ose të paktën një nga shërbimet më lart, ka një staf prej 6 të angazhuar. Në pothuajse 5 vite, qendra është frekuentuar nga 640 fëmijë gjithsej. Filozofia është e thjeshtë. Qendra ofron ato që unë doja për fëmijët e mi: Transport i sigurt nga shkolla, ushqim i shëndetshëm, socializim, mbështetje mësimore, aktivitete të ndryshme plotësuese dhe zhvilluese. Në fund të ditës, prindi ta marrë fëmijën, e të mos stresohet me detyrat në mbrëmje, por të mund të kalojë një kohë cilësore me të, për as pak sa mund të mbërrijnë bashkë”, shpjegon Albana.
A ka dallim për të mes burrave dhe grave në biznes? “Personalisht nuk shoh një diferencë mes sipërmarrjes grua-burrë. Patjetër që jemi më shumë angazhuara me çështjet familjare, por nëse ke pasion dhe vizion, gjithçka është e mundur”, shprehet Albana.
Ajo sot ia ka dalë të jetë një histori suksesi në hartën e biznesit shqiptar. Modele të tilla ka plot në Shqipëri, ndonëse në numër më të vogël se burrat. Madje, gratë, falë iniciativës dhe besimit ia kanë dalë të drejtojnë edhe biznese të mëdha, me një numër të madh punonjësish.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se përqindja e pronareve/administratoreve gra është më e lartë në ndërmarrjet e vogla (me 1-4 të punësuar), me një total prej 25.8 %, përqindje kjo më e vogël krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa në kategoritë e tjera të ndërmarrjeve (5-9 të punësuar, 10-49 dhe mbi 50 punonjës) përqindja e pronareve/administratoreve gra është rritur kundrejt një viti më parë. INSTAT vlerëson se në vitin 2019 (është e dhëna e fundit zyrtare) numri i grave pronare ose administratore të bizneseve në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve është rritur me 1 për qind krahasuar me 2018.
Shpërndarja e bizneseve të drejtuara nga gratë sipas qarqeve
Kryeqyteti kryeson qarkun me numrin më të madh të bizneseve të drejtuara nga gratë. Kjo për shkak edhe të numrit më të madh të popullsisë . Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, 32.4% e ndërmarrjeve me gra pronare ose menaxhere janë përqendruar kryesisht në rajonin e Tiranës, pasuar nga Lezha me 28.9%. Qarqe me numër të konsiderueshëm biznesesh të drejtuara nga gratë janë edhe Durrësi, Vlora dhe Elbasani. Sipas INSTAT, qarku me numrin më të ulët të bizneseve të drejtuara nga gratë është Berati me 17.5%.
Të dhënat e detajuara zyrtare (INSTAT) nxjerrin në pah edhe një tjetër fakt. Pesha e ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë, në të gjitha rajonet, është më e lartë në sektorin e shërbimeve krahasuar me sektorin e prodhimit, me ofruesit e shërbimeve të drejtuara nga gratë të përqendruar në Tiranë (35.2%). Një tregues ky, ndër të tjera, edhe i aftësive të mira komunikuese që gratë zotërojnë kundrejt burrave. Ndërsa bizneset prodhuese të drejtuara nga gratë janë më të shumtë në Elbasan (15.9%).