17 shkurt 2020/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Krujë
Thumana mban ende veshur rrobat e zisë. Premtimet e qeverisë se ata do të mund të festonin ndërrimin e viteve në shtëpitë e reja nuk iu afrua aspak realitetit.. Të përkulur nga dhimbja, pasi tërmeti i 26 nëntorit iu mori gjithçka, shpresa, teksa shohin të hidhen themelet e reja të pallateve, është e vetmja gjë që i mban ende gjallë.
E kthyer në një kantier të madh ndërtimi, në Thumanën e rrënuar nga tërmeti, është e vështirë të gjesh banorë. Ndërsa ka nisur rindërtimi i Thumanës së re, pasi të gjitha pallatet dhe banesat e dëmtuara rëndë nga tërmeti janë rrafshuar tërësisht, banorët janë larguar në kërkim të një shtëpie provizore. Ata që më parë jetonin në shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti janë zhvendosur prej afërsisht një viti në shtëpi me qira, në Tiranë, Laç apo Lezhë ose pranë familjarëve të tyre.
Herë pas here ata kthehen në Thumanë për të parë se si po shkon ndërtimi i shtëpive të premtuara. Rastësisht takojmë edhe Manushaqen, teksa vëzhgon nga larg kantierin e ndërtimit.
Megjithëse gjithçka u kujtonte tërmetin është rrafshuar krejtësisht dhe ka nisur ndërtimi i qytetit të ri, ajo nuk është shumë optimiste.
“Vetëm kur të futem në shtëpi do ta besoj. U bë më shumë se një vit që jetojmë me premtime, por gjë nuk kemi parë”, shprehet ajo.
Ajo ka humbur shumëçka në pallatin që mori me vete tërmeti i 26 nëntorit. Komshinjtë me të cilët pinte prej vitesh kafenë e mëngjesit, pasurinë e ngritur ndër vite, shtëpinë me gjithçka brenda.
Për fat të mirë familja e Manushaqe Merjas, mundi të dalë shëndoshë e mirë nga pallati që shënoi 14 viktima në Thumanë. Mirëpo ajo humbi gjithçka tjetër dhe viti që lamë pas ka qenë shumë i vështirë për të.
“Ne kishim një furrë buke dhe ishim të punësuar unë dhe bashkëshorti. Nuk është vetëm puna e shtëpisë, se atë kemi shpresë që do të na e ndërtojnë, por për punë si do t’ia bëjmë. Ky ka qenë një vit i tmerrshëm për ne, mezi kemi mundur të sigurojmë një jetesë minimale, pasi është e vështirë me gjet punë. Fillimisht kemi qëndruar në Lezhë tek hotel ‘Rafaelo’, ndërsa tani po qëndrojmë në Laç, pasi atje kemi edhe disa familjarë”, thotë për Porta Vendore Manushaqja.
“Na patën premtuar se këtë vit do të futeshim në shtëpitë e reja, por edhe këtë dimër po e kalojmë rrugëve. Ra kjo puna e virusit dhe ne na harruan”, na thotë ajo jo pa zhgënjim lidhur me hapat me të cilat po ecën procesi i rindërtimit. E ndërsa kur e pyet për ndërrimin e viteve, ajo shprehet: “Çfarë festash ka për ne. Festa jonë do të ishte po të ishim në shtëpi, kështu rrugëve nuk ka kuptim asgjë”, na thotë ajo.

Ndonëse pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, kryeministri Rama premtoi se të gjithë të dëmtuarit do ta festonin Vitin e Ri 2021 në shtëpitë e reja, procesi nuk ka ecur me të njëjtin ritëm të premtimeve. Mes krizës së pandemisë së shkaktuar nga Covid 19, dhe akuzave për mungesë të fondeve, procesi i rindërtimit në Thumanë nisi në fillim të tetorit 2020.
Aktualisht janë 12 hektarë tokë që i janë nënshtruar fillimisht rrjetit të kanalizimit dhe infrastrukturës së nevojshme, dhe që prej fillimit të tetorit ka nisur puna për ndërtimin e 145 banesave individuale. Një investim ky i marrë përsipër nga fondacioni “Fierdeus” i Elvis Naçit. Pritet që atij t’i bashkohen edhe fondet e akorduara nga Behgjet Paçolli për ndërtimin e 14 pallateve. Në total bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 16 hektarësh në të cilën do të ndërtohet Thumana e Re. Sipas të dhënave zyrtare, Programi i Rindërtimit në Thumanë parashikon ndërtimin e 14 pallateve, 278 apartamenteve dhe 167 banesave individuale.
Por, veç atyre që presin të gëzojnë shtëpitë e reja, ka dhe shumë të tjerë që ankohen se nuk janë vlerësuar siç u takon për dëmet nga tërmeti. Shtëpia dykatëshe e Feride Franit pësoi mjaft dëmtime gjatë tërmetit të 26 nëntorit, por ajo u kategorizua si DS2. Dëmet e pësuara nga tërmeti u vlerësuan në shumën e 250 mijë lekëve të reja, para të cilat ajo i ka marrë.
“Ka qenë një natë e tmerrshme, mua së bashku me nipin na zuri bufeja poshtë e shpëtuam për pak. Lekët i kemi marrë, por mezi arritëm të mbyllim të çarat më të mëdha, por jo të gjitha dëmtimet e pësuara. Do të duheshin së paku edhe aq lekë për ta rregulluar e për ta bërë të sigurt. Me thënë të drejtën akoma fle me frikë”, na rrëfen ajo.
Ferideja është pensioniste dhe tregon se viti 2020 ka qenë i vështirë për familjen e saj për të siguruar nevojat më bazike. “Me lekët e pensionit unë mezi arrij të blej ilaçet e tensionit që i kam të nevojshme dhe çfarë ngelet tjetër e kam për ushqime. As borxh nuk kërkon dot. Kujt t’i kërkosh këtë vit, ka qenë një vit i vështirë për të gjithë”, na thotë ajo.
Por veç Thumanës, ku pati shumë viktima, Bubqi është njëri ndër fshatrat më të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit. Edhe kjo zonë është pjesë e procesit të rindërtimit. Sipas Bashkisë së Krujës, në mars pritet të përfundojë rindërtimi në këtë zonë që është i parashikuar të ngrihet në një sipërfaqe prej 8.7 hektarësh, ku do të ndërtohen 77 shtëpi banimi individuale njëkatëshe, 3 pallate me 45 apartamente, dhe një shkollë. “Vonesat erdhën për shkak të procesit të shpronësimit, por gjithçka do të jetë gati në muajin mars. Po ecet me ritme të mira dhe shpresojmë që të dorëzojmë çelësat e shtëpive gjatë pranverës”, na thotë Drini Masha, nga Bashkia e Krujës.
Por, moti i keq dhe dimri nuk pyesin për pengesat e hasura, teksa hyjmë në shtëpitë pa dyer e dritare të familjeve të dëmtuara nga tërmeti në fshatin Bubq. Një prej familjeve, ku shirat dhe i ftohti u kanë vështirësuar jetën është ajo e Bedries. Familja me 5 anëtarë edhe këtë vit e priti ndërrimin e viteve në kontejner. Hapësira tejet e vogël për të gjithë pjesëtarët e familjes, nuk i ka lejuar ata të kenë gjithçka brenda. Ata pranojnë se një pjesë të madhe të gjërave i kanë në shtëpinë e rrënuar. “Me gjithë këto shira, i ftohti po ashtu futet gjithandej. Ç’të të them, mendojmë vetëm të mund t’ia dalim këtij dimri. Kur bën shumë ftohtë shkojmë nëpër fis e të afërm, pasi jetesa është thuajse e pamundur në kontejner, megjithëse është shumë më ndryshe nga çadra. Se në ato fillime kemi jetuar në çadër”, na tregon Bedrija. Shtëpia e tyre është rrënuar krejtësisht dhe po presin që të rindërtohet. “Na kanë thënë se do të mund të futemi në shtëpi gjatë pranverës, shkojmë vazhdimisht e shohim se si po ecin punimet se aty i kemi sytë. Mbetemi në shpresë të zotit që të mbarojnë në kohë dhe ajo do të jetë festa jonë”, na thotë Bedrija.

Por përfaqësuesit e Bashkisë së Krujës e shohin situatën me optimizëm. Ata thonë për Portën Vendore se pavarësisht se iu është dashur të përballen me një vit të pazakontë, me tërmetin dhe pandeminë, bilanci që ata bëjnë është pozitiv. “Ne jemi munduar që t’i jemi pranë çdo familje në nevojë dhe prioritet kanë qenë familjet e dëmtuara nga tërmeti. Sigurisht që ndokush mund të mos ketë përfituar aq sa ai dëshiron, por nuk ka mbetur familje pa përfituar”, na shpjegon Drini Masha, nga zyra e Bashkisë së Krujës. Sipas tij, edhe rindërtimi po ecën me ritme të kënaqshme dhe shtëpitë individuale pritet të përfundojnë gjatë pranverës. “Nga 4 kantiere ndërtimi që ne kemi, jo vetëm ka nisur puna, por po ecën me ritme të shpejta. Në Thumanë ka nisur rindërtimi i shtëpive private, dhe pritet të nisin edhe pallatet. Në Bubq po ashtu është përparuar shumë me shtëpitë individuale, dhe pritet që të përfundojnë në pranverë, si në Thumanë si në Bubq. Fushë-Kruja është kthyer në një kantier ndërtimi dhe shtëpitë individuale kanë ecur me ritme të shpejta, ndërkohë që edhe në Krujë nis prishja e pallateve në janar”, na shpjegon Drini Masha, zëdhënës i Bashkisë Krujë . Ai shpjegon se vonesat në Krujë erdhën si pasojë e pakënaqësisë dhe protestave të banorëve, por tashmë gjithçka është vënë në vijë. “U bë njëherë plani, por u kthye mbrapsht dhe u ribë nga e para. Vërtet nuk ka nisur ndërtimi, por është gjetur trualli, po bëhet gati infrastruktura dhe në janar nisim me shembjen e pallateve që shpresojmë të përfundojnë në fund të vitit që vjen. Pra jemi në rrugë të mbarë, pavarësisht sfidave që ka pasur viti 2020”, përfundon Drini Masha.

Por në Thumanë ka edhe familje që kanë pasur arsye për të festuar ndërrimin e viteve, duke treguar kështu një anë tjetër të medaljes, iniciuar që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. “E para se e gjithë familja shpëtoi shëndoshë e mirë nga tërmeti se ne këtu kemi parë lemeri dhe e dyta se edhe virusi nuk na bëri asgjë. Jemi shëndoshë e mirë”, na thonë Vjollca dhe Islami. Ata e konsiderojnë veten me fat edhe sa i përket lekëve të dëmshpërblimit që kanë marrë nga tërmeti. Dëmet që pësoi banesa e tyre private në Thumanë u vlerësuan 250 mijë lekë. Ata e kanë marrë vlerën e bonusit të caktuar nga qeveria për dëmet që pësoi banesa e tyre dhe kanë mundur ta riparojnë. “I kemi marrë dhe i kemi bërë të gjitha ndërhyrjet, nuk është se shtëpia na ishte dëmtuar shumë. Kështu që na mjaftuan. Por edhe ushqime na kanë sjellë. Fillimisht bashkia, e më pas na kanë sjellë shoqatat. Edhe shteti nuk ka çfarë na bën më shumë se nuk ishte vetëm tërmeti, ishte edhe virusi. Ne jemi të kënaqur”, na tregojnë çifti i bashkëshortëve.
Nisja e ndërtimit të shtëpive individuale ka “ofruar” një mënyrë të re pune me të cilën fitojnë para për të jetuar. Të dy të papunë, ata mbledhin plastmasë në kantieret e ndërtimit dhe i shesin në pikat e riciklimit. Megjithëse edhe kjo ka vështirësitë e veta. “Jo gjithmonë na i japin, por ne na bëjnë punë. Se këto kohë nuk ka shumë njerëz këtej, duke qenë se shumica nuk jetojnë më këtu që pas tërmetit”, na tregojnë ata. “A kemi qenë më mirë? Sigurisht që po! Por ama jemi të kënaqur që edhe këtë vit kemi një shtëpi dhe do të bëjmë gëzuar me njëri-tjetrin”, përfundojnë Vjollca dhe Islami.
Historitë e familjeve të prekura nga tërmeti janë të shumta, të ndryshme, por përtej të gjithë vështirësive dhe vuajtjeve, ato ia kanë dalë që të ecin përpara, disa me shpresën se do iu ndërtohen shtëpitë e reja, e disa duke iu gëzuar kështu jetës, dhe duke u përpjekur të harrojnë sadopak mëngjesin e tmerrshëm të 26 nëntorit, që shënoi një pikë kthese në jetën e shumë banorëve të zonës së Krujës e jo vetëm.