3 mars 2021/ Marinela Dushi/ Porta Vendore/ Tiranë
Fëmijët në situatë rruge vazhdojnë të mbeten një shqetësim i pazgjidhur ndër vite, ndonëse institucionet harxhojnë miliona lekë çdo vit me programe për zhdukjen e këtij fenomeni. Shpesh herë, ata janë të shfrytëzuar nga prindërit e tyre dhe pavarësisht se institucionet japin shifra në ulje, sipas ekspertëve, situata është alarmante, ndërsa fëmijët çdo ditë luftojnë për mbijetesë.
‘Më falni një lek, goce të lutem më falni një lek’, kjo është fraza që dëgjojmë nga disa fëmijë të cilët dalin në rrugë për të lypur. Ata i shohim shpesh të ulur në tokë teksa i zgjasin duart për lekë qytetarëve që kalojnë aty pranë. Fëmijë të mitur, të uritur, të dobët, e të veshur keq, luten për një ‘kafshatë bukë’. Në kryeqytet, fëmijët e rrugës i shohim në disa zona, pranë lumit të Lanës, tek Pazari i Ri, në Laprakë, tek Dogana, etj. Së fundmi disa prej tyre po shfrytëzojnë trafikun e rënduar të automjeteve te dogana për shkak të punimeve për Unazën e Madhe, të cilët futen në mes të rrugës, u afrohen makinave duke kërkuar të holla nga shoferët. Ka dhe nga ata që zgjedhin të shesin facoleta apo disqe me muzikë. Por, edhe pse ka disa organizata apo institucione shtetërore si dhe ligje që kanë si detyrë mbrojtjen e fëmijëve nga çdo lloj abuzimi nëpërmjet shfrytëzimit si burim ekonomik apo keqtrajtimit nga neglizhimi prindëror për përkujdesjen e tyre, në rrugë shikojmë fëmijë të mitur, kryesisht të moshave 8, 10, 12 vjeç të cilët lypin për qindarka.

Neni 54, pika 3 e Kushtetutës së Shqipërisë, shkruan “Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë, e veçanërisht nën moshën minimale për punën e fëmijëve, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij normal.”
Ligji nr. 18/2017 Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, neni 64, pika 1 garanton mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi ekonomik në moshë të mitur.“ Strukturat e mbrojtjes së fëmijës kanë për detyrë të identifikojnë në mënyrë aktive dhe të trajtojnë me përparësi çdo rast të raportuar të fëmijës së shfrytëzuar, përfshirë fëmijët në situatë rruge. Këto struktura janë përgjegjëse dhe kanë të drejtë të ndërmarrin veprime konkrete, me mbështetjen e organeve të Policisë së Shtetit, për largimin e fëmijës nga situata e shfrytëzimit ekonomik apo situata e rrugës. Procedurat për identifikimin, ndihmën e menjëhershme dhe referimin rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Edhe pse ligji garanton mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi ekonomik si dhe nga neglizhimi prindëror, situata në terren duket se është problematike.

Ajo që vihet re është që këta fëmijë lypjen e ushtrojnë me dijeninë dhe miratimin e prindërve. Ka raste që fëmijët e mitur që lypin, mbikëqyren nga persona të rritur që qëndrojnë larg vendit ku fëmijët po “punojnë” duke kërkuar lekë. Këtë pamje mund të ta ketë parë çdo qytetar, teksa përforcohet më shumë fakti se prindërit për arsye të ndryshme, shfrytëzojnë fëmijët e mitur, si burim të ardhurash. Ata shfrytëzojnë keqardhjen që njerëzit ndjejnë ndaj lutjes së një fëmije për disa të holla. Porta Vendore ka komunikuar me disa fëmijë në situatë rruge, të cilët ushtrojnë lypjen. Pranë ish-sheshit Shqiponja, ku tani po kryhen punime për mbikalimin, takohemi me tre fëmijë të moshave 12 dhe 15-vjeçare. Edhe pse temperatura shënonte minus disa gradë celcius, ata sfiduan të ftohtin që kishte mbërthyer Tiranën dhe kishin dalë në punën e tyre të përditshme, në mes të Janarit. Në rrugë shohim një vajzë brune 12-vjeçare, e shoqëruar nga dy djem të moshave 12 dhe 15 vjeç. Të pyetur nëse kanë ftohtë, ata u shprehën me doza humori se nuk kanë ftohtë, por trupi i tyre i tradhtoi, të tre kishin ngritur shpatullat lart nga i ftohti dhe po dridheshin. “Kush ka ftohtë, ne s’kemi ftohtë, brrrrr”, tha djali 12-vjeçar. Të dy djemtë ishin më të rezervuar për të dhënë informacione për veten e tyre, madje njëri nga ata u shpreh skeptik për pyetjet e bëra pasi ishin në dijeni se nëse një polic do t’i shikonte ne rrugë, do kërkonte largimin e tyre duke bllokuar edhe punën e asaj dite, e si rrjedhim edhe të hollat që vijnë nga ushtrimi i lypjes. “Unë jam moshë madhor, jam 17 vjeç nuk më kap policia”, u shpreh 15 vjeçari duke tentuar të rriste moshën , por u përgënjeshtrua nga dy shokët e tij. Më e hapur dhe e çiltër ishte vajza 12 vjeçare. Ajo tregoi se si ishte dita e punës për të.
“Dal në punë që në mëngjes dhe rri deri nga dreka. Fitoj çdo ditë 50 mijë lekë të vjetra, nuk iki në shtëpi pa nxjerrë fitim 50 mijë lekë. Kam dal vetë këtu. Paratë që i fitoj ia jap mamit, por mbaj edhe një pjesë për veten. Nuk harxhoj lekë teksa punoj, shkoj e ha në shtëpi. Unë jam në shkollë, por tani prej pandemisë, shkolla ime është mbyllur dhe nuk bëj mësim”, shprehet vajza.

Por edhe kur bie shi, ata nuk stepen, teksa vijojnë të kërkojnë qindarka. Siç shihet edhe nga fotot, shumica e tyre qëndrojnë pa çadër, disa mbajnë kapuç pambuku ku uji depërton duke rrezikuar shëndetin e tyre nga një ftohje e mundshme, temperaturë, apo probleme me mushkëritë. Tek-tuk mund të shohësh fëmijë që mbajnë mushama, si një mënyrë për të eliminuar depërtimin e ujit në trup.


Dogana është një zonë ku ka prezencë policie për të menaxhuar trafikun e makinave, por kjo gjë nuk i ka stepur ata, duke u përpjekur të tregohen të vëmendshëm që mos t’i largojnë nga rruga. Është më se e kuptueshme që prania e tyre në mes të rrugës është e rrezikshme për fëmijët nga aksidente të mundshme por edhe një shqetësim për shoferët që duhet të tregohen të kujdesshëm që mos të përplasin ndonjë nga ata.
Por një tjetër neglizhencë prindërore ndaj fëmijëve mund të quhet kur shikojmë nëna të reja të cilat dalin të lypin në rrugë duke mbajtur në krahë fëmijë të sapolindur apo disa muajsh. Porta Vendore komunikoi me një nënë në moshë 24 vjeçare e cila po lypte në rrugë të makinave me fëmijën disa muajsh pranë doganës. Në njërën dorë mbante çadrën e shiut, në krahun tjetër mbante djalin 7 muajsh. “Nuk kam çfarë të bëj, jam e detyruar ta marr fëmijën me vete edhe pse bie shi e mund të ftohet. E kam me gji, nuk ka kush të ma mbajë”, tha ajo.
Enea është 12 vjeç dhe së bashku me motrën e tij 10 vjeçare del çdo pasdite pas shkolle për të shitur bajame.“Goce do një kaush bajame, 200 lekë të vjetra kushtojnë”, thotë ai, teksa afron kaushin ding me bajame të pjekura, era e të cilave të tundon. Ai na tregon se ka 3 vite që e bën këtë gjë, kryesisht në fundjavë dhe pas shkolle, së bashku me motrën e tij. “Quaje një biznes familjar”, thotë ai duke vënë buzën në gaz. Enea na rrëfen se mami merret me pjekjen dhe përgatitjen e kaushëve, ndërsa babi i shoqëron për në lokalet e zonave të ndryshme. Së bashku me motrën e tij ai thotë se në ditë ka raste kur mund të shkojmë edhe me 10 mijë lekë në shtëpi, ashtu siç ka edhe raste që nuk janë kaq me fat. “Nuk ka punë për prindërit, mami është shtëpiake, ndërsa babi me ditë, ku të gjej punë në ndërtim , por edhe ky zanat në këto kohë pandemi nuk është se kërkohet shumë thotë babi kur vjen në shtëpi. Ndërsa ne së paku nxjerrim shpenzimet tona, libra, e ushqim”, thotë Enea me një pastërti prej fëmije shembullor, ndërsa na tregon se tregtia me bajamet nuk e ka lënë pas me mësimet, pasi orët e mbrëmjes i përkushtohet detyrave, madje ndihmon edhe të motrën. “Shokët dhe shoqet e klasës nuk e dinë këtë që ne bëjmë, kjo pasi nuk na ka rastisur ndonjëherë të na shohin, por edhe nëse ndodh, mami na ka thënë që puna nuk është turp, fundja ne nuk po vjedhim”, përfundon ai, teksa vijon me tregtinë e bajameve, në një tjetër tavolinë të lokaleve të bllokut. I kanë mbetur edhe disa kaushë për të shitur ende.

Por sa ndikon rritja e këtyre fëmijëve në rrugë edhe duke kërkuar lekë nga të tjerët, në aspektin psikologjik dhe formimin e karakterit të tyre?
Psikologja Denata Toçe tregon për Portën Vendore se lypja dhe jetesa e fëmijëve në rrugë mund të shkaktojë tek ata trauma, e cila mund të dojë vite për tu rikuperuar.
“Nëse ata janë të programuar që të marrin mbrojtje, ngrohje, ushqime nga familja, imagjino si duhet të jetë kur duhet të dalin jashtë kësaj dhe të sigurojnë ata të ardhurat për mbijetesë. Kjo situatë krijon probleme psikologjike si dhe në formimin e karakterit të tyre. Ata krijojnë pasiguri për të ardhmen e tyre, humbasin besimin, krijojnë një botë ku mungon dashuria. Edhe pse ata janë në nevojë, ndonjëherë bëhen agresivë të cilët kërkojnë me çdo mënyrë për të siguruar të ardhura. Nuk ka gjë më traumatike sesa kur fëmijët detyrohen të bëhen adultë parakohe. Periudha e rehabilitimit varet sesa kohë ka qëndruar një fëmijë në situatë rruge, varet edhe nga familja se cila duhet të ndërgjegjësohet se nëse po abuzojnë me fëmijët, mos ta përsërisin më këtë gjë tek ata. Unë mendoj se puna është diçka e mirë për fëmijët, për ata që kanë një moshë të lejueshme, por që puna të jetë në formën e ndihmës për vetveten dhe jo për të siguruar mbijetesën. Duke patur përgjegjësinë e garantimit të të ardhurave për mbijetesë, detyrë që i përket prindërve, fëmijët në situatë rruge shpesh ngarkojnë veten e tyre me faj. Ata mund të mos kenë bërë punë mjaftueshëm dhe ndihen në faj se nuk kanë siguruar të ardhura për mbijetesë. Rehabilitimi i tyre mund të zgjasë derisa ata të kenë mbushur intelektin e tyre dhe të kenë arritur një moshë adulte si dhe të kenë arritur të mësojnë një profesion që t’i mundësojë vetes një punë duke u përkthyer në të ardhura. Puna nëpërmjet një profesioni do të siguronte tek ata një autonomi për të fituar paratë vetë dhe jo duke kërkuar nga të tjerët”, shprehet psikologja Denata Toçe.
Për të minimizuar këtë fenomen, ku fëmijë të mitur lypin, çdo bashki ka struktura përkatëse për t’i identifikuar, larguar nga rruga si dhe për të bërë të mundur rehabilitimin e tyre. Për këtë arsye, Bashkia Tiranë ka miratuar një tender për blerjen e 10 tabletave me vlerë 56 milionë lekë të vjetra në fund të vitit 2020.

Porta Vendore iu referua me një kërkesë për informacion për detajet dhe arsyet e këtij tenderi Bashkisë së Tiranës, ku kjo e fundit thekson se:
“Dixhitalizimi i procesit të identifikimit të fëmijëve në situatë rruge, është propozuar si një mjet i domosdoshëm nga strukturat dhe profesionistët e mbrojtjes së fëmijëve dhe specialistët e terrenit që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me rastet, për të lehtësuar procesin e identifikimit, raportimit dhe ofrimin e ndihmës së menjëhershme për fëmijët në situatë rruge…Ky shërbim i tenderuar, do të sjellë ndryshime të nevojshme për të minimizuar disa prej sfidave kyçe që janë adresuar nga ana e specialistëve të terrenit, si rezultat i mungesës të mjeteve të punës dhe përdorimi mjeteve personale për përmbushjen e detyrave funksionale duke respektuar etikën në punë dhe mbrojtjen e të dhënave personale në sistem të unifikuar zyrtar dhe jo në mjete personale. Duke siguruar tabletat, e pajisur me internet, minuta telefonike për të komunikuar me strukturat kyçe si: Policia, Shërbimet Emergjencës për Fëmijët, Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve etj, shmanget përdorimi i mjeteve personale nga ana e punonjësve si celularët për të regjistruar të dhënat apo për të bërë fotografi të rastit në vendin e lypjes, që merret nga intervista e shpejtë që realizon në rruge me fëmijën apo prindin. Minimizohet koha per te raportuar rastin tek strukturat kyçe”, njofton Bashkia Tiranë në kërkesën për informim të dërguar nga Porta Vendore.
Bashkia Tiranë pranon se situata e fëmijëve të rrugës është një sfidë për shërbimet sociale, dhe ndaj ka dedikuar së fundmi një qendër në kryeqytet që do të merret vetëm me këtë kategori.
“Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të strukturave përgjegjëse të sistemit të mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve në nivel qendror apo vendor për të parandaluar fenomenin e rasteve të identifikuar në situatë rruge të rritur apo fëmijëve që ushtrojnë lypësi, ai vazhdon të mbetet sfidë për shërbimet sociale në territorin e Bashkisë Tiranë”.
Gjatë vitit 2020, në territorin e Bashkisë Tiranë janë identifikuar 71 fëmijë që ushtrojnë lypjen, lajnë xhamat e makinave, shesin produkte të ndryshme.
Qendra Komunitare e Terrenit duket se do të ketë një rol kyç në përdorimin e të dhënave nga databazë e identifikuar nga grupi i terrenit të Bashkisë Tiranë.
“Qendra Komunitare e Terrenit ka rolin kyç në përdorimin e sistemit të databasës duke marrë në konsideratë faktin që ngritja e këtij sistemi është propozuar nga vetë profesionistët që kanë fokus të punës së tyre mbrojtjen e fëmijëve, skuadrat e terrenit dhe koordinatori i këtyre skuadrave. Si pjesë e takimeve të punës për përmirësimin e procesit të identifikimit, raportimit dhe ofrimin e ndihmës së menjëhershme për fëmijët në situatë rruge, midis të tjerave është propozuar një koncept ide duke analizuar rëndësinë e këtij sistemi. Ideja është ndarë dhe prezantuar me disa struktura vendimmarrëse në Bashkinë e Tiranës, dhe pas një analize të dobishmërisë të këtij sistemi u arrit miratimi i idesë”, tha Pambuku për Portën Vendore.
Qendra Komunitare e Terrenit është krijuar me Vendim nr. 66 datë 12.06.2020 të Këshillit Bashkiak “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës Komunitare të Terrenit” dhe ka filluar ofrimin e shërbimeve në Shtator 2020, duke marrë parasysh procedurat e regjistrimit të subjektit të ri, të stafit etj. Qendra ka si synim parandalimin dhe reduktimin e fenomenit të rasteve të fëmijëve dhe të rriturve në situatë rruge. Porta Vendore kontaktoi gjithashtu edhe me drejtoren e kësaj qendre, zonjën Aida Pambuku, përsa i përket shërbimeve që ofrohen për fëmijët në situatë rruge.
“Kjo qendër ofron dhe koordinon shërbime të përkujdesit dhe mbrojtjes sociale për fëmijët dhe të rriturit në situatë rruge, si identifikim proaktiv, vlerësim të shpejtë të nevojave, informim, këshillim, ndërmjetësim dhe shoqërim të rasteve pranë shërbimeve, sensibilizim dhe aktivitete trajnuese, vizita në familje, etj,”, sqaron Pambuku duke shtuar se sistemi është shumë i rëndësishëm në punën e përditshme në terren 24/7 që kryejnë skuadrat e terrenit. “Së pari procesi i identifikimit kërkon informacion në kohë reale që merret nga intervista të shpejta që kryejnë punonjësit e terrenit dhe duhet dokumentuar. Dokumentimi i informacionit dhe referimi në kohë reale në një mjet pune si Tablet (dhe jo personale) që do të jenë të pajisura me kod dhe vetëm për qëllime pune, siguron jo vetëm shkëmbimin e informacionit midis profesionistëve për mbrojtjen e fëmijëve, por edhe konfidencialitetin e rastit . Në të njëjtën kohë për të arritur sa më parë identifikimin e fëmijës që gjendet në rruge, skuadra duhet të ndajë foton ose të dhënat me Punonjësin për Mbrojtjen e Fëmijës, apo Policinë e Shtetit apo struktura të tjera që mund të jene duke ofruar shërbime për fuqizimin e rastit, dhe nga ky komunikim përcaktohen hapat e mëtejshme për ofrimin e ndihmës së menjëhershme ndaj rastit siç mund të jetë: informimin dhe këshillim mbi burimet dhe shërbimet sociale, pasojat që ka shfrytëzimi ekonomik i fëmijës për punë dhe lypje, shoqërim në banesë, shoqërim në qendër emergjence apo qendër sociale, apo në strukturat e policisë së shtetit etj. Gjithashtu, duke qenë së sistemi do të analizojë të dhënat do sigurohet informacion i plotë dhe më i qartë për situatën e fëmijëve në situatë rrugë në territorin e Bashkisë Tiranë . Të dhëna, gjetje apo analiza e fëmijëve në situatë rruge, mbi të cilët më pas mund të ngritjen ndërhyrje efektive që i përgjigjen nevojave konkrete vazhdojnë të mbeten problem”, tha Aida Pambuku, drejtuese e Qendra Komunitare të Terrenit .
Ekziston një studim kombëtar realizuar në vitin 2014 organizuar nga organizata ARSIS, një raport i komisionuar nga UNICEF e Save the Children, dhe financuar nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri. Sipas këtij raporti, Tirana ka përqindjen më të lartë të vajzave nga numri i përgjithshëm (35.5% ) krahasuar me pjesën e vajzave në qytete të tjera (~23%); gjithsesi djemtë mbizotërojnë në situatën e rrugës në të gjithë vendin. Raporti gjithashtu evidenton se kryeqyteti është kthyer në destinacionin më tërheqës për shumicën e familjeve të cilët kanë fëmijë në situatë rruge.
“Fëmijët në situatë rruge në Shqipëri kanë pak informacion mbi shërbimet sociale dhe përdorimin e tyre. Të gjitha burimet e përfshira në studim nënvizuan se Tirana ka shkallën më të lartë të fëmijëve të cilët kanë informacion mbi shërbimet sociale të cilat mund t’i mbështesin ata. Shërbimet sociale të përmendura nga shumica e fëmijëve dhe anëtarëve të komunitetit janë kryesisht të lidhura me ofrimin e ushqimeve, dhe veshjeve nga organizata të ndryshme dhe mbështetja për arsimin e fëmijëve. Kjo mund të jetë për shkak të faktit se shumica e shërbimeve sociale janë të vendosura në kryeqytet dhe më pak në qytetet e tjera të Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në raport.
Sipas Aida Pambuku trendi është ne rënie, si rezultat i ndërhyrjeve të koordinuara që po realizohen midis strukturave përgjegjëse, ndërsa një bashkëpunim të gjerë kjo qendër ka edhe me platformën e raportimit ALO 116- 111 Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijët.
Mirgit Vataj, nga ALO 116 tha për Portën Vendore se gjatë vitit 2020 në këtë linjë telefonike pa pagesë janë raportuar 551 raste të fëmijëve në situatë rruge. Por teksa raporton shifra të ndryshme nga ato të bashkisë, Mirgiti tregon se rastet ndër vite janë në shifra thuajse të njëjta, pra nuk kanë një ulje në raportimet e kësaj linje telefonike. “Pak a shumë rastet janë në të njëjtin nivel me vitet e kaluara. Rastet pasi raportohen pranë numrit 116 111 referohen pranë skuadrave të terrenit pranë bashkive, pranë njësive për mbrojtjen e fëmijëve në njësinë territoriale ku është raportuar fëmija në situatë rruge ose pranë policisë së shtetit”, shprehet ai.