19 shkurt 2021/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore/ Prrenjas
Bashkia e Prrenjasit është tërhequr nga kallëzimi penal për ujësjellësin e ri të fshatit Bërzheshtë, për të cilin, kryetari i bashkisë, pati deklaroi rreth një vit më parë se do të çonte për ndjekje penale përgjegjësit që kanë krijuar situatën e mungesës së ujit të pijshëm në këtë zonë. Bashkia Prrenjas pretendon se ka zgjidhur problemin e ujit të pijshëm për banorët e fshatit Bërzheshtë, të cilët ishin ankuar se një vit pas ndërtimit të ujësjellësit të ri, ata kishin mbetur pa ujë.
Problemi i mungesës së ujit të pijshëm në fshatin Bërzheshtë, të Njësisë Administrative Qukës në Prrenjas, u bë publik nga banorët pas zgjedhjeve të vitit 2019, kur Bashkia ndryshoi drejtim. Banorët u ankuan se një vit pas ndërtimit të ujësjellësit të ri për fshatin e tyre, ata nuk kishin pikë uji në çezma, ndonëse para ndërtimit të tij furnizoheshin me ujë 24 orë. Kryetari i Bashkisë Prrenjas Nuri Belba deklaroi në fillim të vitit 2020 se për këtë investim, për të cilin bashkia kishte paguar 12 milionë lekë të reja, të ngrinte një grup inspektimi në terren.
Një vit pas ngritjes së këtij shqetësimi, Porta Vendore pyeti sërish Bashkinë Prrenjas nëse është gjetur një zgjidhje mbi këtë situatë. “Fshati Bërzheshtë, deri në momentin që është kryer investimi për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësi,t furnizohej me ujë të pijshëm me anë të tubacioneve private që merreshin në vendburimin e quajtur Gurrat e Bërzheshtës. Më pas, Bashkia Prrenjas ndërtoi me anë të një projekti rrjetin e ri të ujësjellësit, i cili mbulonte pothuajse të gjithë fshatin Bërzheshtë. Me përfundimin e punimeve, në momentin që u krye hapja e ujit, disa zona të fshatit nuk furnizoheshin me ujë. Pas ankesave të banorëve u ngrit një grup pune për verifikimin e këtyre ankesave. Grupi i punës është shprehur me relacion, ku ka nxjerrë dhe problematikat që janë hasur në këtë ujësjellës. Gjithashtu është ngritur dhe një komision për disiplinimin e ujit të pijshëm në fshatin Bërzheshtë, ku është mbajtur edhe procesverbal nga komisioni”, deklaroi Bashkia Prrenjas, duke pretenduar se ky problem ka marrë zgjidhje tashmë. “Furnizimi me ujë vështirësohet në periudhën Korrik-Gusht vetëm për disa familje, sepse pjesa më e madhe ujin e pijshëm e përdorin edhe për vaditje, por shumë shpejt do të zgjidhet dhe ky problem për banorët”, shtoi ndër të tjera Bashkia Prrenjas.
Inspektimi për ujësjellësin
Porta Vendore ka siguruar dhe një kopje të inspektimit të bërë në terren nga grupi i punës i përbërë nga 5 anëtarë, specialistë të ujësjellësit, shërbimeve publike, inxhinierë dhe juristë. Në këtë raport vihet re se janë konstatuar disa shkelje, por që nuk është nxjerrë asnjë përgjegjës. Në raport vihet re se inspektimi është bërë nga fillimi i ujësjellësit deri te familja e fundit, ku janë vërejtur probleme si për mungesën e kushteve teknike, ashtu dhe dëmtime nga dora e njeriut. “Grupi i punës konstaton se shumica e kasetave të shpërndarjes nuk plotësojnë kushtet teknike, pasi janë të vogla dhe nuk mund të instalohen matësit e ujit. Po ashtu, kapakët e kasetave shpërndarëse nuk janë vënë sipas zërit numër 8 të punimeve në bazë të analizë,s dhe tek të gjitha kasetat shpërndarëse mungonin kyçet për mbylljen e tyre. Në të gjitha kasetat komanduese, kapakët e betonin janë jo funksionalë, pasi janë shumë të rëndë dhe nuk mund të manovrohen në rastet kur duhet të kryhen punime në kasetë si dhe në disa raste, këto kaseta janë mbuluar plotësisht. Gjithashtu, në shumë kaseta komanduese ishin të dëmtuara saraçineskat kryesore të manovrimit të ujit”, thuhet në raportin e grupit të inspektimit.
Gjatë inspektimit është vënë re se nga ana tjetër, ujësjellësi i ri nuk furnizohej me ujë të pijshëm për të dyja linjat, por një herë njëra dhe një herë tjetra. Megjithatë, grupi i punës deklaron se nuk mund të dalë në konkluzione nëse punimet janë kryer në përputhje me projektin, për të nxjerrë përgjegjësit e mungesës së ujit. “Për pikën e dytë të urdhrit, grupi i punës nuk mund të dalë në një përfundim për kontrollin dhe inspektimin e punimeve nëse janë kryer në përputhje me zërat e preventivit dhe të situacionit përfundimtar, pasi shumica e punimeve janë të maskura dhe për këtë duhet të shprehet supervizori që ka ndjekur punimet për ndërtimin e këtij ujësjellësi; kolaudatori që ka kryer kolaudimin e veprës dhe grupi i punës, i cili ka marrë në dorëzim objektin”, shprehet grupi i inspektimit në raportin e tij.
Pas dorëzimit të raportit të inspektimit, Kryetari i Bashkisë Prrenjas ka urdhëruar ngritjen e komisionit të disiplinimit të ujit të pijshëm në fshatin Bërzheshtë, ku ka kërkuar verifikimin e gjendjes dhe marrjen e masave urgjente për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve dhe evidentimin e eliminimin e të gjitha linjave të paligjshme. Pas ngritjes së këtij komisioni, për t’i dhënë zgjidhje furnizimit me ujë në këtë fshat, është vendosur që të lidhet një tub tjetër furnizimi nga depoja e vjetër te ujësjellësi i ri për të shtuar sasinë e ujit në rrjet. “Ndërkohë, është kërkuar që pleqësia e fshatit të bëjë një listë me emrat e personave që marrin ujë në mënyrë të paligjshme në gurrën e fshatit dhe të dorëzohet te bashkia për të bërë të mundur shkëputjen e tyre si dhe prerjen, pasi janë pa dokumentacion përkatës”, deklaroi Bashkia Prrenjas. Gjithashtu, është lënë detyrë që hidrauliku i fshatit duhet të menaxhojë sa më mirë ujin e pijshëm, duke kryer manovrimet e duhura për të furnizuar abonentët me ujë.
Bashkia tërhiqet nga kallëzimi
Porta Vendore e raportoi këtë problematikë të komunitetit më 29 shkurt 2019 ndërsa në atë kohë bashkia tha se: “ është ka ngritur një grup specialistësh për verifikimin e situatës në terren e kryesuar nga vetë Drejtori i Urbanistikës, Nazmi Dashi”. Drejtori i Urbanistikës i tha në atë kohë Portës Vendore se për verifikim saktësisht të zbatimit të projektit pritet të gjendet një inxhinier hidroteknik, i cili do të rishikojë ekzaktësisht zbatueshmërinë e projektit që nga preventivi, zbatimi dhe deri te marrja në dorëzim, ndërkohë që bashkia po përgatit edhe dosjen për kallëzim penal pranë prokurorisë tha Bashkia Prrenjas në atë kohë, pra rreth 2 vite më parë lidhur me këtë situatë.
Por, edhe pse duket se furnizimi me ujë të pijshëm ka marrë zgjidhje disi, pasi fshati nuk furnizohet 24 orë me ujë, por me orare sipas manovrimeve të kryera nga hidrauliku i caktuar nga Bashkia Prrenjas, kjo e fundit është tërhequr nga kallëzimi penal për përgjegjësit e punimeve të dobëta për ujësjellësin e ri. Porta Vendore, në përfundim të këtyre veprimeve, pyeti nëse është ngritur kallëzim penal ndaj kompanisë që ka kryer punimet apo ish-kryebashkiakes, por Bashkia Prrenjas, deklaroi “Jo, nuk është ngritur asnjë padi”. Kjo, sipas Bashkisë Prrenjas, ka ndodhur për faktin se grupi i punës nuk ka arritur të dalë në një përfundim për kontrollin dhe inspektimin e punimeve nëse janë kryer në përputhje me zërat e preventivit dhe të situacionit përfundimtar. Në këto kushte, edhe pse grupi i punës ka konstatuar disa probleme, kostoja shtesë i ka shkuar sërish buxhetit të Bashkisë Prrenjas, duke rënduar kështu xhepat e qytetarëve, ndërkohë që banorët vijojnë të mos furnizohen me ujë 24 orë, ashtu siç furnizoheshin para se të ndërtohej ujësjellësi i ri.