7 mars 2021/ Mimoza Sinanaj/ Porta Vendore/ Berat
Çdo vit lumi Osum përmbyt dhe gëlltit tokat bujqësore përgjatë rrjedhjes së tij. Mungesa e një argjinature prej më shumë se30 vite, ka bërë që banorët e njësisë administrative Velabishtë, të Bashkisë Berat, po e vuajnë këtë problem, i cili po e bën jetesën e tyre tepër të vështirë.
I gjithë mundi, djersa, lekët e derdhura në këto toka i rrëmben lumi sidomos në stinën e reshjeve. Reshjet e rëna ditët e fundit kanë sjellë mjaft probleme të shumta në fshatrat Bilç, Remanicë, Veterik, pjesë e ish komunës së Velabishtit në Berat.Qindra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë dhe të mbjellat e tyre drejt kalbëzimit. Banorët e këtyre zonave kanë ngritur shqetësimin e tyre në Prefekturën e Beratit, por askush nuk ka dhënë një zgjidhje problemit të tyre.
“Vetëm në muajt janar shkurt jemi mbytur tre herë dhe gjithçka që kishim mbjellë është zhytur nën ujë”, tregojnë ata. Banorët e fshatrave Bilç dhe Veterik, fshat në kufi me Bashkinë e Urës Vajgurore, shprehen se në këto toka janë mbjellë grurë, ushqim për blegtori apo dhe ullinj, por i gjithë investimi i tyre ka ikur dëm, pasi tashmë është nën ujë. Ky problem shprehen fermerët është i përsëritur për vite me radhë. “Lumi po na rrëmben tokat, çdo vit e më shumë jemi duke humbur tokat bujqësore”, shprehet një tjetër banor.
“Kur ka reshje, Osumi del nga shtrati dhe na përmbyt. Bujqësia është jetesa jonë. Mungesa enjë argjinature dhe thellimi i shtratit të lumit Osum na ka sjellë këto probleme. Ne nuk kemi më besim”, shprehen fermerët teksa vijojnë se nuk besojnë asnjë forcë politike. “Këtu vijnë për fushatë premtojnë dhe prapë na lënë në këtë gjendje që ju shikoni”, thotë ata.
Baftjar Fisko, një nga banorët e fshatit Veterik, shprehet se çdo vit është ky problem, dhe i frikësohet idesë që do vijë një ditë që do të mbeten pa tokë, nëse nuk ndërhyhet për t’i mbrojtur këto toka. Baftjari shprehet se ka rreth 10 dynym tokë me të mbjella, një dynym e ka mbjellë me jonxhë, gjashtë dynym i ka mbjellë me grurë, fidanë me ullinj, e të tjera të ndryshme. Baftjari shprehet se para viteve ‘90 nuk kanë ndodhur këto përmbytje, pasi dikur ka qenë prita në pjesët më të rrezikshme të lumit, aty ku lumi vërshonte me rrëmbim ndërsa shtrati i tij ka pasur tjetër devijim. Por gjatë këtyre 30 viteve, në shtratin e lumit është bërë ndërhyrje pa kriter, lavatriçet kanë gërryer shtratin e lumit dhe kanë bërë që të dalë jashtë tij lumi Osum, ky është shkaku kryesor që këto toka përmbyten.
“Ne çdo vit përmbytemi dhe lumi Osum rrëmben të mbjellat tona, toka që unë i kam shërbyer dhe derdhur gjithë të ardhurat e mia, sa vjen dhe zvogëlohet pasi rrëmbehet nga ky lumë…Kemi 30 vite që e vuajmë këtë problem, kemi emigruar dhe gjithë të ardhurat i kemi investuar në këto toka dhe ja shpërblimi. Në çdo vit, me dhjetëra hektarë tokë bujqësore zhduket nën ujë, ndërsa nuk ka asnjë reagim për zgjidhje nga pushtetarët vendor, por vetëm premtime në prag fushatash”, tregon ai për Portën Vendore.

Ymer Selami shprehet se ka shtatë dynym tokë ndërsa ka vite që i paguan shtetit paratë për të gjitha taksat që na kanë akorduar. “Unë s’marr asnjë prodhim. Çdo vit dhe sa herë ka reshje toka ime përmbytet dhe të mbjellat ikin në lumë. Unë jam në pension dhe bashkëshorten e kam të sëmurë. Ne paguajmë për çdo shërbim që i bëjmë tokës dhe ja rezultati .Kjo është e vetmja e ardhur që kemi pasi pensioni në fshat nuk i kalon 5mijë lekë (50 të vjetra )nuk na dalin për ilaçe, toka është e vetmja shpresë e jona. Por ja edhe sivjet u dëmtua nga reshjet. Prurjet lumit Osum na dëmtuan shumë të gjitha të mbjellat. Është hera e tretë brenda këtij muaji që përmbytet sivjet i gjithë mundi e lekët tona ikën dëm. Me se do jetojmë këtu?”, pyet me te drejtë Selami duke shtuar se: “Ka qenë vetë prefektja e Qarkut Berat znj.Valbona Zylyftari dhe komisioni i emergjencave, por ata si çdo vit tjetër vështrojnë, konstatojnë, por ne jemi sërish njësoj, përmbytemi. Këtu mungon argjinatura ose pritat mbrojtëse, gjithçka është shkatërruar. Në këtë lum punohet në çdo stinë ndaj edhe kemi këto probleme me tokat .I bëjmë apel shtetit për ndihmë”, përfundon banori.

Toka është buka e përditshme e banorëve të kësaj zone. Ata kanë vite të tëra që e vuajnë këtë situatë, dhe tani gjithçka duket e largët drejt një zgjidhjeje të duhur. “Na kanë sorollatur. Çdo vit paguajmë taksat për tokën, por për ne fermerët nuk ka asnjë zgjidhje për problemet tona. Na kanë sorollatur nëpër institucione për gjoja dëmshpërblim, por jo vetëm nuk kemi marrë por kemi harxhuar kohë madje dhe lekë”, thotë Bajram Selamaj, një tjetër banor i kësaj zone
Kurse banori i Velabishtit, Gazmend Selami shprehet se ka shpenzuar në sera dhe pemë, ndërsa gjashtë dynymë i ka mbjellë me grurë. “Sivjet nga një firmë u ndërtua një si pritë, por rezultati e gjithë toka që është mbjellë është nën ujë. Jam përmbytur vetëm këtë muaj tre herë. Reshjet kanë bërë që lumi Osum të ketë prurje më shumë se gjatë stinëve të tjera të vitit dhe herëpashere ai del nga shtrati pasi vjen me shumë furi. Unë këtu i kam gjithë shpresat e mia, pasi toka është e vetmja e ardhur që kam, me këtë mbaj familjen time prej 7 personash. Kam fëmijë e pleq të sëmurë në shtëpi. Ne çdo vit na premtohet dhe çdo vit përmbytemi. Jam taksapagues i mirë ishtetit. Po që toka të japë prodhim do plehun, do plugimin, do hedhur miliona lekë. Përmbytjet na bëjnë jo vetëm të varfër, por edhe zhytur në borxhe. Kam trokitur për ndihmë, na është premtuar që do na rregullojnë, por ende jemi në hall të madh. Toka me të cilën ushqehemi çdo vit zvogëlohet rrëmbehet nga lumi. Përsa i përket ndihmave apo granteve nuk kemi marrë kurrë dhe s’jemi dëmshpërblyer asnjëherë” ,tha Gazmend Selami për Portën Vendore.

Sa herë ka reshje me intensitet të lartë, këta fermerë pësojnë dëme të konsiderueshme në toka si dhe prodhimet e tyre hidhen dëm duke shkaktuar miliona lekë humbje nga lumi, ndërsa Bashkia Berat vetëm premton dhe ende nuk është arritur një zgjidhje.
Megjithatë, Drejtoria e Shërbimeve dhe Kanalizimeve në Bashkinë e Beratit mësohet se ka nisur një projekt për rehabilitimin e shtratit të lumit Osum. Projekti përmbledh gjithë fshatrat dhe zonat e kësaj bashkie ku kalon lumi Osum. Projekti ka filluar në hyrje të fshatit Starovë, pjesë e njësisë administrative Velabisht, ndërsa është lënë në mes për mungesë fondesh. Nga Drejtoria e Shërbimeve dhe Kanalizimeve pranë Bashkisë Berat, mësohet se do të akordohen fonde nga vetë ky institucion. Ndërsa banorëve u është premtuar se ky projekt do të vijojë edhe në fshatrat Remanicë, Veterik apo Bilçë, por pa dhënë një afat kohor se kur, përveç premtimeve. Ndërsa pritet ky projekt, tokat bujqësore të këtyre zonave që përmbyten nga lumi Osum janë drejt zhdukjes.

Kjo është argjinatura e nisur 2020 me investimet bashkisë dhe Ministrisë së Bujqësisë por që ende nuk ka përfunduar edhe sot e kësaj dite. Argjinatura sipas projektit ka një gjatësi 800m ndërtuar në Njësinë Administrative “Velabisht”, Bashkia Berat .
Ky investim do të ulë rrezikun e përmbytjeve të tokave bujqësore dhe disiplinojë shtratin e lumit Osum. Ndërhyrje e domosdoshme e cila mbron 200 hektarë tokë bujqësore dhe rreth 10 familje që jetojnë në afërsi të lumit.