24 shkurt 2020/ Enriko Gabaj/ Porta Vendore/ Vlorë
Sherishta është zgjedhur për ndërtimin e landfillit të ri në Vlorë, por kjo ka vënë në rrezik ekzistencën e një qytetërimi antik në këtë zonë. Edhe pse arkeologët e kanë ngritur këtë shqetësim, kjo nuk e ka ndaluar Bashkinë e Vlorës në projektin e saj, e cila pretendon se ka caktuar ekspertë për të ndjekur punimet. Megjithatë, arkeologët shprehen skeptikë ndaj këtyre punimeve, duke dhënë alarmin se me Vlorën, po ndodh ashtu siç ka ndodhur dhe me zona të tjera, duke zhdukur historinë tonë. Ndërkohë, fituese e këtij prokurimi rezulton kompania e që administron landfillet e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, e cila është përfolur dhe denoncuar disa herë në media. Ndërsa kompania që do kryente mbikëqyrje arkeologjike gjatë punimeve, nuk ka një ekspert arkeologjie në organikën e vet.
Sherishta, fshati nga doli nuse Donika Kastrioti
Sherishta është një ndër fshatrat më të veçantë të qytetit të Vlorës. I ndodhur në një distancë rreth 9 kilometra nga Vlora, ky fshat ka një pozitë gjeografike të favorshme, ku në jugperëndim kufizohet me Kaninën dhe malin Shashicë, në lindje me lumin e Vlorës dhe në veri me fshatin Xhyherinë.
Ky fshat tejet interesant njihet ndryshe dhe me emrin “Qishbardhë”. Nga historianët e vjetër emri “Qishbardhë” vjen nga një kishë e bardhë që ka ekzistuar në këtë fshat. Sipas historianëve, pranë kufirit me Kaninën ka ekzistuar një kishë e bardhë, ku prej saj Donika Kastrioti ka dalë nuse. Pra ky fshat lidhet drejtpërdrejt me heroin tonë kombëtar dhe familjen e tij. Janë të shumtë ata që nuk do ta ndërronin kurrë këtë fshat me asgjë tjetër, edhe pse e pranojnë haptazi se ende ka punë për përmirësimin e kësaj zone.
Sherishta ka në total rreth 250 banesa, ndër të cilat një pjesë e tyre qëndrojnë të kyçura për arsyen se familjarët janë në emigracion. Rreth 100 banesa të fshatit janë të kyçura, duke u përdoruar prej pronarëve kryesisht gjatë verës apo në periudhën e festave. Aktualisht ky fshat numëron 600 banorë. “Dihet se një pjesë e madhe e popullsisë, jo vetëm në fshatra, por edhe në qytetet e vendit kanë zgjedhur të emigrojnë për arsye ekonomike. Ky fenomen e ka goditur edhe Sherishtën, ku kryesisht të rinjtë kanë vendosur të largohen në vendet fqinje si Italia apo Greqia. Me largimet e shumta në këto vite të fundit, një alternativë e preferuar prej tyre është edhe Gjermania”, tregon kryeplaku i fshatit Zini Meçani për Portën Vendore.

Në fshat jetojnë më tepër prindër të emigrantëve si dhe banorë të tjerë, të cilët i janë përkushtuar bujqësisë apo blegtorisë, apo dhe ata të cilët punojnë në qytet. Në rrugëtimin tonë përgjatë lagjeve të këtij fshati sheh banesa të shumta, një numër i madh prej tyre dallohen lehtësisht se janë të emigrantëve, jo vetëm nga “çelësi” që mban mbyllur portën, por edhe nga investimi i bërë në to.
Hanko Salaj, e ardhur vajzë e re në fshat, por tashmë gjyshe pohon se jeton vetëm, pasi fëmijët janë në emigracion prej vitesh. “Emigrimi na katandisi të jemi kështu, vetëm gjithë kohën. Fëmijët nuk i kam këtu, s’mund të rrinin në fshat pasi gjendja ekonomike i ka detyruar të largohen tutje. Rëndësi ka të jenë mirë me shëndet. Unë këtu kam ardhur vajzë e tani jam e moshuar. Tashmë kanë kaluar vite që kur jam njohur me Sherishtën. Fshati ka qenë shumë i bukur dhe vijon të jetë, jetojmë në qetësi dhe nuk ka shqetësime. Do doja shumë të investohej e të hapen vende pune që të rikthehen dhe rinia se ka ikur e gjitha”, tregon ajo thuajse e përlotur për Portën Vendore.

Bahçet duken të gjelbëruara, ku banorët përkujdesen gjatë gjithë kohës për to, madje kanë mbjellë edhe agrume e drurë frutorë. Panorama e fshatit është për tu admiruar, njëkohësisht edhe ajri i pastër që të mbush mushkëritë. Rruga e lumit të Vlorës, projekt i cili ka nisur në vitin 2017 dhe përfundon në vitin 2020, i ka dhënë një zhvillim të madh Sherishtës, e veçanërisht fermerëve të zonës. Një fermer i Sherishtës u shpreh për Portën Vendore se vite më parë nuk kishte mundësi që prodhimet e tokave t’i dërgonte në Vlorë për shkak të rrugës. Tani i duhen rreth 10 minuta për t’i sjellë e më pas për t’i tregtuar në qytet e kjo falë aksit rrugor Vlorë-Babicë-Peshkëpi. Pemët e portokalleve zënë pjesën më të madhe të tokave që ai shfrytëzon, por nuk mungon as ulliri, si një pemë karakteristike, jo vetëm e fshatit, por e gjithë Vlorës.
Madje, prej vitesh nxjerrja e vajit të ullirit është kthyer në një traditë ku të gjithë banorët vjelin pemët e mbjella në tokat apo bahçet e tyre, e më pas prodhojnë vajin e ullirit. Traditë kjo e cila vijon që pas viteve ‘90, por pa lënë pas edhe agrumet; mandarinat, portokallet, të cilat më pas tregtohen në qytet. Bujqësia, por deri diku edhe blegtoria i mbajnë banorët të lidhur me punën në fshat ndryshe nga të rinjtë e larguar.
“Fshatit i mungon ai lloj reklamimi që të bëhet më i njohur për turistët e shumtë që vizitojnë Vlorën, kryesisht gjatë sezonit veror. Kjo arrihet duke ftuar investitorët në fshat pasi natyra dhe ajri i pastër japin mundësi të panumërta të cilat duhen shfrytëzuar pozitivisht. Nuk ka asnjë restorant apo park përgjatë fshatit, të cilat do të shërbenin mjaft mirë për qetësinë e turistëve dhe shtimin e numrit të tyre”, thotë kryeplaku i fshatit Zini Meçani për Portën Vendore
Krahas natyrës e ajrit të pastër, si për të prishur syrin e keq, në Sherishtë nuk ka ndriçim, madje dhe rrugët e brendshme të fshatit janë të amortizuara e asnjë centimetër asfalt. Abazi, një banor të cilin e hasim teksa hynte në fshat, u shpreh për Portën Vendore se rruga është në gjendje aspak të mirë, por pa lënë pas dhe mungesën e ndriçimit. “Fshati është i bukur dhe njerëzit mikpritës, pasi unë vij shpesh. Nuk jetoj këtu, por me këtë rrugë nuk jetohet. Unë vij qëndroj 2 apo 3 ditë, dhe më pas largohem. Natën krijohet një errësirë totale pasi nuk ka ndriçim rruga, madje nuk ekzistojnë fare llambat nëpër shtylla. Do ishte mirë që dhe shteti të vërë dorë, sepse është një domosdoshmëri për fshatin dhe banorët e tij”, tregon Abazi, i cili vjen tashmë në fshat për të takuar të afërmit, miqtë e dashamirësit e tij. Të njëjtin shqetësim e ngrenë dhe banorë të tjerë, të cilët i bëjnë thirrje shtetit të hedhë sytë dhe në fshat.
Landfill apo qytetërim i lashtë?!
I gjithë territori i Sherishtes, që shtrihet 5 km në lindje të qytetit të Vlorës, në jugperëndim kufizohet me Kaninën dhe malin e Shashicës, në lindje me lumin e Vlorës (Shushicë) dhe në veri me fshatin Xhyherinë, sipas arkeologëve, ka mbetje arkeologjike, pasi aty ka pas ekzistuar një qytetërim i lashtë, i cili i përket periudhës Paleolitike, ku sipas arkeologëve këtu ka pasur jetë rreth 2 milionë vite më parë. Por, arkeologët shprehen se ato nuk janë shenjat e vetme, pasi në zonë ka dhe shumë objekte të mesjetës.
Megjithatë, para 4 vitesh, është hedhur ideja, e cila tashmë ka nisur konkretizimin, që në afërsi të fshatit Sherishtë, njësia administrative Kaninë, Vlorë, të ndërtohet një landfill i ri për menaxhimin e mbetjeve të bashkive Sarandë, Delvinë, Finiq, Himarë dhe Konispol.
Projekti ishte artikuluar nga Ministria e Financave, konkretisht më 15 dhjetor 2016. “Landfilli do të ndërtohet në Sherishtë të Vlorës, me një kapacitet prej rreth 350 mijë tonë. Pjesë e investimit do të jetë ndërtimi i sistemit të mbledhjes së gazrave, impianti i trajtimit të ujërave të ndotura nga mbetjet, impianti i ndarjes së mbetjeve të riciklueshme me kapacitet 60,000 ton/vit, kapacitete kompostimi për mbetjet organike me kapacitet deri në 4,200 ton/vit.”, deklarohej në njoftimin e shkurtër të Ministrisë së Financave.
Por, shumë pranë zonës ku është menduar të ndërtohet impianti i përpunimit të mbetjeve janë muret e kalasë së Kaninës, ndërsa jo më larg se 500 metra janë mbetjet e manastirit të Kllogjerit. Vizitorët që do të shkojnë në Kalanë e Kaninës do ta ndeshin këtë landfill, i cili është në ndërtim e sipër në pjesën lindore.

Në atë kohë, arkeologu Novruz Bajramaj, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë, por ka lënë pas shënimet e tij, kërkoi ndërhyrjen e institucioneve për të dërguar ekspedita dhe specialistë për studimin e kësaj zone, pasi në afërsi të saj gjendet fshati Kaninë si dhe mbi 30 objekte, monumente kulture. Ai vuri në dukje në atë kohë se u desh caktimi për ndërtimin e landfillit në këtë zonë, për të zbuluar ndoshta një vendbanim shumë të lashtë prehistorik.
“Zona ku po ndërtohet landfilli i Sherishtës, njihet me emrin Frashër, për shkak të pemëve me të njëjtin emër që janë rritur aty dhe është një pllajë e madhe që shtrihet poshtë kalasë së Kaninës dhe fshatit Drashovicë. Në vitin 2015, drejtoria rajonale e monumenteve të kulturës së Vlorës i kishte dërguar një shkresë zyrtare këshillit të qarkut, ku i kërkonte ardhjen në vend të ekspeditave të mirëfillta arkeologjike, pasi sipas specialistëve të kësaj drejtorie në zonë kishte fragmente qeramike dhe ashkla stralli, por deri më tani nuk kam parë në grupin e punës arkeolog dhe specialist të fushës për ruajtjen e këtyre vlerave monumentale”, është shprehur arkeologu Novruz Bajramaj në vitin 2017.
Kjo ishte thirrja e vetme që u bë në katër vite, ndërsa banorët e paktë të fshatit Sherishtë heshtën përballë këtij fenomeni. Gjithsesi thirrjet e arkeologëve nuk u morën në konsideratë duke bërë që matjet gjeologjike për impiantin e përpunimit të mbetjeve në këtë zonë të nisin në vitin 2018.
Gjatë një takimi të zhvilluar në Vlorë në vitin 2018, ku ishin të pranishëm kryetarët e bashkive Vlorë, Selenicë dhe Himarë, si dhe përfaqësues të Bankës Gjermane KFW, u prezantua programi i integruar i menaxhimit të mbetjeve të ngurta. Madje, edhe më herët, konkretisht në fillim të vitit 2017, ishte miratuar huaja për ndërtimin e landfillit në Vlorë për mbetjet e ngurta nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese. Deputetët e zonës në atë kohë ngritën dyshimet për mbledhjen e tarifës së pastrimit nga pushteti vendor, por nuk thanë asnjë fjalë për mbrojtjen e arkeologjisë. Tre vite më pas, konkretisht më 28 shkurt 2020, qeveria miratoi lejen për ndërtimin e landfillit të Vlorës nga Bashkia Vlorë.
Që prej muajit qershor të vitit të kaluar kanë nisur dhe punimet për ndërtimin e landfillit të Vlorës në Sherishtë. Ai pritet të përfundojë në dhjetor të vitit 2021 dhe ka një kosto rreth 9.8 milionë euro. Gjatë muajit gusht 2020, kryebashkiaku Dritan Leli shkoi të inspektojë nga afër punimet e kryera për landfillin e Sherishtës duke garantuar që puna do të mbarojë brenda vitit 2021, ndërsa përfituese e drejtpërdrejtë përsa i përket menaxhimit të mbetjeve urbane pritet të jenë Bashkia Vlorë dhe Bashkia Selenicë. Ndërsa në muajin tetor 2020, Kryeministri Rama në një postim në rrjetin social Facebook lajmëronte pikërisht nisjen e punimeve në këtë zonë për landfillin e Sherishtës, me një kapacitet prej 350 tonë mbetjesh.

Bashkia Vlorë: Arkeologët vëzhgojnë punimet
Porta Vendore pyeti pranë Bashkisë Vlorë në lidhje me këtë landfill të shumëpërfolur që në vitin 2016, dhe nëse ai është bërë me aprovimin e banorëve. Në përgjigjen e saj, Bashkia Vlorë thotë se ky proces përbën një detyrim ligjor në tërësinë e procedurave që çojnë në realizimin dhe finalizimin e projektit. “Konkretizimi i këtyre procedurave, çoi edhe në përzgjedhjen e Sherishtës si vendi i realizimit të projektit, ku përmbushen të gjitha parametrat respektivë. Kjo do të thotë se edhe impakti në mjedis është në përputhje me standardet më të përparuara evropiane. Kjo do të thotë gjithashtu se nuk ka asnjë ndikim negativ në jetën e banorëve të zonës. Largësia e mjaftueshme nga zona e banuar dhe lartësia optimale mbi nivelin e detit, janë dy nga parametrat e përcaktuar në përputhje me standardet më të përparuara të vendeve më të zhvilluara”, deklaroi Bashkia Vlorë, duke deklaruar se dëgjesat publike janë bërë gjatë hartimit të planit të zhvillimit territorial.
Përsa i përket pretendimit të arkeologëve mbi gjetjen e sendeve me vlerë në këtë zonë, Bashkia Vlorë në përgjigje të kërkesës për informacion referuar nga Porta Vendore, tha se gjatë fazës së studimit të fizibilitetit u trajtuan dhe u morën në shqyrtim 8 pika të mundshme për ndërtimin e landfillit. “Në përfundim dhe në vlerësim të disa faktorëve përzgjedhës, ekspertët e huaj /konsulentët përzgjodhën Sherishtën si pika më e përshtatshme për konkretizimin e projektit. Me vendimin Nr. 217, datë 17.10.2018, pika 1, është miratuar raporti i vëzhgimit arkeologjik i realizuar nga ekspertë të pavarur të fushës nga ana e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Ky vendim jep pëlqimin për zhvillimin e projektit në këtë zonë dhe jep si rekomandim monitorimin e vazhdueshëm të procesit të gërmimit nga një ekspert arkeolog i jashtëm, si edhe nga institucionet përkatëse Rajonale dhe Qendrore”, thotë Bashkia Vlorë.
Bashkia Vlorë gjithashtu tha se në lidhje me këtë çështje, ky institucion ka lidhur aktmarrëveshje për ndjekjen periodike ditore të procesit të gërmimit. “Ekspertët arkeologë sipas detyrimit ligjor janë prezentë gjatë gërmimeve në kantier, duke bërë monitorimin e punimeve dhe duhet thënë se gjatë gërmimeve nuk ka pasur asnjë shenjë ose indicie për ndonjë gjetje arkeologjike”, përfundon në përgjigjen e saj Bashkia Vlorë.
Kompania fituese, pa arkeolog
Porta Vendore kreu vëzhgim disa herë pranë këtij landfilli, por nuk u vu re ndonjë arkeolog, megjithëse kompania që ka ndërmarrë ngritjen e këtij landfilli ka rrethuar gjithë zonën dhe e ruan me kamera sigurie. Nga punonjësit brenda landfillit mësohet se aktualisht është hapur gropa dhe janë ngritur kabinat e stafit, por aktualisht nuk po bëhet ndonjë punim. Ndërkohë, nga dokumentacioni rezulton se Bashkia Vlorë ka zhvilluar një tender që në nëntor të vitit 2019 për “Mbikëqyrje arkeologjike të punimeve të gërmimit të Landfillit në Sherishtë”. Ky tender është fituar nga kompania G & L, me vlerë 98 mijë lekë të reja, që sipas Bashkisë Vlorë, ekspertët arkeologë të saj janë prezentë gjatë gërmimeve. Megjithatë, nga verifikimi që bëri Porta Vendore për këtë kompani, rezulton se në objektin e veprimtarisë së saj, ajo nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë veprimtari që lidhet me arkeologjinë. Ky fakt ngre dyshime të forta sesi kjo kompani ka bërë mbikëqyrje arkeologjike, siç pretendon Bashkia e Vlorës, kur nuk ka asnjë arkeolog. Për këtë arsye, Porta Vendore kontaktoi dhe me përfaqësuesin e kompanisë. I kontaktuar në telefon nga Porta Vendore për tenderin e përfituar nga Bashkia Vlorë, përfaqësuesi i kompanisë fituese G&L tha se nuk ka dijeni me këtë, pasi merret bashkëpunëtori i tij. “Nuk kam arkeolog dhe nuk merrem me arkeologji, pasi unë merrem me ndërtimet e vogla. Është kompania tjetër që merret me këtë”, deklaroi në telefon përfaqësuesi i kompanisë, ndërkohë që kjo kompani rezulton fituese në Bashkinë e Vlorës dhe jo kompani tjetër. Porta Vendore e pyeti përfaqësuesin e kompanisë G&L nëse mund të kishte një kontakt të kompanisë tjetër që pretendohet se ka arkeolog, por përgjigja ishte shumë evazive. “Kam tentuar 2-3 herë të lidhem me të gjatë ditës së sotme, dhe skam arritur ta kap dot as në celular. Kur të flas do t’u them”, përfundoi përfaqësuesi i Kompanisë G&L , e cila nuk kontaktoi më me Portën Vendore dhe nuk ka asnjë lidhje me arkeologjinë, megjithëse pavarësisht kësaj, kjo nuk e ka penguar të fitojë një tender nga Bashkia Vlorë, për mbikëqyrje arkeologjike.
Eksperti, skeptik për inspektimet
Por, ekspertët e shohin me shqetësim ngritjen e këtij landfilli, duke u shprehur se këto po ndërtohen pa asnjë plan dhe duke dëmtuar arkeologjinë. Një prej tyre është arkeologu i njohur, Gjergj Frashësi, i cili thotë se e ka ndjekur nga afër dhe se deri më sot nuk ka asnjë raport arkeologjik për zonën, duke u shprehur skeptik për punën që mund të bëjnë ekspertët e kontraktuar nga Instituti i Monumenteve. “Sherishta njihet si zonë arkeologjike që në shekullin e kaluar. Është në fakt një territor i madh që ka pasur ndër vite gjetje arkeologjike, dhe ndaj mendoj se duhej të kishte një gërmim të plotë të zonës për të konstatuar këto mbetje. Sherishta është një nga zonat më atraktive në këtë aspekt, por siç ndodh rëndom në Shqipëri, për vëzhgim dërgohet një nëpunës i Institutit të Monumenteve, dhe bën një vëzhgim të thjeshtë, i porositur për rezultatin final. Dhe mesa kam hulumtuar nuk ka asnjë raport mbi ndikimin në arkeologji kryer nga ndonjë arkeolog ose grup i certifikuar. Investime të tilla nuk duhen bërë pa plan dhe mbi të gjitha në dëm të arkeologjisë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qytetin e Durrësit dhe kjo është për të ardhur keq, por tani rrethi është zgjeruar edhe më shumë, nga Durrësi deri në Vlorë për këto investime që bëhen mbi mbetje arkeologjike të shumta e të veçanta”, thotë për Portën Vendore, arkeologu i njohur Gjergj Frashëri.
Ndërtimi i landfillit
Nga ato pak dokumente që rezultojnë publike, rezulton se Landfilli i Vlorës në Sherishtë do të ndërtohen me një kredi të bankës gjermane KfW.

Tenderi me vlerë 9,8 milionë euro u fitua më 12 qershor 2020 nga bashkimi i kompanive Integrated Technology Services dhe JV Bulfaro. Megjithatë, as Bashkia Vlorë dhe as Agjencia e Prokurimeve Publike nuk kanë publikuar asnjë informacion në lidhje me kriteret e tenderit, kompanive pjesëmarrëse dhe se si u përzgjodh fituesi. Por, ajo që vihet re është fakti se ky tender është fituar nga e njëjta kompani e cili është përfolur në media për monopolizimin e industrisë së plehrave, duke qenë e lidhur edhe me inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, konkretisht “Integrated Technology Services”, me pronar Klodian Zoton.
Kapaciteti i landfillit do të ketë një kapacitet përpunues prej 350 mijë tonë mbetjesh, për të arritur deri në 1 milion tonë. Sipas marrëveshjes së arritur, 20.8 milionë euro janë për ndërtimin e të gjithë infrastrukturës, që nga mbledhja e ndarja e mbetjeve në burim, transportim dhe trajtim në landfill i mbetjeve. Landfilli do të sigurojë lëndën e parë për industrinë e riciklimit, pas ndarjes së mbetjeve në burim. Impianti do të ketë teknologji moderne, pasi parashikon ndarjen e mbetjeve të riciklueshme, redukton çlirimin e gazrave dhe ka një kapacitet të lartë për përpunimin e mbetjeve të riciklueshme dhe të kompostuar, deri në 350 mijë tonë.